| E hene, 23.11.2020, 09:05 PM |
PORTRETI I MOTRËS TONE
TREGIM NGA RESMI OSMANI
Shtëpinë
e Idromenove në Gjuhadoll, të Shkodrës, e kishte pllakosur zia..Siç dukej, vdekja e kishte
mësuar rrugën për atje. Sefte, babai Arsen Idromeno-Pargalliu, më pas një
ferishte, djali i Kolës që si kishte mbushur dy vjeç, dhe ja tani ajo kishte
rrëmbyer jetën e Antonias, motrës Tone.Trupin
e saj ja dorëzuan tokës së ftohtë në varrezat e Rrmajit, shpirtin qiellit në
amshim, kurse dhimbjen sfilitëse e dërrmuese që u helmonte qënien, e ndryne thellë në zemër. Si e donte zakoni,
pas drekës së mortit në shtëpinë e kunatit Andrea Skanjeti, përcollën miqtë e
dashamirët dhe Kola me t’ëmën , të shoqen Cnën, të shoqëruar nga Lec Gurashi, u
kthyen në shtëpi. Ishin veshur me të zeza. Gjithëçka dukej e zymtë, ngjante
sikur edhe nga muret e shtëpisë pikonte pikëllim e dhembje. Qetësia dhe heshtja
e bënte edhe më shtypëse e të
padurueshme përjetimin. As Cina as Leci, edhe ata të pikëlluar e të vrarë
shpirtërisht, që e shihnin me vështrim gati mëshirues Kolën, nuk folën një
fjalë. Heshtja sido që shtypëse, fliste me shumë se çdo fjalë ngushëlluese, që
do të thuhej për fashitjen e dhimbjes pashërim.
Kola
,me këmbët që i rëndonin si plumb, bëri përpara për në odën e mirë. Në ballë të
vendit, portreti i motrës Tone, e vërente me atë vështrimin e mistershëm,
mendueshëm, si të donte t’i thoshte: “Vëllau im i dashtun, jam këtu, me ty, me
ju.” Kola, me duart që i dridheshin, dhe sytë e mjegulluar nga cipa e
lotëve,duke ofsharë e psherëtirë e mori portretin në duar. Duke ecur si i
përhumbur, e vendosi portretin në syprinën e tryezës veneciane me dru mogani.
Mori shandanin e argjendtë dhe si në një rit të shënjtë u dha flakë qirinjve
për t’i dhënë dritë shpirtit të saj, që ku ta dish, kishte zbritur nga qielli.
I kërrusur nga pesha dërrmuese e dhimbjes, u ul në karrike, përball portretit.
Rrinte i shtangur, dhe ashtu në përhumbje s’ia ndante vështrimin. Botë e
padrejtë, botë mizore. “O zot! Si e more parakohe motrën Tone, ia le fëmijët bonjakë dhe mua të
mjerë? Ajo e vështronte nga portreti sikur diç donte t’i thoshte.Por edhe ai
donte t’i fliste, t’i kallxonte sa shumë
e kishte dashur, sa e shtrenjtë kishte qenë për ‘të e me ç’hidhërim të thellë
ia kishte helmuar jetën, duke i hapur një plagë të pashërueshme, sa të ishte
gjall.
Por
fjalët e tilla të shpirtit të trazuar,vetëm mendoheshin, por nuk thuheshin.
Kurse lotët e gjetën shtegun e syve të lirë dhe
u derdhën vetiu. Ai qau. Lotët i shkonin çurg. E shoqja dhe Leci, që i
rrinin pas krahëve, u tërhoqën ngadalë dhe e lanë të shfrente brengën që i
mundonte zemër e shpirt. Bëri duart
grusht, i vendosi njera mbi tjetrën, mbylli sytë dhe mbi to uli ballin.
Iu
fanit me vegime e laryshi gjithë jeta e shkuar si të kishte ngjarë dje. Ai
kishte lindur një vit pas së motrës.Ishin rritur si të ishin binjakë me
dashurinë përgjëruese të nanës Roza dhe
babë Arsenit. Baba, Arseni, qe ishte fillikat, i ardhur nga Parga e Çamërisë, u
gëzohej fëmijëve dhe i donte si drita e syve , ishte trashëgimi që do të linte
familja Idromeno, në Shkodrën që e priti si djain e vet.Motër e vëlla, përherë
bashkë, hodhën shtat e u rritën.Rendnin bashkë livadheve, fugonin pas
fluturave, gjuheshin me shuka bore dimërit. Tonia gazmore e dashur, kishte zë të ngrohtë, të thellë e tingëllues dhe
këndonte si laureshë këngët e bukura të qytetit të saj. Nisën t’i ftonin në ahengje e dasma, Kola i binte mrekullisht
violinës, si të cicëronin një tufë zogjsh, kurse Tona e bukur, njomzake
këndonte si laureshë, aq sa i magjepste dhe u ngjallte gaz e hare gjindjes
së atyshme. Së pari ata u ndanë kur ai
shkoi për studime në Venedik. Ato tre vite, i mungoi shumë, por ajo i dërgonte
letra plot dashuri e mall dhe i shkruante
për jetën në familje dhe ngjarje të qytetit.
Kur
ai u kthye në shtëpi, Tonia ishte fejuar
me mësuesin, e ardhur në Shkodër nga Trento e Italisë, Andrea Skanjetin. Kola e
njihte Andrean, i kishte dhënë mësime të italishtes. Kur u martuan, Andrea
kërkoi që Tona të vishej allafranga. Paçka se pajën e kishte bërë me Kostume
popullore të grave shkodrane, ajo pranoi. Por pëlqimi dhe pengu i saj ishin kostumet shkodrane, plot ngjyra dhe
qëndizma me ibërshim, gajtanë dhe fije ari e argjendi, që grave ua vinin në
dukje bukurinë dhe madhështinë. Vitet iknin. Në janar të vitit 1883, Tonia
lindi vajzën e dytë. Ishte zakon, që pas të dyzetave të lindjes, nusja të
shkonte për te parë në derë të babës.Tona, me ferishten, një vajzë si ëngjëll i
vogël dhe, e përcjellë nga i shoqi, erdhi në gjini. Me vete kishte sjellë një
boçallëk me veshje popullore. Me ‘to u vesh sa kohë qëndroi në derë të babës.
Ajo , e qeshur, gazmore i dha dritë dhe
gëzim shtëpisë. Në atë kohë, Kola dhe baba Arseni, po ngrinin në avlli prapa
shtëpise studjon fotografike që e quajtën “Dritëshkronja e Kolës”. Në atë vrull
pune, Kolës i lindi dëshira që t’i bënte së motrës një portret, me veshje
popullore, që asaj i pëlqenin aq shumë. Donte që të provonte veten,”Pa le se
ç’piktor ishte!” dhe çfarë dinte të bënte, por
në se e qëllonte, Tonen do ta
kishte përherë në shtëpi. Ajo pranoi.
-Motër
e dashtun,duhet me pozue dit të tana e me pas durim.A mundesh?
-Hiç
mos kij dert.
Për
të pozuar e pikturuar, Kola kishte nevojë të binte dritë e bollshme mbi
modelin, zgjodhi njerën nga odat në katin e dytë me dritaret që shihnin nga
jugu. Hoqi kurtinat prej tantelle nga të
dy dritaret dhe hapi përanash perdet. Drita e artë u derdh ne odë. Tona, hyri e
veshur si për të kremte, me kostumin popullor të grave shkodrane. E freskët, e
qeshur dhe e bukur si një lule shumëngjyrshe pranvere. Kola e vuri të rrinte
ulur në kolltuk, me shikim nga dera. Ajo hodhi mbi krye degreminë e bardhë të
mëndafshtë dhe e la t’i derdhej si ujvarë në shpatulla e pëqi tërë pala të
vogëla.Në krahët e zbuluar, polka kishte ngjyrë kërmëzi të thellë, ndërsa posht
mëngëve dilte mëndafshi i bardhë me ca
vijëzime të tymta i këmishës.Stolitë ishin të thjeshta,vathët që mezi dukeshin
dhe një kryq i vogël në zinxhir të artë e të imtë. Ngjyrat bënin kontrast, por
mbizotëronte e bardha e velit të mëndafshtë. Veshja i jepte solemnitet, madhështi, hijeshi dhe fisnikërinë e një
zonje të madhe. Aty për aty, mendoi se
sfondi duhej të ishte i errët që t’a bënte më të dukshëm dritësimin e figurës
së portretit.
Kola
hapi kavaletin, shtriu dhe karfosi në të
pëlhurën, në një tabaka vuri tubetat e bojrave, furçat dhe paletën.Por si
fillim ai nuk pikturoj. Bëri vizatimin e disa skicave në letër me karbon,
fragmente të ndara të asaj që do të ishte e tëra: kokën, trupin, duart, palat e
velit, pastaj si një e tërë në disa qëndrime. Tona rrinte e qetë, por pastaj
nisi ta humbë durimin. I vëllai ja kishte ndaluar të fliste.
-Për
sot mbaruam.
Tona
i buzëqeshi ëmbël. E kishte lënë të lirë tamam në kohë se e bija kishte nisur
të ksinjej.
Kola
iu kthye skicave mendueshëm duke i përsjellë në duar dhe duke i vrejtur me
kujdes. Si duhet t’a pikturonte motrën? Ai solli ndërmend ikonat dhe afresket
bizantine të kishave, të ngurta, të zymta nga të cilat buronte shënjtëri,
përdëllim , mëshirë dhe dhimbje. Jo.
Tona ishte ndryshe: motër e dashur, e qeshur, që e donte dhe gëzonte jetën, ishte nënë që kishte sjellë në
jetë dy fëmijë. Solli ndërmend pikturat e mrekullueshme të salloneve dhe
galerive të Venecies, të Rafaelit, Donatelos, Lindjen e Venusit, e sa e sa të
tjera, ku bukuria femërore ishte ngritur në kult, gati në kufijtë e mitikes dhe
mistikes, por edhe reale ,të vërteta,tokësore si Mona Liza, ku shpërfaqej
misteri i botës së brendshme. Psherëtiu: ata ishin të paarriotshëm,por ai
kishte ç’të mësonte prej tyre. Sido qoftë, motra Tone duhet të ishte e
vërtetë,ashtu si ajo ishte në jetë, por edhe disi ndryshe. Duke qënë vetvetja,
njëhershe ajo duhet të ishte,një grua shqiptare, e bukur dhe krenare,
qëndrestare dhe heroinë, si mbretëresha Teuta, Nora e Kelmendit, si gratë e
Zalongut të Sulit.
Kola
e kuptoi se, sido që këtë e dinin vetëm njerëzit e shtëpisë, i kishte hyrë me
dëshirë një pune të vështirë. Atë e pushtuan emocione dhe gjendja shpirtërore
me ndjeshmëri të skajshme. Mos vallë ky ishte ai që krijuesit e quajnë
frymëzim? I bënte vetes pyetjen e mundimshme: a do t’ia arrinte vallë? I futi
skicat në dosje dhe dolli për një kafe dhe, mbase haste Nikolla Gurashin(Lecin) , me të cilin e
lidhte miqësi e ngushtë që, të ndante me
të shqetësimet dhe emocionet e punës së
nisur.
Të
nesërmen, qëlloi ditë e kthiellët, por e freskët, natën kishte rënë brymë.
Dielli ndrinte dhe në studion e stisur
për këtë rast, derdhej lumi I dritës së artë që paralajmëronte pranverën. Tona
u ul në kolltuk, po në atë qëndrim të një dite më parë. Kola, i veshur me
përparsen bojqielli të punës, renditi furçat mbi tryezë, shtrydhi tubetat e
bojrave mbi paletë dhe nisi nga puna. Sefte me kryet. Punonte shpejt.Hodhi
konturet, velin e bardhë që mbulonte kryet deri te supet, pastaj nisi nën
ballin e bukur, vetullat e holla që u bënin hije syve, pastaj pikturimi i syve.
U ndal gjatë. Sytë janë porta e shpirtit. Sytë flasin dhe, sytë e Tonës,
rrezatojnë dritën e shpirt të bukur, të dashur e të ndjeshëm,për atë çka është
dhe për atë që ëndërron të jetë.Por shpesh ata janë edhe zhbirues. Ai shikimi
pak anash, enigmatik e i tretur në pafundëesi , si të hetonte diçka vegimtare,
diçka si në pritje të pranverës që po trokiste. Ishte i duhuri. Për pak Kola u
ndal. Duhet të lante furçat. Tona u shtriq, u ngrit dhe filloi të sillej nëpër
studio që të shpinte gjymtyrët. Me zë të ulët por gurgullues e tingëllues si
një zile argjendi, nisi të këndonte këmngën “Kajrafilat që ka Shkodra”. Më pas
me nënqeshje çapkëne e si me shpoti ajo e pyeti.
-E
ke takue Agustinën?
-Jo.E
pse duhet me e takue?
-Leni
ato me motrën.S’ka uzfajë me ma kallzue.
Kaq
mjaftonte.Nuk e ngau më tej.E dinte që i vëllai kishte shtënë merak në Cinën.
Ajo ishte vajzë e bukur, e mençur dhe nga shtëpi e mirë. Edhe Kolës i kishte
ardhur koha për martesë.
I
vëllai i tha të pozonte, dhe ajo mori sërish atë qëndrimin që ai i kishte thënë
se duhet të mbante.
Kola
punoi deri afër dreke. Nga kavaleti e
vërente, portreti i së motrës, ende i papërfunduar, kishte edhe shumë punë për
të bërë, por tashmë ai e kishte arritur ngjashmërinë. Portreti ishte pjesa më e
vështirë e pikturimit.Të tjerat ishin më
të lehta.
Ditët
në vijim ai u mor me duart dhe veshjen.
Kur ishte në Akademi dhe mësuesi u jipte duar për të vizatuar , kishte dëgjuar
se piktori Fransisko Goja u kushtonte
vëmendje të veçantë duarve.Në tabllonë e famshme “Famklja e Karlosit” për 14
portret kishte pikturuar vetëm katër duar! Duart e Tones, të bukura ,me pak
stoli, ai i vendosi që ato të rrëfenin elegancë.Dorën e majtë, me dy gishta e
bëri të kapte velin, për të mbuluar një
çip të fytyrës, por edhe për të zbuluar ëmbëlsinë e bukurisë në sfondin e
bardhësisë së mëndafshit, e për t’a bërë më enigmatike një far droje e misteri
të pa shfaqur, përballë atyre që më pas
do ta sodisnin e që do të donin ta zhbironin e hamendësonin të fshehtën e saj.
Dora tjetër, e stolisur me unaza, e pëthyer në bërryl, me gishta pak të
përthyer, tërheq pak velin që të lenë
të duket veshi me vathin dhe gusha
farfuritëse. Sërish u ndal në fytyrë, ca penelata në hundë dhe në gojën e vogël
dhe buzët e bukura, rrumbullakësia e mjekrës, pakëz e dalë përpara shprehte
forcë vullneti e karakteri.
Pikturimi
i veshjes i mori më shumë kohë sesa e kishte menduar.Jo nga që Tona e kishte
merak, por veshja ishte pjesë e sqimës dhe rrëfente shtresën shoqërore se kujt
i përkiste. U ndal në çdo palë të velit, me hijedritat, si një valëzim që
rrëfente lëvizjen e brëndshme dhe një far padurimi, i dha pak nuance të kafejta
mëngëve të kërkëzta të polkës dhe një të përhinjtë si të tymtë vijëzimeve të
kemishës prej byrynxhiku.Me majën e nje peneli të hollë bëri të dukej zinxhiri
i hollë i artë dhe kryqi.
Portreti
thuajse ishte i përfunduar.I erdhi radha sfondit. E mendoi se duhet të ishte i
errët, në kontrast me dritësimin e figurës, për ta bërë më të dukshme.
Dalëngadal, pa ngutje, përgatiti ngjyrën, e zbuti disi të zezën me pak të
bardhë për të mos qenë shumë e errët dhe
lyeu me ‘të pjesën e pikturës
jashtë portretit.U ndal gjatë dhe po e vërente me kujdes si të mos ishte puna e
tij por e dikujt tjetër dhe ai mund t’i bënte vrejtje. E ndjente se diçka i mungonte,
ishte një gjë fare e vogël, por e nevojshme nga e cila portreti do të
përfitonte shumë bukuri e vërtetësi: drita. Drita që vinte nga jashtë,ajo dritë
që baba, Arseni e kujtonte shpesh kur fliste per vendlindjen e tij, Pargën,
buzë Jonit. Drita e veçantë e artë përzier me të kaltrën e qiellit, që dukej se
e derdhur nga dielli , buronte së
thelli e refkehtohej nga deti dhe, u jipte atë shkëlqimin e nurshëm e të
butë gjithë qytetit dhe kurorave të
ullinjve dhe portokajve. Ishte dhe një tjetër dritë, ajo e brëndshmja që
buronte nga shpirti dhe fekste nga sytë
dhe çdo pore e fytyrës e që i jipte embelsi
bukuri e dashamirësi pamjes dhe qëndrimit. Për dritësimin e parë, mendoi
që t’a zbuste me ca nuance të argjendta ndriçimin e fortë. U desh pak punë e
kohë dhe drita fitoi atë ngrohtësi e butësi që ai deshi t’i jepte. Për të
dytën, i duhej që Tona të pozonte.Ajo kishte shkuar të mendte të bijën. E
thirri dhe ajo nuk mënoi të vinte.I tha të ulej
në qëndrimin e zakonshëm.Ajo u bind pa fjalë.
-Motër,
të lutem, mos u vrenjt, çliroje fytyrën dhe më jep një buzëqeshje.
-Qeshje
apo buzëqeshje?-dhe ajo u ngërdhesh.Pamja e fytyrës u tjetërsua.
-Mos
! – i tha.
-Ishte
shaka- pastaj buzëqeshi, ashtu si dinte ajo, një buzëqeshje e lehtë, e mezidukshme,
që i hijeshoi pamjen, teksa nga sytë e bukur buroi ajo drita plot mirësi e
dashuri.
Kola
e falnderoi dhe e lejoi të
largojhej.Mund të punonte pa ‘të. Me ngut, që të mos i ikte nga sytë ajo pamje
e së motrës, ai hodhi penelatat e duhura. Portreti fitoi cilësi të re. U bë më
njerëzor, ëndërrues, më i dashur, më i afërt, ajo ishte motra Tone, por edhe
disi e veçantë, me fisnikëri , bujari, krenari e dinjitet.Grua e vërtetë shqiptare.
E
mbuloi portretin dhe e la të thahej. Duhej te gjente një suazë të punuar bukur,
që të vinte në dukje vlerat e portretit.
Ndjehej
i çliruar, por i lodhur, disi bosh, si të kishte zbrazur mbi atë portret gjithë
shpirtin, energjinë, dijet dhe talentin e vet.Kishte punuar papra shtatë dit.Aq
sa punoi Zoti për të krijuar botën! U ul në divan që të prehej.Për të, ky ishte
një provim. E kishte fituar vallë?
Të
nesërmen, familjarët, Nikolla Gurashi, kunati Andrea Skanjeti dhe miq e
mikesha, u ftuan të shihnin portretin. Kur ai e zbuloi, u dëgjua një “ah”që
shprehte habi dhe admirim.
-
Sa bukur!
-Mrekulli!
-Tona
dukesh si mbretneshë!
-Të
lumshin duart Kol, që e ke qendis aq bukur motrën Tone!
Shihnin
herë portretin, Herë Tonën.Ajo u ndje në zor dhe purpuri i mbuloi fytyrën e
bukur.
Andrea
Skanjeti nuk po bëzante.Po pamja e gëzuar e fytyrës rrëfente se portreti i
kishte pëlqyer.
-Bukur
Kol, por më mbetesh borxh.Dua një portret të Tones me veshje allafranga.
Kola
ia premtoj.
Tona
nuk mund ta dinte që i vëllai e kishte përjetësuaer në atë portret që do të
mbetej dhe admirohej nga brezat, si “Mona Liza”shqiptare, kurse Kola nuk e
dinte që kishte krijuar të parën pikturë të artit pamor realist në Shqipëri.
Në
këndin e djathtë të portretit, shkroi: Kol Idromeno,23 shkurt 1883.
Tiranë, nëntor 2020.