| E marte, 01.12.2020, 07:53 PM |
VLERA TE NJE SHPIRTI TE BUKUR
-Mendime
per vlerat e vyera të një zemre të madhe dhe të një shpirti të bukur shpalosura
ne librin e Emine S. Hotit “Udhëtimet e mia në Shqipërinë Mëmë”-
Nga
Amantja Kona - Gjeografe, Tiranë,
Recensente e librit
Tashmë,
Emine S. Hoti është një emër i njohur për lexuesin shqiptar, në Shqipëri, në
Kosovë, por edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoninë e Veriut, në Mal
të Zi, Çamëri dhe në të gjithë mërgatën. Emineja është e njohur si poete dhe
prozatore e talentuar, që trajton me finesë temat bashkëkohore; është e njohur
si një stiliste, që dizenjon, pret dhe qep mjeshtërisht veshje dhe kostume
kombëtare shqiptare, të cilat nuk i shet, por ua dhuron shoqatave shqiptare
nëpër botë. Për këtë vlerë huamane dhe bamirëse të saj, ajo është quajtur
“Marigoja shqiptare në Norvegji”, madje i janë kushtuar edhe librat “Marigoja shqiptare në Norvegji’ dhe “Një
ditë me Marigonë.” Por, Emine S. Hoti është
po aq e njohur edhe si një atdhetare e flaktë shqiptare, e cila përpiqet që, me
krijimtarinë e saj të vyer, ta bëjë atdheun tonë të lashtë sa më të njohur dhe
më të dashur për të gjithë shqiptarët e mërguar në radhë të parë, por edhe për
të huajt, që ende nuk kanë arritur të
njohin vlerat dhe cilësitë e shkëlqyera të kombit shqiptar.
E,
pikërisht, nëpërmjet këtij libri të ri publicistik dhe artistik, të titulluar
“Udhëtimet e mia në Shqipërinë Mëmë”, Emine S. Hoti na rrëfen me shumë ndjenjë
e fisnikëri dashurinë e saj atdhetare, përjetimet dhe emocionet e saj gjatë
vizitave që ka bërë në Shqipëri, herë si vizitore e thjeshtë dhe herë si
anëtare e delegacioneve kulturore - letrare dhe artistike, veçanërisht atyre
suedeze. Ndërkaq, vizitat dhe ardhjet e saj në Shqipëri, kanë pasur qëllim
krijimin e urave të bashkëpunimit midis shteteve skandinave dhe Shqipërisë, por
edhe midis mërgimtarëve për nxitjen e punës me librin, për veprimtaritë
kulturore e festive, për këngët dhe vallet shqiptare, ndërkohë që në këto
ekspedita kulturore ajo dhuron me
kënaqësi veshje dhe kostume kombëtare të qepura me duart e saj të arta. “Bëj aq sa mund, - thotë Emineja, -
Dëshira ime e zjarrtë është që veshjet dhe kostumet kombëtare shqiptare të
stilizuara dhe të qepura nga unë, artistët dhe veprimtarët e mërgatës, t`i
veshin, të festojnë me to, të kërcejnë dhe të këndojnë me ato veshje kombëtare,
si të ishin në Prishtinë dhe në Tiranë”.
Duke
e përfytyruar veten krah për krah me
autoren në udhëtimet e saj nëpër
Shqipëri, lexuesi përjeton magjinë dhe bukurinë e vlerave të rralla shqiptare,
vlerat e arta të një populli të lashtë, i cili ka sakrifikuar shumë për të
mbijetuar, duke ruajtur me vendosmëri gjuhën e bukur shqipe, traditat, zakonet dhe kulturën origjinale shqiptare të
trashëguar në shekuj. Libri nis me shprehjen e respektit dhe të mirënjohjes së
thellë, të kësaj princeshe të letrave shqipe, për popullin e Kavajës, i cili,
ashtu sikurse i gjithë populli shqiptar, në vitin 1999, priti me bujari dhe
dashuri motrat dhe vëllezërit nga Kosova, të dëbuar dhunshëm nga ushtria
zaptuese dhe kriminele serbe. Mes të
dëbuarve ishte edhe familja e Eminesë, nëna, babai, vëllai, nipat dhe mbesat.
Ajo erdhi disa herë nga Norvegjia për ta parë familjen, por edhe për të
shprehur mirënjohjen e për t`u gjendur pranë atyre njerëzve të dëshpëruar, duke
i ndihmuar materialisht, por më shumë akoma, me praninë dhe fjalën e saj të
ëmbël, shpresëdhënëse dhe plot dashuri.
Në
vazhdim lexuesi emocionohet nga përshypjet mbresëlënëse të Eminesë në përbërje
të një delegacioni shkrimtarësh suedezë, në qytetet dhe rrethet: Tiranë, Shkodër, Lezhë, Durrës, Krujë, Fier,
Berat, Elbasan, Lushnjë, ku Emineja tregohet mjaft aktive dhe e dashur në
biseda me njerëz dhe lexues, gazetarë dhe studiues të ndryshëm nga sfera të
arsimit, kulturës, letërsisë dhe arteve, por edhe me stilistë, kompozitorë,
koreografë, kërcimtarë e këngëtarë, me etnografë, me mjeshtra popullorë të
dizenjimit dhe përgatitjes së kostumeve tradicionale kombëtare shqiptare, me
bukuri, shije, elegancë dhe origjinalitet, duke ruajtur veçori të stilit, të
prerjes dhe qepjes, të ngjyrave karakteristike shqiptare, që harmonizohen me
bukuritë e natyrës dhe të shpirtit njerëzor shqiptar.
Me
emocion të madh Emineja përshkruan në këtë libër veprimtaritë e 100 - vjetorit
të pavarësisë, veçanërisht ato të zhvilluara në Vlorën e Flamurit, ku pjesëmarrës ishin edhe dy djemtë
e saj, Albioni dhe Arbeni, të cilët shkuan posaçërisht nga Norvegjia për të
marrë pjesë në ato festime të paharruara.
“-Nënë, do të shkojmë edhe ne në Vlorë, do të shkojmë
edhe ne me flamur nga Norvegjia. Do të tregojmë se, edhe ne jemi pjesë e
pandarë e atij flamuri dhe asaj ngjarjeje të madhe për të gjithë Kombin. Edhe
ne duam të prekim dhe të puthim me mall e dashuri atdheun tonë, të valëvitim
flamurin kuqezi së bashku me vëllezërit dhe motrat tona, që do të vijnë nga e
gjithë Shqipëria, Kosova, gjithë trojet tona dhe nga bota”.
Po
aq impresionuese është vizita në qytetin e Fierit, vizita në Apoloni dhe dasma
e djalit të madh të Eminesë, Albionit, i
cili e bëri ceremoninë e martesës në Apoloninë e Ilirisë, duke përtërirë kështu traditën e lashtë shqiptare të dasmave, që merrnin
bekimin në vende të shenjta kombëtare.
Ndërkaq,
Emineja shfaq e përshkruan në librin e
saj vlerat e trevave dhe të qyteteve që viziton, zhvillimet,
origjinalitetin, veçoritë dhe të veçantat e tyre; përshkruan episode dhe
ngjarje mbresëlënëse, prezanton natyrshëm përpara lexuesit tipa dhe karaktere
realë e historikë, sjell me modesti, deri edhe biografitë e njërit apo disa
prej personaliteteve më të spikatur dhe më të njohur të këtyre rretheve.
Kështu, krahas bukurive dhe vlerave të rretheve e qyteteve, në Vlorë ajo
portretizon figurat e shquara të Ismail
Qemalit dhe të Isa Boletinit, por dhe të shkrimtarëve Petro Marko e Fatos
Arapi. Në Fier përshkruan arkeologun francez Leon Rei, mik i shquar i vendit
tonë, por portretizon edhe shkrimtarin e suksesshëm shqiptar Jakov Xoxa. Në
Kavajë shkruan për Aleksandër Moisiun. Në Krujë përshkruan në mënyrë të
plotë figurën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti -
Skënderbeu; në Elbasan shkruan për Kostandin Kristoforidhin dhe Dhaskal
Thodhrin; në Korçë për motrat Qiriazi, piktorin Vangjush Mio, shkrimtarët
Sterjo Spasse, Ilinden Spasse dhe për skulptorin Odhise Paskali, autor i
monumentit “Luftëtari Kombëtar”; në Pogradec shkruan për Lasgush Poradecin; në
Shkodër për Marin Barletin, Luigj Gurakuqin dhe Migjenin; në Devoll për Dritëro
Agollin; në Gjirokastër për Çabejn; në Tropojë për Bajram Currin; në Kolonjë
për Fan Nolin dhe Petro Nini Luarasin; në Sarandë për Hasan Tahsinin; në
Delvinë për Sabri Godon dhe Hajrie Rondon; në Lushnjë për Vaçe Zelën; në Durrës
për Leonik Tomeon dhe Jan Kukuzelin; në Lezhë për Fishtën; në Mirditë, për
“Katër heroinat e Mirditës”; në Kurbin për
Papa Klementin XI, Albanin; në Përmet për Naim Frashërin dhe Tefta Tashko
Koçon; në Dibër për Haki Stërmillin; në Berat për Babë Dudë Karbunarën; në Mat
për Pjetër Budin dhe Pal Engjëllin; kështu dhe shumë emra të shquar, që
nderojnë kulturën dhe kombin tonë. Krijojnë emocion te lexuesi momentet kur
zonja Hoti ofron pjesë të zgjedhura apo rrëfime, që përcjellin episode
mbresëlënëse, siç është rrëfimi për Kostandin Kristoforidhin, i cili “provokon”
shitësen e vezëve, duke ia thyer vezët, me qëllim që ajo të shprehë sa me shumë
fjalë të padëgjuara të gjuhës shqipe; rrëfimi për Babë Dudë Karbunarën, kur
vrasësit kthyen mendje sepse dëgjuan që “krimet” e tij ishin hapja e shkollave
dhe ndihma që u jepte njerëzve të varfër dhe të shtypur nga pushtuesi; rrëfimi
për skulptorin e shquar Odise Paskali, i cili tregon se, pasi inauguroi në
Vlorë monumentin “Flamurtari” te varri i Ismail Qemalit, ishte nisur po atë
ditë në Korçë, për të marrë pjesë në inaugurimin e veprës së tij “Luftëtari
Kombëtar” dhe “...sa
arrita afër monumentit të inauguruar në Korçë, pashë pranë bazamentit, një
plakë që qante dhe dëgjova fjalët e saj të përsëritura: “Korba unë, bir!” Në
një moment, një burrë plak e qortoi: “Ky
është Nexhip Bënja, moj!” Çava të arrija plakun e ta pyes nga e kuptoi se ishte
Nexhip Bënja, statuja ime, por më humbi në turmë. Më vonë mendova për episodin
dhe u binda se populli kupton drejt dhe, më shumë akoma, vendosa të kërkoj,
pëlqimin e tij, qoftë edhe në ëndërrimet e mia.”
Kështu
vërshojnë emocionet, kur lexon për “pemën dhe lulen që kishte mbjellë Naim
Frashëri në Sarandë”; kur lexon se, kur u lidh kontrata për shitjen tek të
huajt të burimit “Syri i Kaltër”, burimi shteroi dhe nuk nxirrte asnjë pikë
ujë, si të donte të protestonte ndaj asaj shitjeje. Kurse, më pas, kur kontrata
nuk u realizua, ai vijoi të buronte përsëri. Sikurse të rrëmben rrëfimi për një
familje norvegjeze, e cila mbante në mur prej dekadash një portret të
Skënderbeut, pa e ditur se kush ishte. Kur nga disa miq shqiptarë, që kishin shkuar për vizitë, norvegjezët
mësuan se cilin njeri të madh përfaqësonte ai portret, i zoti i shtëpisë, tha:
-Nuk e dinim se këtu në shtëpinë tonë paskemi pasur një
vlerë kaq të çmuar, ndaj ju falënderojmë shumë për gjithçka biseduam. -Heshti
pak dhe vijoi:- Ne, si familje, në fillim do të interesohemi për restaurimin
e kësaj pikture, sigurisht që do t`i
bëjmë edhe një kornizë të merituar, pastaj mendoj ta ekspozojmë në muzeun
e qytetit.
-Nuk do ta mbani në shtëpi?-pyeti njëri nga miqtë
shqiptarë.
-Një kopje po, do ta mbajmë, madje me krenari, kurse origjinalin
do ta ekspozojmë në muze. Gjergj Kastrioti - Skënderbeu i përket të gjithë
Evropës...
Atmosferë
emocionuese krijon dhe episodi i takimit
të Eminesë me një grua beratase, e cila kur e pa të veshur me xhubletë kuqezi, e ndali dhe i tha:
-Je veshur si në kohën e Skënderbeut, moj bijë!
-Po,-i thashë,-jam shqiptare nga Drenica e Kosovës, tani
jam mërgimtare në Norvegji dhe kam shumë mall dhe dashuri për Shqipërinë dhe
çdo trevë shqiptare.
Gruaja më përqafoi fort:
-Të lumtë moj bijë, këto zakone dhe veshje asnjëherë nuk
duhet t`i harrojmë...
I tregova edhe për axhën tim, Istref Hotin, i cili kishte
jetuar në Berat. Ajo më pa një çast, pastaj tha me gëzim:
-E kush nuk e ka
njohur Istref Kafexhiun! Atë njeri aq të mirë, trim dhe fisnik e njeh dhe e respekton i gjithë Berati, sepse ka luftuar
për bashkimin e atdheut, ka qenë luftëtar i shquar në Kosovë...
Nuk e harroj përqafimin, fjalët dhe ngrohtësinë e asaj gruaje fisnike
beratase.
Libri
paraqet episode të bukura dhe mbresëlënëse për kala dhe zona të ndryshme të
vendit, për shembull për zonat arkeologjike të Butrintit, të Kaninës dhe Skelës, të Amantjes, Bylysit, Apolonisë,
Durrësit, Antigonesë, Linit, zonës “Kultura e Komanit”, Albanopolin, kalatë e
Rozafës, Bashtovës, Beratit, Sebastias,
Skënderbeut, Krujës, Stelushit, Gurit të Bardhë...Të mbeten në mendje
përshkrimet dhe bukuritë përrallore të Lurës, të Belshit, të Balgjajt, të Prespës dhe Pogradecit, të
Ksamilit, të Shkodrës dhe të Komanit; mjediset tek Uji i ftohtë i Tepelenës, i
Viroit në Gjirokastër, gryka e Këlcyrës dhe Bredhi i Hotovës në Përmet, parku
natyror i Llogarasë në Vlorë, Syri i
kaltër në Delvinë; bukuritë magjepsëse të Thethit, të Valbonës; kanionet e Skraparit,
bukuritë e pazarit karakteristik të
Krujës...Libri është i mbushur plot e përplot me dashuri për Shqipërinë,
këtë perlë të Mesdheut, që ende Evropa dhe bota nuk po ia njeh ashtu siç duhet
vlerat e vyera, por që edhe vetë ne shqiptarët, duhet të bëjmë më shumë që bota
t`i njohë dhe t`i përjetojë ato bukuri e vlera
me gjithë origjinalitetin dhe madhështinë që kanë. Sikurse, libri bën të
njohur për lexuesin vlerat dhe forcën tërheqëse të plazheve bregdetare të
Velipojës, të Shëngjinit, të Durrësit, të Divjakës, të Vlorës dhe Sarandës, por
dhe vlerat e rralla ujore të Drinit, Semanit, Vjosës, Shkumbinit, Erzenit,
Matit, Osumit, Bunës...
Autorja,
në përbërje të delegacioneve kulturore, letrare dhe artistike, përshkruan me
ndjenjë dhe respekt bashkëbisedat me studentë të universiteteve “Luigj
Gurakuqi”, Shkodër, “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, si dhe me nxënës të disa
shkollave 9-vjeçare si: “Sherif Dervishi”, Krujë, “Demokracia” Durrës,
“Vëllazërimi”, Tiranë etj. Respekt të
thellë shpreh autorja për vlerat
autentike të Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut të Pavarësisë në Vlorë,
Muzeut Historik në Fier, Muzeve “Oso Kuka” dhe “Ndre Mjeda” në Shkodër,
Memorialit të Skënderbeut në Lezhë. Po aq interesante paraqiten në libër
bashkëbisedat në bibliotekat e rretheve Fier, Berat, Pogradec, Korçë dhe Gjirokastër.
Duket
sikur e tërë harta gjeografike e Shqipërisë ndodhet në këtë libër, pasi
poetesha, stilistja dhe atdhetarja Emine S. Hoti “s`ka lënë vend pa shkelur”.
Kjo shqiptare me zemër të madhe dhe me shpirt të bukur, duket sikur të merr
përdore dhe të rrëfen me pasion dhe pa u lodhur, me fjalë të thjeshta, plot
kulturë, ndjenjë dhe emocion gjithçka që sheh me sytë e saj dhe e përjeton shpirtërisht me mendje dhe zemër
si një atdhetare e shquar.
Në
Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, kur sheh mozaikun “Bukuroshja e Durrësit”,
midis të tjerave shprehet: “A nuk do ta bënte xheloze Xhokondën (Lozonjaren),
që ruhet në Muzeun e Luvrit në Paris, kjo bukuroshe shqiptare? A nuk do ta
shikonte me respekt e nderim këtë
“Bukuri të Dheut”, edhe vetë Leonardo da Vinçi? Për fat ne e kemi. Veçse
duhet ta bëjmë edhe më të njohur, ashtu siç bën edhe bota me kryeveprat e saj”.
Gjithkush
që e lexon librin, krahas emocioneve, përjetimeve dhe kënaqësive estetike të
leximit, merr edhe informacione të plota dhe mbresëlënëse për çdo qytet, rreth,
objekt natyror e kulturor; merr më shumë dije dhe njohuri për historinë dhe
kulturën e lashtë shqiptare, emocionohet nga ndjeshmëria dhe dashuria për
jetën, që përcjellin shqiptarët nga njëri brez në tjetrin, nga vlera si: besa
dhe mikpritja, ndihma e mikut kur je në vështirësi, veçori këto, që shqiptarët
i kanë treguar në kohën e Gjergj Kastriotit, që u bë barrikadë përballë
vërshimit osman mbi Evropë; gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur mori në mbrojtje
hebrenjtë; por dhe në momente krizash të rënda ekonomike apo fatkeqësish
natyrore, ku kombi shqiptar rrezaton
ngrohtësi dhe dritë në Evropë dhe në botë.
Herë – herë, gjatë leximit të këtij
libri, e përfytyroj Eminenë me një tufë lulesh të bardha në dorë, si të dojë të
na sjellë mesazhe paqeje dhe dashurie
mes nesh, si të dojë të na përgëzojë për arritjet e derisotme të demokracisë
shqiptare, për miqësitë dhe vlerat që kemi treguar ndër këto vite, por me ato
lule të bardha në dorë ajo do të na thotë se duhet të jemi edhe më tolerantë,
më të dashur dhe më miqësorë me njëri-tjetrin, më të bashkuar dhe pa ndasi dhe
egoizma se, jeta nuk vjen gjithnjë siç e duam ne, por ka edhe ajo problematikat
e veta, herë të ashpra dhe të komplikuara, herë më të qeta dhe të ekuilibruara,
por, edhe ajo, si natyra, ka stinët e veta, ka dhe verë të nxehtë, ka dhe dimër
të ashpër, ka pranverë, ku çelin dhe ndrisin lulet ngjyra-ngjyra nga më të
bukurat, por ka dhe vjeshtë, ku ato vyshken dhe përgatiten t`ua lënë vendin të
tjerave, që vijnë sipas ligjeve të pashkruara të natyrës. Ndaj, na këshillon
zonja Hoti, ta jetojmë jetën, sepse jeta na jepet vetëm një herë dhe neve na
duhet të bëjmë më të mirën për veten tonë, për familjet dhe fëmijët tanë, për
atdheun dhe kombin, i cili e mban secilin nga ne si një vlerë të çmuar, kurse
ne e kemi gjithçka.
Autorja Emine me ndjeshmëri të lartë
dhe bukuri të pasosur shpirtërore duket se nuk do që të lërë në këtë libër
pa e shprehur mirënjohjen që ajo ndien
veçanërisht për ata norvegjezë, që e morën në mbrojtje atë dhe familjen e saj ditët e para të shkuarjes në Norvegji,
që i qëndruan pranë, ndihmuan që ata të mësonin gjuhën norvegjeze, ndihmuan në
përgatitjen e dokumentacionit përkatës, siç i kërkon një shtet serioz si Norvegjia,
ndërkaq i çelën dyert e shtëpive dhe të zemrave të tyre mikpritëse.
Emineja i përmend emrat e tyre me shumë
nderim, respekt dhe dashuri: Lagee Trangsrud (shefi i azilit), Nina Bergeshen,
Vidar Dagaj, Nina Vidari, Marjan Asgord (mësuese e gjuhës)...
Me një gjuhë të sinqertë autorja na thotë
se “vlerat i kemi brenda nesh, i kemi rreth e qark, i kemi në trevën dhe natyrën tonë të
mrekullueshme, i kemi te çdo gur e fije
bari, te çdo rreze dielli dhe dritë hëne, i kemi në ajrin tonë të pastër dhe në
ujin e kulluar, gjithçka tek ne është e bekuar nga dora e Zotit. E, pikërisht
këtë vend të mos e braktisim, por ta jetojmë këtu jetën, duke punuar e duke u
përpjekur më shumë, duke mos u thyer nga vështirësitë, sepse edhe shumë vende
të tjera të botës, kështu kanë punuar e
sakrifikuar, si për shembull Norvegjia dhe Suedia, të cilat sot janë
ndër më të zhvilluarat, në krye të shteteve më të përparuara”. “Humbasim
shumë,- vijon autorja,- po t`i largohemi Shqipërisë dhe trojeve tona, ndërkohë
që është koha të bëhemi bashkë si dikur dhe, në një flamur, të bashkojmë të
gjitha pjesët e copëtuara të trupit tonë të bukur shqiptar”. “Shëtitëm pa u ndalur, - vijon ajo, - pothuajse në çdo
cep të Shqipërisë, por gjërat që i don zemra, syri asesi nuk ngopet me
shiku. Sa herë ndodhem në trojet tona shqiptare, zemra më bëhet mal”.
Duhet të themi se edhe në ato pak
treva shqiptare, që Emineja nuk ka pasur mundësi të shkojë e t`i vizitojë, ajo,
përsëri duke shfletuar literaturë dhe përmes përfytyrimeve realiste, mbështetur
në fakte konkrete, ia ka arritur të përshkruajë me vërtetësi episode, ngjarje
dhe mjedise tërheqëse e të begata shqiptare.
Interesante
janë për lexuesin vargjet e poeteshës Hoti, kushtuar personaliteteve, qyteteve,
krahinave apo ngjarjeve të veçanta, të
cilat ajo i vendos në vendin e duhur, si për të ilustruar apo për të
mbështetur më bukur dhe më fuqishëm ide, mendime apo opinione të caktuara. Këto
vargje, duken si të përzgjedhura në kopshtin e krijimtarisë së saj poetike, apo
dhe të krijuara gjatë vizitave të shpeshta në Shqipëri. Për këngëtaren Vaçe
Zela, zonja Hoti shprehet: “Vaçe Zela yll i pashuar i muzikës shqiptare,/
Zëri i saj embëlsisht na ledhaton e frymëzon,/ Vaçja, bijë e poezisë dhe
këngës gjëmimtare,/Qielli i Shqipërisë ndrit, kur zëri i saj jehon”.Motrat
Qiriazi, poetesha i konsideron: “Pishtare të ndritura të arsimit dhe
diturisë,/I dhatë dritë dhe vlerë të gjithë shqiptarisë,/N`panteonin e kombit
do t`ndrisni ju si yjë,/O shqipe të kësaj toke, o bija të lirisë!”
Mbresëlënëse është dhe poezia kushtuar Andronika Kastriotit dhe dasmës së saj.
Potetesha shkruan: “Kastrioti kryetrim dhe princesha Donikë,/Si Dielli
rrezeartë dhe Hëna plot ndriçim,/U bënë një familje me popullin e Arbërisë,/
Jetës, historisë i dhanë dritë e shkëlqim”. Kurse për kalanë e Gjirokastrës,
ajo krijon vargjet: “Aty çdo gur ka një histori legjendare,/Ai truall kudo
është mbrojtur me jetë,/Në luftërat për liri, kryetrima të betuar,/Në paqe,
njerëz mikpritës dhe me besë”. Për Dyrrahun ajo shprehet: “Dyrrahu,
qyteti antik i Ilirisë,/Si feniksi u ngrit nga zjarri dhe hiri,/ I qëndroi fort
stuhive të shekujve,/Nga stërgjyshi, gjyshi, babai dhe biri”. Kështu mund
të vazhdonim edhe me poezitë: “Kurrë, nuk ndahen Shkup e Shkodër”, apo poezitë
kushtuar Elbasanit, Vlorës, Shkodrës, Beratit, Korçës, të cilat Emineja i
recitonte, së bashku me shkrimtarët e shkrimtaret suedeze, në takime me lexues
në biblioteka, shkolla dhe mjedise të tjera artistike.
Një
informacion të dobishëm lexuesi merr në këtë libër, edhe për objektet e kultit,
për lashtësinë e vendeve të shenjta, për afreskat dhe ikonografinë,
arkitekturën dhe vlerat e tyre artistike, si, për shembull, për kishën e Leusës
dhe të Kosinës në Përmet; për kishën e Labovës së Kryqit në Gjirokastër; për
kishat e Shën Mërisë së Zvërnecit dhe të
Marmiroit në Vlorë; për kishën e Maligradit në Prespë, kishën e Skënderbeut në
kepin e Rodonit; për festimet në ditët e shenjta të Pavarësisë dhe të Çlirimit
nga pushtuesit, për festat e shkollave dhe gjuhës shqipe, për festat pagane si
Dita e Verës etj., sikurse, lexuesi merr një kulturë më të thellë për
monumentin e Pavarësisë dhe të “Flamurtarit” në Vlorë; monumentin e “Luftëtarit Kombëtar” në Korçë; të Bajram
Currit në Tropojë, monumentin “Eksod 99” në Kukës, të Migjenit në Pukë etj.
Ndërkaq, gjatë leximit, emocionohesh dhe përfshihesh nga ndjenja e nderimit për
dëshmorët e gjuhës shqipe Petro Nini
Luarasi, Dhaska Thodhri, Pjetër Budi,
Babë Dudë Karbunara etj;
Interesante
është rubrika “Vlera të veçanta”, ku autorja ka zgjedhur dhe përcjellë informacione, që shuajnë kureshtjen
qytetare si, për ishullin e Sazanit, për gadishullin e Karaburunit, ishullin e Maligradit, ishullin
Franc Jozef, ishullin e Kunës, ishujt e Ksamilit; ndërkohë që pasurohesh me më
shumë dije kulturore dhe shkencore për Gjirin e
Gramës, Shtegun e Çezarit, Shpellën e Haxhi Alisë, Shpellën e Piratëve,
Shkëmbin e Vajës, Pishën Flamur, Ullirin
e Skënderbeut, Kroin e Nënës Mbretëreshë; Lagunat e Nartës, Orikumit, Karavastasë, Kune-Vainit;
por edhe për urën e Mesit, urën e Vashës, urën e Katiut; rrugën Egnatia, rrugën
e Arbërit.
Libri
është i pajisur me fotografi, skica dhe
ilustrime, që e bëjnë atë më të plotë, gjallërojnë atmosferën përshkruese,
portretizojnë tipa dhe karaktere, dokumentojnë mjedise të caktuara dhe kohën e
shkrimeve e përshtypjeve, duke e bërë gjithçka shkruhet më të zhdërvjelltë dhe
më tërheqëse për lexuesin.
Duke
qenë se jam gjeografe, kam përjetuar me emocion shumë skena dhe kam marrë
njohuri kulturore nga ky libër, madje leximi i tij më ka zgjuar mall duke më
sjellë në kujtesë ekspeditat gjeografike, që bënim kur ishim studentë të
gjeografisë, së bashku me shoqet dhe shokët e mi, gjithnjë të orientuar e
drejtuar nga pedagogë të shquar të Universitetit të Tiranës, profesorët e
mirënjohur: Vasil Trojani, Perikli Qiriazi, Selman Sheme, Sabri Laçi, Gjovalin
Gruda, Bilal Braçi, Eqerem Yzeiri etj., të cilët na udhëhiqnin me përkushtim në
ekspeditat tona mësimore, duke na dhënë njohuri të gjera shkencore për pozitën
gjeografike dhe relievin e Shqipërisë, për malet, vargmalet, kodrat, gropat,
fushëgropat dhe luginat kryesore, për
demografinë, për bimësinë, për klimën, për ishujt dhe gadishujt, për
pasuritë minerare nëntokësore dhe pasuritë ujore, për liqenet, lumenjtë,
lagunat, llojshmërinë e kafshëve dhe shpendëve, për detet Adriatik dhe Jon etj..
Duket
se ky libër i ri i zonjës Hoti është fillim i një cikli librash me përshtypje
nga udhëtimet e saj në të gjitha trojet shqiptare, ku, krahas atdheut mëmë,
Shqipërisë, cikli do të vijojë me Kosovën, me trojet shqiptare në Maqedoninë e
Veriut, në Mal të Zi e Çamëri dhe, në vazhdim, edhe për mërgatën shqiptare që
autorja ka vizituar, përfshi mërgatën në Norvegji, Suedi, por edhe në Itali,
Greqi, etj. Duket se ideja e zonjës Hoti është me vlera, sa letrare dhe
artistike, aq edhe informuese dhe atdhetare, si të dojë të nxisë dhe të mbajë
ndezur zjarrin e dashurisë për kombin shqiptar, për vlerat e tij, që nga
ilirët, arbërit dhe gjer në ditët tona.
Si
recensente e këtij libri dhe si gjeografe, i shpreh mirënjohjen time të thellë
kësaj gruaje fisnike, të ditur, të çiltër dhe humane, që i është përkushtuar
tërësisht dashurisë për kombin, duke bërë atë që ajo di të bëjë më mirë, duke
shkruar në prozë dhe në poezi, duke stilizuar dhe qepur veshje dhe kostume
kombëtare, duke i dhuruar ato shpirtërisht, duke përcjellë kështu tek të gjithë
ne lexuesit, vlera të vyera të një zemre të madhe dhe të një shpirti të bukur.
-Per ZemraShqiptare, fillim-dhjetori 2020-