| E diele, 13.12.2020, 11:32 AM |
ROMANI “GJIN BARDHELA I ARBRESH & ETJA E GURËZUAR” I ANTON NIKË BERISHËS NË 52 KËNDVËSHTRIME
Rreth
vëllimit “Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike”. 52 punime të autorëve
shqiptarë dhe të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e
gurëzuar” të Anton Nikë Berishës; Zgjodhën dhe përgatitën për botim Albana Alia
dhe Labinot Berisha. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2019.
“Libri
krijon kuptimin. Kuptimi krijon jetën.” – Roland Gérard Barthes
Nga
Ajete Zogaj
Vëllimi “Roman
vlerash të jashtëzakonshme” i përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha,
është libër i veçantë dhe sigurisht edhe i jashtëzakonshëm.
I veçantë, ngase
përfshin 52 punime për një roman të letërsisë shqipe, dhe i jashtëzakonshëm për
lexuesit e shumtë, jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj për arsye se për të deri
më tani janë shkruar e botuar rreth 30 punime në italisht.
Këtë veçanti, këtë
vlerë të jashtëzakonshme poetike, me stilin e mëvetësishëm, me pasurinë
gjuhësore, me koloritin e kujtesës historike, me valljet, doket, zakonet,
ritet... e shumëçka tjetër, autori Anton Nikë Berisha e shtjellon bukur romanin
“Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, sikurse ‘fijet e pëlhurës së
endur në vek’, duke e krijuar një vepër të mrekullueshme arti, të ‘skalitur’
bukur në artin e fjalës, mbase kryeveprën e tij!
Romani “Gjin Bardhela
i arbresh & Etja e gurëzuar” me të drejtë është vlerësuar si i
jashtëzakonshëm. Të tillë atë e bëjnë një varg elementesh si mënyra e
shtjellimit të tekstit, sistemi i veçantë dhe i pasur i të shprehurit si dhe
gjuha poetike, që kanë nxitur lexime dhe rilexime të shumta nga studiues të
ndryshëm, përkatësisht interpretime dhe vlerësime shumëdimensionale.
Janë 52 punime të
hartuara me kujdes dhe përkushtim, të autorëve shqiptarë dhe të huaj; janë 52
pamje, 52 këndvështrime të 52 autorëve, për një roman të vetëm.
Një
rast i rrallë, mbase dhe i vetëm në letërsinë shqipe
A nuk është ky, një
rast i rrallë, mbase edhe i vetëm në letërsinë shqipe që një libër jo shumë
voluminoz të jetë kaq shumë i lexuar dhe po aq shumë i vlerësuar dhe me kaq
shumë interpretime?
“Gjin Bardhelën” të
Anton Nikë Berishës, sikur po e ‘rifreskojnë’ vitet, ngase, që nga viti i
botimit (2002, botimi në shqip nga “Faik Konica “ e Prishtinës dhe botimi në
gjuhën italiane nga shtëpia botuese “Luigi Pellegrini” e Kozencës (2013 ) e
deri më tani mbetet aktual dhe me vlerë në letërsinë tonë dhe vazhdon të
lexohet e të vlerësohet.
Leximi i 52 punimeve
të këtij libri të bindë për mundësi të shumta jo vetëm interpretimi të romanit
“Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” por edhe për qasje
shumëdimensionale të autorëve të punimeve, ku secili nga këndvështrimi i vet,
ka ndriçuar segmente, dukuri ose veçori, qoftë të gjuhës, të stilit, të
narracionit, të ambientit, të personazheve.
Sigurisht, këtë
shumësi interpretimesh e ka mundësuar puna e jashtëzakonshme e autorit në hartimin
e tekstit, gjuha poetike që e cilëson tekstin e tij si dhe komunikimi artistik
që ai krijon me marrësin, në këtë rast me lexuesin.
Siç mund të vërehet
nga leximi i punimeve të këtij vëllimi, Pasthënia e shkruar nga Amik Kasoruho,
që e shoqëron botimin e parë (2002) është bërë pikë referimi për disa nga
autorët e punimeve. Kasoruho shkruan: “Rrëfimi i Gjin Bardhelës është plot oht
shpirti, është malli i përvëluar, është dhembje dhe kohë e ngrirë, është
shpirti që zien, është shqiptim i shpresës përherë të gjallë. Shkurt është një
shtegtim njerëzor jo i individit, por i breznive” ( f. 18) dhe “Gjin Bardhela
është secili nesh i përshkundur në detin e harbuar të jetës, nuk i përket një
mendjeje të gatuar në kohë, ai jeton në një hapësirë të paanë sepse përmbyll
tragjeditë e lashta dhe dyshimet e sotme, bukurinë e pamort dhe trishtimin e
pashuar, mallin që rikthehet e djeg dhe ëndërrimin e guximshëm. Është legjendë
dhe jetë”. (f. 20)
Janë punimet e shumë
autorëve italianë dhe arbëreshë, të cilët pas leximit të romanit “Gjin Bardhela
i arbresh & Etja e gurëzuar” e shpalosin dhe e ndriçojnë botën poetike dhe
stilin e autorit, duke shfaqur dhe vlerësime me interes.
Domenico Corradini H.
Broussard, në punimin e tij ““Kënga e mallit në solo violinë” thotë se “Gjini
është shtegtar i durueshëm, Odiesu i ri në kërkim të Itakës së vet [...] Gjin –
Anton Nikë, si një gdhendës i shkathët që prej dimrit të thatë nxjerr lulet dhe
pjesët e larta ose rreth e përqark dhe nuk shqetësohet t’i lërë letër-xhamin
nga druajtja që të duken falëse, rikujton me krenari legjendat, traditat dhe
mitet nga Iliria e lashtë[...]. E pra le të jetë krenar Berisha, siç jam unë
krenar për të”(f. 25-27). Më tej në punimin e vet ky shkrimtar dhe profesor
universitar, e krahason dehjen dionisiane të Niçes dhe dehjen nga dhimbja e
Berishës. Zaratrustën që i rivlerëson të gjitha vlerat dhe Gjin Bardhelën që i
shndërron tragjeditë në të qeshur dhe të qeshurit në tragjedi.
Corradini ndriçon një
nga veçoritë kryesore të këtij romani të Berishës: “Tek ai është një kërkim
gjuhësor që nuk e gjen te shkrimtarët e tjerë [...], gjuha e përdorur nga
Berisha, një gërshetim shumëngjyrësh i fjalëve të nxjerra (të peshuara) nga
harresa e fjalëve të bisedimit (të përditshëm), zhburgoset nga vuajtja më e
madhe: nga vuajtja për vuajtjen e të tjerëve “ (f. 31).
Për shkrimtarin e
shquar, Dante Maffia-n (i propozuar për Shpërblimin Nobel), “Gjin Bardhela”
është roman i rëndësishëm i cili që kur u botua në Prishtinë e pastaj, pas një
dhjetëvjetëshi, në Itali, duhej të kishte zgjuar interesim të drejtpërdrejtë
nga njerëz të vendeve të ndryshme, jo vetëm të Arbërisë, por edhe të mbarë
Evropës: “Me aftësi të veçantë, Anton Nikë Berisha ndërlidh në kontekstin e
romanit, nga njëra anë, legjendat e përrallat, si pjesë e traditave të
rrënjosura të ngulimeve arbëreshe e, nga ana tjetër, edhe tërësinë e
paragjykimeve që shkallë - shkallë janë shndërruar në një mënyrë të ekzistimit
e të perceptimit të realitetit. Në këtë këndvështrim romani përfton kuptime
antropologjike të një efikasiteti të rrallë, edhe për faktin që vendos
protagonistin në brendësi të një bote gati magjike, me pasoja që vënë në dukje
shkaqe tashmë të rrënjosura e të metamorfozuara në një natyrë të dytë [...] Do
të duhej të flitej për shumë gjëra të këtij romani, duke filluar nga
kompleksiteti i tij e të përfundohet me vëzhgimet e hollësishme për botën
shqiptare dhe atë arbëreshe; do të duhej të analizohej më gjatë struktura (e
tekstit të romanit) që Anton Nikë Berisha e ndërton me përsosmërinë e një
arkitekti e do të duhej të diskutohej më hollësisht për qëllimet dhe
përfundimet në këndvështrimin ideologjik apo idealist, por ajo që më intereson
më tepër është vënia në dukje e shtresëzimit poetik të krijesës së tij të lartë
artistike, e artit të vetëdijshëm të vështrimit të argumenteve nëpërmjet
sugjerimit poetik, por, në të njëjtën kohë, pasional e analitik”.
Se “Gjin Bardhela i
arbresh & Etja e gurëzuar” është roman vlerash të rralla letrare poetike, e
dëshmon edhe punimi i Sergio Paolo Foresta-s, i cili fillon në formën e letrës,
duke i bërë të ditur autorit se ky roman e shoqëroi në spitale nga njëri shtrat
në tjetrin. Foresta e krahason romanin e Berishës me veprat e autorëve botëror.
“Në rrafshin letrar është një shtegtim homerik, virgjilian, dantesk, pushkian, sipas Edgar Lee Masters”(f. 63).
Eris Rusi në punimin
e tij të bërë me shumë dije për këtë roman shkruan: “Përafrimi i teknikës
narrative të ndërtimit të tekstit me botëkuptimin surrealist, përroin e
ndërgjegjes xhojsiane dhe introspektivën e përfytyrimit modern, e bëjnë këtë
libër tejet të veçantë dhe me interes studimi.”(f. 67).
Për arbëreshin, Zef
Skiro di Modika, “Leximi i romanit është intrigues, pushtues, zotërues. Në
shtresat e kujtesës janë të gjitha sekuencat e historisë sonë edhe është lehtë
të ridallohen në nyje të ndryshme të romanit si në një libër, ku njëra dorë e
padukshme e shfleton në një atmosferë të ëndrrës” (f. 117).
Studiuesi dhe
profesori universitar, Bardhyl Matraxhiut, vë në dukje njësimin e personazhit
të romanit me autorin e tij: “Etja e gurëzuar e Gjin Berishës, sikundër të
thuash romani i Anton Bardhelës. Duke qenë vetë Anton Bardhela rrugëtar, banor
e njohës i këtyre tri botëve shqiptare, duke qenë edhe një lëvrues e njohës i
gjuhës shqipe, i ka shkrirë në një në romanin e tij të tre dialektet e mëdha të
gjuhës shqipe. [...] Në romanin e Bardhelës gjithçka është bërë me kompetencë e
shije.” (f. 126).
Roman
që të trondit
Romani “Gjin Bardhela
i arbëresh & Etja e gurëzuar” nga Ragip Sylaj është vlerësuar si mozaik i
shpirtit të etnisë sonë: “Ai është libër i dijes aq sa edhe i frymëzimit dhe si
i tillë paraqet mozaikun e shpirtit të etnisë sonë. Në të shprehet sa krenaria,
nderi, burrëria, besa e njeriut tonë, aq dhe fatkeqësia dhe tragjika” (f. 132).
Roman i magjisë së
fjalës dhe i shpirtit të shqiptarit, do ta vlerësojë në punimin e tij
shkrimtari arbëresh, Vinçence Belmonte. Ai do të veçojë frymën e poezisë së
pastër , ‘gjë që, në të vërtetë, e bën atë një poemë moderne mbi fatin e
Arbërit e mbi tragjiken e ekzistencës njerëzore.”(f. 137).
“Ju shkruani
hyjnisht” do t’i shkruajë autorit të “Gjin Bardhelës” shkrimtarja e shquar
italiane, Nicla Morletti (Nikla Morleti) dhe se “Gjin Bardhela...” është një
roman që të bën për vete, të pushton dhe të trondit, i përshkruar nga një forcë
magjike, ashtu si ajo e dashurisë”. (f. 184)
Për prozatorin
arbëresh, Vicenzo Bruno ,”Etja e gurëzuar” nuk është vetëm një roman. Në të
njëjtën kohë është ditar intim i një personi të ndjeshëm, shprehje lirike e një
shpirti të thellë, këngë epike e një populli të lashtë.” (f. 194).
Përmes 52 punimeve që
bëjnë vëllimin “Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike” është hedhur dritë
për njërën ndër veprat më të rëndësishëm të Anton Nikë Berishës, por edhe për
punën e përkushtuar të këtij studiuesi e autori të dëshmuar me një varg
veprash. “Shpirti poetik i Anton Nikë Berishës nga këndi që shprehet, nuk mohon
për të bërë të ditur ( e do të duhej të ishte sinteza e një manifesti poetik)
se edukimi i shpirtit nëpërmjet së bukurës është punë e vështirë dhe e gjatë sa
edhe vetë jeta ( Giuseppse Napolitano (Xhyzepe Napolitano, f. 208).
Vlerësime të
rëndësishme e meritore për librin sjell edhe shkrimtari arbëresh, Francesko
Fusca (Françesko Fuska) në punimin e vet, ku romanin ’’Gjin Bardhela i arbresh
& Etja e gurëzuar’’ e cilëson një himn për Lirinë dhe Vlerat e
përgjithshme që janë, sigurisht, ngjitja dhe dashuria për rrënjët...[...], himn
për Historinë e lavdishme të popullit shqiptar- arbëresh, ku veçohen
sidomos shenjat, gjurmët, kodet dalluese të Gjergj Kastritot Skënderbeut
dhe të Jeronim De Radës, të Besës dhe Konstandinit të Garentinës, të Këngëve
dhe të Valljeve...[...], është një instrument pedagogjik – didaktik. Në të
vërtetë, kush do ta njohë mirë botën arbëreshe tout court dhe ta
studiojë thellësisht Gjuhën shqipe (Shqip dhe Arbërisht), historinë (të
përgjithshme) duhet të lexojë krijimtarinë letrare të Anton Nikë Berishës, që
gërsheton botë, kultura dhe qytetërime. Harmonishëm. (f. 210). Sipas tij ’’Etja
e gurëzuar” është një libër i mrekullueshëm, ngase të befason dhe të mahnitë,
faqe pas faqeje, për atë që shkruan dhe thotë, për atë që paraqet, rrëfen,
pëshpërit, përfytyron....[...], pra, është një libër i mirë, një libër që vlen,
një libër që të pëlqen, që shfletohet si një lule margaritë [...] që e pasuron
njerëzimin. (f. 214).
Shkrimtari italian,
Gianni Antonio Palumbo, vë theksin tek dy dukuri të qenësishme të romanit të
Berishës: “ Njerëzorja dhe hyjnorja vihen përballë njëra-tjetrës nëpër faqet e
romanit La sete pietrificata (Etja e gurëzuar)...[...] Një prozë me një
ngjyrim të veçantë, zanafillor, madhështor, të ngjizur bukur, që përbëjnë
vlerat më të mira të krijimit të intelektualit të Dobërdolit.” (f.230).
“Gjin Bardhela” –
roman i një rrëfimi kompleks
Në punimin e tij
Mateo Pulizzi e cilëson romanin “Gjin Bardhela” një rrëfim kompleks, teksti i
të cilit ofron mundësi të ndryshme leximi e interpretimi, në të cilin përbërës
kulturorë dhe antropologjikë ndërlidhen në aspekte psikologjike e
filozofike...[...] një roman i bërë nga pamje shumë të bukura të dheut të
Kalabrisë, mali, deti, pylli. Pamjet që autori i përshkruan me një ngjyrim të
lartë dhe poetik, një lloj proze që bëhet poezi, për t’i lënë pastaj vendin
bisedimit të rrafshët e të rëndomtë, po jo sipërfaqësor të arbëreshëve të atyre
ngulimeve. (f. 261).
Në libër janë
përfshirë edhe punimet e shumë autorëve, shqiptarë dhe të huaj, si Faruk
Tasholli, Fatmir Minguli, Albana Alia (e cila është edhe përkthyese e shumicës
se punimeve të autorëve joshqiptarë), Alessandro Guadio, Flavio Nimpo, Antonio
Vanni, Casmo Azzinri, Demetrio Emanuele, Flavia D’Agostino, Albertico
Guarnieri, Lazer Stani, Agron Tufa, etj.
Kënaqësia
e autorit – leximi dhe vlerësimi i librit
Në përmbyllje të
librit “Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike” 52 punime për romanin “ Gjin
Bardhela i arbresh &Etja e gurëzuar”, është dhënë fjala përmbyllëse e
autorit Anton Nikë Berisha, fjalë e shkruar me ndjesi shpirti të një krijuesi
të përkushtuar që ‘korrë’ frytet e punës së tij!
“Leximi i veprës nga
tjetri, përfitimi prej saj, si njohje dhe si pasurim shpirtëror, mundësia e
ndikimit estetik të saj në të – është një fakt tjetër i rëndësishëm, një
ngushëllim dhe një dhuratë e madhe për autorin...[...]. 52 punimet për romanin
“Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” që botohen në këtë vëllim, të
gjitha së bashku dhe secila veç e veç, për mua janë një dhuratë dhe një
ngushëllim i madh...” (f. 347).
Punimet e përfshira
në vëllimin “Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike” kushtuar romanit “Gjin
Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” dëshmojnë mirëfilli për një vepër të
realizuar artistikisht dhe për një autor i cili me veprat e veta ia ka siguruar
vetës vendin meritor në letërsinë shqipe, ndërkaq “ Gjin Bardhela” në mesin e
vlerave meritore të letërsisë sonë dhe më gjerë.
Prishtinë,
8 dhjetor 2020