| E marte, 08.12.2020, 08:45 PM |
V. TË RIKTHYERIT E PASKAJORES SI FENIKS I
RINGJALLUR DHE RAPORTI NDËRSINONIMIK BALLAFAQUES
LOJAL I SAJ ME FORMAT E STANDARDIT TË SOTËM
- Dita vjen dritëpashtjerr - sado nata të
jetë skëterr
NGA DR.
NUHI VESELAJ
Sihyrje
Siç po shihet
nga formulimi i titullit, në këtë krye do të trajtohet të rikthyerit e
paskajores në standard si feniks i ringjallur dhe kjo do të trajtohehet
guximtarisht në raport
ballafaques me format sinonimike në
përdorim e sipër si me qenë një rikthim tashmë në procedurë të
rregullt, edhe pse
dihet se paskajorja e mirëfilltë tash mbi 70 vjet në Shqipëri dhe mbi 50 në
Kosovë, është përjashtuar nga standardi unik i zyrtarizuar dhe aq më tepër
lidhur me këtë rikthim, me shikue sipas sistemit zyrtar, asnjë organ kompetent
nga Qendra ende nuk ka dhënë pëlqim rehabilitimi, atëherë normalisht lind
pyetja, kemi të bëjmë me ndonjë lajthitje rasti apo me ndonjë gjendje të
jashtëzakonshme?! Nuk kemi të bëjmë as me njërin as me tjetrin sugjerim, por me
gjendje specifike pothuaj të rëdomtë të lejueshme, por që gjithsesi kërkon
sqarim.
Kjo që u tha më
sipër është e vërtetë se paskajorja e mirëfilltë, siç është pohua më parë
edhe në këtë punim ishte përjashtuar allapartizançe nga norma zyrtare e gjuhës
shqipe më 1945 në Tiranë dhe më 1968 në Prishtinë, mirëpo ajo në fakt jetoi nuk
u zhduk nga sovrani ose nuk mundi të zhdukej sepse ishte mishethua e mpleksur
me popullin që e fliste dhe e flet që nga identifikimi dhe me shikue sipas
anës historike dhe të drejtës së natyrshme universale paskajorja, duke
qenë si pjesë e themelore e gjuhës si dhe ndërkohë e ish-shqipes letrare në
Periudhën e Pavarësisë, ishte nën mbrojtje të normës së shqipes globale dhe
njëherazi edhe sipas normës pragmatike të situatës. Me folë pak më troç.
Paskajorja mbeti e mbrojtur jo nga norma zyrtare, por u mbrojt dhe mbeti e
gjallë nën hije standardi, duke qenë pjesë përbërëse e gjuhës ku
kishte përdorim të dalluar në gojën e Shqiponjës së Flamurit shqiptar që
ligjëronte mbi bazë të gegnishtes. Madje u vetmbrojt jeta e saj edhe për vlerat
që kishte, ngase me funksionet e veta, veç tjerash, në kuadër të ligjërimit
përgjithësisht, dallohej, për këto katër funksione: a) rreth përfaqësimit
foljor e emëror, b) përshkallëzimit kuptimor, c) fjalëformimit me pjesoren e
shkurtë dhe ç) për pjesëmarrje në shprehje komplekse me simotra
sinonimike brenda fjalive e sifjalive në sintaksën e shqipe.
Dhe kështu si
njëra nga gjindja e dalluar më gjalluese e asaj shtëpie ligjërimore, kishte dhe
detyra të tjera varësisht nga nevoja dhe klimat politiko-shoqërore që
përjetoheshin gjatë zhvillimit historik nëpër shekuj. Së këndejmi
paskajorja edhe gjatë periudhës së monizmit, edhe pse jashtëzyrtares,
jetonte dhe e ndihmonte standardin jo aq haptas, por strukturisht. Ndërkohë
pas përmbysjes së monizmit e në vijimsi, kjo formë nga nevoja filloi me u
përmend si ndihmëtare e nevojshme gjithnjë e më haptas tash edhe
nga goja e Shqiponjës tjetër të Flamurit që ligjëronte zyrtarisht mbi
bazë të toskërishtes, prandaj me plotë të drejtë mund të thuhet se ajo si edhe
më përpara po edhe tash duke qëndruar brenda dialektit gegnisht u imponua
në letrarishten zyrtare, dhe pikërisht së andejmi po vjen kërkesa për
legalizim. Prandaj mbështetur në nevojën që po imponohet ne shfrytëzuam
këto fakte dhe e formuluam këtë titull punimi, duke cilësuar paskajoren si
feniks të ringjallur në letrarishte (standard) dhe po e trajtojmë në
raport ballafaques me format sinonimike të standardit të sotëm, me
të cilat bashkëjetonte më parë, madje nën hije edhe pse e përjashtuar kishte
prani, andaj sot lojalisht ka ndërveprim tok me format që qëndronin
eqëndrojnë brenda standardit aktual.
Ç’është e
drejta, para se të kalojmë në analiza konkrete rreth ballafaqimit e shoh të
nevojshme të them dy fjalë jo aq si qëndronte më parë, apo si mbeti
gjallë paskajorja në gojën e Shqiponjës së Flamurit që ligjëronte
shqip mbi bazë gegnishtes edhe si vepronte nën hije në përgjithësi,
por edhe në veçanti sa i takonte fushës mendimore mediditative, por
s’mund të rri pa përmend ndonjë hollësi se çfarë përhapje e jetë
stabile kishte në fushën letrare estetike më parë dhe ndërkohë. Për të
mëparshmen po mjaftohem me dy fakte nga Periudhën e Pavarësisë. E
para, i madhi Atë Gj. Fishta, vetëm në poezinë Lule
vjeshtet (1909) 37 herë e ka përdorur paskajoren e mirëfilltë, ndërsa
Pirro Floqi në poemën Kosova
e lirë (1941) vargëzimin e përmbyll me 30 paskajore.
Po ky
përdorim edhe pse jo aq me rezm standardi vazhdoi edhe me gojën e
Shqiponjës tjetër të Flamurit me ligjërojën e shqipes së normëzuar mbi bazë të
toskërishtes dhe sa i përket anës shpirtërore letraro-artistike edhe para dhe
pas zhbërjes së monizmit pas viteteve të 90-a të shekullit të kaluar dhe më
haptas në fillim të shekullit të ri u fol dhe u shkruar frymëzisht për
paskajoren edhe me gojën e standardit dhe kështu argumentohet ringjallja
e paskajores edhe brenda jetës së standardit. Kështu dolën edhe
vepra të shkruara mbi këtë vijë. Është fat që Mehmet Elezi nuk mbeti i vetmuar në
Shqipri, ndërsa “akademikët“ e këndejshëm nga presioni, duke mbetur në ferkemt
e Institutit, sa i përket kësaj pike, vetëm sa u përlloçavën pa kryer punë, apo
jo?!
Në të vërtetë,
si formë e rëndësishme themelore përveç nevojave shkencore paskajorja
vazhdoi me depërtue si ”moll
e ndaluar” nga fusha e krjimtarisë letrare, Kështu pa përmendur të tjerë,
vetëm në një krijim poetik të Sabri Hamitit Paskajore (2017)
prej 31 vargjesh paskajorja zuri vend në afro 40 raste.
Sidoqoftë, po në
gjuhën e zyrtarizuar të kësaj goje më 2010 nga dy kryesuesit e akademive
shqiptare Kolec Topalli (Tiranë) dhe Besim Bokshi (Prishtinë) që
nuk ishin pa shokë, u kërkua rikthimi i paskajores në standard në
procedurë të rregullt... Si rrjedhojë. barrierat që ishin të forta, ndërkohë
pothuaj filluan të thyhen nga vetë pedagogët, jo vetëm të universitetit të
Tiranës, po gjithandej e gjithkëndej, duke dhënë tema të tilla disertacionesh
që shkencërisht zbulonin nga terreni si dhe nga veprat klasike vlerat e
paskajores dhe kështu urtësisht u hapën dyert për rikthim të
paskajores në diskutim forumesh me kompetencë, madje këtë rigjallërim e
mundësuan me mendimet e tyre me qinda studiues e intelektaualë respektues
të denjë të këtij standardizimi, të cilët edhe arsyetonin riintegrimin e paskajores
së mirëfilltë në standard. (Shih vepra Drejt
standardizimit ... (2015.)
Në këto rrethana
u botuan e po botohen edhe punime me vlerë, kushtuar pikërisht paskajores së
shqipes. Ndër mendimtarët e kësaj teme po veçoj studiuesit me origjinë jugore,
si Stavri Trako, i cili në mënyrë të veçantë ka meritë për
përshkallëzimin kuptimor që mundëson paskajorja në krahasim me lidhoren,
pastaj të gjindshmin Ardian Vehhiu, i cili fton të fillohet me paskajore në
standard, gjithashtu përmend poetin Sulejman Mato, i cili botërisht kërkon
paskajoren në standard, madje po e përmend edhe të madhin Ismail Kadare,
i cili sakrafikimin e
paskajores e quan akt
barbar. Tash së fundi kam vënë re që një numër i konsiderueshëm gazetarësh,
politikanësh, kolumnistësh, madje edhe tregimtarësh po me prejardhje jugore, po
gjejnë rast që vërtet me mjeshtri dhe në mënyrë të natyrshme po e fusin në
shkrimet e tyre paskajoren e mirëfilltë, madje në trajtën gegnishte.
Këto që i thamë
e nuk i thamë po që nënkuptohen, por mua ishin prova të mjaftueshme që më
duheshin edhe, pra edhe nga goja e Shqiponjës tjetër e Flamurit tonë kombëtar
me ligjërim mbi bazë standardi (toskërishte) që në emër të të dy gojave të
Shqiponjës me formulue titullin e këtij kreu dhe me qenë i lirë me përdorë
paskajoren, sa herë që e kërkon rasa. Këtë rast më shkon ndërmend fakti
historik që shqiptarët bënë mirë që pa pritur ndonjë dekret përvojë stambolli,
e përqafuan alfabetin e dytë nga Kongresi i Manastirit (1908), atë që e kemi
sot me rrezatim perëndimor, ashtu mund të veprohet pse jo, edhe me
përvetësimin e paskajores në standard, pa pritur koncensus nga ndonjë
paskajorefob sot në pozitë, apo jo?!
Së këndejmi, atë
që sapo e thamë e nuk e thamë po nënkuptohet, do të përpiqemi ta
vërtetojmë së bashku gjatë trajtimit, por, nuk po mund të lë pa e
shprehur një të vërtetë të madhe që tani është kënaqësi me përmend. Paskajorja
askund nuk po rishfaqet si gogol ndaj standardit siç është propaganduar
makiavelisht deri vonë. Ajo duke u rikthye së toku me sishoqe po krijon një mozaik
shpjehjesor të harmonishëm shumë të përkapshëm. Veç kënaqësisë
mozaike opinioni i ri edhe nga analiza jonë, gjithnjë e më shumë mund të
njihet me një pjesë të autonomisë kuptimore të privuar pa të drejtë kundrejt
paskajores mbi 70 vjet, realitet ky që do të trokasë lehtë në mendjen e secilit
shqipfolës dhe të ndonjë stardologu që ende mban dyshim ose ka mbetur i hutuar.
Sidoqoftë
tashti do të trajtohet konkretisht ballfaqimi i sapocituar i paskajores
së mirëfilltë me format sinonimike të standardit të shtjelluar në këto tri
pika:
së pari,
paskajorja në raport me katër forma të njohura përfaqësimi nga standardi i
sotëm;
së dyti,
paskajorja e ringjallur në raport me trajta sinonimisht të fryra, amputime,
lajthitje gjatë standardit pa paskajore dhe
së treti, raste
ikjesh nga shprehjet me paskajore gjatë periudhës moniste pa paskajore dhe
riballafaqimi sfidues konkurrues i sotëm.
(1) Paskajorja e rikthyer dhe raporti
me katër trajtat orto-morfologjike
përfaqësuese të standardit të sotëm
Të shohim tani
paskajoren potencialisht të rikthyer në raport me katër trajtat përfaqësuese të
standardit të sotëm: a) punoj
–me punue, b) të punoj- me punue, c) të punosh – me punue dhe ç) për të punuar
–(për) me punue.
1) Raporti
përfaqësimor punoj –me punue
Meqë ndër funksionet parësore të
paskajores së mirëflltë përmendet funksioni përfaqësimor i foljes si funksion i
specializuar i saj, atëherë në mungesë të paskajores së zbuar gramatikanët tanë
standardologë, duke pasur model gjuhët pa paskajore, si trajtë përfaqësuese
ngarkuan polisemantikisht veten e parë njëjës të së tashmes së mënyrës dëftore: punoj ndaj formës së paskajores së
mirëfilltë me punue. Sa
ishte e samethënshme e sa jo kjo zgjidhje le të vlerësohet.
Meqë rreth
paskajores së mirëfilltë si trajtë-formë përfaqësuese kemi bërë fjalë paksa më
lart në këtë punim e më gjerësisht gjetiu (Shih Shumësi
dhe shquarsia... Pjesa e tretë Era, Prishtinë, 2015) (f.
209-214), këtu nuk po zgjatemi, por e themi pa rezervë se funksioni ose fusha
semantike e paskajores në krahasim me trajtën e njëjësit të dëftores edhe pse
nuk del e plotë, assesi nuk duhet vlerësuar si veprim i dëmshëm a i qortueshëm.
Madje, veta e parë njëjës e dëftores në zera fjalësish në fjalorët leksikorë
praktikish tashmë del e pranueshme, mirëpo, megjithatë, prania e paskajores
është e domosdoshme si pjesë mozaike, sepse konceptet përkatëse i qartëson dhe
i plotëson më mirë përgjithësisht paskajorja si për foljet e rregullta, aq më
tepër për ato të parregulltat, dhe njëherazi paskajorja përdoret domosdo për
koncepte të tjera, siç janë analizat gjuhësore fjalëformuese,
formëformuese dhe kohëformuese, ngase në analiza të tilla nuk bën punë trajta e
zyrtarizuar përfaqësuese e së tashmes së dëftores, madje as pjesorja e zvetnuar
përkatëse e standardit, ngase përfaqësimin e plotë e kryen ndershmërisht vetëm
paskajorja e mirëfilltë me pjesoren e vet të shkurtë. Së këtejmi, e quajmë fort
me vend kërkesën e studiuesve dhe të intelektualëve që patjetër pa zvarritje
paskajorja me+pjesore e shkurtë në këtë kontekst duhet ta fitojë prestigjin e
plotë të standardit.
Gjithsesi,
ritheksojmë për të satën herë, se vendi përfaqësimor i paskajores që sot për
sot ka mbetur i diskutueshëm vetëm për dikënd e jo për shumicën e gjuhëtarëve
dhe intelektuialëve , duhet të plotësohet jo sa më parë duke lënë zvarritje në
kohë, por mennjëhershmerisht me riintegrimin e saj ku e lyp puna, në shpjegime
në të gjitha nivelet shkollore si zgjidhje të paqortueshme. Madje siç e
lyp rendi patjetër duhet të zërë vendin e duhur të merituar në gramatika dhe në
libra shkollorë që nga abetarja e tekste të tjera normative e përgjithësisht.
2) Raporti të punoj – me
punue
Të punoj më fort
njihet si trajtë e përdorshme përfaqësuese sinonimike ndaj paskajores në fjali
e përgjithësisht. Dihet se pothuaj të gjitha format e mënyrave të foljeve të
shtjelluara: kushtore, dëshirors, urdhërore në kontekste të caktuatra mund kenë
njëfarë barasvlerësie shprehjesore me trajtat e paskajores së mirëfilltë,
por si më praktike për këtë destinacion ceken trajtat e mënyrës lidhore (8
vetat e 6 trajtave njëjës e shumës të së ardhmes), si trajta: të
punoj (të punosh,
të punojë, të punojmë, të punoni të punojnë) ndaj trajtës me punue të
paskajores, por veta e parë e njëjësit të
punoj qëndron kontekstualisht si më praktike. Po e improvizojmë sa për
ilustrim një fjali në veten e parë njëjës toskërisht e gegërish, trajta
paralele këto, me ndryshim-plotësim vetëm tek e
tashmja e lidhores /paskajorja e mirëfilltë, të cilën momentalisht nuk
e qaska standardi(!):
Më duhet të
punoj që të kem një të ardhme më të mirë. /
Më duhet me
punue për me pasë një të ardhme më të mirë.
Pjesa e parë pa
paskajore: “më duhet të punoj që
të kem” si trajtë e
standardizuar ishte dhe
është pronë e standardit të të dy dialekteve (gegnisht e tosknisht), ndërsa
pjesa e dytë ”më duhet me punue për me pasë”,
gjoja ishte vetëm pronë e gegërishtes dhe e ish standardit të saj tash
klandestin, sepse nuk po i jepka qasje standardi mbi bazë të toskërishtes(!),
por meqë realisht trajta e tillë është në përdorim të përditshëm
(klandestinisht) nga gegërishtfolësit dhe respektuesit e ish standardit, po
edhe nga një pjesë e toskërishtfolësve, gjithsesi e kuptueshme nga të gjithë,
atëherë në këtë kontekst, sidomos për purotoskërishtfolësit nevojitet një
sqarim rasti. Të dyja versionet të
punoj ndaj me
punue ose të
kem ndaj me
pasë janë forma të hershme, kishin dhe kanë barasvlerësi sinonimike.
Mirëpo duhet të dihet se për gegërishtfolësin apo respektuesit e ish-standardit
të shqipes që në sistem ligjërimor të tyre i kishin dhe i kanë të dy variantet të punoj dhe me punue ose me punua (i rugovsi),
përkatësisht të kem dhe me pasë, ata nuk mund t’i
braktisin këto trajta nga struktura shprehëse edhe përkundër qortimeve të
standardit, sepse i kishin dhe ende i kanë të ravijëzuar thellë në atë
strukturë, qoftë me nuancim të dalluar semantik, qoftë me përshkallëzim a
sforcim kuptimor pikërisht në raportin sinonimik të pandarë paskajore/lidhore.
Andaj për ta (gegërishtfolësit) paskajorja, përveç veçorisë që ka në absorbimin
e kuptimit një pjese të sinonimisë dhe si mbulesë koncepti të gjashtë trajtave
dhe të 8 vetave (unë, ti, ai, ajo ne, ju ata, ato) ka edhe kuptim të
përshkallëzuar sinonimik, që nënkupton sforcimin e procesit që kryen folja në
fushë të abstraksionit gramatikor. Ky absorbim me nuancim abstraksioni vërehet
në versionin e shprehur pa vetë e numër në të njëjtën fjali:
Duhet me punue (duhet me punua)
për me pasë një të ardhme më të mirë.
ndaj paraleles
nga standardi (gegërisht e toskërisht):
Duhet të punoj (të punosh, të
punojë, të punojmë ...) që të kem (të kemi ... ) një të
ardhme më të mirë.
Me fjalë të
tjera ndaj trajtave me
punue, me pasë standardi i tashëm mbi bazë toskërishte, nuk ka
sinonimi të plotë në raportin ndërdialektor, sepse paskajorja mbulon të gjitha
vetat e trajtat e mënyrës lidhore në njëjës e shumës të standardit ose të të
folmeve të të dyja dialekteve dhe plus ka aftësi për të shprehur përshkallëzim
kuptimi në krahasim me trajtën e standardit të sotëm (toskërisht) ose të
nënstandardit të gegnishfolësve.
Gjithsesi këto
dallime e mundësi shprehjeje semantike në kuadër të shqipes globale
ndërdialektore duhen pasur parasysh dhe zbatuar si pasuri me vlerë
shprehjesore.
3) Raporti të punosh – me punue
Siç u pa, ndërsa
veta e parë njëjës e së tashmes së lidhores e ndërtuar të + dëftore të punoj karakterizohet si
trajtë sinonimike përfaqësuese barasvlerëse ndaj paskajores së
mirëfilltë, trajta e vetës së dytë të njëjësit të së tashmes së kësaj
mënyre të
punosh konsiderohet kryesisht si
trajtë zëvendësuese e konceptit të paskajores. Si duket, një rol
të tillë ia ngallmuan gramatikanët tanë, të cilët duke e ndjerë mungesën e
paskajores në standard, në kërkim të një barasvlerësi sa më adekuat mes
trajtave të lidhores ndaj konceptit të paskajores së anashkaluar, si përkim
sinonimik si më të përshtatshëm ndër trajtat e tjera të idhores krahaso: të punoj, të punosh, të
punojë, të punojmë, të punoni, të punojnë, shenjuan apo ngarkuan vetën e dytë të
njëjësit të lidhores të
punosh, ndaj paskajores së mirëfilltë të përjashtuar: të punosh – me punue, që të kesh – për me pasë. Duke
vepruar kështu sipas urdhër-direktivave imponuese, sipas tyre, gjetën zgjidhjen
më të përshtatshme të ndihmuar nga logjika, mbase edhe nga prirja që mund të
kenë vërejtur, sepse, vërtet trajta e vetës
së dytë të njëjësit të së tashmës së lidhores rrah më shumë drejt
konceptit të paskajores:
të punosh – me punue,
që të kesh – për me pasë, në
fjalë të urta e kontekste të tjera, prandaj stimuluan këtë trajtë: të punosh, të kesh), duke i
dhënë doza abstaksioni dhe me këtë u përpoqën me krijue një trajtë të
barasvlershme ndaj zëvendësimit të nocioneve për shkak të mungesësnë realitetin
gjuhësot të paskajores së mirëfilltë. Krahaso fjali-periudhën në dy versionet
me paskajore dhe me lidhore:
Duhet me punue për me pasë (për të
pasë) një të ardhme më të mirë.:
Duhet të punosh
që të kesh (për të pasur) një të ardhme më të mirë.
Pra, edhe
varianti me lidhore (veta e dytë njëjës) ishte dhe është pronë e dy dialekteve,
prandaj siç e thamë me këtë u përforcua destinim-zbatimi me këtë sqarim:
“kjo vetë e dytë e së tashmës së
lidhores (të punosh, të kesh) i ka këputur lidhjet kuptimore me vetën e dytë të
bazës (Lexo. shqipes globale?!) dhe
funksionalisht del në basvlerësi të plotë me paskajoren gege”.
Kështu
konsiderohej e aftësuar kjo vetë e dytë për të zëvendësuar konceptet e
paskajores së mirëfilltë, apo jo?! Mirëpo,
ky formulim si zëvendësim i paskajores në realitet mbetet për t’u dëshiruar dhe
mund të vlejë vetëm për disa, respektues të papërvojë të standardit të sotëm,
por jo assesi për gegërishtfolësit dhe respektuesit ose njohësist e ish
standardit me paskajore, tek të cilët ky zëvendësim nuk del i natyrshëm, sepse
pikërisht për këtë ndikon të cekurit e vetes së dytë të foljes që nuk e ka
paskajorja. Koncepti ekzistues nënndërdijshëm ia mohon trajtës së tillë të
shprehurit e përgjithshëm abstraktiv që ka paskajorja si veçori specifike.
Madje gegërishtfolësit apo respektuesit e ish standardit mbi bazë të gegnishtes
përpara këtij tentim-konstatimi, e kishin të thadruar në thellësi konceptin e
tillë të veçantë të paskajores dhe e mbanin si të tillë brenda sistemit
ligjërimor vetjak. Së fundi edhe u kuptua tashmë edhe nga toskërishtfolësit se
gjithsesi këto dy forma të
kesh dhe me pasë mbulojnë
koncepte të diferencuara, prandaj gjithnjë e më tepër po vërtetohet se një
ngarkesë e tillë apo zëvendësim i paskajores së mirëfilltë me njëjësin të vetës
së dytë të lidhores nuk del i qëndrueshëm apo del me vija fort të zbehta brenda
mozaikut shprehjesor foljor, apo jo?
Sidoqoftë,
gramatikanët e standardistët kanë bërë mirë që e kanë sforcuar edhe këtë
barasvlerësi të pjesëshme ndaj paskajore si dhe barasvlesit mbi bazë të
dëftores.
Gjithsesi,
studiuesit apo më mirë me thënë, standardologët e ngarkuar për zëvendësimin e
koncepteve të paskajores së dëbuar bënë mirë që e shfrytëzuan prirje-logjikën e
kësaj vete (të punosh)
nga të folmet e toskërishtes dhe e përforcuan, por nuk ia arritën dhe nuk besoj
se do t’ia arrijnë ta imponojnë më tej këtë zëvendësim, sepse fundi i fundit
vetë hapja e debatit rreth feniksrikthimit në standard të paskajores së
mirëfilltë si potencë me përshkallëzim kuptimi të theksuar në standard do ta
lërë nën hije këtë rekomandim-zgjidhje edhe tek vetë standardologët toskërishtfolës
që pritet me hy tashmë të gjithë në fazën e esëllimit për të lëshuar pe ndaj
standardizimit të paskajores së mirëfilltë, apo jo?!
4) Raporti për të punuar (për të
punue) –(për) me punue
Në të gjitha
arsyetimet akademike të periudhës së monizmit në përgjigje pse riintegrimi i
paskajores së mirëfilltë në standard nuk del i nevojshëm përmendej
demagogjikisht zëvendësimi i koncepteve të saj edhe me
paskajoren e dytë, e cila në gramatikën zyrtare edhe quhet paskajore e gjuhës shqipe, ndaj
paskajores së mirëfilltë ose e pavarura quhet paskajore
gege(!). Kjo arsyetohet me faktin se paskajorja e dytë, trajta: për të punuar, geg. për të punue ka shtrirje
në të dy dialektet edhe pse me dallim pjesoresh: punuar – trajtë e zgjeruar,
punue – trajtë e shkurtë, ndërsa paskajorja e mirëfilltë (për) me punue gjoja mbetet
vetëm e gegnishtes. Këto dy forma, vërtet kanë njëfarë sinonimie por të
pjesshme. Ndërkaq sipas shtrirjes e përmbajtjes semantike fushat kuptimore të
tyre nuk përputhen. Lidhur me këtë del e nevojshme të jepet këto dy sqarime:
E para, vërtet
kjo paskajore për të
+pjesore ose për +
emër asnjanës shtrihet në dy dielektet dhe ka dy forma përdorimi:
trajtën e toskërishtes (standarde) për
të punuar (ku ndeshet edhe në trajtën jo stndarde për të punua) dhe të
gegnishtes për të
punue, ndërsa trajtat e gegnishtes për
të punuem ose për
të punuen nuk janë më aktive, ku del në përdorim vetëm trajta e
shkurtë e paskajores me
punue (për me punue). Kjo trajtë,
për me punue, siç u
sqarua më lart, edhe në gegnisht krahaso për
të punue ndaj për
me punue, konkurron plus me përshkallëzim kuptimi dhe faktikisht ka
përfaqësim të plotë gramatikor të foljes përkatëse. Kjo veçori duhet të mbahet
mend dhe assesi, nga standardologët toskërishtfolës, të mos injorohet.
E dyta, ka edhe
diçka tjetër që lypset sqaruar. Po rikujtojmë faktin sesa u përket fushës
semantike që mbulojnë këto trajta kanë dallim-përkime sinonimike të kufizuara.
Ndërsa trajta e paskajores
së mirëfilltë me +pjesore, siç e pamë në kreun e mëparshëm, ka përdorim
pothuaj të pakufizuar në gjitha llojet e fjalive e të sifjalive, kurse
trajta e paskajores së dytë, për të +pjesore ka shtrirje të kufizuar
përdorimi. Kështu raporti i përkim-dallimit të tyre ajo që prihet me
pjesëzën me, (për) me punue del në 13 ose 14
nënfusha përdorimi, ndërsa ajo e prirë nga për
të, (për të punuar (punua) a për të punue) në 4 nënfusha. Pra
paskajorja e dytë në 10 nënfusha semantike nuk ka sinonimi qasjeje semantike
normale në krahasim me trajtën e paskajores së mirëfilltë, e cila (paskajorja e
mirëfilltë), si të thuash, pothuaj në të gjitha rastet e situatat mund ta
zëvendësojë konceptualisht nocionin e paskajores së dytë. Por veç kësaj
përparësie të fushave semantike paskajorja e mirëfilltë, veç
pjesëmarrjes në sinonimi, ka aftësi përshkallëzimi kuptimor ndaj të dyja
trajtave dialektore, varianteve: tosk. për
të punuar a për të
punua në njërën anë dhe g. për
të punue, në anën tjetër. Gjithashtu, siç u përmend, të dyja trajtat e
gegnishtes: për të punue dhe për me punue në çdo
situatë mund ta zëvendësojnë kuptimisht trajtën e paskajores dytësore, e cila
mbetet me zhvillim të kufizuar kryesisht a vetëm në standardin e sotëm.
Sirrumbullakësim
Gjithsesi, me sa
pamë, nga kjo paraqitje mozaike mund të themi se roli paskajores së mirëfilltë
në krahasim me këto katër forma përfaqësuese të standardit, del i qartë dhe për
natyrën e gjuhës shqipe i domosdoshëm, aq më tepër për faktin se nuk prek
standardin shkatërrueshëm askund. Përkundrazi, ndihmon trajtën përfaqësuese
zyrtare të dëftores që të ketë përfaqësim më të denjë dhe të plotë si për
nevoja të analizave të brendshme ashtu edhe në krahasim me gjuhët e huaja.
Gjithashtu edhe tri trajtat që i karakterizon pjesëza të, tipar
i mënyrës lidhore në krahasim me formën e paskajores së mirëfilltë e pandarë
nga pjesëza me,
nuk mund të mohohet roli i tyre mofologjik e sintaksor, dhe gjithsesi në
kontekstet të caktuara fjalisore mund edhe të këmbehen a të zëvendësohen, por
në anën tjetër përkundrazi dallimet nuk përjashtohen varësisht nga stili apo
specifikimet semantike që ofrohen sipas natyrës së të shprehurit kontekstor.
Së këndejmi,
qëndrojnë argumenta të fortë që paskajorja e mirëfilltë gjithsesi duhet
rintegruar përmenjëhershmërisht brenda standardit në fuqi, sepse, ajo jo vetëm
ka sinonimi në raste, por sepse në raport me të katër trajtat sinonimike
ajo ruan autonominë e vet specifike dhe në këtë proces avancon në përshkallëzim
kuptimësie dhe në këtë mënyrë shton dhe pasuron mozaikun kuptimor të shprehjeve
në standardin e shqipes së natyrshme, apo jo?!
Meqë këto aftësi
të paskajores që konkretisht i di nuk i di opinioni i gjerë, ngase jo tek të
gjithë është e ravijëzuar qartë kjo autonomi kuptimore, por shpresohet se me
rikthimin normal të paskajores në standard sigurisht kjo do të jetë e
praktikueshme dhe e qartë nga shumica shqipfolëse, andaj standardistët e sotëm
ta mundësojnë që menjëhershmëriaht me komente duke e quajtur këtto veprime të
paqortueshme të mundësojnë sipas nevojës që kjo zgjidhje të zërë vendin
përkatës në gjirin e standardit të shqipes së natyrshme, në mënyrë që të
manipulohet më lehtë me vlerat e paskajores në të mirë të gjuhës sonë
kombëtare.
(2) Paskajorja
në raport me trajta sinonimike të fryra, të amputuara
apo të trilluara gjatë standardit pa
paskajore
Për shkak të
mbetjes së paskajores së mirëfilltë jashtë standardit, në Shqipëri faktikisht
që nga viti 1945 (75 vjet) e në Kosovë që nga viti 1968 (52 vjet) dhe
propagandimit enorm për panevjshmërinë e përdorimit apo për zhdukje të saj,
pikërisht nga respektuesit jo vetëm naivë të standardit, por edhe nga të tjerë,
gjithsesi mosnjohës të rolit historik e aktual të paskajores në kuadër të
sistemit foljor e emëror të shqipes së natyrshme globale, për mbulimin e
konceptet të saj filluan të përdoren disa trajta të fryra ose të trilluara, që
ne këtu po i trajtojmë nja tri raste shprehjesh të kësaj natyre, siç janë:
e para,
raporti duhet me
punue ndaj duhet
punuar,
e dyta, kisha me punue ndaj kisha punuar dhe
e treta, raste
amputimi në disa shprehje të ndërmjetme.
a) Raporti duhet me punue - duhet
punuar (duhet punua) /duhet punue)
Pas shuarjes së paskajores së
mirëfilltë nga standardi, atëherë spontanisht nga individë të caktuar u hoq nga
përdorimi jo koncepti i shprehjes me paskajore duhet
me punue, po në të vërtetë u
hoq apo u amputua pjesëza me e
koncepti mbeti. Mirëpo meqë edhe më parë ishin në përdorim edhe pse jo me
sinonimi të plotë trajtat paralele geg. duhet
punue, tosk. duhet
punuar dhe duhet
punua, atëherë konceptet e dalluara t? paskajores iu ngarkuan
trajtës duhet punuar,
pasi vetëm kjo mbeti trajtë e zyrtarizuar në standardin e ri. Në të
vërtetë, kujtoj që ne në gegnisht megjithatë në kontekstin duhet punue kuptohej si
këshillë puna duhej krye,
ndërsa për konceptin me paskajore duhet
me punue shtohej diçka si urdhër i prerë: puna duhet krye patjetër (= puna
duhet me u krye)
Sidoqoftë, ky
proces pjesorëzim/shpjesorëzim i pjesores së paskajores si dukuri me rikthimin
e paskajores do të rishfaqet edhe në standard, siç po ndodh edhe në të folurit
e lirë të gegnishtes. Për mendimin tim me rastin e këtij rehabilitimi të kësaj
dukurie nuk do ta quaja të qortueshme rishfaqjen e trajtën: duhet punua /qoftë edhe duhet me
punua paralel ndaj geg,
duhet punue/duhet me punue që është në përdorim e sipër. Me fjalë të
tjera trajta me pjesore duhet
punuar ose duhet
punua për shkallënose pjesën e parë sinonimike si më përpara, kur e
lenin nën hije ttrajtën e gegnishtest duhet
punue, ndërsa tani me të rikthyer paskajorja, e trajta duhet me punue, përveç një
pjese të sinonimisë kryen edhe funksionin e përshkallëzimit semantik, si ndaj
trajtës së gegnishtes, ashtu edhe ndaj trajtës sëë standardit (a
toskërishtes).
Po sqarojmë në
fund se pjesorja e letrarishtes punuar,
e cila del e vetme dhe mbizotëruese në formim mbiemrash e asnjanësish aspak nuk
prish punë nëse në shprehjet që po i diskutojmë me dalë paralele me
trajtat e gegnishtes po në trajtën e shkurtë. Krahaso duhet punue - duhet punua; duhet me punue –
duhet me punua të cilat edhe mund përdoren
në situata të caktuara, qoftë në përshkrime situatash, qoftë në profilizime
personazhesh.
Është krejt
normale që në fjali dëftore, urdhërore varësisht nga kontekste të
caktuara të futet në përdorim trajta duhet
me punue, ngase gjithsesi ka tagër me u përdorë edhe me kuptim
specifik përforcues të përshkallëzuar.
b) Raporti kisha me punue
- kisha punuar (kisha punue)
Pikërisht nga
amputimi i pjesëzes “me” ka ndodhur një ngatërresë e madhe sidomos te ne
(Kosovë e gjithkëndej) që prek keqas dhe rëndë në sistemin jo vetëm
logjik-ligjërimor por edhe atë gramatikor të gjuhës shqipe. Dihet se kisha thënë, kisha punuar sipas
gramatikës shprehet pluskuamperfekti ose koha më se e kryer (apo e kryer
e plotë!) e mënyrës dëftore, ndësa te ne, krejt nga padija na është shpifur një
lajthitje e rëndë, sidomos kjo është majmur e ntrashur pas pranimit me
delit të standardit pa paskajore (1968). Si duket duke respektuar gjoja
standardin e dhuruar nga Nanë-Shqipnia pavetëdijshëm
u bë a po bëhetpa ndërpre amputimi i pjesëzës me nga trajta ish e normëzuar e
gegnishtes: kisha me
punue, duke e ruajtur konceptin e paskajores, nga amputimi i tillë u
përftua trilli: kisha punuar homonim
me trajtën e kohës më se të
kryer të dëftores standarde: kisha
punuar (geg. kisha
punue). Dhe kështu kjo homoformë nga lajthitësit po përdoret në zëvenmdësim
të paskajores së amputuar për kohën e
ardhme të së shkuarës II të dëftores
kisha për të punuar (geg. kisha
me punue), përkatësisht stë së tashmes
II të kushtores (kisha
për të punuar (geg. kisha
me punue).
Pra në vend të
ish nocionit të mbuluar me trajtën kisha
me punue lajthitësit grup jo i vogël i infektuar keqas me këtë
virus ngjitës, po e përdorin masivisht trajtën kisha
punuar, duke mos e hetuar amputimin e pjesëzën me dhe
njëherazi, duke e toskëzuar pjesoren
e paskajores punue nga me punue në punuar. Po ky mashtrim
patologjik me sbumë pasoja për standardin e gramatikën e gjuhës shqipe ka
marrë masa shqetësuese, sepse lajthitësit po mendojnë se kështu gjoja po
veprojnë sipas rekomandimit të standardit vetëm pse çoroditërisht po e
toskëzojnë paskajoren, apo jo?!
S’do mend se kjo
lajthitje ka ndodhur nga mosnjohja e rregullave gramatikore të standardit në
fuqi, ngase baravlerësi më i përfërt i trajtës kisha
me punue në standard mbulohet me dy kohë të dëftores, me kohën: e ardhme të së shkuarës: do të punoja përkatësisht me të ardhmen e së shkuarës II kisha për të punuar ose
me dy kohët e kushtorest: të
tashmen do të punoja përkatësisht
të tashmen II kisha për të punuar (geg. kisha me punue, prandaj për
shkak ttë amputimit pa mend kjo lajthitje është shndërruar në permutacion
ose defekt serioz homonimik te ne, sidomos është ngulitur keqas te disa
intelektualë të nivelit të lartë, respektues fanatik të standardit të
Kongresit, duke u bërë kjo dukuri vërtet problem, që si thuash ka kaluar në
sëmundje patologjike, që patjetër, për hir të intersit kombëtar, për shërimin e
saj në plan shtetëror lypset me interevenue energjikisht në mënyrë të
organizuar.
Lidhur me
qartësimin e këtij defekti kemi bërë fjalë mjaft gjerësisht në një trajtësë me
titull “Rreth homonimisë
së shpifur te ne nga pjesorëzimi formal i paskajores me “me” , të
botuiar së pari në gazetën Rilindja dhe të përmbledhja me titull Çështje të shqipes standarde në
fushë të normëzimit II, (2015 f. 89-103), ku për lehtësi dallimi
patëm dhënë këtë skemë-shembulli korrigjimi:
kisha punuar (kisha pas
punuar) në kohë të
kaluar (e kryer e plotë pluskuamperfekti)
ndaj
kisha me punue ose do të punoja në
kohë të ardhme të afërme.
Gjithsesi,
lajthitjet e tilla spontane,
janë shqetësuese, sidomos kjo për shkak se amputimi me pahir të
pjesëzës “me” të paskajores te
ne ka kaluar në shprehi. Përkundër vërejtjes sonë e keqja ka vazhduar dhe ende
po vazhdon furishëm, madje nga intelektualët tanë të lartë jo vetëm në gjuhën e
folur por edhe të shkruar. Kemi vërejtur se një lajthitje e tillë po u shpëton
në të shkruar deri edhe ndonjë albanologu e akademiku te ne. Po japim një
shembull që e ndeshëm të përsëritur, pothuaj në rutinë:
Të nderuar, ju kisha lutur zini vendet, seanca
po fillon...
Kuptohet se nuk
kemi të bëjmë me mëse të
kryeren (pluskuamperfektin) e dëftores po me të ardhmen e së shkuar do të ju lutesha ose të
ardhmen e të së shkuarës II kisha
për t’ju lutur që në gegenishte për të dyja këto trajta kohore
përdorej më parë dhe përdoret edhe sot nën hije standardi forma me paskajore, Kisha me ju lutë: zini vendet se
seanca po fillon, ndërsa në gjuhën standarde: Të nderuar, ju lutem ose do të ju lutesha (të) zini vendet, seanca po fillon...
Ndërkaq si po
shihet lajthitësi shkon edhe më tej në përçudnim, në vend kisha me ju lutë shprehet
edhe më keq: ju kisha lutë(!!!)
gjithsesi jo në trajtën e kohës së ardhme të afërt, por në trajtën
e kohës mëse të kryer apo të kohës së kryer të plotë, apo jo?!
Po e shënoj edhe
një shembull tjetër po nga goja e një inteketuali të lartë me kualifikim
shkollor, por gjithashtu të lartë edhe në pozitë shtetërore pushtetore:
Unë kisha thanë që deputeti duhet të
din të punon për popull e jo veç për vete.
në vend:
Do të thosha apo kisha me thënë që deputeti duhet të dijë apo duhet me dijtë të punojë apo duhet me punue për popull jo vetëm për vete.
Sidoqoftë, veç
lajthitjes rreth përdorimit të kohës së
ardhme të shkuar të dëftores ndeshim lajthitje edhe lidhur me
përdorimin e lidhores veta e tretë e së tashmes (duhet
të din).
Kjo dukuri, si
lajthitje e rëndë do do të trajtohet edhe më poshtë në këtë punim, ku do të
jepen edhe më shunmë shembuj konkretë nga jeta jonë e përditshme gjuhësore ,
prandaj këtu nuk po zgjatemi më tepër.
c) Raste amputimi edhe te disa
shprehje të ndërmjetme sinonimike
Për shkak
të përjashtimit të paskajores së mirëfilltë nga standardi, kanë ndodhur
raste amputimi të pjesëzës “me” të paskajores, jo vetëm te ne, por edhe
gjithandej në Shqipëri e më gjerë. Si rrjedhojë e ndeshim këtë dukuri edhe në
fjalë-shprehje të ndërmjetme si: më
mirë thënë ndaj më
mirë me thënë, thënë të
drejtën ndaj me
thënë të drejtën, thënë
të vërtetën – me
thënë të vërtetën, sido
që do të jetë ndaj sido
që ka me qenë e ndonjë tjetër.
Ç’është e
vërteta raste amputimi të pjesëzës me të
paskajores ndeshim dhe te disa shprehje të tjera, si: shkurt thënë ose shjkurt e thënë ndaj shkurt me thënë e ndonjë
tjetër.
Kujtoj se në ish
standardin trajta me paskajore kishin përparësi përdorimi. Tashti me rastin e
rikthimit të saj, meqë këtu nuk kemi të bëjmë aq me përshkallëzim kuptimor me
anë të paskajores po me sinonimi pothuaj të rëndomtë normale, atëherë rastet e
tilla të paskajores që i shtrohen konkurrencës lojale sinonimike kanë
vështirësi fillimishte.
(3) Raste ikjesh
spontane nga shprehjet me paskajore dhe raste riballfaqimi të paskajores
në konkurrencë lojale
Po për shkak të
paskajores jo të standardizuar gjatë kësaj periudhe 70 vjeçare kanë ndodhur
raste që në vend të përdorimit të shprehjes me paskajore të përdoren forma të
tjera. Këtë dukuri po e rikujtojmë në dy pika: së pari, përmendim raste
ikjesh spontane nga shprehjet me paskajore dhe së dyti, kemi të bëjmë me
riballaqimin e paskajores në raste konkurruese në kontekste të caktuara që
priten të ndodhin gjatë procesit të rikthimit apo konsolidimit të paskajores në
standard.
1) Raste ikjesh
spontane nga shprehjet me paskajore
Gjatë periudhës
së standardit pa paskajore ikej me qëllim deri edhe nga shptrehje idiomatike me
paskajore, në të mirë të përdorimit të formave të tjera sinonimike, si: sido me qenë- sido që të jetë, kishte me qenë më mirë - do (të) kishte për të qenë më mirë; si
me thënë - si të
thuash, si të themi; me
folë më qartë – të
flasësh më qartë, mos
me u shtijavë – pa
u shtijav. Me folë mirë
e me matë fjalën -fol
mirë e mate fjalën, rrno për me tregue - jeto për të treguar etj.
Besoj se tash
gjithkush e ka kuptuar se ikjet e tilla e dëmtonin natyrën e gjuhës shqipe dhe
tani rikthimi i tyre duhet kuptuar si një pasuri që e nderon kulturën shprehëse
të gjuhës sonë. Pra tashti puna e ndikimit varet nga shkrimtarët dhe
stilistët e mirë. Pra, varet, prej tyre se cilën shprehje do t’ia ofrojnë
opinionit, apo jo?!
2) Riballafaqimi i paskajores në raste
konkurruese kontekstore
Po i shënojme
tri raste ndërsinonimike riballfaqime të paskajores në kontekste sfiduese
konkurruese të caktuara, si
a) ndërkëmbimi me emrat në fjalë të urta etj.,
b) në raste
numrimi të çështjeve në shqyrtim etj. si dhe
c) në shprehje
lapidare.
a) Shembuj
ndërkëmbimi të treshit sinonimik
Edhe këtu
dallojmë çështje zëvendësimi në idioma, gnoma, fjalë të urta, përgjithësisht në
frazeologji si dhe vargëzim çështjesh ndërzëvendësuese, sfidime
ndërkëmbimi të treshit sinonimik: emër
–paskajore – lidhore. P.sh.
1. Mësim mësim dhe vetëm mësim ; me
mësue, me mësue dhe vetëm me mësue; të mësosh, të mësosh dhe
vetëm të mësosh!
2. Durim, durim - shpëtim ; Shumë
me durue për me shpëtue/ Me durue, me durue -me shpëtue ; Duro,
duro – shpëto/ Shumë të durosh që të shpëtosh!
3. Të punuarit (puna) është nder ; Me
punue është nder;/ Të punosh është nder.
4. Detyra e nxënësit: mësim e
dëgjueshmëri;/ Detyra e nxënësit: me mësue dhe me
ndëgjue ; Detyra e nxënësit: të mësojë dhe të dëgjojë.
Në këso
rastesh përparësi shprehjes përkatëse sot mund t’i japë vetëm konteksti,
situata dhe për këtë vendos autori.
b) Paskajorja në kontekste numërimi
çështjesh
Paskajorja
në ish-standardin praktikohej në kontekste numërimi të detyrave, çështjeve, e
kështu me radhë. Sa për ilustrim po mjaftohem me tre shembuj: nga dy toskë: dr.
Gjergj Pekmezit e Enver Hoxha dhe një gegë, Kolë Bibë Mirakaj.
a. Nga dr. Prof.
Gjergj Pekmezi
Prof. Dr.
Gjergj Pelmezi, si kryesues i Komisisë Letrare -Shkodër më 1916, duke e
shpalosur planin e punës në mbledhjen e parë zyrtare, u shërbye me këtë
retorikë:
1) Me marrë për bazë një
dialekt të shqipes...;
2) Me i lënë dy dialekte m’u
zhvillue ...;
3) Të merren parasysh vetëm
ndryshimet tipike... etj.
b. Nga
Enver Hoxha
Shembull për
këtë shkëputëm këtë sekuencë nga një shkrim i Emver Hoxhës, shkruar si
direktivë gjatë luftës NÇl, i cili ndër të tjera shprehej:
Me drejtue mirë do të
thotë:
1) Me gjetë një zgjidhje të drejtë të
problemit,
2) Me organizu zbatimin e një
vendimi drejt,
3) Me organizu kontrollin e zbatimit
të këtij vendimi …
... Për të gjetë zgjidhjen duhet me u
bashku…
c. Nga Kolë Bibë
Mirakaj
Kur të kthehemi
në atdhe programi ynë përmblidhet në dy kapituj:
1) Me
lirue atdheun nga tirania bolshevike, tue sigurue integritetin toksor e
pavarësinë politike;
2) Me
i sigurue popullit lirinë e plotë që të zgjedhin atë kushtetutë e
qeverisje demokratike që do t’i përqejnë.
Me fjalë të
tjera, kjo mënyrë e të shprehurit të paraqitjeve të çështjeve me paskajoren e
mirëfilltë ka qenë shumë praktike. Është praktikuar normalisht gjatë periudhës
së pavarësië edhe në Kosovë deri në vitin 1968. Siç dihet kjo praktikë u
ndërpre në Shqipëri më 1945, kur paskajorja u dëbua nga standardi, prandaj me
rastin e riintegrimit të paskajores së mirëfilltë edhe në këtë pikë paskajorja
fiton të drejtën me kërkue hisen e vet, por tash do të ndeshet në kokurrencë
lojale ndoshta më të fortë, ndaj trajtave të tjera sinonimike që ndërkohë morën
përparësi, pasi ishin pjesë e stimuluar e standardit të ri mbi bazë të
toskërishtes pa paskaiore. apo jo ?!
Sidoqoftë, ne e
përkrahim sinoniminë, sepse sinonimet janë pasuri, që kurr nuk mund të jetë e
tepërt. Andaj përsëritim të vërtetën se përjashtimi i sinonimeve do të thotë
varfërim i gjuhës.
c) Paskajorja
në shprehje lapidare në konkurrencë lojale
me variante të tjera sinonimike
Për të fituar
një ide edhe më të qartë për vendin konkurrues lojal të paskajores në sistemin
e përgjithshëm ligjërimor të shqipes po i sjellim nja tre shprehje lapidare në
variantet përkatëse konkurruese.
Shprehjet e
tilla emblematike janë marrë, e para, nga Naim Frashëri, e dyta, nga Atë
Gjegrgj Fishta dhe e treta nga anonimi.
Për shembullin e
parë, sa për orientim, jemi përpjekur që për sesilën frazë -shprehje lapidare
(a fjali-periudhë) me përmend destinimin e mundshëm përkatës, për dy të
tjerat vendos vetë lexzuesi.
1. Nga Naim, Frashëri:
Punë, punë natë e ditë, që të shohim
pakëz dritë. /qëllimi,
konceptuar nga përsëritja e dy emrave dhe lidhorja, shumësi, e
ardhmja, veta e parë/;
Me punue natë e ditë për me pa pakëz dritë. / paskajorja
që ngërthen kuptimin për 8
vetat/;
Të punojmë natë e ditë për të parë pakëz dritë. /qëllim, veta e parë e së tashmes,
shumës
vetore, paskajorja e dytë, e
rekomanduar si zëvendësim të paskajes së mirëfilltë/;
Të punosh natë e ditë që të shohësh
pakëz dritë. /veta e dytë e rekomanduar si
zëvendsësim i paskajores së
mirëfilltë(!)/;
Të punojë (ajo) natë e ditë që
të shohë pakëz dritë. /Të
vihet re laramani e shprehjes, po
pa ndonjë ngrohësi joshëse
stilistike/;
Të punohet natë e ditë që të shihet pakëz dritë. /formulim meditativ nga pavetoret/.
2. Nga At Gjergj
Fishta:
Mos të harrojmë
se me bjerrë gjuhën do me thanë me bjerrë kombsin;
Mos me harrue se me bjerrë gjuhën do
me thënë me bjerrë kombësinë;
Të mos harrosh se të bjerrësh gjuhën
do të thotë të bjerrësh kombësinë;
Mos të harrohet
se të bjerrët e gjuhës do të thotë të bjerrët e kombësisë;
Mos të harrojë (ai, ajo) se të bjerrunit e
gjuhës do me thanë të bjerrunit e kombsisë;
Të mos harroni
se të bjerrurit e gjuhës do të thotë të bjerrunit e kombësisë;
Mos harroni se
të bjerrësh gjuhën, do të thotë të bjerrësh kombësinë.
3) Nga anonimi:
O sa mirë me qenë shqiptar, me folë
shqip e me pasë atdhe;
O sa mirë të jem shqiptar të flas
shqip dhe të kem atdhe;
O sa mirë të jesh shqiptar, të
flasësh shqip e të kesh atdhe;
O sa mirë që jam shqiptar, që flas
shqip dhe që kam atdhe;
O sa mirë (për të) te jetë shqiptar,
të flasë shqip dhe të ketë atdhe;
O sa mirë të
jemi shqiptarë, të flasim shqip dhe të kemi atdhe;
O sa mirë të
jeni shqiptarë, të flit(s)ni shqip dhe të keni atdhe;
O sa mirë, që je shqiptar, që flet
shqip dhe ke atdhe;
O sa mirë, me
qenë shqiptar, për të folur shqip e për të pasur atdhe!!
Pa humbur më tej
në pyllin e hamendjeve dhe të kënaqësive të kësaj natyre, nga shembujt
sipërshënuar të bolduar dhe të tjerë vëmë re se paskajorja e rikthyer, këtu del
njëtrajtshëm, kuptimisht përgjithëson dhe i rri më afër kuptimit të
emër-emërtimitit të konceptit të përgjithshëm, ndërsa trajtat si paskajorja e dyti
si edhe ato të lidhores që i referohen vetës, kufizohen e përkufizohen po nga
veta e rreth vetës, apo jo?
Edhe pse
ekziston e drejta universale që në idioma paskajores pjesëmarrja nuk mund t’i
mohohet, megjithatë siç është vepruar e ende mjerisht po veprohet te ne. Ngjan
që në realitete të caktuara mos me dalë ashtu, ngase në asnjë libër
shkollor (fatkeqësisht) nuk ekziston (as
për be e rrfe) ndonjë shprehje lapidare me paskajore, atëherë dihet se
çfarë dëmi të pakompezueshëm i ka sjellë dhe vazhdon t‘i shkaktojë kulturës
shqiptare, konkretisht kulturës së gjuhës shqipe të natyrshme një mungesë e
tillë, qoftë brenda shoqërisë shqiptare, qoftë ndaj pasqyrimit të
pasurisë sonë gjuhësore në botë. Kjo ka të bëjë me cenimin e etikës së kulturës
kombëtare shqiptare në arenën europiane e botërore, apo jo? Së këndejmi,
përjashtimi i deritashëm, i përtashëm dhe i mëtejshëm i paskajores së
mirëfilltë, shkaktuar nga kapësit e politikës së standardit më përpara dhe
aktualisht që nuk duan ta pranojnë legalizimin e paskajoren, se u prishka punë
dhe nuk tregojnë se çfarë pune vërtet u prishka ai rikthim?!
Së këndejmi,
duhet kuptuar, sidomos në sistemin e vërtetë demokratik se askush nuk duhet të
vuaj edhe nga veprimet allapartizançe të së kaluarës. Gjuha nuk duhet të vuajë
gjithashtu edhe më as nga iluzionet e shkaktuara nga përgjumja narkotike e disa
kapëse të standardit, apo jo?!
Shpresojmë se
tashmë të gjithë e kanë të kuptueshme dhe në veçanti standardistët, edhe
kapësit politikë të standardit të sotëm se paskajorja e mirëfilltë nuk është
kurrfarë gogoli por zanëmirë orobekuese edhe për standardin aktual, apo jo?!
Përmbyllje
Në kreun
paraprak konstatuam se paskajorja allapartizançe u denua me
përjashtim-zhdukje nga standardi duke filluar që nga viti
1945 në Shqipëri dhe nga Kosova, më 1968, dënim ky që u vërtetua edhe në
Kogresin e Drejtshkrimit 1972, ku legjitimisht pothuaj u konsiderua e zhdukshme
ose si e paqenë., Mirëpo, ç’është e vërteta, siç u arsyetua në
fillim të këtij kreu ajo nuk u zhduk, sepse e ruajti sovrani, i cili me
njërën gojë të Shqiponjës së Flamurit që ligjëronte mbi bazë gegnishte, kjo
paskajore mbeti dhe u ruajt gjallë, edhe pse standardi e përçmonte.. Ndërkaq
sidomos pas përmbysjes së monizmit në Shqipëri, paskajorja, edhe pse qëndronte
në gegenishte, ku e kishte folenë e rritës dhe shtratin e jetës,
për vlerat që kishte pak nga pak, u bë pronë edhe e ligjërimit standard
të gojës tjetër të Shqiponjës së Flamurit mbi bazë të toskërishtes Madje
ndërkohë po nga kjo gojë ligjërimi u kërkua që standardi ta rikthejë paskajoren
e mirëfilltë në gjirin e vet.
Po përsërisim,
pikërisht nga atmosfera e krijuar nga dy gojat e Shhqiponjës së Flamurit u
mundësua rigjallërimi i paskajores si feniks. Dhe kështu
gjeti arsyetim edhe titull i këtij kreu: “Të
rikthyerit e paskajores si feniks i ringjallur dhe raporti ndërsinonimik
ballafaques i saj me format e standardit të sotëm”, por
edhe e trajtua raporti ballafques i saj me format ekzistuee sinonimike të
standardit, me të cilat kishte bashkëjetuar më parë në Shqipëri deri në
1945, ndërsa në Kosovë deri më 1968, prandaj ky ritakim krijon bashkëveprim
sinonimik që ndihmon shprehjesisht gjuhën shqipe dhe standardin e
natyrshëm të saj.
Sidoqoftë, në
bazë të të dhënave të paraqitura besoj se në bazë të argumentave tashti mund ta
shohim paskajoren e mirëfilltë si feniks të vërtetë që u ringjall për të mirën
e gjuhës së natyrshme shqipe dhe nuk do të ketë kurrmë vdekje, sepse tashti atë
nga nevoja me dije po e kërkon vendi i vet, i pambuluar tash 70 vjet, edhe pse
konceptet e saj të padukshme nuk ishin krejtësisht të zhdukshme.
Paskajorja në të
vërtetë, i riimponohet standardit si një ushqim gjuhësor e kulturore copë
në dorë, si mjet konkretizimi në kuadër të shqipes së natyshme globale.
Gjithashtu
kosntatuam disa konkurrenca madje edhe lajthitje të shkaktuara ndaj koncepteve
të paskajores, ndërsa ajo qëndronte e përjashtuar dhe që ende fatkeqësisht për
dikënd zyrtarisht qëndron jashtë standardit, por megjithatë në këtë krye u
identifikua mjaft qartë autonomia kuptimore e paskajores që nuk mund të
zëvendësohet me mjete të standardit të sotëm, andaj u theksua qartë që
vendi e saj i merituar në kuadër të kontekstit përkatës gramatikor, jo
vetëm të ortomorfologjisë shqipe, por edhe të sintaksës, pa
padiskutueshëm duhet ta gëzojë jetën brenda standardit të shqipes
së natyrshme.
Po ashtu dhamë
me kuptue se paskajorja gjatë rikthimit në standard nuk prek fare trajtat
foljore të standardit, po ofron fuqinë e saj rreth një meditimi të lartë e të
thellë abstraktues ndaj shprehjeve sinonimike. Por paskajorja, përveç
përshkallëzimit kuptimor karakterizohet edhe me përshkallëzim stilistik në
suazat e krijimtarisë letrare artistike. .
Sido që të ketë
qenë tani nga vetë jeta kombëtare e shqipes po kërkohet me ngulm që ky
simbol i gjuhës shqipe patjetër duhet të rehabilitohet plotësisht, ngase ishte
hedhur në pus pa fund nga padija, madje ndërkohë edhe është akuzuar pa kurrfarë
prove, si gogol që gjoja rikthimi i saj e prishka standardin. Gjë që po del
shumë e pavërtetë, e cila po vërtetohet qartë edhe nga të gjitha analizat
në këtë krye punimi, andaj simbolikisht themi se paskajorja u ringjall nga hiri
hyjnor i gjuhës së natyrshme shqipe jo nga hini i hedhur si mbeturinë mbi të në
atë pusin pa fund!
Gjitsesi në
krerët vijues do të paraqiten edhe fakte të tjera plotësuese që tregojnë për
vonesën drastike që është bërë e po bëhet ndaj shqipes së natyrshme nga
sjelljet e disa sikapësve të politikës së standardit. Kështu kushdo qofshin
ata, të cilët pa të drejtë po zvarrisin rehabitimin e saj sipas
procedurës së rregullt në standardin ekzistues, duhet të esëllohen, sepse
qëndrimi i tillë ka si rezultat nxitimin në kërkesën që paskajorja
menjëreshmërisht të riintegrohet në standard, të cilin nuk e rrëzon, por e
forcon dhe e bën gjithsesi më të natyrshëm.
Të gjithë titujt
dhe nëntitujt nga ky krye dëshmojnë atë që e thamë në këtë përmbyllje.