| E merkure, 18.11.2020, 07:57 PM |
Modeli i urrejtjes së shqiptarit për shqiptarin
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Ndoqa emisionin “Open” të moderators Eni Vasili,
me titull “Pandemia, politika, negociatat, rindërtimi, kryeministri Edi Rama
përballë gazetarëve”, të transmetuar më 12 nëntor. Të ftuar përmes
skaipit (skype) ishin gazetarët-analistë Abilekaj dhe Gjekmarkaj.
Dy gjëra më lanë mbresa të thella në atë emision.
Së pari, deklarata
e kryeministrit Rama, sipas të cilit kushtet në spitalet tona, gjatë
përballimit të pandemisë, nuk paskan asnjë
ndryshim nga kushtet në spitalet e vendeve perëndimore!!! Kjo deklartatë
përcillte një mashtrim të kulluar. Sipas deklaratës së kryeministrit, Shqipëria
“paska të njëjtat standarde jetese, si edhe vendet perëndimore”, ndërkohë që
dihet shumë mirë se çfarë standardi jetese ka vendi ynë. Sepse shëndetësia dhe
arsimi janë dy treguesit kryesorë që shërbejnë për të gjykuar se ku është
standardi i jetesës së një vendi. Pikërisht këta dy tregues dëshmojnë më së
miri se në ç’nivel të mjeruar e ka vendi ynë standardin e jetesës.
Së dyti, urrejtja
patologjike, deri në tërbim, e kryeministrit Rama për doktor Berishën. Me
paturpësinë më të madhe, duke nxjerrë në pah edukatën e vet të shëmtuar përmes
përdorimit të një fjalori të stilit rrugaçëror, ai e etiketoi doktor Berishën “mbeturinë
organike e papërpunueshme”. Ky fjalor rrugaçëror ishte një fyerje e rëndë
për mbarë teleshikuesit me dinjitet personal, për dy analistët e ftuar dhe për
vetë moderatoren Eni Vasili. Normalisht, moderatorja duhej t’i kishte tërhequr vërejtjen
kryeministrit Rama dhe ta paralajmëronte t’i merrte mbrapsht ato fjalë të
turpshme për emisionin e saj, se përndryshe do ta mbyllte atë emision. Por ajo,
çuditërisht, luajti rolin e mumjes mediatike para një kryeministri
gojështhurur, krejtësisht të papërgjegjshëm. Edhe dy analistët, në respekt të
dinjitetit personal, duhej të kishin reaguar ashpër, duke e braktisur
emisionin.
Me fjalorin e stilit rrugaçëror për doktor Berishën,
kryeministri Rama dëshmoi më së miri se ai përfaqëson mrekullisht modelin e
urrejtjes së shqiptarit për shqiptarin dhe e zotëron deri në përsosmëri artin e
një urrejtjeje të tillë. Në këtë mënyrë, ai, si edhe shumë herë të tjera në
sytë e publikut, e vërtetoi përfundimisht se është trashëgimtar i mendësisë së
kryediktatorit Enver Hoxha në shfaqjen e urrejtjes së shqiptarit për
shqiptarin, se ai përfaqëson kësisoj modelin e përçarjes së shqiptarëve, çka
dëshmon në mënyrën më të përkryer se ai i shërben me shumë zell strategjisë së
grekoserbizmit për jetësimin e një përçarjeje të tillë. Fjalorin e stilit
rrugaçëror kryeministri Rama nuk duhet
ta përdorë as kundër Vuçiçit, i cili në paçavurekushtetutën e Serbisë vazhdon
të mbajë nenin për Kosovën si pjesë e Serbisë, e jo më kundër shqiptarit,
kundër bashkatdhetarit të vet, si doktor Berisha.
Si gjithmonë, ajo që u lë vragë të thellë mbarë
shqiptarëve me dinjitet personal dhe me vetëdije kombëtare, është gjendja në
partinë socialiste, të cilën Rama e ka shndërrur në një pellgaçe ndotëse, në
një kalbësirë politike, ku askush nuk ndihet për i gjallë. Kjo gjendje të kujton partinë e punës
apo partinë e dhunës, në të cilën njeriu askush me emrin Enver Hoxha, sillej si
t’ia donte qejfi, sepse mumjekomunistët shqiptarë nuk qenë të aftë të nxirrnin
që në fillim në udhëheqje të partisë një shqiptar me dinjitet të lartë
kombëtar, por lejuan që Beogradi t’u vinte në krye argatin e vet, i cili, në qëndrimin ndaj
shovinizmit serbomadh, nuk kishte as nder as dinjitet.
Fjalori i stilit rrugaçëror, si shprehje e tërbimit të
papërmbajtur të kryeministrit Rama kundër doktor Berishës, dëshmon për dy gjëra
mjaft thelbësore që e turbullojnë keq qenien e tij.
Së pari, Ramën
e bluan përbrenda kompleksi i inferioritetit, çka e shtyn të përdorë fjalë të
rënda fyese kundër doktor Berishës, si kundërshtar politik. Përgjithësisht,
kompleksi i inferioritetit e bën njeriun të papërmbajtur, madje deri në
agresivitet, kundër të tjerëve, për të cilët mendon se ata tallen me të.
Së dyti, Ramën
e bren pa pushim në heshtje frika për humbjen e pushtetit. Prandaj tani ai është në ethe, në gjendje
ankthi, sepse ka 22 vjet që është dashuruar keq me pushtetin. Ai ka dyshim se
nuk është krejtësisht i sigurt nëse pas zgjedhjeve të 25 prillit do ta vazhdojë
ose jo mandatin e tretë si kryeministër. Ky dyshim Ramën e tmerron, e bën
agresiv, e bën të përdorë vulgaritete të pështira leksikore, se, duke ecur në
gjurmët e Putinit në etjen për pushtet, ai nuk e përfytyron dot veten jashtë
ushtrimit të pushtetit politik. A e përfytyrojnë dot shqiptarët se me çfarë
mund të merret Rama, pa qenë në krye të pellgaçes politike me emrin parti
socialiste? A iu kujtohet shqiptarëve se me çfarë u mor askushi me emrin Enver
Hoxha kur e dëbuan nga Liceu i Korçës dhe erdhi në Tiranë? Në kafe “Flora” ai
merrej me kontrabandë cigaresh, kurse historianët mashtrues na e kanë
përshkruar ardhjen e tij në Tiranë, si të dërguar me mision nga grupi komunist
i Korçës, duke na gënjyer pa iu nxirë faqja fare, kur dihej shumë mirë se ai
nuk kishte qenë kurrë anëtar i grupit komunist të Korçës. Edhe Rama. sipas
shembullit të askushit Enver Hoxha, pa kreun e partisë socialiste dhe jashtë
politikës, me çfarë mund të merret? Me kontrabandë ikonash? Se Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë
partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në
Twitter, i ka bërë një pyetje të thjeshtë kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama:
“A jeni arrestuar
dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të
vjedhura?” (Citohet sipas: Poli Hoxha. “4 dëshmi: A
ka qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas
akuzës së Nanos?!”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2019).
Pas këtij denoncimi puiblik, partia socialiste ka
heshtur, organet e drejtësisë kanë heshtur dhe, ç’është më e çuditshmja, vetë
Rama ka heshtur. Deri kur kështu?!