| E shtune, 19.12.2020, 06:37 PM |
NJË MUZE I RI NË WASHINGTON KUSHTUAR 100-MILIONË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT NË BOTË
Nga
Frank Shkreli
Fondacioni
Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit është një organizatë anti-komuniste
jo-fitimprurëse këtu në Shtetet e Bashkuara, me qëndër të Washington, e
themeluar me një akt të Kongresit, votuar unanimisht, në vitin 1993, “Me qëllim
për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së
komunizmit”. Ky është misioni i këtij
fondacioni me moton e veprimit, “Për të mësuar të Vërtetën - Për të kërkuar
Drejtësinë – Për të ruajtur Kujtesën”.
Për
pothuaj tre dekada ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të
edukuar dhe për t’i kujtuar– rinisë dhe publikut amerikan në veçanti, por edhe
vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara -- krimet
barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të bëra në
më shumë se 40-vende të botës të sunduara dikur nga komunizmi.
“Nëqoftëse
ne nuk u mësojmë brezave të rinjë të vërtetën historike të 100-milionë
viktimave të vrara nga regjimet komuniste gjatë shekullit të kaluar, atëherë ne
nuk duhet të habitemi ndaj gatishmërisë së tyre për të përqafuar idetë
marksiste”, pasi nuk e njohin, shprehet Marion Smith, Drejtori i Përgjithëshëm
i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington.
Në
vitin 2007, Fondacioni ngriti statujën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit
në cep të rrugëve të New Jersey dhe Massachusetts Avenues, pranë selisë së
Fondacionit Përkujtimor në Washington, jo larg nga ndërtesa e Kongresit
amerikan dhe afër stacionit kryesor të trenave në kryeqytetin amerikan, si një
kujtesë e përhershme për viktimat e komunizmit botëror, për të gjithë vizitorët
dhe ata që kalojnë asajt çdo ditë.
Mirëpo,
Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, në frymën e misionit që i ka
caktuar vetes ç’prej themelimit të tij -- “Për të edukuar Amerikanët rreth
ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”, por edhe për të
promovuar lirinë për ata popuj që ende jetojnë nën regjime komuniste -- ka
vendosur që në vitin 2021 të hedhë një hap tjetër edhe më të rëndësishëm, për
të hapë Muzeun e Viktimave të Komunizmit mu në qendër të Washingtonit, në
rrugën 15-të në veri-perendim të Sheshit të njohur McPherson. “Washington Business Journal” njofton në një
artikull të gjatë botuar javën që kaloi -- hapjen e muzeut më të ri privat në
kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, atë kushtuar Viktimave të Komunizmit në
botë, dhe botoi edhe fotografinë e ndërtesës (më poshtë ku do të vendoset
muzeu.
Muzeu i ardhëshëm në Washington kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë do të hapet vitin që vjen në këtë adresë: 900 15th St. NW, karshi Sheshit të njohur McPherson
Z.
Marion Smith, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të
Komunizmit, u shpreh për “Washington Business Journal” se hapja e një Muzeu në
Kujtim të Viktimave të Komunizmit botëror në Washington DC ka qenë një objektiv
për një kohë të gjatë i fondacionit që ai drejton. Muzeu, sipas tij, do jetë i pasuruar me
ekspozita të përhershme dhe të përkohëshme dhe do të tregojë shumë histori
tragjike nga nja 40-vende që janë sunduar nga diktatura komuniste një-partiake,
gjatë 100-viteve të kaluar.
Ndërkaq,
Fondacioni i Kujtesës organizon programe, takime eduktaive dhe fushata
mediatike që kanë të bëjnë me pasojat e komunizmit në botë dhe çdo vit
shpërndanë çmime dhe dekoratën e prestigjoze të “Lirisë Truman-Reagan”, atyre
që, “kanë vu në dukje due që kanë punuar dhe që kanë treguar një angazhim të
gjatë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë duke kundërshtuar ideolgjinë
komuniste”, ndërkohë që fondacioni gjithnjë mbështet aktivitetet anti-komuniste
në Kinë dhe në Amerikën Latine. Siç
thashë edhe më lartë, misioni i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të
Komunizmit në botë është themeluar për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë,
historisë dhe trashëgimisë së komunizmit dhe për të promovuar lirinë për ata
popuj të cilët ende jetojnë nën regjime komuniste. Fondacioni i Kujtesës së
Viktimave të komunizmit shprehet se këtë detyrë e konsideron si një detyrim
solemn të vetin për t’i ekspozuar gënjeshtrat e komunizmit, të gjithë atyre që
thonë se janë të gatëshëm që, pse jo, kolektivizimit dhe komunizmit si
ideologji, t’i jepet edhe një mundësi tjetër veprimi, që të provohet edhe
njëherë.
Brezat
e rinj, sipas Fondacionit amerikan të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit duhet
të ballafaqohen me realitetin e marksizmit, në praktikë. Thekësohet se socializmi nuk është një filozofi e mirë
njerëzore due se socializmi marksist është ideologjia më vdekjeprurëse në
histori. Në shekullin e 21-të, ne kemi një mundësi të mësojmë nga krimet e
komunizmit gjatë shekullit 20-të dhe të ri-dedikojmë shoqërinë tonë të lirë, të
bazuar në lirinë individuale, në tregëtinë e lirë, në shtetin e së drejtës, në
vetëqeverisjen demokratike dhe në mbrojtje dhe respektin e të drejtave të
njeriut. Në çfarë lloj bote duam të
jetojmë, në shekullin 21 -- një botë e përcaktuar nga kolektivizmi e komunizmi,
apo nga liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut?
Siç
duket, me ndërtimin e një muzeu të ri -- në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara
dhe të botës së lirë në përgjithësi, në kujtesë të përherëshme të viktimave të
komunizmit në botë -- Fondacioni (Amerikan) i Kujtesës së Viktimave të
Komunizmit, po përpiqet që të pakën, pjesërisht, t’i përgjigjet pyetjes se në
çfarë bote duam të jetojmë në këtë shekull – nën komunizëm apo në liri.
Me
atë rast, Presidenti Bush ka thenë se viktimat e komunizmit do t’i kujtojmë
përgjithmonë në histori: "Ne kurrë
nuk do t'i dimë emrat e të gjithë atyre që u vranë nga (komunizmi), por në këtë
vend të shenjtë, viktimat e panjohura të komunizmit do të shenjtërohen në
histori dhe do të kujtohen përgjithmonë.
Ne e përkushtojmë këtë memorial sepse kemi një detyrim ndaj atyre që
vdiqën -- të kujtojmë jetën e tyre dhe të nderojmë kujtesën e tyre”.
Rrezikun
nga komunizmi, ish-presidenti George W. Bush e ka krahasuar me kërcënimin e
terrorizmit në fillim të këtij shekulli, ndërsa është shprehur se: "Ashtu si komunistët, edhe terroristët
dhe radikalët që kanë sulmuar kombin tonë janë pasues të një ideologjie vrasëse
që përçmon lirinë, shtyp të gjitha disidencat, ka ambicie ekspansioniste dhe
ndjek qëllime totalitare".