| E marte, 01.12.2020, 07:34 PM |
Shënime për romanin e POLEN GRUAJE, Stafetë e dhimbshme e një dashurie Parisiene të Sotir Athanasiut
Nga
Leon Lekaj
Së
pari më duhet të pohoj se nuk më ka ndodhur shpesh, që pasi të mbaroj një roman
të një autori shqiptar, të mbaj frymën pezull, të meditoj apo të kërkoj
hapësira zbutëse, të cilat të jetë ndërmjetëse mes realitetit dhe një situate
krejt tjetër, të shkuar dhe servirur aq bukur në një vepër. Kjo qe ndjesia e
parë kur mbylla kapakët e librit të shkrimtarit Sotir Athanasiu.
Ndjesia
e dytë kishte të bënte me modestinë e autorit. I pa bujë, i heshtur në këndin e
tij, prej një njohësi të mirë të letërsisë botërore, e sidomos të asaj antike,
shkrimtari i romanit “Polen Gruaje, stafetë e dhimshme e një dashurie
parisiene”, të josh me qetësinë e tij, të shtyn të gërmosh më thellë brenda
botës së tij, për të zbuluar të thënat dhe të
pathënat që fsheh një artist si ai. Sotir Athanasiu ka ndërtuar
kështjellën e unit të vet artistik, por rreth e qark saj nuk ka as edhe një
objekt tipik, i cili, ashtu siç sot po ndodh shpesh, të amplifikojë e të
prodhojë tinguj të çjerrë e gërvishës, që të grishë e më pas të ç’orientojnë e
zhgënjejë lexuesin e mirëfilltë.
Që
në rreshtat e para, autori të imponohet vrullshëm dhe kërkon të tërheqë
vëmendjen e të bindë se gracka e subjektit nuk mund të krahasohet me atë të
stilit ekselent. Përballë lexuesit, si personazh vihet një poet i cili është
njohës i frëngjishtes dhe në skajin tjetër të atij segmenti, nënë e bijë, të
dyja franceze me një histori të dhimbshme, e cila e ka zanafillën tek vitet e
shkuara të vendit tonë. Janë këto dy elementë, të cilat lexuesit do t’i duhet
t’i përtypë këndshëm, sepse prej andej do të burojnë një sërë dialogjesh të
cilat prodhojnë jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe ndërthurje figurash e mitesh të lashta, në
ato dialogje të shfaqen emra dhe fenomene të zgjedhura prej kohëve, si
argumente dhe kundër argumente të bashkëfolësve, duke e çuar komunikimin e
personazheve në nivele shumë të kënaqshme.
Bruti
e Petrarka, DEUX-Zoti, Çirçia, Odisea, ekuacioni Maxuell, shqisa e gjashtë,
Masrejeza si himn e si emër, teoria e fijeve, Mary Kyri, apo lëvizja broviane,
Xhafëzotaj e Perestrojka, Romeo dhe Xhulieta apo Desdemona e Shekspirit,
Akteoni i miteve, Helena e Trojës Saharaja dhe Sokrati i vuajtur, sigurimi i
shtetit dhe Zëri i Popullit, kompleksi i Edipit, Fronti qiellor, Saturni e
Jupiteri, Volteri, Hygoi dhe Floberi, kompleksi i Elektrës, kutia e Pandorës,
janë një majë e vogël ajsbergu, me të cilët lexuesit do t'i duhet të përballet
në roman. Përdorimi i gjithë këtij arsenali prej autorit është i lavdërueshëm,
i këndshëm dhe shpesh herë, eviton shpjegime të gjata të cilat e bëjnë tekstin
të rëndë e të mërzitshëm. Në këtë kontekst duhet thënë se stili i Athanasiut
vjen unik, e i papërsëritshëm dhe disa ndikime të lehta prej autorëve të
vjetër, nuk e cenojnë aspak atë.
Në
roman shfaqen dy linja kryesore; ajo e poetit me Julietën si dhe ajo e Luan
Majlindit me Marsejezën.
Linja
e parë vjen e gjallë, nëpërmjet dialogjeve të spikatura e plot elegancë,
nëpërmjet batutave me humor e domethënie, si dhe mes përshkrimeve plot jetë e
dritë, të cilat autori, falë talentit të tij, i lëshon pa kursim. Dashuria e dy
të rinjve mban në këmbë pjesën më të madhe të emocioneve, ajo shpërndan
shtyllat e saj nëpër rrëfim e kësisoj, vepra e Athanasiut, ndihet e fortë, e
aftë të përballë dëshirën e lexuesit për të ecur nëpër rrëfim me atë etje, që
zakonisht jemi mësuar të përjetojmë kur bëhet fjalë për pena të dashura. Një
takim i rastësisëm i poetit me babanë e Julietës, ngre akoma më lart
“temperatuart” e ndjenjave të tyre dhe në roman ajo sa vjen e lartësohet, duke
mbushur me kolorit kapitujt e tij.
Linja
e dytë vjen nëpërmjet një rrëfimi “post factum” (teknika e rrëfimit
retrospektiv) të dy personazhëve, të cilët fati i bashkoi diku, afër Kullës
Ejfel, për t’i ndarë më pas prej një akuze absurde të sajuar nga dora e hekurt
dhe e pamëshirshme e diktaturës. Realiteti tragjik i cili mishërohet në figurën
e Luan Majlindit, është e vendosur në një situatë krejt absurde, por mbi të
autori vendos kujdesshëm projektorë të fuqishëm, me qëllim që personazhi i tij
të shpërndajë dritë nëpër subjekt. Detaje të vogla në dukje e bëjnë figurën e
Luanit jo vetëm mistike, të dhimbshme, të adhurueshme, por e shndërrojnë atë në
një akuzë të fuqishme e cila me gishtin e saj tregues, si një heshtë e mprehtë
godet pamëshirshëm çmenduritë e sistemit që kaloi. Për ta çliruar prej stresit
dhe kënetës bastardhe të fjalorit plebè, dialogjet e asketit të Athanasiut janë
të pajisur me një ironi të hollë, e cila kërkon të asgjësojë në dykuptimësinë e
fjalëve realitetin bastardh dhe kur ai ndeshet me poetin, rrëfimet e tij shndërrohen në një oqean të paqtë dijesh, në
hambare të vërteta njohjesh, të cilat e xhveshin prej çmendurisë, që
autoritetet e atij vendi të humbur ia kishin veshur si mantel. Duke përshkruar
me delikatesë ritmin ekzistencial të personazhit, Athanasiu na krijon një
figurë të rrallë në botën e letrave shqipe, një njeri me të cilin dashurohesh, një personazh, fatin
e të cilit lexuesi e ndjek me ankth, me drojë, me llahtarë.
Në
roman endet edhe një linjë e tretë, e cila kulmon me kapitullin Kompleksi i Edipit,
ku autori zbulon një prej fenomeneve më të përfolura të shoqërisë;
Ortep-shqiptimi mbrapsht i emrit Petro, ose djali i paligjshëm i
kumbarit të një çifti, pre e një skene vogëlie, bëhet viktimë e komleksit të
Edipit. Ai urren të atin dhe për një kohë të gjatë nuk flet. Këtu, Athanasiu na
përgatit për lindjen e një përbindëshi, i cili ashtu si babai i tij i
paligjshëm, do të përfundojë nëpër kanalet e sigurimit të shtetit, si një njeri
pa zemër, si një i përbuzur, shpirti i të cilit është i nxirë prej hakmarrjes.
Në këtë histori del në pah edhe një dyshe doktorësh. Ëtshtë fjala për duelin
Kreshtan-Fation, i pari diplomuar në perëndim dhe i dyti produkt i dalë prej të
ashtuquajturit “njeriu i ri”. Duket krejt natyrshëm që ky duel, është
personifikimi e luftës mes të mirës dhe të keqes. Terreni i ashpër, i
pagdhendur e satanik, gjatë viteve kur romani kthehet nëpërmjet protagonistëve
në të shkuarën e tij, favorizon ndjeshëm preferencat e të parit. Shpesh
humanizmi i Kreshtanit humbet në përrallisjet keqëdashëse të të dytit. Ky
antagonizëm mendoj se vjen me nivele të larta artistike në bisedën mes tyre në
ditët që zhvillohet eksodi “biblik” i shqiptarëve. Me një sarkazëm të pështirë,
e keqja, nëpërmjet Fationit shfaq madhërishëm brirët e saj, duke e renditur atë
si një prej figurave më të neveritshme e më frikshme të rrëfimit të autorit.
Në
një vlerë të veçantë në roman vjen edhe raporti mes reales dhe fantazisë.
Borhes thotë:”…në fantastiken e vërtetë, shpëton gjithmonë mundësia e jashtme
dhe formale e një shpjegimi të thjeshtë të fenomeneve, por në të njëjtën kohë,
ky shpjegim është shumë larg mundësive të brendëshme. Të gjitha veçanësitë
duhet të kenë një karakter të përditshëm, por duke i marrë të gjitha së bashku
duhet të kenë një rastësi të ndryshme”.
Athanasiu,
bën pothuajse këtë! Edhe pse romani kryesisht është i ndërtuar në vetën e tretë
ai di t’i “largohet” vetes, ndërton një vete të dytë, të pajisur me cilësi prej
shpirtit të vet. Shkrimtari di të pasqyrojë në roman edhe diverguesin e tij,
negativin e njeriut të ndershëm, ta pajisë atë me elementë të besueshëm, me
elementë real, si ata që gjendeshin me shumicë në kohën kur autori shëtit me
eksperiencën e vet. Imagjinata e tij mbërrin të kopsisë gati në mënyrë perfekte
të gjitha hallkat e romanit, në mënyrë të besueshme, duke mos cënuar askurrkund
ecurinë e subjektit.
Por
a është romani i Athanasiut thjesht një angazhim shpirtëror, apo detyrim
intelektual i autorit?
Sartri
na lë këtë këshillë: .”…ne shkruajmë për bashkëkohësit, nuk duam të shikojmë
botën tonë me sytë e të ardhmes, do të ishte mjeti më i sigurt për ta vrarë,
por me sytë tanë prej mishi, me sytë tanë të vdekshëm”.
Parë
me këtë sy, mendoj se barra shpirtërore e shkrimtarit, është ajo që nis anijen
e tij të ndjenjave drejt brigjeve të së panjohurës. Thelbi intelektual, për të
pasqyruar një realitet të shkuar, i cili në kohën tonë po vdes dalëngadalë, i
bashkohet rrugës, duke i dhënë një shtysë akoma më të fortë veprës, e cila
tashmë nuk ka vetëm misonin e parë. Duke vendosur këmbët e prozës së tij
artistike në dykohësi, Sotir Athanasiu zgjeron gamën e personazheve dhe të
ngjarjeve, zgjeron hapësirat e konflikteve të romanit, të kulmeve të tij, por
njëkohësisht dëshmon se sa i zoti është që t’i a dalë në krye për t’i vendosur
të gjitha ato linja tek ai bosht, të cilin e kërkon detyrimisht, si mjet të
fuqishëm në integritetin e veprës.
Sidoqoftë,
do të thoja se në roman ndihet mungesa e një dore të mirëfilltë redaktori, i
cili, si një kopështar i mirë do të kishte detyrën e tij të bukur që të
largonte nga kopshti i mrekullueshëm artistitk i Athanasiut, ca barëra të
tepërta, ca kulpra mbytëse që i kacavirren metaforave të tij, e që autori, i
prirur të ecë drejt ngjarjeve dhe kumteve, nuk ka mbërritur t’i shohë. Disa
përsëritje të shpeshta, edhe pse të pakta, aty këtu duket sikur e tejngopin
veprën, duke ulur në mënyrë të pavetëdijshme nivelin e saj.
Megjithë
atë, do të thosha pa frikë, se romani “POLEN GRUAJE, Stafetë e dhimbshme e një
dashurie Parisiene” është një vepër që lexohet me një frymë, është një vepër e
arrirë. Proza e Athanasiut, është
ngjizur mrekullisht, duke na dhënë një roman, i cili duhet të marrë vëmendjen e
merituar, e të zerë një vend të mirë në arkivin e letërsisë së post diktaturës.
I bindur se kritika letrare në vendin tonë, ashtu si në shumë fusha të tjera,
nuk është në nivelin e saj të dëshirueshëm, mora mundimin të nxjerr në pah
vlera, që sipas mendimit tim, vazhdojnë të lihen në harresë prej vetëdijes së
një kombi.
Leon Lekaj, Athinë 27/11/2020