Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Leka Kulo

| E diele, 03.01.2021, 06:19 PM |


Leka Kulo

Nga Edison Ypi

Pas një dite të lodhëshme gjatë së cilës nuk vodhi dot asnjë Lek dhe nuk lëpiu dot asnjë Kulo, Leka Kulo u shtri të flinte.

Në mendje i rrotulloheshin gjithato mendime për Shqipërinë, shqiptarët, hallet e tyre.

Tha Leka Kulo me vete; Së bashku këtu, së bashku atje, së bashku kudo, bashkë në kafene, bashkë në supermaket, bashkë në Fejsbuk, në Insragram, në Internet. Sa më tepër afroheni aq më tepër largoheni, aq më tepër ftoheni. Që ta ndreqni këtë gabim, futuni brenda brimës së bythës së njëritjetrit, dhe do rehatoheni.

Sistemi zgjedhor maxhoritar, ju sjell në Parlament banditët që votat i blejnë. Sistemi proporcional me listë që e bën Kryetari edhe ai e mbush Parlamentin me po ata dreqër. Duket si i pazgjidhshëm problemi me dy sisteme të kundërt dhe rezultat të njëjtë. Për ta zgjidhur këtë problem, të shpallet, madje të bëhet ligj, se meritat në parti, në politikë, pushtet, dhe kudo gjetkë, të jenë proporcionale me kontributin në pare të thata që jep secili që aspiron karrierë, dhe ky sherr merr fund.

Amerikën, Europën, lindjen, perëndimin, ambasadorët përkatës, ju i shani ose i lëvdoni, i bëni të mirë ose të këqij, në varësi si i ka hallet njëri e tjetri. Është e pahijshme, e padenjë, e turpshme. Lërini t'ju sulmojnë e t'ju pushtojnë e t'ju mbajnë me tërë të mirat, dhe bini rehat, kërcitjani gjumit, se boll u bëtë telef duke i sharë.

Gazetat, televizionet, media juaj, janë ku thrret qameti, asgjë nuk shihet, kurgjë nuk lexohet. Nuk mund të jetë ndryshe sa kohë nuk ju paguan gazeta juve që shkruani, por ju që shkruani paguani gazetën. Duket paradoks, por edhe kjo e ka një derman. Të marrin fund këto taksirate e këto dhimbje, të dalin bosët e medias ti thonë qartë dhe pa ekuivoke mixhlizit...llallallallalla. Që nuk do jetë zgjidhje. Por do mbeteni të kënaqur se pa dëgjuar rrena nuk jetoni dot.

Librat janë të palexueshëm. Shkrimtarët, dhe në përgjithësi artistët, të gjithë llomotisin për ndonjë lek. E bëjnë këtë turp ngaqë janë njerëz banalë pa asnjë talent që me Artin dhe Frymëzimin nuk i lidh asgjë. Sharlatanë e kanë zgjedhur zhgarravitjen si mjet mbijetese. Edhe kësaj i bëhet. Të gjithë grafomamët të internohen në një vend të izoluar. Për shembull në ishullin e Sazanit. Ku shkarrashkruesit pjesën e mbetur të jetës ta shtyjnë mes lepujve dhe gjarpërinjve duke lexuar këllirat e njëritjetrit.

Vendet e heroizmave historike, luftrave, kryengritjeve, shqiptarët i kanë larg qëndrave të banuara nëpër ca shkëmbinj e ca përrenj, nëpër ca ngushtica ku nuk mund të ndodhi asgjë. Në alpet e veriut, mes maleve, në Strelcë, në Lenie, që i mbani për vende luftrash, edhe sot po të shkosh nuk takon këmbë njeriu, le më gjatë shekujve të kaluar. Gjithçka historike me të cilat mburreni, madje vetë historia juaj, nuk kanë ekzistuar. Janë sajesa frikacakësh në panik të përhershëm. Justifikime qëniesh inferiore, pjella të imagjinatës burracake për ta mbajtur veten me gajret. Doni të bini rehat nga këta vampirë të së së kaluarës ? Hidhini në zjarr çifteliat. Grisini Epet. Harrojini legjendat, këngët, rapsodët me një sy, me dy sy, me pes sy, apo pa asnjë sy, krejt të verbër.

Argumentat që ju demokratët shqiptarë sillni për të provuar sa gabim e pat Çurçilli dhe Perëndimi që mbajtën anën e kurvit dhe jo të Mitat Frashërit, janë të gabuara. Unë Leka Kulo ju këshilloj të hiqni dorë nga insistimi për ta paraqitur Mitat Frashërin strateg lufte, diplomat, filozof. Mitat Frashëri nuk ishte për luftë. Mitat Frashëri ishte një idealist, një sentimental, një dashnor.

Ju të persekutuarit shqiptarë të kurvit që nuk mblidhni dot elektorat, partinë që është efektivisht më afër jush dhe halleve tuaja, edhe nuk e votoni, edhe ankoheni pse ajo parti nuk vjen në pushtet. Çudi si nuk e kuptoni se që të mbeteni të kënaqur, zgjidhja është më se e thjeshtë; Bëhuni çdo herë me atë parti që është në pushtet. Ja ku u çliruat edhe nga kjo torturë, që po të mos isha unë mendjendrituri Leka Kulo, do ta kishit vuajtur deri në varr.

Një herë e një kohë ankoheshit se ju bëheshin gratë kurva ngaqë hanit çdo darkë përshesh me kos. Tani që hani mish e pilaf e tav dheje, prapë gratë ua dredhin. Për këtë hall kaq të madh, unë vëllai juaj Leka Kulo që ju do të mirën, nuk e di çfarë këshille tu jap. Zgjidheni vet.

Kaq tha Leka Kulo, dhe heshti. Mbylli sytë dhe mbuloi kokën me jastëk me shpresë se do ta zinte gjumi dhe do shihte ëndërra të bukura me flamuj kuq e zi që i valavit era dhe shkaba dykrenare që nxjerrin zjarr nga goja.