| E shtune, 02.01.2021, 11:44 AM |
PUNË TË MBARË PROFESOR SHEFQET HOXHA
NGA
REXHEP SHAHU
Në
dhjetor 2020 profesor Shefqet Hoxha ka tashmë të botuara 10 vepra të tij të
trashëgimisë. Jo vetëm Baladat dhe Prozën, por tashmë për të interesuarit janë
në qarkullim Epika Historike, Lirika Popullore dhe Eposi i Kreshnikëve.
Gjithsej 10 libra të rrallë, një pasuri e jashtëzakonshme për kujtesën
kombëtare, dëshmi të pazhbëshme.
Keto
10 libra u botuan nga Shtëpia Botuese Klubi i Poezisë, falë mirësisë së
humanistit Flamur Hoxha, i cili diti t’i vlerësojë këto libra dhe të na pohoje
ne të gjithëve se ka edhe sipërmarrës e biznesmenë që e dinë se çfarë është
libri, që e dinë se libri është kolona e të ardhmes së shoqërise.
56
vjet më parë, më 1960, vit kur unë jam lindë, prof. Shefqet Hoxha ka botuar
shkrimin e parë shkencor me titullin “Fejesa e martesa në Lumë” në “Buletini i
Universitetit Shtetëror të Tiranës”, Seria Shkencat Shoqërore, nr. 4.
Në
56 vite prof. Shefqet Hoxha ka botuar mbi 60 libra dhe na i ka lënë si pasuri
të papërsëritshme, me disa mijëra faqe, disa qindra shkrime, ka të pabotuara
rreth 40 libra të tjera që presin vemendje, kujdes e mirësi si në rastin e
këtyre dy botimeve, ka krijuar bibliotekë dhe njerzit që krijojnë bibliotekë
janë të rrallë.
Këtë
fund viti të 2016 ai sjell për lexuesit dy botime të veçanta, Proza popullore
(Lumë, Has, Malzi, Fan) dhe Balada popullore (Lumë, Has, Malzi, Fan), libra
këto me vlera të pallogaritshme për kujtesën dhe kulturën tonë kombëtare.
E
bëj këtë shënim për ta falenderuar profesor Shefqetin për punën që ka bërë, për
mbledhjen e Prozës, Baladave, Lirikës, Epikës, për mbledhjen e Kanunit të
Lumës, për përgatitjen e tyre për botim; që e ka shpëtuar prej humbjes e
zhdukjes këtë pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore të kombit tonë; për besimin
e deshirën që pati e m’i dha mua që t’i botoj përmes shtëpisë time botuese
“Klubi i Poezisë”, botim që realizohet me mbështetjen financiare të z. Flamur
Hoxha, të cilin e falenderoj se zevendësoi shtetin dhe financoi me kënaqësi
këto botime të rralla me vlera të veçanta për historinë dhe kulturën kombëtare.
Jam i bindur se këtij falenderimi do t’i bashkangjiten me përkulje brezat e
ardhshëm, studiuesit e ardhshëm sepse shpirti ynë nuk do të shuhet.
Materialet
që ka mbledhë, përgatitë dhe po boton prof. Shefqet Hoxha në këto dy libra të parë
të kësaj natyre, Proza popullore dhe Balada popullore, (do të botohen vitin
tjetër edhe Lirika, Epika dhe Eposi i Kreshnikeve, falë shpirtbardhësisë së
Flamurit), nuk mund të gjenden më e as të mblidhen më. Sepse nuk ka më mbartës
të tyre, nuk janë gjallë mbartësit e tyre dhe mungojnë për momentin, patriotët,
pasionantët, të palodhurit e skrupulozët si prof. Shefqet Hoxha që ua ka
kushtuar gjithë jetën e tij këtyre vlerave e pasurive shpirtërore.
Në
një Shqipëri europiane, këto libra, këto vlera shpirtërore që na sjell prof.
Shefqet Hoxha janë ato pasuri, prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së
parë që na veçojnë, që tregojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë
identitetin tonë kombëtar.
Gjithë
puna shkencore, krijimtaria e gjërë dhe e larmishme e prof. Shefqet Hoxhës
është e dobishme dhe e domosdoshme, por këto pesë volume, Proza, Balada,
Lirika, Epika dhe Eposi i Kreshnikeve, unë i kam veçuar si punë të
papërsëritshme dhe të pabëshme kurrë më, ndaj dhe jam angazhuar në botimin e
tyre.
Prof.
Shefqeti, Faleminderit që i shpëtove këto pasuri dhe tani këto do të jenë të
gjalla e të pavdekshme në bibliotekat tona dhe kujtesën kombëtare.
Ju
i vetëm keni punuar si një Akademi Shkencash dhe unë shpreh mirënjohje e
falenderim në emër të lexuesit të sotëm dhe sidomos atij të nesërm për këtë
kontribut tuajin në shkencën shqiptare.
56
vjet pa pushim punë kërkimore-shkencore me përkushtim e skrupulozitet, pa heqë
dorë kurrë, duke u bërë kështu modeli e shembulli më i përkryer për ne që të
njohëm dhe për gjithë njerzit e letrave sot e përgjithmonë.
Punë
të mbarë profesor.
(Shkrimi mësiperm është
fjala ime si botues në librin Proza Popullore të Profesor Shefqet Hoxhës në
dhjetor 2016, kur ai libër doli nga shtypi.)
Dhjetor, 2016