| E merkure, 30.12.2020, 07:23 PM |
NUE OROSHI DHE “TROJET E ARBRIT”
E ÇANË RRETHIMIN
NEO-OTOMAN E OFICIALO-TOTALITAR NË PRIZREN
(Rreth
reagimeve histerike kundër përmendores së Skënderbeut në Prizren)
Nga
Prend BUZHALA
Arti
ka kërkesat e veta!
Dhe
koha ka kërkesat e veta vepruese.
Cili
qenka reagimi i këtyre zotërinjve për moslejimin e përmendores së Skënderbeut
në Lezhë?! Apo, bie fjala, në Beograd ose Stamboll?!
E
çfarë mëkati ka bërë Nue Oroshi që përpiqet qe dy dekada ta sjellë në Prizren
një shtatore të Skënderbeut?!
Dhe
e solli!
Po
e besoj që e solli duke bashkëpunuar me institucionet, të cilat, më parë, as që
kanë dashur të bisedojnë! I gjatë rrugëtimi i Nue Oroshit dhe “Trojeve të
Arbrit” për të arritur deri te dita e vendosjes së një përmendoreje në Prizren.
Dhe përplot vështirësi e pengesa, shpesh të paimagjinueshme.
Me
siguri që është dashur të intervistohen pikërisht autorët e konkurruesve për
këtë përmendore, autorët e organizatorët dhe t'i nënshtrohen një opinioni
publik. Me sa e di, kur hapet "një tender" këtu në Kosovë,
konkurruesit, me bocat e veta, i nënshtrohen publikisht opinionit të publikut.
Se a e kanë bërë këtë në Prizren apo Malishevë, nuk e di.
1.
Nuk
them se është e mirë a e keqe ajo përmendore, por më habisin reagimet jo vetëm
dashakëqija, ultra-socrealiste e ultra-folklorike. Përnjëherësh u bënë të
gjithë patriotë për ta mallkuar atë veprim, skulptorin e organizatorin! Turp
mbi turpe.
Mallkimi
le të bjerë mbi reagimet e reaguesit irracionalë dhe dashakëqij! Mbi ata që
mendojnë ta rrethojnë Prizrenin heroik edhe njëherë otomanisht. Te e fundit,
duhet ta kuptojmë: kanë dështuar neo-otomanët e jo "Trojet e Arbërit"
si organizatore në krye me Nue Oroshin. Dështojnë ata që nuk bëjnë asgjë, që
vetëm kritikojnë (thua se gjithçka atyre duhet t'u shërbehet si në pjatë në
ndonjë hotel luksoz...thuajse realiteti qenka një hotel shërbimesh, pa
llogaritur njëmijë vështirësi tjera!!!). Thuajse gjërat ndryshojnë me një shkop
magjik me hu-hu-hu!!!
E
përse vetë këta kritikues nuk e paskan marrë deri më tash ta thyejnë akullin e
rrethimin e hekurt neo-otoman mu në Prizren?! Pikërisht me këtë akt Nue Oroshi
ka bërë një kryevepër kohe, që e ka shembur këtë rrethim paragjykimesh e
devijimesh ndër ne, të cilin ne të tjerët e kemi shikuar anash, me dofarë
"kritikash" e paçavuresh reaguese të llojloj sojsorollopi të qelbur
mediatik!!! Nou e çau atë rrethim. Bujrum (a në daçi: urdhëroni), ju të tjerët
tash, mbasi u ça rrethimi!
Kjo
përmendore vuri në sprovë ndërgjegjen tonë se ku jemi, si qyqet reaguese pa
bërë asgjë! Vuri në sprovë dofarë skulptorësh profesionistë që duan t'i
lëvdojnë dy a tre veta dhe krejt të tjerët që arrijnë të bëjnë diçka- nuk
vlejnë! Përse, bie fjala, këta "profesionistë!" nuk kanë reaguar ndaj
skulptorit tonë me nam, Luan Mulliqi, kur ka bërë vepra të tilla skulpturore
për Skënderbeun apo Nënën Tereze (që i pati zgjatur disa metra, me prirjen për
ta thyer uniformitetin e shijes tradicionale... për ta shquar vertikalen
qiellore ose atë të krenarisë historike)?!
Nuk
ua ka mbajtur të reagojnë! Sepse ata vlerësojnë me dy kute: ose flasin kundër
atij që nuk ka gjë në dorë, ose heshtin ndaj tjetrit që ka fuqi (edhe fuqi arti
apo fuqi pushteti, apo fuqi të parasë)! Reaguesit (qofshin ata dhe
“profesionistë”), kur nuk e japin një model të realizuar, përkatës, atëherë
kritika e mospajtimi shndërrohen në qëllime të vetvetes, të kritikës për
kritikë.
2
Po
shihet: secili e ka përfytyrimin e tij për Skënderbeun: në rastin e parë kur na
vjen një Skënderbe "ndryshe"!
Gjithë
këto vite e kemi parë se si e kanë shpërfytyruar Skënderbeun, prej Shmitëve e
deri te shqipfolësit. Dhe vjen një përmendore dhe e trazon botën. E trazoi edhe
njëherë Skënderbeu i "Trojeve të Arbërit" , për të na i regjistruar amplitudat
e ndërgjegjes sonë! Nuk i kemi parë reaguesit e tillë për shumë shëmtira që
kanë ndodhë në vetë Shqipërinë (zërat më të ngritur të reagimeve po na vijnë
nga super-patriotizmi i shtetit tonë, Shqipërisë). Mirë, le ta thonë se
realizmi socialist i Enver Hoxhës, me skulptorët Jani Paço e Odhise Paskali
kanë pasur të drejtë në veprat e tyre në Tiranë e Krujë, si skulptorë të
realizmit socialist!? Por nuk guxojnë ta thonë!
Interesant,
se në çfarë ekstremesh kalojmë! Ose duhet të kemi të gjithë shije të uniformuar
(si në ushtri a në sistemin totalitar), ose secili e ka përfytyrimin e tij për
Skënderbeun!
Skulptura
moderne ka kërkesat e veta. Le të flasin reaguesit atëherë, çka mendojnë për
memorialin kushtuar Fishtës në Shkodër nga skulptori me nam, Pjerin Kolnikaj?!
Mos qenka shëmtinë edhe ajo vepër?! Pardon: ndjesë për skulptorin Pjerin që ua
ka shprishur vizionet socrealiste për artin e përfytyrimet... se bota nuk ka
vendnumëruar, por ka ecur përpara...
Çështje
shijesh edhe ky "përfytyrimi ynë" për Skënderbeun!
...
ndoshta duan t'i thyejnë konturat e realizmit socialist... sepse ne jemi mësuar
t’i shohim skulpturat të asaj tipologjie krijuese... Për shembull, Skënderbeun
duam ta shohim ekskluzivisht si e ka punuar Odhise Paskali...
Me
sa e di, në Krujë e në Tiranë ato vepra skulpturore janë punuar pas Luftës së
Dytë Botërore, në Krujë thuhet: më 1949 e në Tiranë me rastin e 500-vjetorit të
vdekjes së Skënderbeut në Tiranë "vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim
me Andrea Mano dhe Janaq Paço për konceptimin e tij"). Pra, në periudhën e
realizmit socialist. Dhe ato përmendore i kënaqin edhe shijet socrealsite të
kohës. U morën ato, si kopje, edhe në Prishtinë e në Shkup. Sipas përfytyrimeve
e shijeve të ndërtuara në periudhën e realizmit socialist?! Ose përmendoret e
Isa Boletinit në Shkodër apo e Bajram Currit në Bajram Curr. Po i bie që
realizmi socialist ka pasur të drejtë në ato përfytyrime, apo jo!!! Diktatura
ka qenë e kënaqur! Ndryshe, as që do t'i kishte angazhuar ata skulptorë!
Dhe
kush ka reaguar kundër atyre përmendoreve dhe atyre përfytyrimeve e shijeve
soc-realiste?! Askush!
Domethënë:
skulptorët e realizmit socialist të Universitetit të Tiranës, paskan pasur të
drejtë! Te e fundit, ligjet estetike të harmonisë, format tredimensionale,
rëndësia funksionale e veprës skulpturore publike, etj në artin e skulpturës
njihen që nga antika e këndej. Dhe janë universale.
3.
Mirë,
sikur të mos ishin sipas kësaj shije tradicionale paskaliane, dhe ndonjë
skulptor do të bënte eksperiment modern me përmendoret (siç e përmenda
memorialin Atë Gjergj Fishta në Shkodër e Pjerin Kolnikës, çfarë përfytyrim
zgjon...). Dhe kur e thashë që bota moderne kërkon të mos i uniformizojë
pëfytyrimin apo shijen, atëherë artistëve iu lejohet ndërtimi i shijeve e
përfytyrimeve jouniforme... moderne- qoftë edhe për Skënderbeun.
Thjesht,
në shkrimin tim desha pak ta problemazitoj çështjen e shijes e të
përfytyrimeve: se Skënderbeu nuk ka qenë vetëm i armës e i luftës, po edhe i
diplomacisë e dijes: ka pasur qeverinë më të arsimuarën në Evropën Juglindore e
përgjithësisht në tërë Evropën (a Ballkanin e sotëm). Domethënë, në vend të
Kultit të Armës, le të kërkohet edhe strategu, diplomati, njeriu i urtë.
Se
si i bëjnë përmendoret e figurave të njohura në perëndim, unë i kam parë se
çfarë përfytyrimesh ndërtojnë aspak sipas profilit artistik realist. Mbase,
edhe ai skulptori në Malishevë (nuk e di cili është), ka dashur ta shquajë
epizmin, legjendarizimin (epizmi e legjendarja nuk kanë përmasa reale as
objektive, sepse përfytyrimet legjendarizuese e epike, i thyejnë ligjet e
realitetit); mu ashtu siç ka pretenduar tjetri skulptor me Skënderbeun në
Prizren... pavarësisht se a më pëlqen mua a jo! E çfarë përmasash ka Skënderbeu
i gdhendur në shkëmb diku kah Shqipëria e mesme, më duket?!
Prandaj
e thashë në fillim: këtu, në Kosovë, me ligj është që kur shpallen tenderët,
edhe për përmendore, për bocat e tyre, "me siguri që është dashur të
intervistohen pikërisht autorët e tyre dhe t'i nënshtrohen një opinionit
publik". Opinionit që ka shije të formuar estetike dhe jo vetëm estetike.
4.
Eh,
sikur të kishin qenë kaq të zëshëm kundër atyre pseudo-intelektualëve e qarqeve
tjera shqipfolëse që e kanë sulmuar e mohuar sistematikisht Gjergj Kastriotin
Skënderbeun në Prizrenin e bukur që flet bukur edhe turqisht e sllavisht! Por
jo! Vazhdojnë ta mohojnë atë që punon! Kush punon, është e natyrshme që bën
edhe gabime. Ata bjerraditësit që asgjë nuk bëjnë, nuk kanë se çka të gabojnë!
Ata që nuk lëvizin fare, nuk e marrin asnjë iniciativë, ata janë të
pagabueshëm, sepse nuk bëjnë asgjë!
Prandaj,
është mirë që “gabon” dhe le të vazhdojë "të gabojë" i nderuari Ndue
Oroshi! Së paku, e ka nxitur sedrën e fjetur të njerëzve. Të gjumashëve!
Nëse
kaq shumë kritikues duan ta karikaturizojnë një gjest të mirë të "Trojeve
të Arbrit", atëherë ironia bie mbi kritikuesit: meritojmë përmendoret
çfarë jemi, si "popull karikaturë" (po e vë në thonjëza që secili të
reflektojë vetë e jo reflektim si në turmë). Skënderbeun e ka gjymtuar e
karikaturizuar koha jonë e jo Ndue Oroshi!
A
gabuan ai grup i drejtuar e i përbërë EDHE nga "kaurrët" e diasporës
që e sollën atë përmendore të tipit "turko-sllav"!? Paj, ndoshta edhe
ia kanë qëlluar, mbasi shumë shtresave në Kosovë, tutje në Prizren (e deri në
Tiranë) iu pëlqen profili turk i tij, mbasi popullin e Turqisë e quajnë popull
vëlla! Apo qoftë edhe si princ serb, mbasi për ndonjë biçim-profesori
universitar të Tiranës e biçim akademiku të Tiranës, Skënderbeu është proserb e
Ballaban Pasha është hero kombëtar shqiptar!!! Pra, kështu po u bëka figurë
"universale"!!!
Çfarë
populli jemi, çfarë shijesh e përfytyrimesh (groteske) kemi, aso përmendoresh
edhe meritojmë!
Por,
Nue Oroshi e prishi” atë vëllazëri apo vuri marrëdhënie të reja “vëllazërore”!?
5.
Një
korrektiv: në Kosovë gjatë viteve '90 bash asnjë shkrim nuk ka ekzistuar kundër
Skënderbeut, siç shpif ky shkrim! Ato shkrime kundër Skënderbeut kanë ekzistuar
në Tiranë e jo në Prishtinë. Prej andej na erdhën ato frymëzime mohuese, pas
luftës çlirimtare, pas vitit 1999.
Madje,
gjatë viteve ’90, qe marrë vendim kombëtar nga institucionet e atëhershme
“paralele” kundruall Serbisë: që të gjitha dhomat e mësimit, nëpër objekte
shkollore e nëpër shtëpi private, ta kenë portretin e Skënderbeut, sipas
skulpturës së Odhise Paskalit. Reagonte vetëm Serbia.
(Kujtesë:
po e përmendi vetëm një rast: diku kah viti 1993, në shkollën fillore të
Ujëmirit (Klinë, Kosovë), ndërhyn me armë milicia serbe në mbledhjen e
Këshillit të arsimtarëve. Arsimtarët u vunë në gjendje arresti. Ndër të tjera,
milici famëkeq serb, urdhëron arsimtarët që ta zbresin portretin e Skënderbeut
nga muri, ku ishte varur. Por nuk pranojnë. E merr vetë milici serb dhe në
mënyrë banditeske e shkelmon fotografinë! Dëshmitarë janë ata 20 a 30
arsimtarë).
Përmendore
të Skënderbeut nuk na paraqesin Skënderbeun proturk apo prosllav, pyetja është
sot e thjeshtë: e përse në shumicën e vendeve europerëndimore (dhe aty ku
jetojnë shqiptarët në trojet etnike: ka përmendore të Skënderbeut; por nuk ka
në vendet sllave, si në Beograd apo Moskë, apo në vendet turke, si në Stamboll?
Për
fund: Nue Oroshi ia ka arritur qëllimit historik që e ka davaritur këtë kohë.
Të tjerat vijnë në vendin e vet...