Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Disa thanje të At Gjergj Fishtës

| E merkure, 30.12.2020, 09:52 AM |


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

Psikologun  e  persosun...

Disa thanje të At Gjergj Fishtës:

Mbi njatë flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue

“Për Shqyptarë do t’jét Shqypnija

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue”…

– Po, edhè hâna do t’ a dijë

Edhè Dielli do t’ két pá

Se për qark ksaj rrokullije

Si Shqypnija ‘i vend nuk ká…

– Në rast se ata nuk na duen në nji shtet të vetëm, mbasi thonë shqyptarët kenkan myslimanë, at’herë… na kristianët do t’i shkriejmë kryqat tonë dhe do t’i bajmë fishekë per me mbrojt vllaznit tonë myslimanë Shqyptarë!

– N’daq me gzue t’bukrën liri

mos shkel fis, as mik, as fe

pse n’kto sheja bota mbarë,

na dallon se jem Shqyptarë…

– Me t’perpjekun me kulturë Prendimore t’Europës, si domosdo do të gjindet mas sodit Shqypnia...

– Në kjoftë se provon, mundesh me hupë, por në kjoftë se nuk provon – je i hupun gjithsesi!

– Ma mirë n’vorr me u kja për mallë

se nën shkja me ndejë për t’gjallë...

– Parja mâ e çmueshme per Shqypnì asht zêmra Shqyptare: e zêmra perbâhet nder shkolla neper msim t’gjuhës Shqype.

– Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë!

– Porsi kanga e zogut t’ verës,

Qi vallzon n’ blerim të Prillit;

Porsi i ambli flladi i erës,

Qi lmon gjit’ e drandofillit:

Porsi vala e bregut t’ detit,

Porsi gjama e rrfés zgjetare,

Porsi ushtima e njij termetit,

Njashtu a’ gjuha e jonë shqyptare...

– Më dhamb kryet me njato parla-parla të parlamentarëve: dokrra pa kokrra!

– Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqyptarë!

– Njerëzit janë tanë njisoj prej natyrës, edukata i ban me u dallue!

– Shqiptarët kallzojnë njate çka s’duhet, e mshehin njatë çka e di tanë bota!

– T’gjith njatà qi e kan me detyrë, si edhe atà qi ja kan v?e vedit me detyrë me organizue jeten shoqnore e t’gjytetnueme n’Shqypní.., mâ s’parit t’caktojnë se mas cilles kulturë duen me e organizue komin Shqyptàr, e masandej me ligjë, me p?në e me kohë të mundohen me i bâ Shqyptarët qi t’mendojnë e t’veprojnë mas parimesh t’asaj kulturë, tuj majtë parasýsh etnologjìn, psikologjìn, e ndîsit besimtare t’tyne…

– Në kjoftë se thue at’ çka dishron, duhet me ndie edhe ate çka nuk e dishron!

– Edhe atij iu thaftë po goja

që përbuzë këtë gjuhë hyjnore

qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja

flet e t’veten e lèn mbas dore…

– Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija!

  E pra mretninë e Shqypnìs Europa e kishte krijue! Por shka se pabesnia e pushteteve t’Mdhà duel edhe mâ n’shesh n’t’caktuem t’kufijvet t’Shqypnìs…

– Me e lshue Shqypnin nder duer t’ batakçive, asht njipernji si me ja vjerrë ujkut mushknit m’qafë, me uzdajë se po t’i çon te shpija: Ujku i han mushknit…

***

Shenim nga F.Radovani: Tëgjitha shkronjat e Tij janë thanje!

Po, kur lexon njeriu sot thanjen e fundit të At Fishtës, harron se Ai ka vdekë 80 vjetë perpara..!! Si me i pasë ba një nanë të gjithë ata batakçijë që e kanë sundue këte t’shkretë Shqipni!

E atë thanje e thotë At Fishta pra, mashumse 100 vjet perpara.

At Gjergj Fishta O.F.M., frati i madh françeskan i Shkodres, (23 Tetor 1871 – 30 Dhjetor 1940), ishte dijetar e filozof, ishte mësues dhe shkencëtar, ishte shkrimtar’ e poet, ishte artist  piktor e arkitekt, ishte symbol i formylës “Fé e Atdhé”, per të cilen duhet të krenohet sot Rinia në fshatin Fishtë dhe ajo e Shqipnisë mbarë, së ciles i mësoi me shkrue gjuhen Shqipe.

Ai studjoi dhe punoi gjithë jeten per Atdhe…Ai ishte i pari kandidat per çmimin Nobel në letersi. E bash zani këtij Burri ushtoi në Romë, Paris, Londer, New York, Stamboll, e Ballkan .., per një Shqipni të lirë po, edhe të bashkueme me Trojet e veta të grabituna... Ai ishte nderi i Akademisë italiane, po dhe udhërrëfyesi i mbarë Popullit liridashës Shqiptar!

Tingujt e Lahutës së Tij edhe sot tingllojnë me ujin e paster të prrojeve tona që burojnë nga Bjeshkët e Nêmuna...

Çdo thanje e Tij ishte një knaqësi nder sofrat e festave tona...

Pa At Gjergj Fishten... Nuk ka gëzim as bukuri jo vetem rruga e Gjuhadolit, po as Shkodra mbarë e, as Alpet tona...

Shikoni Flamurin e Kastriotit si valvitet kur ndigjon Lahuten!

Bash.., si thonte At Fishta: “Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit”...

Melbourne, 23 Dhjetor 2020.