| E diele, 08.11.2020, 04:00 PM |
Nga
Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot,
mbas sa vjetësh:
Studjuesin
e madh...
Prof.Dr.
Eqrem Çabej
Analiza për Epikën e
Poetit kombëtar At Gjergj Fishta… (Pjesa I)
I
rrënjosur thellë në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak, për t’u
kthyer gjithmonë rishtas atje, Fishta fuqitë e tij njerëzore e poetike i thithi
prej kësaj toke. Atje te godinë e dytë e Kuvendit, që ndodhet jashtë qytetit të
Shkodrës, ku pemë të lashta japin një qetësi të ëmbël, atje jetoi jetën e tij
dhe përgjoi frymëzimet e qeta të zânavet. Ai nuk qe asish shkrimtarësh jo aq të
rrallë në Ballkan, të cilët më të shumtën e jetës së tyre e kalojnë nëpër
qytete të mëdha të viseve të huaja. Ai qe një nga ato natyra të cilat ngrihen e
rriten dalëngadalë prej qarkut të tyre. Në këtë qe një bir i vërtetë i polemit
(popullit) të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ai u bë, në një
tjetër kuptim sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë.
Këtij
themeli të përbrendshëm të qenies së tij erdhën e iu shtuan elemente të jashtme
që e ndikuan (influencuan) edhe këto drejtimin e veprës së tij. Sëpari dega e
fratit qe ajo e cila e bëri, për sa rrojti, predikues në kuptimin më të mirë të
fjalës. Sikurse burri e frati dinte e tërhiqte me fjalime frymëplotë, ashtu
poeti me fjalën e tij plot besë i dëftoi kombit të vet vlerat etike të tij dhe
ndjenjën kombëtare që po lindte…
Por
dega kishtare pati ndikim edhe mbi punën e tij letrare, në zgjedhjen e lëndës
së veprave.
Përveç
kësaj duhet përmendur këtu një shtytje e jashtme letrare. Kjo është poezia
sllave jugore e shekullit të 19 të vonë e sidomos vepra e françeskanit boshnjak
Grga Marti? (1822-1905), të cilën poeti e njohu në vend vetë; kjo i shërbeu si
një farë modeli. Sikurse ata shkrimtarë po këndonin jetën e fiseve sllave
jugore, që janë shpesh herë gjiní me fiset shqiptare të Veriut dhe që kanë
shumë herë po të njëjtën mënyrë jetese me këto fise, kështu deshi dhe poeti ynë
të bëjë diçka të njëjtë në vend të vet. Themelin e përbashkët poetik e jepte
ndjenja epike e jetës, ndjenjë e cila në pjesën dinarike të Sllavëvet jugorë
dhe në Shqipëri, posaçërisht në veri të saj, është aq e gjallë sa në pak vise
të Europës; kështu poeti, i shtyrë edhe prej temperamentit të tij, u drejtua
medoemos nga poezia epike. Në lidhje me këto nuk është ndofta një hasje e kotë
që kryevepra e tij quhet Lahuta e Malcís sikurse vepra e Njegošit Gorski
vijenac (Kurora e Malit), duke theksuar që të dyja këto vepra në titullin e
tyre elementin mal. Nuk duhet atëherë të çuditemi kur te poeti shqiptar dhe te
poetët sllavë gjejmë motive, figura e situata që ngjajnë ndërmjet tyre: si këtu
dhe atje në të njejtin situacion poetik poeti thërret “vashën e malit”, më
njerën anë zânën, më tjetrën vilen.
Njerëzit
ecin shpesh mbi të njëjtën fushë shpirtërore, trimëria është gjëja më e madhe e
kësaj bote, dera rri gjithmonë e hapur mikut dhe jeta patriarkale sundon
gjithkund në familjen e madhe. Po, edhe nëpër gryka e male dalin po të njëjtat
hire. Gjithë këta rrjedh nga që kemi të bëjmë me të njëjtën racë dinarike, e
cila rron te ne endé shqiptarisht e atje në trajtë të sllavizuar. Shohim pra se
dhe në literaturë na del përpara po ajo që ndodh me poezinë popullore sllave
jugore e shqiptare, të cilat kanë lidhje të brendshme të ngushtë ndërmjet tyre.
Kjo botë nuk mund të jetë krejt sllave, sepse u mungon për një pjesë të madhe
Sllavëve të tjerë; e kanë së bashku Shqipëria Veriore e Jugosllavia dinarike
(Bosnja, Hercegovina, Mali i Zi.) Do të ketë dalë nga një simbiozë e lashtë sllavo-shqiptare.
Mund të kemi të bëjmë këtu me nënshtresën ilire, që mjerisht nuk njihet mirë e
që me rekonstrukcione mbrijmë ta depërtojmë vetëm copa-copa, nënshtresë që
vazhdon të jetojë me një veshje shpeshherë të sllavizuar. Një term si “Njeriu
malazias” i Gerhard Gesemannit nuk ka të drejtë të ekzistojë më vete e i
izoluar, po qe se e vrejmë siç është edhe e drejta, në një lidhje të tillë më
të gjerë. Kurse fise malazeze tipike si Kuçi, [Piprri Palabardhi –
Bjelopavloviq] e Vasojeviqt është treguar se para jo shumë brezave kanë qenë
Shqiptarë, atëhere per analogiam na dalin pikëpamje të reja përmbi gjenezën e
fiseve sllave jugore, lidhje historike interesante me fiset shqiptare dhe
përfundime me rëndësi për lindjen e të dy poezive popullore. Nuk mundemi të
hyjmë këtu më thellë në këtë çështje. Vetëm nxjerrim këtë, se te reminishencat
sllave të Fishtës kemi të bëjmë më fort me një model, me një zgjim, me një
shtytje, me një të hequr të vrejtjes drejt pasurive të njëjta te vatra e vet
sesa me një ndikim poetik të thellë. Një herë i zoti i vetvetes, poeti rrahu me
fuqit’ e veta e gjer në fund atë rrugë që pat filluar sëpari.
Më
1905 dolën pesë këngët e para (bleu i I) të kryeveprës së Fishtës Lahuta e
Malcís, vitin tjetër bleu i II me katër këngë.
Ai
vazhdoi e punoi përhera më te dhe e botoi më 1937 në formë të plotë me 30
këngë. Qe her’ e parë që një poet po përpunonte jo më epopenë kombëtare
tradicionale të Skënderbeut, por ngjarje nga historia më e re e Shqipërisë. Ajo
kohë e ndritur e historisë shqiptare pat frymëzuar para tij dy shkrimtarë.
Jeronim de Rada (1814-1903), i dalë nga kolonitë shqiptare të Kalabrisë, e pat
madhëruar atë kohë me mallin e të mërguarvet e në frymë romantike, me stil
baladesk e në disa pamje epike të konceptuara nganjëherë madhërisht e që kanë
pak lidhje midis tyre. Te këto Skënderbeu vetë del vërtet rrallëherë në shesh,
por ze me gjithë këtë vendin qendror, rreth të cilit grumbullohen figurat e
tjera. De Rada duke u mbështetur në këngët e moçme historike të Shqiptarëve t’Italisë
që patën ikur nga rreziku i Turkut, pat dashur të rindërtojë një epos të
Skenderbeut dhe ta mbushte me fytyra historike e të trilluara burrash e grash,
të ngjallte kështu sërish një kohë heroike. – Njëkohësisht me de Radën në
Itali, në Shqipëri një tjetër romantik u përpoq të përbluajë këtë lëndë: Naim
Frashëri. Mungesa e pikave kulmore epike, përpjekja për një fill historik të
paprerë të kallzimit e bëjnë veprën e tij, e cila mban titullin karakteristik
Istori e Skënderbeut, më shumë një histori në vjershë sesa një epos. Naimi nuk
qe lindur për poet epik dhe ndikimi i poezisë perse qe bash i përshtatur për ta
bërë veprën e tij disi të gjatë. Përveç kësaj, qëllimi i këtij idealisti të
madh, në një kohë kur Shqiptaria jashtë Atdheut po luftonte për çlirimin e
Kombit prej zgjedhës turke, nuk ka qenë krijimi vetëm i një vepre arti. Arti u
merrte për diçka më shumë, për një vepër etike-kombëtare, për lartësimin e
zgjimin e shpirtrave me anën e shembëllit të naltë të trimit të kombit. E këtij
qëllimi poeti ia mbriti më së ploti. –Përveç kësaj një epos i Skënderbeut
duhesh a priori të dështonte, sepse një largësi e madhe, plasa e çarë nga
sundimi i gjatë turk, e ndante tashmë shtatin e heroit dhe kohën e tij prej
ndjenjës së re të polemit, dhe vetëm në kohët e fundit ai është ringjallur mirë
te kjo ndjenjë.
Këtu
do të qëndrojë midis së tjerash edhe një shkak i brendshëm, që edhe veprat
epike me një ethos aq të lartë të de Radës e të Naim Frashërit u desh të
thyheshin më së fundi te natyra e kompleksit të lëndës.
Këtu
fillon Fishta me instinktin e drejtë të poetit. Ai mjaft të zhytej në histori
të kombit për të mbushur plot të dy duart. Këtu po luftonte një popull vërtet
ndryshe simbas fiseve e krahinave, por duke dëshmuar gjithkund e gjithmonë
mblacën e njënjëjtë etnike. Në qoftë se nuk ka ndodhur më kot që burri më i
madh i historisë së këtij kombi është një luftar, këtij kombi iu desh të
tregohej edhe në sjelljen historike më të vonë të tij i denjë për atë burrë.
Por atëhere do t’u çfaqte përhera dhe anonim poai shpirt që pat frymëzuar dikur
Kastriotin për veprat e tij. Ky shpirt vlente atëherë të këndohej prej një
poeti kombëtar: ky poet doli me Gjergj Fishtën. – Andej detit, në Siqeli, një
tjetër krijoi një vepër kësodore. Zef Skirói (1865-1927) ka kënduar te poemi te
dheu i huaj jetën epike shqiptare qysh prej kohëve të lashta të ngurimit te
ndërtimi i Kalasë së Shkodrës, nëpër kohën ilire e nëpër kohën e Skënderbeut
gjer te mërgimi i Shqiptarëvet për në Itali e duke zbritun gjer te Ali Pashë
Tepelena.
Fishta
zgjodhi për lëndë luftat drejtpërdrejt të gjalla të çlirimit nga gjysma e dytë
e shekullit të kaluar dhe nga fillimi i këtij shekulli gjer te lufta e
Ballkanit dhe te konferenca e Londonit, në të cilën u njoh pavarësia e
Shqipërisë (1913): shkurt pra kohën para dhe pas kongresit të Berlinit, i cili
në mospërfillje të plotë të së vërtetës i bëri të padrejtë këtij kombi të
vogël. Simbas vendimit të këtij kongresi këndi veriperëndimor shqiptar duhej
t’i jepej Malit të Zi. Mirëpo për atë që mësëfundi e pranoi Perandoria Osmane,
nuk deshën të dinë gjë një grusht malësorësh dinarikë; këta deshën më mirë të
kundërshtojnë. Këto ngjarje dhe të tjera kësodore të një natyre më shumë lokale
përbëjnë bazën historike për veprën epike të Fishtës. Merita e tij artistike
është sesi ai bëri prej kësaj një epope kombëtare. Kjo epope nganjëherë i kalon
kufitë e shqiptarisë, duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos
ballkanik: përbri Shqiptarëvet dalin Malazestë, të cilët poeti i bën të rrojnë
e të lëvizin krejt si Shqiptarë, Osmanët luftojnë, për të ruajtur Gadishullin e
Ballkanit, me Rusë, me Sllavë të Ballkanit e me Shqiptarë, gjersa pas luftës
ballkanike dëbohen nga ky truall. Gjeneralët e mëdhenj të ushtrisë turke të
asaj kohe na dalin përpara. Historikisht drejt dhe me ndjenjë psikologjike të
hollë na përshkruhen edhe intrigat e diplomacisë europiane.
E
gjithë këto të shikuara nga pikëpamja naive e Malësorit, çka i jep veprës
tërheqjen e veçantë të një primitiviteti jo të kërkuar. Kështu mbretërit
europianë janë, simbas besimit të Malësorëve, “të shtatë krajlat”: ata mbajnë
mbledhjet e tyre sikurse Malësorët në kuvend, dhe flasin në gjuhën e thjeshtë
të këtyre.
Përsa
i përket arkitekturës së jashtme të saj, Lahuta e Malcís, e cila përshkruan
luftat e dy brezave, nuk është një vepër krejt e njënjënjtë me një veprim të
vetëm të madh që ta përshkonte nga kreu e gjer në fund. Ajo është më fort një
varg këngësh epike, prej të cilave çdo grup përshkruan një ngjarje historike.
Ndërmjet është ndërlikuar nga ndonjë këngë e vetme, e cila përshkruan një
episod të vetëm që qëndron më vete, ose na largon e na shpie në botën e larme
të përrallave, kështu që te ky poet bota e vërtetë dhe bota mbitokësore
përzihen lirisht me njera-tjetrën.
Po
të krahasojmë formën e parë, shumë më të shkurtër, të veprës me trajtën
definitive të vitit 1937, shohim përpjekjen e poetit për të shtrënguar disi
lidhjen e dobët ndërmjet këngë e këngë, herë duke ndruar rrjetin e parë të
këngëve, herë duke shtuar këngë të reja të krijuara më vonë, për të mbushur
kështu plasat e para e për të dhënë një pamje më të plotë. Vepra ka fituar
kështu mjaft në rend historik dhe në njësi veprimi. Të kishte rrojtur Fishta më
shumë, do të kish shtuar ndofta, në këtë kuptim, edhe këngë të tjera. Por në
themel nuk ka qenë qëllimi i tij të krijojë një poem me një veprim kryesor të
vetëm dhe me një hero kryesor. Sepse përbri heroit të këngëve të para Oso
Kukës, në këngët e vona spikatin trima të tjerë: Ali Pashë Gucija, bajraktari i
Hotit Dedë Gjo’ Luli, patrioti i Jugut Abdyl Frashëri, sokolesha Tringa dhe të
tjerë trima – trimi plak Marash Uci i këngëve së para na del rishtas në mbarim
të veprës – sëfundi gjithë polemi i Malësisë është heroi anonim i veprimit
epik.
Vepra
e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipërisë, ajo nuk do
t’ishte çka është pa rrojtjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund
të kuptohet pa njohur vendin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi
poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikëruar të artit. Sepse vepra e tij u
bë pasqyra besnike, fytyra e kthjellët e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë
së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruajë gjer
sot jeta shqiptare. Poemi i bëri për vete gjithë këto sub specie aeternitatis
dhe përbën pra, përtej artit, një dokument etnografik të jetës shqiptare.
Kësaj
i përshtatet edhe forma e përjashtme e poemit, stili i të cilit është burrnor e
i vrazhdë, gjuha kokërr e larg çdo ëmbëlsie të tepëruar. Shprehja gjuhësore
është krejt e njëllojtë me të folurit e malësorit, dhe mund të merret si gjuhë
e posaçme e një shtrese luftarësh. Kemi të bëjmë këtu me një gjuhë letrare të
krijuar prej poetit vetë, e cila si e tillë është gjuha e naltë, por
njëkohësisht gjuhë popullore, e njëjtë me gjuhën e përditshme. Kjo është
karakteristika e këtij stili epik të veçantë, krijuesi i të cilit është Fishta:
te ky stil do të mbështetet medoemos, me hir a me pahir, çdo krijim a përkthim
epik i paskëtajmë në gjuhë shqipe, e sidomos në gegërishte.
Si
ka vepruar poeti me lëndën e tij? Fishta ia nisi njëherë nga trualli i vet më i
ngushtë: nga Malësia e Veriut me qendër simbolike Shkodrën, atë qytet të lashtë
të Shqipërisë që pat qenë në kohë të moçme kryeqyteti i një mbretërie ilire dhe
ka formuar edhe në historinë e mëpastajme të vendit një qendër rëndimi. Për
spikatjen e veprimit, një prapaskenë e tillë plot traditë ka patjetër rëndësi
kryesore. Grumbullin epik të poemit e përbëjnë Dinarikët e vrazhdë të këtij
vendi, nga mesi i të cilëve dalin dalngadal trimat kryesorë. Themelin shoqëror
e formon fisi me jetën e përditshme të tij, siç na çfaqet te Kanuni i Lek
Dukagjinit mbledhur prej të ndjerit Atë Shtiefen Gjeçovi. Kjo është jeta e
familjes së madhe të pandarë me pushtetin atëror (patria potestas), jeta e
ndarjes së punës, e prerjes së flokëve të fëmijës, e mikpritjes dhe e vëllamisë
(probatinisë) së shenjtë, e nderimit ndaj pleqve, jeta e besës, besë burri dhe
besë fisi. Është një jetë lufte me armët përhera në brez, me t’u ruajtur
përgjithherë nga armiku, me marrje të gjakut ose me gjak të blerë ose të falur
bujarisht, me nderim trimash, me këngë kreshnikësh e me ligje (vajtime). Nuk na
takon t’i përflasim poetit që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë
njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej
tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve
shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të Jugperëndimit
(Labërí). Gjithkund këtu sundon, ku më fort ku më pak, jeta fisore dhe Kanuni i
pashkruar.
20 Dhjetor 2019…
Vazhdon Pjesa II.
Shenim: Botimit nuk i asht ba
asnjë ndryshim nga origjinali.(F.R. 2020)
Botuar
së pari më 1941, në bleun Gjergj Fishta, dalë me rastin e vdekjes së poetit,
nën kujdesin e revistës “Shkëndija”. Shtypun në Shtëpinë Botonjëse “Luarasi”
Tiranë.
Melbourne, 4 Nandor
2020.