| E shtune, 26.12.2020, 08:09 PM |
Në vend të urimit për Vitin e Ri 2021
Analizë libri
Sejdi BERISHA:
JETA DHE LUMTURIA SI THEMEL I FATIT TË KOMBIT DHE NJERIUT
(Tahir Bezhani: “Diellnaja ime”, poezi, botoi
Klubi Letrar “Gjon N. Kazazi”-Gjakovë, 2020)
Tanimë
krijuesi, Tahir Bezhani, opinionit i është i njohur me krijimtarinë e vetë në
shumë fusha letrare, që reflektojnë jo vetëm rrugëtimin e tij por edhe fatin
dhe historinë e njeriut, të kombit dhe të atdheut. Andaj, çdo libër i këtij
krijuesi, lexuesit i vjen si një sihariq, i cili e begaton opusin letrar,
mendimin poetik, filozofik dhe historik, por edhe atë peshën për ta përqafuar ndjenjën
e njerëzores, e cila përshkohet dhe begatohet me temat që i prekë autori duke
kënduar, sa me fuqinë e ndijimit shpirtëror po aq edhe duke na servuar mesazhin
e fortë dhe plot madhështi.
E tërë
kjo shprehet edhe më thekshëm në librin ”Diellnaja ime”, i cili është vepra e njëzetekatërtë
i këtij autori dhe e shtruar në tri njësi ciklike, e që janë si një kompaktësi
e mendimit vargor që autori këngën e konsideron si diçka që lind, thyhet e
lahet brenda shpirtit. Dhe kur autori e shtron sofrën e vargëzimit, në shenjë
respekti e përgjegjësie për fjalën e shkruar dhe për mesazhin që ia ofron
opinionit, me të drejtë frikësohet e pret e pret, sigurisht që fjala të zë vend
dhe t’i ngjajë themelit apo durimit që gjithnjë fuqishëm zë vend. Këtu edhe
qëndron ai themeli poetik, të cilin shpesh erërat përpiqen ta lëkundin apo ta
zhvendosin aty ku nuk ka dritë as frymë! Por, tek poetët shpejt lëvizë gjaku
damarëve dhe nuk flet, por bëhet si brumë buke, i cili shndërrohet në zërin e
poetit, e përmes zërit të tij, edhe në zërin e lexuesit dhe të popullit.
Krijuesin
e lëndon përplasja e kombit
Këtë e
vërejmë tek shumë poezi, sepse, nganjëherë edhe pa dashtë shpirti i poetit i dorëzohet
edhe rrugës, edhe natës, sepse, atypari çastet e botës çuditshëm shëtisin,
mbase edhe shumë kujtime të poetit, të cilat thonë dhe na bëjnë të kujtojmë
shumë: “Dritave të neonit ua dhuroj shikimin/Si ditën me diell/E sërish
eci...!/Malli më ndalë para Kafes së Talipit/M’u bë se dëgjova “sharjet” e
Alimusajt/Atij rebelit të vargjeve të zjarrta”!
Me këto
dhe me shumë vargje të tjera, krijuesi sikur dëshiron të na bëjë me dije se
poetët janë ata që as natën nuk bëjnë gjumë, sepse i mundon, i lëndon fati i
kombit, por edhe padrejtësitë që në jetë janë ushqim i hidhur, i cili nganjëherë
të imponohet që t’i përballësh në mënyra e forma të ndryshme, pra, edhe përmes
shkrimit dhe vargut. Për këtë arsye, jo paarsyeshëm poeti vargëzon: “Përtej
vetes nuk di ku të shkoj/Kënga le të udhëtojë lirshëm/Përtej kufirit të
shpirtit...”!
Është
karakteristike se autori i këtij libri, krahas krijimtarisë që bën, gjithnjë di
të respektojë por edhe të mos i harrojë krijuesit që lënë gjurmë dhe i japin
shpirt jetës së njeriut, qytetit, kombit e atdheut, dhe duke pasur parasysh se
ata janë kasnec të së mirës, ai i përjetëson edhe në librin e vetë: “Po
ku je, O Din Mehmeti/Përgjigju o burrë se më dogji malli/Pse hesht dhimbshëm, ëmbël
më shikon/Në vargun tënd jeta mat shekujt/Krismë është emri yt, sot e mot”!
Dhe, për ta madhështuar edhe më shumë krijimtarinë dhe poezinë e vetë,
Tahir Bezhani, me vargun e mprehtë di të thotë shumëçka; të qortojë, të
krenohet e të shndërrohet në dhembje: “Sa fort malli më paska marrë/Kam mbetur në
kërkim të vargut tënd/Metaforë e balsamosur në shpirt”!
Në
librin “Diellnaja ime”, hasim në një mori temash të prekura me zjarrin e
shpirtit, e që librin pikërisht kështu, larmishëm dhe pa ndonjë radhitje
artificiale të vargëzimit dhe të poezive, e bëjnë joshës dhe me peshë për t’i
shkuar deri në fund së lexuari. Është interesante edhe qasja e këndimit për
dashurinë në këtë kohë, e cila shprehet edhe si kujtim, edhe si dhembje, edhe
si mall, por edhe si dhuratë jete, të cilën kur e shfleton, në çdo kohë është
madhështore dhe është varg, poezi mbase edhe roman në vete: “E ku e ke guximin ta bësh
hapin/Patrembur ta hapesh kraharorin/Që ta vë sërish faqen në gjoksin tënd/Syve
drita po u ndalet...”, ose: “Ndarjet
rritin flakën kur malli dalldiset/të lutem/Kur fryjnë dallgë përmallimesh/Me
shi lotësh litar/Ma kthe pamjen e syve/Mos të mbetem i verbër/Mallkim i
dashurisë...”!
Autori,
pothuaj se në të gjitha veprat e tij, përveç që ka shprehur ndijimin e vetë të
thellë shpirtëror, ai, gjithnjë është përpjekur që asgjë të mos i kalojë pa e
diktuar pa e thënë për atë që quhet fat dhe histori e njeriut, për atë edhe
shpesh i bëhej se dikush po ia vjedhë kohën, po ia ngadalëson hapin, por edhe
vargun dhe zërin e tij: “Doja të dija kush ma vodhi kohën/Etjet e
zjarrta ku u treten/do gjurmë në pluhur duken/Ecje e sertë/ Po po rebele...!”.
Në këtë libër, autori, sikur e ka sublimuar edhe tërë atë nektarin krijues
që i ka mbetur, dhe dëshiron në mënyra të ndryshme ta thotë e ta përjetësojë, për
çfarë edhe shpeshherë bie në dilemë edhe për vargun, nga dëshira e madhe për
t’i kënduar jetës dhe për të vënë në spikamë
gjithçka: “Varg i rebeluar hapësirës pafund/Në fletën e bardhë shtrihet/Si në orë
pushimi/Shikohet me rrudhat e mia të thella/Pse ikni nga thellësia ime/Ku do bëni
konak këtë natë pa hënë/Pse zjarrin në mua e latë të ndezur...”!
Fuqia
e vargut për kurbetin si plagë e vjetër, ndoshta sa edhe vetë kombi shqiptar
Po
ashtu, autori nuk lë pa prekur edhe njërën prej dhembjeve më të rënda historike
që e ka goditur popullin e tij, e ajo është migrimi dhe kurbeti, si plagë e
vjetër, ndoshta sa edhe vetë populli shqiptar. Ai, duke e përjetuar vetë këtë
ligatinë me një pjesë të anëtarëve të familjes së tij, e përjeton dhe e
shpjegon në shumë forma të këndimit, që vërtetë janë ato ofshamat e etjes dhe
mallit për atdhe nga secili i rinj. Sepse, secili që ia ka kthyer shpinën
atdheut e vendlindjes, për një grimë bukë më të mirë, për një jetë që do të
sjellë më vonë lumturi, është ëndërr trishtuese por edhe realitet: “Ikje
dje/Edhe sot ikje/Rrugëve të botës/Në bisht aeroplanësh rrëqethur/Strehuar
skutave të ndryshme/...Pas erës së bukës të tokave të huaja/...Gurë i
rrokullisur nëpër kohë”!
Vargjet
e tilla, por edhe shumë poezi të tjera, nëse i lexojmë vëmendshëm mbase edhe nëse
e detyrojmë vetveten për t’i analizuar, atëherë, para lexuesit del si një hartë
e çuditshme dhe një histori e dhembjes dhe e qëndresës, të cilat bashkë
forcojnë njeriun për t’u përballur me të gjitha problemet, me të gjitha vështirësitë
dhe padrejtësitë që i sjellë koha dhe jo vetëm koha.
Nuk është
e tepërt për ta theksuar edhe këtë detal vargëzimi të autorit, që në fillim
duket i thjeshtë, apo vetëm edhe sa për të thënë diçka, por nuk është ashtu: “Shëtis
i vetmuar buzë lumit/Në qytetin Langencen, larg vendlindjes/Shikoj qetësinë e
liqenit/Mrekulli e natyrshme/E në mua rrapëllimat e krahëve fishkëllejnë/Mendimet
rrëshqasin fushës së mallit/Me erë bliri mbushur kraharorin”! Shih këto
vargje, sa thekshëm tingëllojnë, kur vendlindja është larg autorit, por,
megjithatë erërat rrëshqasin fushave të mallit me erë bliri mbushur... Pra,
vendlindja dhe atdheu në çfarëdo gjendje qofshin ato, janë madhështi e
shpirtit, janë si damarët e gjakut dhe si këngë që nuk shuhet dot dhe në asnjë
kohë e situatë.
“Diellnaja...”, sikur i ngjanë një këndimi karakteristik, që
nuk e ka bërë kështu deri me tash autori. Ai, nuk është i qetë dhe as i kënaqur
me atë që sheh, që vëren e përjeton në vendlindjen e vetë, në atdhe, por edhe
tek sjellja e shoqërisë, gjëra këto që padyshim se demoralizojnë secilin njeri.
Pra, edhe vetë krijuesin, i cili është si kujdestar për të hulumtuar dhe për të
treguar e kënduar përmes vargut zjarr, e i cili vërtetë është edhe pjesë e jetës
së vetë njeriut, komunitetit por edhe i tërë popullit. Ai, në poezinë “Ceremonia” përplaset me realitetin dhe
me paradokset në shoqëri: “Hapej ceremonia/Do të flasë deputeti
presidenti/Për trimërisht dhe sakrificat e shkuara/Sukseset e shënuara në
letër/Populli do u duartrokasë çmendurive/Buzëqeshjeve mashtruese e perfide...!”.
Por, në anën tjetër të ceremonisë, vranë “drita” e një realiteti tjetër: “U shkreh në vaje plaku, nis të shajë/Çke o
plak-e pyeti turma/Eja, tha në kasollen time/Merrni pak liri e mirësi/Erë
shkrumbi e duhmë gjaku/Gjurmë plumbash...”!
Pra, këtu
qëndron ajo ironia e kohës, që padyshim se ka kushtuar e kushton. Aty përfton
mllefi i poetit që e krijon detyrimin e mendimit të drejtë dhe të shëndosh për
ta luftuar të keqen, që thuaja se me decenie na i përthurë duart dhe këmbët, e mendjen
po se po! Ngjashëm ligjëron edhe në shumë poezi të tjera, ku ç’akordueshëm koha
ecën mbase edhe tretet. Por, autori na bën me dije se edhe krijuesi, edhe poeti,
nuk duhet të vetë lavdërohet, sepse, forma e tillë e bën me dergj këndimin
poetik, por edhe letërsinë përgjithësisht: “Nëse shkruan vargje/Mos fol kafeneve,
poet/As pluhur mos ngri rrugëve të shkreta/Mos ec kokëlartë para vargut/Merr
nga toka, nga qielli porositë/...Për dashurinë njerëzore...”!
Por, tërë
kësaj atmosfere këndimi, ndoshta nganjëherë të shtrënguar me ethe mbase edhe të
zymtë, autori i “Diellnaja ime”, i jep frymë e shpresë jetës, e bën të hareshme
kohën edhe të tashme edhe të shkuar, por e
lë shtegun edhe për lumturinë e së nesërmes: “Sytë që shikojnë mendimet/Depërtojnë
thellësive të shpirtit”...Mjafton se akoma di të numëroj/Të lexoj numrin e
puthjeve zjarrishtave/Nëpër tym e flakë tretur/Kujtime të lidhura nyje për
ashtin tim...”! Ose: “Sa sertshëm
takoheshin afshet/Zhurmën e flokëve e doja kraharorit/...Ëndërr vrapoja pas zërit
të zanave...”.
Këndimi
poetik si almanak historie për gjithçka që lidhet me fatin e kombit dhe të atdheut...
Nganjëherë
është mirë që poezitë nuk i nënshtrohen “regjimit” të njësive ciklike, por, në
libër shtrohen pa ndonjë radhitje të caktuar, sepse, kështu vargu dhe poezia e
kanë peshën më të veçantë, ngase lexuesin e kënaq laramania e temave pa ndonjë
rend, që në të kundërtën, ndoshta rëndon edhe leximin por edhe përjetimin e tërë
asaj që shkruan poeti. Këtë, ndoshta e disponon edhe ky libër, sepse, herë
hasim në poezi që i takojnë jetës, lumturisë dhe dhembjes, herë dashurisë, herë
asaj sociales dhe pezmatimit ndaj shoqërisë, herë mërgimit e gjer tek ato gjërat
të tjera që na bëjnë kureshtarë për ta lexuar librin. Sepse, siç thotë edhe
autori me ironi apo pezmatim shpirti: “Dëshiroj me Galileun t’i ndërroj dy-tre fjalë/Meridianet
mos kanë ndryshuar/Një lëmsh i mbështjellë, moti ngatërruar/Fija nuk i zgjidhet/Nuk
di kufi të atdheut/E as vendlindjen ku e kam...”!
E tërë
kjo është një “llahtari” malli por edhe almanak historie për gjithçka që lidhet
me fatin e kombit dhe të atdheut, që lidhet me vendlindjen, që shkruhet, përjetësohet
dhe përjetohet në mënyra të ndryshme, bile edhe me mllef e mall, sepse, autori
e di mirë rrugëtimin e popullit të vetë, por edhe të familjes dhe të fshatit e
krahinës prej nga vjen. E, të gjitha këto kur lexohen e përjetohen nga vargu i
poetit, lënë gjurmë të pashlyeshme, që në të njëjtën kohë janë krenari, të
madhërishme, por edhe plot mall, sepse, të gjitha kujtimet i shndërron në zjarr
shpirti e zemre: “Në Smolicë, vendlindja ime/Shpirti rënkoi dhembshëm/Kulla e djegur ish
hidhëruar/(Dikush nuk e deshi as gërmadhë”. E, nga e tërë kjo histori e
dhembshme dhe ende bukur errësuar, autorin sikur e detyron të ligjërojë mu si
atëherë kur malli shkapërderdhet në të katër anët i pakontrolluar dhe si
shkrumb shpirti, por, ai edhe në këtë gjendje, vargëzon kështu: “Pija
lot e mall, si ujin puseve të thella/Palca e ashtit shkrihej në zjarr...”!
Ndërsa,
autori, rininë por edhe të kaluarën sikur dëshiron ta shpreh si medaljon jete,
i cili lë gjurmë nëpër të gjitha periudhat kohore, dhe gjeneratë pas gjenerate,
që padyshim është vlerë dhe myhyr i jetës së popullit të përvuajtur dhe të
shtypur, por kurrë të pa rrënuar dhe të pagjunjëzuar. Këtë, më së miri thuaj se
e ilustrojnë edhe vargjet: “Ata guralecë që më thumbonin/Shputave të këmbëve
zbathur/Hidhnin sytë flokëve të bardha/...Livadheve dhe kaçubave me dëllinja/Duke
luajtur guxhas me moshatarë/Përfytyrim përcëllues ajo kohë e bukur/Erë buke
çerepi, mbështjellë në cakullë/Gatim i shpresave tona me shumë bujari”.
Pra,
këndimi poetik tek libri “Diellnaja ime”, ka një reliev të mbëltyer me zërin e
historisë, me rrugëtimin aq karakteristik dhe me plot golgota e me rrugë e drama,
që pjesa më e madhe ende ka ngelur vetëm si një fanar i fikur, e cila pret
patjetër dritën që njeriu i kësaj toke do t’i dhurojë, sepse, autori, përkundër
të gjitha përplasjeve dhe rrapëllimave shpirtërore, ai, na bën me dije: “Vendlindja
ime lapidar krenarie/Varur në qerpik të djegur/Lotim i paluar në shpirtin e
tretur...!”.
Larushia
e temave dhe e tërë ajo që poetin e bezdis duke ecur binarëve të jetës, nganjëherë
si nëpër teh shpate, na bën të kuptojmë, se edhe thjeshtësia e vargut, shpesh e
arrin piedestalin e peshës së njerëzores, që dot nuk rrënohet, por edhe atë të
hidhërimit e të mallit bashkë për fatin e njeriut, për papërgjegjësinë në
vazhdim të shoqërisë kundruar fatit dhe pozitës së komunitetit. Është zë i fortë
qortimi, kur autori sikur nga barra e dhembjes zhgrehet në vajë e që nuk i
vërehet, por, vargun e bën edhe këshillë edhe protestë: “Sonte (ndoshta) dikush do
vdes/Të nesërmen lajmi mori dhenë/Ka ceku skamnori i lagjes/Një kore bukë në
xhepa ia gjetën/Një laps e një fletore me vargje/Me dy rreshta shkrim përmallshëm/”Mos
qani për vaujatjen e zezë/Mos u trishtoni nga pamje e bardhë!”.
“Lartësimi”
i krijuesve pas vdekjes, si pakujdesi apo paradoks i shoqërisë...!
Autori
i këtij libri vë theksin edhe te dukuria për fatin e krijuesit, edhe të
krijuesve, që dorën në zemër, ndodhë se pak respektohen nga shoqëria, mbase
edhe harrohen, e ndonjëherë, si paradoks i së keqes, krijuesit e të gjitha
fushave “lartësohen” vetëm pas vdekjes së tyre! Dhe, shfrytëzoj rastin që në këtë
analizë libri ta theksoj edhe atë se “lartësimet” e tilla janë krejtësisht të
pavlefshme, pasi ata(krijuesit) nuk e përjetojnë aferimin deri sa janë në jetë,
për tërë atë çfarë kontribuojnë për njeriun, për vendlindjen, për atdheun dhe për
njerëzimin deri sa janë gjallë. Këtë, mes tjerash, fuqishëm e dëshmon edhe
poezia “Vargje Reshpiane”: “Faqeve të zbehta të Reshpjes/Shëtit kujtesa
e pikëllimit/Shikoj ato duar thatake/Atë lëkurë të regjur e të tharë/Sy të
përmalluar e të mekur/...Vargjet e rrjedhshme si beden kohe/Frymëzim jete e qëndrese/...Dhimbje
të stërzgjatura në rrathë pushteti”...Ashtu imcak, bukuri e vuajtur/Shtrirë në
shtratin e vdekjes/Kur lëngimi merrte zjarrmi të padurimit/Reshpja shkruante
poezi/Kënga rrëfen qëndresën/Obelisk vargjet e tij!”.
Të
kësaj natyre janë edhe shumë poezi që prekin ashtin e ashtit të jetës dhe të
realitetit të njeriut jo vetëm të këtij nënqielli, të cilat do t’ua lëmë
lexuesve që vetë ata t’i shprushin. T’i analizojnë dhe t’i përjetojnë ashtu si
duan.
Autori,
duke shkruar në kohë pandemie(Covin-19), si në trajtë cikli i ndanë disa poezi
të cilat e shënojnë edhe këtë ligatinë që ka përfshirë botën, e ku poeti
shfrytëzon rastin që vargun ta “ngarkojë” edhe me mospajtimin me virusin e
politikës! Në këtë kohë të zymtë e pa shenja rrugëtimi, atij, në mes tjerash
sikur i plasë zemra dhe shkruan: “Po digjen edhe kuptimet e fjalëve/Shikimet
sillen këndeve të dhomës/Ditët harxhohen si harresë e ngulitur/Një nga një, një
nga një/(Mirë që nuk e dimë se kur)/Vjen momenti i vdekjes/I mbyll dritaret,
terroj dhomën e ditës/Të mos hyjnë viruset e pista/Si shejtan nate/Si dorë
njeriu vrastar/As viruset e politikës së ndyrë nuk i pranoj...”! Në këtë kontekst, autorin e librit “Diellnaja
ime”, në çdo mbrëmje e në çdo mëngjes, e rëndonin lajmet e vdekjes në këtë
kohë të turbullt!
Ndërsa,
në pjesën e fundit të librit, T. Bezhani, me të drejtë ciklin e haikut e
cilëson si “Lulet e shpirtit”. Ai, edhe trevargëshin ia arrin t’i shënjojë
ndijimet e tij poetike, të cilat jo rrallë dalin edhe më të fuqishme në këtë
formë: “Shikoje Shkëlzenin edhe kur ka borë/Bukuria e bardhë ka vlerë/Kënaqësi
e syve në bardhësi jete”!
Dhe
krejt në fund, kujtoj se libri “Diellnaja ime” e autorit Tahir
Bezhani, sikur i ngjanë mesazhit dhe amanetit që jetës dhe krijimtarisë t’i jep
vlerë dhe kuptim. Prandaj, këtë analizë libri do ta përfundoj me vargjet që e lënë
hapur mundësinë dhe provokimin që lexuesi t’i komentojë jo vetëm vargjet, por
edhe të thellohet edhe në rrugëtimin edhe krijues dhe historik të popullit,
ngase, poeti e vëren se edhe koha ka shqetësime e jo rrallë edhe digjet kot: “Ku
s’ka diell, s’ka jetë/Këtë ma mësuan pritjet/...Nuk do rri në mëshirën e
natës/Pa diell s’ka jetë/Sa më dhimbsen kohët e ikura...!”.
(©S. B.)