E enjte, 24.06.2021, 06:37 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Rreth asaj votre

E enjte, 12.11.2020, 10:18 PM


RRETH ASAJ VOTER..

Nga Fritz RADOVANI

35 VjET: Mund t’ju duket çudi sësi dy vllazën pa pasë asnjë të keqe njëni me tjetrin për 35 vjet nuk kanë folë kurr bashkë, tue kenë të një oxhaku. Ndokush mendon menjëherë se shkaktarë mund të jenë.., dikush tjetër fajson plakën, dikush kushrinjtë.., por, askush nuk mund të kuptojnë se këta dy vllazën janë dy Klerikë Katolik të nderuem..,dhe, nuk kanë aspak të bajnë me hipotezat e sipërmendueme.

Sikur të lexonim një libër apo të kishim mundësi me pa një film me jetën e këtyne dy vllazënve, në fund do të thonim me vete: “Çfarë fantazije kanë artistat, apo çfarë ideje i ka lindë atij regjizori me sajue me këta dy vllazën, kjo asht fantazi, në jetë nuk ngjet kurr kështu!”

Shqipnia asht shumë e vogël. Shkodra edhe shumëherë ma e vogël! Shtëpija ku asht zhvillue ngjarja as nuk krahasohët me asnjenën, prandej edhe asht e vështirë me u besue se. kjo asht ngjarje e vërtetë e ndodhun, madje, edhe në një Shqipni të izolueme nga Bota, ku njerzit me vështirsi qarkullonin nga një qytet në tjetrin.., se për jashta Shqipnie nuk bahej fjalë fare e, sidomos, për Klerikët as nuk mendohej.

Shkodra dhe historia e saj janë kenë subjekt i shumë ngjarjeve tronditëse, prandej populli i saj me të drejtë krenohet për të kaluemen e lavdishme. Komunizmi sadist everian në Shkoder ka eksperimentue të gjitha thanjet e fantazitë e Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, Everit, Pali Miskës, Hekuran Isajt, Lenka Çukos apo Ramiz Efendisë me shokë.

Lenini në 1922, thonte: “...Të asgjësojmë qëndresën e priftënve dhe të murgeshave me një mizori të tillë që t’a mbajnë mend me dekada të tana!...” Çdo gja që nevojitëj me zbatue këte thanje e ke gjetë në Degën e Mbrendshme të qytetit Martirë të Shkodres, madje, edhe pak ma zi se i ka shkue mendja këtyne “klasikve” të marksizëm – leninizmit apo pasuesve të tyne kriminelë e gjakatarë të pashoq, se aty u grumbulluen sherbëtorët e shovenistëve sllav, fanatikët antikatolikë, të gjitha fundrritë e padijes dhe rrënuesit fshataresk të antiqytetnimit Evropjan Përendimor, që mbartë mbrenda vetës doktrina regresive komuniste, përballë Përparimit t’Atdheut të rujtuna në “Seksionin katolik”!

Ja dhe fakti që vërteton titullin e këtij shkrimi aqsa rrënqethës aq edhe makabër me u mendue se ka ndodhë në një qytet me ma pak se 28.000 banorë në vitin 1946, ku kishte 26 burgje të diktaturës komuniste dhe disa dhjetra hetues terrorist e amoral e kriminel analfabet.

Ngjarja zhvillohet në rrugën Ballabane të qytetit, në shtëpinë e Zef e Çile Jubanit. Nana Çile detyrohet me përballue jetesën tue rrah me orë tezgjahun, për me rritë tre djelmë jetima. Dy prej tyne zgjedhin rrugën e Meshtarisë, Lazri dhe Simoni. Lazri vazhdon Seminarin e Jezuitve dhe kur ishte endè aty, bie në sy pergatitja e Tij serioze si Meshtar dhe si studjues i mirë në lamën e historisë.

Në vitin 1947, në moshen 22 vjeçare e marrin ushtar dhe, asht në pragun e zhdukjes, kur pushkatohet shoku i Tij Don Dedë Maçaj. Pra, Don Lazri atëherë fillon Kalvarin, tue u dënue me 15 vjet burg nga të cilat shumë vite i kalon në burgun famkeq të Burrelit. Mbas 10 vjetësh lirohet nga burgu dhe interrnohet në Gradishtë të Lushnjes, ku qendron edhe 5 vjet tjera aty, deri në vitin 1963.., vit në të cilin lirohet dhe vjen në Shkoder. Në periudhën e “Revolucionit Ideologjik dhe Kultural” të 1967 detyrohet me hy në punë në fermën “Perlat Rexhepi” të Shkodres, ku çdo ditë me biçikletë shkon me fitue “kafshatën e gojës”.., deri me datën  29 Korrik 1982, që vdes i helmatisun nga një shok i punës i quejtun Marleci, kur po hanin bashkë “bukë me djathë” atë mengjez, prej një domatës që i jep shoku i vet. Në spitalin civil të Shkodres, mjekët “nuk dinë me e mjekue”...kështu, në moshën 57 vjeçare Don Lazër Jubani mbyllë “dosjen” e hapun në vitin 1947...si shumë shokë të Tij.

Simoni i vllai, ishte tri vjet ma i ri, le me 5 Mars 1928. Në vitin 1946 kur mbyllet shkolla e Jezuitve nga komunistët nuk mërrinë me e përfundue, kështu punësohet si infermjer pranë dispenserisë qytetit. Aktivizohet me sportin dhe asht ndër futbollistët ma të mirë të klubit “Vllaznia” në Shkoder, por gjatë kësaj kohe ndryshon drejtimin e rrugës së jetës, edhe pse i vëllai asht i burgosun vetëm se ishte Meshtar, Simoni ndjekë mësheftas studimet e duhuna dhe me datën 4 Maji 1958, shugurohet Meshtar nga Imzot Errnesto Çoba. Shugurimi i Tij ishte një pranim me vetdije të plotë i një Martirizimi që do ta ndiqte gjithë jetën. Asnjë pikë mëshire nuk do të kishin terroristët komunist ndaj Klerit Katolik Shqiptar në asnjë periudhë të kenjes së tyne në pushtet, gja e cila ishte e kuptueshme për kedo që ia hynte asaj rrugë. Ndërsa, për Don Simon Jubanin ishte edhe e provueme me vëllain e Tij Don Lazrin, i cili asokohe kalbej burgjesh e kampesh së shfarosjes...

Kur Don Simoni ka lanë Shkodren e asht Meshtar në Mirditë në 1963, Don Simoni arrestohet, dhe kur vëllai i Tij Don Lazri, u lirue nga interrnimi, kështu, Don Simoni i akuzuem, i hetuem, i dënuem, i masakruem dhe i ridënuem, i spijunuem, i dënuem herë dhjetë e herë njëzet vjet, kalon jetën 26 vjet në një nga burgjet historike të komunizmit, në Burrel, ku, Ai aty tashti kishte edhe “birucën e Don Simonit”, e njohun nga të gjithë ata që kanë vuejtë në atë burg...

Lirohet me amnesti të imponueme nga jashtë në vitin 1989. Kishte 7 vjet që Don Lazri kishte vdekë...

Ishin plot 35 vjet që dy vëllaznit Meshtar të një oxhaku nuk ishin takue kurr me njenitjetrin, nuk kishin ngranë një drekë apo një darkë bashkë, nuk kishin asnjë mundësi komunikimi as konsultimi për hallet apo idhnimet e jetes  së Tyne, që filluen në vitin 1947 dhe vazhduen deri në vitin 1989...

Por historia e Don Simon Jubanit nuk mbyllet këtu!

Meshtari “i pabindun” siç, e kanë quejtë komunistët, vazhdon me ecë shpejtë si gjithmonë edhe mbas atij burgu të tejzgjatun...gja e cila, krijon dyshime tek Sigurimi, i cili me 13 janar 1990, në pragun e Asaj ngjarje të madhe që do të lëkundin thëmelët e komunizmit edhe në Shqipni, pikërisht, atë natë Don Simoni do të arrestohet me shumë shkodranë tjerë, që me datën 14 Janar kishin organizue një Demostratë të heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, ku mendohej se “edhe mund të rrëzohej monumenti i Stalinit”, për këte arësye xhelati Zylyftar Ramizi me urdhën të diktatorit gjakatar Ramiz Alia, bani ata arrestime që u pasuen me masakra dhe tortura. Ata, që i provuen me ditë të tana nuk kanë muejtë me u çue në kambë. Por Don Simoni asht i pafaj. Lirohet, ndërsa, organizatorët e Asaj Demostrate dënohën.

Vrasja e Djaloshit Pëllumb Pllumbaj në tentativë arratisje ishte prap një trathti e re mbi ligjin e aprovuem “me gjobitje” për ata që kapën në kufi. Sigurimi shtetit dhe UDB-ja jugosllave vazhdojnë së bashku, lojën e vjetër të mashtrimit dhe të dorzimit të atyne që mund të mendonin me u arratisë. Askujt nuk i shkon mendja se funerali i Pëllumbit të Ri do të jetë një revoltë e Atyne Heronjve që banin mbi sypet e tyne arkivolin e Atij Djali. Posa korteu mërrinë tek komiteti i partisë së Shkodres, shpërthen dufi i një Populli që ka ndrye në zemër për 45 vjet urrejtjën për komunizmin, Ramiz Alinë dhe Nexhmije....Hoxhën dhe, vazhdon thirrja e Atyne Burrave gjatë gjithë Fushës së Çelës, nga Rusi e deri tek vorret e Stom Golemit, ku me arkivol në krah bahën thirrje për rrëzimin e komunizmit...

Mbas kësaj ngjarje në muejn korrik, duket sikur koha po ecën ma shpejtë. Afrohet muej i Purgatorve, Nandori i 1990. Zakonisht në Shkoder asht tregue shumë kujdes për rregullimin dhe zbukurimin e vorreve në këte muej. Siduket, kur i Ndjeri Gjon Kamsi pat mërrijtë me shpëtue nga shkatrrimi Vorrezat e Rëmajt, ka parandi dishka për Atë ngjarje aq të Madhe që do të ngjasin Aty me datën 4 dhe do të pasohet me datën 11 Nandor 1990, tue u ba Dita e Fitorës së Demokracisë në Shkoder, simbol i mbarë Shqipnisë.

Nën një shi e fortunë vjeshte në mes Atyne selvijave të nalta Don Simon Jubani thotë Meshën e Parë, mbas 23 vjetësh të “Revolucionit Ideologjik e Kultural”, që e pat drejtue në Shkoder, “bilbili” i PPSH, Ramiz Alia. Ndonse, në vitin 1985, pak ditë mbas datës 11 Prill kur pat ardhë në Shkoder, pat lanë porosi: “...shoku Enver na la...armiqtë e partisë kanë për të kërkuar për të prishë unitetin tonë...do të kërkojnë për të gjetur mundësinë e realizimit të qellimeve të tyre të këqija ndaj partisë.., prandaj, të jemi vigjilent, sidomos me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë partinë. Ata në këte situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të partisë sonë...por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël mos prisni, por sinjalizoni partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit...”.

Dhe, me të vërtetë nga data 4 Nandor e deri me 10 në darkë, mund të thohet se disa apartamente karrshi Vorrezave të Rëmajit kishin aq arsenale armësh në katët e sipërme, sa ndoshta po të përdoreshin, njerzit që do të vriteshin do t’ishin ma shumë sesa të varrosunit aty në 100 vjet që janë hapë Ata Vorre. Vagona të tanë me sampista e ushtarë..,gadishmeni nr.1 në të gjitha repartet ushtarake të Veriut. Telefoni i Ramiz Alisë për orë të tana të datës 10 të së shtunës, i jepte urdhna sekretarit të parë të PPSH Shkodres Xhemal Dymbyles, sesi me ba gjakderdhje e terror me datën 11 në Rrëmaj, nëse Don Simon Jubani do të guxonte me thanë Meshën e paralajmërueme nga Ai vetë, që me datën 4 Nandor ora 12.00...

Aty nga ora 10.45’ jam nisë me shkue me të gjithë familjen ndër Vorre. Kur ishe tek dera e Vorreve, vërejta shumë Musliman jashta Vorreve të grumbulluem tek dera. Unë për një çast dyshova për ndonjë keqkuptim, përderisa ata ishin në rrugë jashta Vorreve. Njohta një ndër Ata dhe e pyeta se, pse keni ndejë përjashta? Ai më tha: “Ju hyni e shihni Meshë, nëse do të ndërhyjnë forcat speciale dhe ushtarët që janë ndër vagonat e trenit kundër jush, na do të futemi menjëherë mbas tyne dhe do të përdorim armët që kemi në trup dhe mbas këtyne apartamenteve ndër makina...Rrini të qetë se vëllau në ditë të ngushtë njihet, na nuk largohemi prej këtu pa përfundue Mesha..,jemi ma shumë se 500 vetë!”...

Uniteti i Popullit të Shkodres në datën 11 Nandor 1990 dhe, tek Xhamija e Plumbit me datën 15 Nandor, asht Modeli i Vllaznimit të Muslimanve dhe Katolikve Shkodranë, që i bashkonte një Truell i Vetëm që quhët Shqipni, e lame me Gjakun e Martirve të Saj: Ndue Pali, Caf Meta, Paulin Pali, Muzafer Pipa, Kolë Prela, Qemal Draçini, Bardhosh Dani e Mark Cacaj e mija, mija të tjerë që lindën, luftuen dhe ranë Heroikisht të gjithë bashkë po, pranë Atyne Vorreve, ku ishin Betue mbi gurët e Tokës Nanë Shqipni.

Rinia e sotme Shkodrane, duhet të përulet me Nderim para gurve të Zallit të Kirit dhe, të mundohet “vetëm” me rikujtue: “Pse vdiqën së bashku Këta Vëllazën Shqiptarë?!..”

Kurr mos harroni thanjën e një filozofi të madh Shqiptar, At Anton Harapit: “Lumninë e jep deka, Kunorën e ven Vorri!..”

Me 11 Nandor edhe Don Simon Jubani mbi Ata Vorre vuni një Kunorë dafinash! E.., unë e pashë tek dy Çinarët me sytë e mijë Atë Burrë me dorë të drejtueme nga një gropë e hapun që në 1945 në Rrëmaj, kur, i tha komunizmit:

“Hi ke kenë e, hi ke me u ba!...”

Po, po, Aty, bash Aty, ku lindi dhe u ruejt përjetësisht: “Liria, Vllaznia dhe Demokracia Shqiptare”...

Melbourne, 11 Nandor 2020.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora