| E merkure, 09.12.2020, 09:55 PM |
Një jetë e përgjuar në dosjen e diktaturës komuniste kundër mons. dr. Zef Oroshit
“Zyrtarët komunistë e
dinin se mons, dr. Zef Oroshi kishte një aktivitet të ngjeshur antikomunist dhe
fliste hapur kundër tyre kudo në kishë, në përvjetore dhe tubime apo
manifestime të tjera kulturore, atdhetare etj. Spiunët komunistë këtu, kishin
marrë udhëzime nga Tirana e kuqe, që të eliminonin fizikisht me çdo kusht
meshtarin tonë dom Zef Oroshin, sikurse e thërrisnin të gjithë asokohe. Por nga
ana e tjetër, nacionalistët dhe personalitetet e shquara të diasporës
antikomuniste, ishin të përgatitur dhe ndiqnin nga afër çdo lëvizje të tyre
negative, kundër meshtarit tonë të shquar Oroshi. Agjentët komunistë, shkonin
në lokalet apo organizatat politike dhe kulturore, ku ishin shqiptaro
amerikanët, në kishë, xhami, manifestime të ndryshme, për të rekrutuar të rinj
“naiv”, duke u shpërlarë trurin, se Shqipëria është shtet “demokratik” dhe atje
njerëzit janë të “lumtur” në komunizëm. Por e vërteta ishte krejt ndryshe.”
– Tomë Mrijaj, studiues
Nga Klajd Kapinova
Pas librave me vlerë
historike: “Mons. dr. Zef Oroshi – një jetë e shkrirë për fe e
atdhe”, jetëshkrim, New York, 2009, “Long Kuvendit – në
trinomin Fe – Atdhe – Perparim” (New York, 2019) dhe “Abati i Mirditës –
Imzot Frano Gjini - Martir i kishës katolike” Shkodër, 2018 (bashkautor me studiusen Leonora
Laçi), doli në
qarkullim libri i ri: “Një jetë i përgjuar" (New York,
2020), që përbën Dosjen e Sigurimit për mons. dr. Zef Oroshin.
Vepra në fjalë, u përzgjodh, përgatit dhe u botua nën
përkujdesin e veçantë dhe shpenzimet financiare të studiuesit e publiçistit
veteran i komunitetit tonë Tomë Mrijaj.
Meshtari dhe personaliteti i shquar e i paharruar mons.
dr. Zef Oroshi, rivjen mbas shumë dekadave para shqiptarëve kudo në botë dhe
komunitetit shqiptaro amerikanë, me një libër original me titull: “Një jetë i përgjuar" e mbushur plot me
dokumente të Dosjes së tij keqdashëse, hartuar me dorë dhe makinë
shkrimi, për dekada me radhë nga punonjësit e polcisë sekrete të Sigurimit të
Shtetit socialkomunist, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës
Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Studiuesi Tomë Mrijaj në shkrimin e tij analitik:
“Dy fjalë hyrëse”, ndër të tjera shkruan: “Sapo përballesh me një
Dosje të errët, të përpiluar me denigrime, trillime, shpifje dhe shkrime me
paramendime direkte qëllimkeqe, të vetë punonjësve të Sigurimit të sistemit
komunist, ju si lexues të kujdesshëm, duhet të jeni të përgatitur
psikologjikisht të mësoni më shumë, se çfarë ju pret nga leximi, duke qenë të
vetëdijshëm, sikurse edhe unë për këto “perla” të Dosjes, që mora në dorë.
Njeriu në ditët tona, shokohet kur sheh nga afër
sesa të paskrupullt, në manipulime dhe trillime (të ngjarjeve dhe figurës
historike të përsonit që ata përbaltnin papushim) ishin strukturat informative
policore të fshehta apo forcat e Sigurimit të shtetit komunist dhe më saktë të
Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shqipëri, gjatë harkut kohor të vitëve
1944-1990.
Ata arritën deri aty sa të sajojnë histori të rreme
mbi mons. dr. Zef Oroshin, kur ai ishte larguar nga ferri burg komunist i
Shqipërisë...
Nga burimet e Dosjes, mësojmë se në Itali dhe SHBA
ai përgjohej vazhdimisht këmba - këmbës nga hafijet e Sigurimit komunist
shqiptar dhe informacioni mbi lëvizjet dhe takimet e tij në diasporë përgjohej
dhe regjistrohej dhe më pas përcillej në Tiranën zyrtare komuniste, ku
operativët e fshehtë komunistë hartonin tekstin e shpifjeve, duke krijuar
kështu dora dorës Dosjen e Zezë të tij.”
Veprimtaria e shumanshme e klerikut dhe intelektualit të
shquar të botës shqiptare në diasporë mons. dr. Zef Oroshit, njihet shumë mirë,
përmes librave monografikë, kujtimeve, artikujve kushtuar atij në përvjetore të
ndryshme, të cilat janë shkruar nga autorë dhe studiues të ndryshëm për te, për
shumë dekada me radhë deri në ditët tona.
Ardhja dhe fitorja absurde e komunizmit në vitin 1944 në
Shqipëri, ishte vetëvrasja më e madhe që bënë shqiptarët, që e pranuan dh
perqafuan ideologjinë e tij.
Meshtari katolik dom Zef Oroshi, bën pjesë në ato
personalitete historike, që nuk u pajtuan asnjëherë me fitoren e komunistëve.
Ai nuk e pranoi as në atdhe dhe as në Shtetet e Bashkuar të Amerikës fitoren
mashtruese komuniste.
Ai nuk ishte vetem një predikues i thjeshtë fetarë, por
dhe një studiues i zoti, pendë e spikatur dhe e mprehtë e botës shqiptare.
Përmes larmisë së artikujve, ne tani njohim një përkthyes
cilësorë; një gjuhëtar shqiptar të apasionuar; shkrimtar i shkollës së traditës
gegë dhe stoik i papajtueshëm me regjimin ateisto komunist në Shqipëri etj.
Libri në fjalë,
është i bazuar në dokumente origjinale, të siguruara fatmirësisht nga Arkivi
Qendror i Shtetit në Tiranë, që ishte kthyer fatkeqsisht në makinë automatike
propagandistike. Në librin arkivor, përfshihen për herë të parë rreth 400
dokumente, të hartuar dita - ditës nga punonjësit special të Sigurimit të
Shtetit, të cilët kanë hartuar një Dosje me shpifje dhe trillime, të cilat
studiuesi shqiptaro amerikanë Tomë Mrijaj, i ofton sot para lexuesve
mbareshqiptarë.
Ky libër është i veçantë në llojin e vet, për faktin,
se i jep për here të pare dokumentet (faksimile) në mënyrë origjinale, ku,
lexuesi dhe studiuesit e rinj kanë mundsi dhe hapësirë të shohin dhe vërtetojnë
me kujdes fantazinë e proçesverbale, raporteve, akuzime pervese, dëshmi të rreme nga trathtarët
dhe spiunët, përshkrimeve, thënieve të fabrikuara, dëshmitarëve shpifse
sistematike të diktaturës komuniste dhe të hafijeve të Sigurimit të Shtetit
komunisto ateist.
Në një qarkore, që Ipeshkvi imzot Bernardin Shllaku u
dërgon dioqezave (shkruar nën torturë nga Sigurimi), tregohet sesa bujë kishte
bërë arratisja e dom Zefit dhe jo vetëm Sigurimi ishte në kërkim të tij, por
ishte ngritur dhe një komision kërkimi i përbërë nga Dekani i Tiranës, dom Mark
Dushi, dhe Administratori Dioqezan i Lezhës dom Ndoc Sahatçija.
Kështu vetë dom Ndoc Sahatçija, në nëntor të vitit 1952
merr rrugën për në Veri të Shqipërisë, për ta kërkuar vetë dom Zef Oroshin. (Referuar
nga libri i dr. Markus W. Peters, “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në
Shqipëri 1919-1996”).
Për arratisjen e dom Zefit të pamposhtur, është shkruar
dhe në studimet e mëvonshme: “Dosjet e Diktaturës” me autor studiuesin
dr. Pjetër Pepa dhe në monografin: “Monsinjor
dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të biografit të tij, që
njiherazi është edhe Sekretar i Lidhjes së III Shqiptare të Prizrenit,
studiuesit Tomë Mrijaj (SHBA); sikurse edhe në veprën e Nikollë Melyshit, “Ngjarje
Historike, të ndime, të pame e të jetueme”, dhe së fundi në librin: “Abati
i Mirditës Imzot Frano Gjini” shkruar nga bashkautorët: Tomë Mrijaj &
Leonora Laçi, (Shkodër, 2018).
Momenti i arratisjes së bujshme të mons. dr. Zef Oroshit,
është kthyer në një legjend. Për ta bërë më reale dhe në mënyrë që të mos
mitizohet më tej me këto fakte, pata një bashkëbisedim me nipin e mons. dr.
Oroshit, Prend Gjokën, i cili, më rrëfeu pas shumë dekadave të vërtetën se si
dom Zefi i kishte shpëtuar arrestimit dhe ishte fshehur në mal deri sa u largua
fillimisht në Europë e më pas në tokën e premtuar të SHBA, shkruan ndër të
tjera studiuesja e re Lenora Laçi.
Kështu asokohe dikush nga banorët informoj meshtarin e ri
dom Zef Oroshin, se kisha ishte e rrethuar nga forcat e Sigurimit.
Nga Tirana, forcat e Sigurimit mbanin në dorë një Urdhër
Arrestimi, të ardhur direkt nga Mehmet Shehu. Sigurimi, po priste që mesha
të përfundonte dhe prifti të dilte i fundit për ta arrestuar. Ata vëzhgonin nga
dera kryesore daljen e popullit.
Plani ishte që të arrestohej në momentin e daljes së
popullit nga kisha dhe dom Zefin ta arrestonin, që të mos mund të
kundërpërgjigjej…
Amerika, u bë atdheu i dytë për të dhe veprimtarinë e
tij, atje la gjurmë të pashlyeshme, me themelimin e Kishës së Parë Katolike
Shqiptare (1962).
Kjo tregon se ai i shërbeu më mirë atdheut larg tij, duke
qenë se Shqipëria u kthye në një burg të madh për intelektualët dhe ndrydhi jo
vetëm dëshirat për tu arsimuar, por shtypi e burgosi edhe mendimet e fjalën e
lirë.
Prend Gjoka, rrëfen se halla e tij (motra e dom Zefit),
Lukja përjetoi kalvarin nëpër burgjet e internimit. Ajo pas rënies së
komunizmit ka jetuar në shtëpinë e nipit deri ditën kur mbylli sytë.
Motra e Monsinjori. kishte qenë personi i fundit që dom
Zefi kishte takuar para se të arratisej në mal. Ai në mal bashkohet me grupet
antikomuniste, ku do qëndroj për tetë muaj deri sa kaloi në Kosovë e cila ishte
pjesë e Federatës Jugosllave, me gjithë vështirësitë dhe i plagosur kalon në
Mitrovicë e nga aty sëbashku me atë Daniel Gjeçajn O.F.M, atë Ambroz Martinin
O.F.M, dhe Nikollë Kimzen, pas garancive që i dhanë Dera e Gjomarkut e
personalisht Kapidan Ndue Gjomarku, shkojnë në Itali.
Në faqet e librit,
janë emrat dhe mbiemrat e të gjithë hartuesve të Dosjës, punonjësit apo
oficerët e Sigurimit të Shtetit, hetuesit, dhe punonjësit e tjerë spiunë të
Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, të cilët në bashkëpunim me njeri –
tjetrin, ishin totalisht kundër meshtarit katolik shqiptaro amerikanë, kur ai
ishte si meshtari i ri, në kishën e shën Maria Magdalenë, në Ungrej të Mirditës, kur
arratiset në mallet e Mirditës dhe gjatë gjithë aktivitetit të tij antikomunist
në Itali, SHBA për dekada me radhë.
Mons dr. Zef Oroshi
(1912-1989), ishte dhe mbeti një ndër liderët kryesorë antikomunistë të
diasporës sonë shqiptaro amerikane, i cili, gjithë jetën e tij ia kushtoi
komunitetit këtu dhe luftës kundër diktaturës komuniste dhe diktatorit otoman
Dullë, alias Enver Hoxha.
Aktivisti veteran
dhe Sekretari i Lidhjes se Tretë Shqiptare të Prizrenit në SHBA studiuesi Tomë
Mrijaj, është biograf i mirënjohur i Monsinjor Oroshit, mbasi kleriku ishte
kumara i familjes dhe të 4 femijëve të aktivistit veteran të komunitetit tonë.
Libri i ri në fjalë,
shoqerohet me një shkrim në hyrje të tij shkruar nga biografi i Monsinjorit
studiuesi Tomë Mrijaj dhe mbyllet me një shkrim tjetër me titull: “Kalvari i
vujatjeve të të familjes së
mons. dr. Zef Oroshit.”, shkruar nga studiuesja e re Leonora Laçi.
Libri u përgatit me
kujdes në New York gjatë viteve 2019-2020 dhe u botua me sukses, nën kujdesin e
Shtëpisë Botuese dhe Shtypshkronjen "VOLAJ", në qytetin e lashtë të
Shkodrës. Një falënderim i veçantë nga zemra i shkon Shtypshkronjës "VOLAJ"
dhe stafit të saj, të drejtuar profesionalisht, për punën e shkelqyer serioze
të bërë nga miku im i vjetër Martin Ndoja.
Në kopertinën
kualitative, është busti kushtuar mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989), dhuruar
kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodtrës” Hartsdale, New York nga skulptorja
profesioniste amerikane Carolyne D. Palmer.
Disa nga temat e përmbajtjes së dokumenteve
Libri përmban tema interesante, ku disa nga nga
ato janë: Inventari i materialeve, që ndodhen në dosje (9 faqe); Lista e
personave që janë njohur me dosjen; Lista e personave që implikohen në dosje;
Fleta e kontrollit në kartotekë; Të dhëna biografike të dom Zef Çokut (Oroshit)
13.3.1981; Vendim që t’i hapet dosja e kërkimit për përpunim, 26.6.1958; Lista
e lidhjeve miqësore e farefisnore të të arratisurit dom Zef Çokut (2 faqe); Disa
letra që mendohet se janë shkëmbyer mes dom Zefit dhe disa të tjerëve, gjatë
kohës që ndodhej në mal i arratisur. Vërtetësia e tyre është e dyshimtë.
Në dokumentet e
Sigurimit apo policisë
sekrete komuniste, shikohet dukshëm edhe “ekspertiza”, që i është bërë letrave, (30.12.1951),
relacionet dhe implikimet e ndryshme ose deponimi të personave pa karakter dhe
të lëkundur kundër
dom Zef Çokut, 18.1.1952. (2 faqe), sikurse edhe shumë informacione mbi
levizjet e dom Zefit. (3 faqe); Raport propozim për regjistrimin e të
dhënave mbi dom Zef Çokun në kategorinë II; Arrestimi i Ndue Jak Ndoj, për të
dhënë informacione mbi strehimin e të arratisurve ndër to dhe dom Zef Çokun,
kurse me datën 6.X.1952, njoftohet mbi kalimin në Jugosllavi të kriminelit dom
Zef Çokut apo informata, ku
përmendet dhe plagosja në krah e dom Zef Çokut, në muajin qershor 1952.
Sigurimi kishte informacione të hollësishme mbi lëvizjet antikomuniste të dom Zef Oroshit, sikurse
është raporti i datës 5.V.1956: “Raport informativ agjentural mbi
emigracionin reaksionar, shkruhet dhe për takimet që dom Zef Oroshi realizon me
komunitetin shqiptar, në kampin e San Antonit (Itali), ku flet me skepticizëm
për amnistinë, që po jepte shteti shqiptar ndaj të arratisurve.”
Sërisht, me datën 15.I.1957, dom Zefi takon shqiptarët në
Romë (Italy), ku, i bënë thirrje emigrantëve nëpër kampe, që të mos gënjeheshin
nga Qeveria komuniste shqiptare dhe një vit më vonë raportohet, se me datën
28.I.1958 zhvillohen takimet e dom Zef Oroshit me komunitetin shqiptar në
Napoli etj.
Nga ana e tjetër, po atë vit, me datë 18.4.1958 brenda
komunitetit shqiptarë, zhvillohen
takimet e ngrohta me dom dr. Zef Oroshit dhe prof. Martin Camajt (arratisur nga
Shqipëria) me emigrantët dhe përpjekjet e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që të
ndihmojë emigrantët politikë
antikomunistë shqiptarë, për të udhëtuar drejt Amerikës. Aktiviteti
nacionalist i Oroshit, nuk ka ndalur. Ai i shkruan një letër drejtuar
komunitetit të arratisur shqiptar
në Belgjikë pas takimit që pati me ta. (dy faqe) dhe më vonë ai shkon
vetë në në një takim me komunitetin shqiptar në Belgjikë, ku flet hapur kundër
regjimit komunist në Shqipëri etj.
Edhe në SHBA dhe më saktë në New York aktiviteti i
Oroshit është i madh. Kështu me datë 8.9.1962, dom Zef Oroshi krijon Këshillin
e Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, ku ai bën propagandë kundër komunizmit
dhe në favor të Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe pak kohë më vonë meshtari patriot antikomunist dom
Zef Oroshi takohet në Clevelend (Ohio) të SHBA-së me komunitetin shqiptar.
Mons. dr. Zef Oroshi për
merita përkushtuese atdhetare zgjidhet në kryesinë e Vatrës me qendër në
Boston etj.
Telegrafikisht
jeta dhe vepra e mons. dr. Zef Oroshit
Meshtari ynë mons.
dr. Zef Oroshi (1912-1989), ishte Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës,
themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë (sot
“Zoja e Shkodrës”) në New York.
Mbiemri Oroshi, që
prelati mbarti me dinjitet edhe në SHBA, lajmëron sipas regjistrave të kishës,
se ai kishte lindur më 24 nëntor 1912, në tokën e kathedraleve (deri në shek.
XIX numëronte 200 kisha), limanin vigan të kryengritjeve për flamurin e lirë,
që ishte e mbeti Mirdita.
15 vjet më pas, i
riu Jozef Oroshi, gjendet në auditoret e Seminarit Papnor në Shkodër. Asokohe
librat, me sa duket ishin dhe mbetën pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i
përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave fetare, ishte një traditë e hershme e
trashëguar nga të parët e familjes Oroshi.
Mësimet fillestare
Zefi i vogël, i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin
1927, në seminarin e mirënjohur të Jezuitve në Shkodër.
I etur për dije të
thella e kulturë të pasur civilizuese dhe kristiane perëndimore, vijon studimet
e larta më 1936-1940, në degën admiruese të Teologjisë e Filozofisë në Romë
(Itali), pranë Universitetit të Urbino-s në Propaganda Fide, sëbashku me 14
djem të tjerë të rinj shqiptarë asokohe.
Mprehtësia dhe
zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë të të riut. Kardinali
italian Shkëlqësia e Tij mons. Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide, e
shuguron, duke i dhuruar petkat dhe koletin e meshtarit.
Buzëqeshja e
sinqertë dhe fisnike, lexohej lehtë në fytyrën e meshtarit të ri, që hynte me
ndërgjegje dhe dëshirë të plotë në vreshtën e madhe të Zotit.
Meshtari, gjatë
gjithë jetës së tij, u gjend afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të
vështira, si një ushtar besnik i Krishtit. Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe
hidhërimet e një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.
Abati i Mirditës dhe
Delegati (Regent) Apostolik (kur është dëbuar nga Qeveria komuniste e Tiranës
imzot Leone Nigris Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im
K.K.) imzot Frano P. Gjini (1886-1948) e kishte dom Zef Oroshin meshtar të ri
në moshë dhe njëkohësisht sekretar të tij të përkushtuar plot energji, brenda
famullive, që administronte shpirtërisht (kishat sufragane).
Mbas 12 vjetëve
(1940-1952), pasoj e përndjekjeve të Sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve
në Krishtin, në kohën e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë
meshën e pagëzon një fëmijë të porsalindur, hoqi shpejt veladonin dhe mori
udhën e arratisjes nëpër male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës
kundërkomuniste.
Kryqin, që kishte në
qaf nuk e la në kishë, por e mori me vete, për t’ia prirë të mbaren në
udhëkryqet e botës. E Zoti e deshti dhe e ndihmoi shumë. Ai ndihmoi në momentet
më të vështira me qindra emigrantë, duke u dhënë ndihmë papushim, në të gjitha
drejtimet, deri sa ai vetë kaloi në jetën e pasosun…
Për 8-9 muaj,
qëndron mes maleve, në shpella, shi e borë, me bukë e pabukë, i veshur keq në
dimër, duke provuar mundimet e Krishtit, që salvohet nga të pafetë.
Në ditën e Pashkëve
të vitit 1952, për trimat e lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut),
thotë meshën në orët e para të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e
shpëtuar e udhëhequr drejt tokës së lirë…
Në gusht 1952, ai
gjendet në tokat etnike shqiptare në Dardani për disa muaj, duke kaluar e
qëndruar për pak kohë në Gjakovë, Pejë, Mitrovicë… dhe shkon në Beograd.
Dera e Gjomarkajve
të atdhelindjes së vet, falë mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale,
i dërgon garanci, për të shkuar në Itali.
Ishte viti 1953, kur
ai gjendet sërisht para ëndrrës rinore. Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte
realitetin dhe shijonte atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e
dëshiruar me zemër.
Sërisht me libra dhe
pranë tyre, ndjehej i gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në
Romë, fillon përpjekjet e takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në
Teologji. Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë, shumë vite më parë,
ia kishte shprehur ish-eprorit të lartë abatit ipeshkëv imzot Frano Gjinit.
Dhe Zoti e ndihmoi,
për t’i hapur me bujari portat e dijës universale, mbasi kishte ndjekur nga
afër kalvarin e vuajtjeve, për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro
në Itali. Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së Shenjtë, që t’i
miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari
misionar), për bashkatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.
Një pjesë e grigjës
së tij, kishin shprehur dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i
ndihmon, falë bujarisë të gjithë pa dallim feje. Sikurse kujtojnë miqët e tij
prelati, ka ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur i qetë në
Tokën e Bekuar të Amerikës.
Me bindje të plotë
tek e ardhmja, menjëherë iu përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale
e baritore, duke u marrë pikësëpari me shqipërimin e librave të rëndësishme, me
të cilat, do të përhapte fjalën Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës së
bukur amtare, shqipen.
Por në Tokën e
Bekuar të Botës së Re, një tjetër prelat katolik, kishte qenë përpara imzot Zef
Oroshit. Ai ishte bashkëvendasi e atdhetari i flaktë, abati i Mirditës e
rilindasi i madh imzot Preng Doçi.
Kjo kishte ndodhur,
në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Ai, meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej
në Shqipëri nga Perandoria Osmane asokohe (mbas 11 vjet burg, që kaloi në
qelitë e ftohta të osmanllinjve), imzot Preng Doçi (duke e marrë miratimin nga
Selia e Shenjtë), u nis për mision në Amerikën e Veriut në vitin 1877. Ishte ky
shqiptari i parë mirditor, që shkeli kontinentin e ri, si misionar klerik
katolik.
Dy mirditas Doçi e
Oroshi, në kohë të ndryshme, bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar,
duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar
i ndodhur njeri mbas tjetrit në dy robëri: otomane islame barbare dhe
diktaturën ateiste komuniste.
Falë pasionit e
vullnetit të hekurt, për t’u marrë me libra dhe studime, që kërkonin shumë mund
dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi, përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi
(1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos
lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e
parë akademik (1953-1954).
Po më 1960, përkthen
dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi doracak, për
familjarët emigrantë shqiptarë katolik. Dashuria e respekti, për shkrimtarët e
shkollës së traditës geg veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e
përkushtimin e tyre, u bënë objekt i studimeve të tij.
Për të qenë më
konkret, ai zgjodhi shkrimtarin e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest
Koliqin dhe kontributin e tij shembullor shumëplanësh, në fushën e letërsisë
bashkëkohore shqipe.
Një punim të plotë
dhe dinjitoz: si vepër monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër
special), ai e botoi të plotë, në revistën autoritative, shkencore,
kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të mikut të tij të madh. Në
Universitetin e famshëm të Romës Angelicum (1958), vijon studimet e vitit të
pestë në degën adhuruese të teologjisë, që ndryshe njihet si disiplina ose
gjimnasitika e trurit.
Këtu merr si
subjekt, për të trajtuar gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e
Teologjisë, duke e mbrojtur (në vitin 1960) me sukses temën: “Një reformator
i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën shkencore Doktor.
Në komisionin e
Këshillit Shkencor Vlerësues të Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të
kulturës, që punonin si lektorë në Universitetet e ndryshme italiane dhe asnji
shqiptar.
Ekipi prej pesë
profesorëve të njohur italianë dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e
dëgjonte me vëmendje dhe interesim shpjegimin e tezave, sipas një këndvështrimi
dhe studimi të hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz
shkencor të disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e
përshkonte një bosht i ngjeshur enciklopedik.
Kjo u duk dhe në
literaturën e përzgjedhur shoqëruese, që autori i palodhur e këmbngulës kishte
renditur në fund të temës shkencor hulumtuese.
Ai përpiqej, t’a
largonte vemendjen nga ngjarje plot të papritura, që i kishin ndodhur në
Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një kohë të hidhur, që s’harrohen e
ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që shqiptari komunist urren për
vdekje bashkatdhetarin atdhedashës dhe idealist.
Jemi në vitet e
inkuizicionit të zjarrtë komunist, ku, proletarët, ishin gati të grinin në
morsën e tyre cilindo, që nuk mendonte, ushqehej e këndonte vallen sllavo-ruse
proletare kundërshqiptare…
Kështu, krimineli me
nofkën sadisti i pamëshirshëm, i quajturi famëkeqi Hodo Habibi (i vetëquajtur
si Toger Baba), me urdhër të treshës: Rita Markos, Mehmet Shehut e Enver
Hoxhës, e ndiqte këmba-këmbës dom Zefin, për ta vrarë, ashtu sikurse kishin
masakruar pa gjyq 101 vetë në Qarkun e Shkodrës sëbashku me Malësi të Madhe
(Kelmend), sikurse në Lezhë dhe Mirditë.
Editorët e botimeve
kulturore të kohës, me këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit,
artikuj të larmishëm me tematika të ndryshme.
Kjo duket gjatë letërkëmbimeve,
që prelati katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në
emigracion, si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep
Krasniqin, prof. Martin Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M…
Ajo që është
interesante, është se ai ka nënshkruar si antar i Urdhërit të shën Françeskut,
kur në fakt kishte mbaruar studimet teologjike si klerik jezuit.
Don Zefi, ka
celebruar meshë së pari në kishën sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park
8th Street në New York, në kapelen e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në
shkollën e kishës së Mount Cornel në Bronx, në kishën e St. Raymond’s në Costle
Hill Avenue në Bronx.
Emigrantët shqiptarë
në Amerikë, kishin ardhur nga kampet e refugjatëve të Italisë e Austrisë. Për
më tepër, Lidhja Katolike, u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën
katolike sllovene të shën Cirilit, në Saint Mark’s Pace, New York.
Në mbledhje, si
mysafirë, morën pjesë, mes të tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i
Komitetit Shqipnia e Lirë dhe aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga
Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane.
Asokohe Monsinjori,
që ishte meshtar i emëruar, për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont
Avenue, Bronx, New York), megjithëse çonte meshë në kishën amerikane, gjithnjë
me shpirt e zemër rrinte pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.
Dhe më 1973, u
realizua dëshira e madhe e klerikut të përkushtuar në trinomin Fe - Atdhe -
Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej bashkatdhetarëve, në praninë e
besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së re, mes një atmosfere të madhe
gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes mesazhit edhe ish Kardinali i New
York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan Eminenca e Tij Terence Cooke.
Kisha e re, qendroi
për shumë orë e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë dhe amerikanë. Në një
nga sallat e bukura të ambienteve të Fordham University, u mbajt programi i
rastit dhe u shtrua darka madhështore, përgatitur nga Këshilli dhe Pleqsia e
Lidhjes Katolike Shqiptaro Amerikane dhe tre komisione te formuara nga ata.
Po të shikosh me
kujdes fotot e botuar, në koleksionin e revistës Jeta Katolike asokohe, syri
dallon menjëherë pamjen arkitektonike të projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit,
(Kisha), kishte formën e kryqit latin, me kumbonare, me hapësirë mbas lterit,
me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që ndriçojnë fugurët e shenjtorëve dhe
afresket e shënjtorëve në pikturë.
Këtu shquhej një
ballkon, brenda ambienteve të kishës dhe në fasadet e saj, janë të vendosur
truporet e shën Ndout, shën Nikolla, Nana e Këshillit të Mirë, etj., ndër më të
adhuruarit me devocion të besimtarëve të krishterë e jokrishterë.
Bariu nacionalist e
dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një emër shumë të mirë në fushën e
publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe. Ishte ai, që shqipëroi librin Katër
Ungjijt dhe Punët e Apostujve (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e ëmbël geg, aq
të nevojshëm për shqiptarët.
Pjesë nga materialet
e para të shqipëruara prej Ungjillit, nisin të botohen për herë të parë, në
revistën e komunitetit katolik Jeta Katholike Shqiptare (1966-1978), në numërat
e para të saj, por pa nënshkrimin e vet.
Kjo rubrikë, vijoi
rregullisht, në shumë numëra të së përkohshmes, për pesë vite me radhë.
Monsinjori ishte tepër energjik, në kryerjen me saktësi deri në fund të çdo
detyre, që merrte përsipër.
Dom Zefi, me
modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte me dy këmbë, sikurse
shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi vërtetë e
gjallë”. Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe
bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte.
Shprehja me fjalë të
zgjedhura e mbresëlënëse, erudicioni dhe edukata e thellë ekumenike e imzot
Oroshit, ishin ftesa e së dielës edhe për shqiptarët e besimeve të tjera, shumë
prej të cilëve shkonin për të dëgjuar predikimin e tij (homelinë) në kishë.
Si njeri me
kapacitet human dhe mjek i mirë me ilaçet shpirtërore të Krishtit, shëron shumë
plagë ndër shqiptarë, mërgimtarë të infektuar nga dhuna e ushtruar nga
rregjimet e njëjta totalitare.
Dr. Oroshi, edhe
gjatë meshëve në kishat amerikane, bëri apel, për të drejtën e popullit për
liri civile, besimi, për të cilën vuante shpirtërisht e punoi me devocion me
miqtë amerikanë dhe aktivistë të palodhur bashkatdhetarë kudo nëpër botë, për
lirinë e fesë në Shqipëri.
Projektues e
aktivisti i flaktë, mbetet si frymëzuesi i bashkatdhetarëve në organizimin e
disa tubimeve kundërkomuniste dhe liri besimi në Shqipëri, para Organizatës së
Kombeve të Bashkuara (UN) në Manhattan Neë York.
Imzoti e adhuronte
shumë mësuesin e paharruar klerikun, poetin dhe njeriun e shquar të përmasave
botërore dom Ndre Mjeden (1866-1937). Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën
shembullin e edukatorit të zellshëm e frytdhënës, pranë Seminarit Papnor në
Shkodër (1843-1946, 1991).
Për të gjithë
shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe propaganduesi më i shkëlqyer i
jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda. Ai, e përkujtoi me respekt të madh
mësuesin e tij, në shenjë mirënjohje e nderimi në New York, duke organizuar
përkujtimin, në 40-vjetorin e vdekjes.
Në mesin e shekullit
XX, me rizgjimin e lëvizjeve për bashkimin e besimtarëve të krishterë në botë,
filluan të thyhen shumë barriera e pengesa përmes ekumenizmit.
Diskutimet e gjata,
të dy barinjve të grigjës shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e
ngrohtë të mirëkuptimit e respektin e ndërsjelltë.
Ata kishin menduar
kohë të gjatë, për rikthimin dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë
pararendësit prelatë, për të afruar e më pas bashkuar kishën e ritit oksidental
(catholic roman) dhe oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e
bashkësisë arbërore në ShBA.
Me sa duket,
përvojën e kishte mësuar nga eruditi i gjërë e i thellë poliedrik i poetit dom
Ndre Mjedja shumë vite më parë. Fëmijëria dhe rinia asokohe, kanë qenë një
bllok shënimesh në kujtesën e freskët të klerikut dr. Oroshi.
Në revistën 3 mujore
të përkohshme të komunitetit katolik shqiptar në New York, ai do të shkruaj
artikullin me titull: “Dom Ndre Mjedja me rastin e 40-vjetores së vdekjes.”
Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot Oroshi, gjente pak kohë të lirë,
për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila, i pushtonte mallin për atdhelindjen.
Vetmia e tij, ishte
një adhurim i përshtatshëm mbushur me lutje, për një kontakt më imtim me Zotin.
Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e malli të pashuar, për atdhelindjen
Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e vështira të internimeve komuniste.
Gjatë shëtitjeve të
lira në park, që miku i afërt Tomë Mrijaj, ka bërë me imzot dr. Zef
Oroshi, biseda të lira për Oroshin, përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri. Është
thënë e shkruar gjithnjë, se Shtypi Katolik mbarëshqiptar, ka qenë ndër shekuj
shtyllë e atdhedashurisë dhe jo më pak kulture kudo.
Ai, iu kundërvu me
pendë dhe gjoks barbarizmave të huaja dhe servilizmave të opurtunistëve të
brendshëm në trojet shqiptare. Kjo ka qenë në shekuj dhe dekadat e porsakaluara
arsyeja pse kleri katolik, u gjet i pari në shenjestrën e të pazotëve, që
poshtëruan vendin tonë dhe e kthyen atë, sikurse bënë edhe osmanët, nga një
kopsht i lulëzuar feje dhe kulture në një gërmadhë rrënojash fizike e
shpërtërore, gërmadhë vuajtesh dhe mjerimi.
Të sjellësh ndër
mend dhe të rreshtosh figurat e mëdha jo vetëm kulturore fetare, por edhe
morale, jo vetëm klerikale, por thjeshtë katolike, të kulturës së një vendi
shumë të lartë është imperativi i çdo njeriu, që ka për zemër brumosjen e botës
shpirtërore të fëmijëve e të rinjve tanë, ku kisha me shtypin e saj ka qenë një
fanar drite, jo vetëm në lëmin fetar por edhe atë kulturor e atdhetar.
Kjo gjë duket e
kjartë sapo të hapësh një antologji letërsie, qysh prej viteve 1934-1944,
1945-1990 dhe 2020 e vijim, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme diturie
ndër shekuj, por edhe brymosën tokën e shenjtë në vendlindje me gjakun e tyre
martir.