Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhat Halimi: Ndërmjet

| E diele, 13.12.2020, 02:00 PM |


Nexhat Halimi

Ndërmjet

Çdo gjë e njëjtë veç qielli kaq i thyer tjetër

E njëjta lule veç aroma përgjysmë e tretur

E njëjta pemë në arë gjysmë e tharë në erë

I njëjti gur veç vetmia e rëndë kaq e vjetër

E njëjta udhë veç gjurmët të pa zgjuara në pranverë

I njëjti krua i gurit pik ujin ilaç pandërprerë

E njëjta pamje pa shtëpinë e rrënuar në dumnicë

E njëjta ndjenjë veç zjarri gjithnjë tjetër

E njëjta hapësirë veç lëvizja gjithnjë e fjetur

I njëjti gurëzim nën pemë veç uka i hutuar në vetmi

E kërkon pusin e vjetër dhe hasën e kullës aty

E sharra i pret degët me dhëmbë në gji

Përmes vetmisë kalon një siluetë një buallicë

Çdo gjë e njëjtë e ikur e pakthyer ndërmjet

Toka digjet tymon afërsi e largësi në hi

Veç zogjtë ja vijnë dhe ikin për çdo vjet

E kujtimi yt fluturon me hijet qiellit të tretur

Kaq i vetmuar kaq i plaguar dhe kaq i etur

Vërej të çara mallëngjimi ritëm zërash në shi

Apo veç zogjtë shtegtojnë diku në largësi