| E hene, 02.11.2020, 11:50 PM |
Tridhjetë vjet nga MESHA E PARË në Shkodër!
Nga dom
Anton Kodrari
Hymje!
Tash dy mijë e kosur vjet, tue përjashtue pushtimin
otoman, pa u dridhë qerpiku as’ifije, secili njeri me arsye të shëndoshtë
mundet me pohue se periudha mâ e errët e kombit shqiptar kje instalimi i
regjimit totalitar komunist.
Qeverisja Enveriane ishte nji diktaturë e endun simbas
kategorive politike dhe shpirtnore të përsonalizueme të diktatorit dhe të
klikës së tij bashkëqeverisëse, tanë t’nji rodi e t’nji mentaliteti, që as
gabimisht nuk iu përgjegjte principeve komuniste të prof. Zef Malës, që i pari
e pruni komunizmin si doktrinë filozofike e politike në Shkodër e ndoshta edhe
në Shqipni, e as principeve të doktrinës politike të Marksit e Engelsit (barazi
mes klasave shoqnore të kohës: proletariatit që kishte të vetën veç forcën e
krahëve dhe kapitalistave/borgjezia që kishin në dorë mjetet e prodhimit), por
veç traditës dhe antropologjisë kulturore prej kah i rridhte ashti e lëkura,
nji traditë krejt ai suoi generis, me gjasë e trashigueme prej t’parëve
të tij. Zoti e din nëse nga trungu apo lisi i tamblit!
Poligoni kryesor i shprazjes së armëve ishte Kisha
Katolike, jo katër muret e saj, por të pagëzuemt, e shënjestra kryesore Kleri
Katolik. Për ironi të fatit poligoni dhe shënjestra e komunistave përkonte
njiqid për qind me atë të turqve. Rastësi apo…? Zoti e din!
Po pse pikërisht Kisha dhe Kleri?
Kjo pytje për kê e ndigjon s’parit ngjallë kureshtje për
me njoftë të vërtetën, e për të tjerët që e rindigjojnë ngjanë si pyetje
retorike, tue kenë se gjithkush që e njeh sadopak historinë âsht i
ndërgjegjshëm se meshtarët katolik, asokohe, ishin bashkësia e vetme që mujte
me e kundërshtue diktaturën, tue kenë se pjesa mâ e madhe e tyne ishin të
formuem në universitetet mâ të mira të botës dhe e njihnin doktrinën komuniste
me dhambë e rrëmbadhë. Prej studimeve të tyne filozofike dhe teologjike apo
edhe prej letres enciklike ‘Divini Redemptoris’ -që i pari i fesë, Papa
Pio XI kishte publikue në 1937-, e dijshin se diktatura komuniste do të mohonte
Zotin dhe të drejtat ontologjike të njerit.
Pak muej përpara instalimit në tokën tonë, martiri i
fesë, dom Ndre Zadëja gjatë një homelie në kishën e Shirokës u tregonte
besimtarëve se çka do t’i gjente në kjoftë se do të pranojshin ideologjinë
komuniste:
“Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos
me ju, o të rij. Nji ré e zezë me nji ideologji të kuqe po vjen mi kokat tueja.
Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i
bâ, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se perveç të zezave të tjera që ka,
ajo mohon edhe Zotin”.
Pra, me i râ shkurt, ashtu siç na e tregon edhe dom Ndreu
me këto fjalë, e kundërshtojshin ‘rénë e zezë’ tue kenë se ishin të vetëdijshëm
se një doktrinë e tillë në pak ditë mund t’i impononte personit njerëzor me
forcë mohimin e relacionit personal me trashendenten -ashtu edhe si realisht
ndodhi në 1967 - e me imanenten (më vëllanë, prindin, shokun e dashamirin) tue
e zhveshë prej vlerave të patjetërsueshme njerëzore, konaturale, që në ngjizjen
e tij në krahnorin e nânës, e ta kthente në nji vegël mekanike të kurdisun prej
partisë për të kënaqun qellimet egoistike të diktatorit. Rrjellimisht në këtë
mënyrë shkatërrohej sakrifica dhe puna dy mijë vjecarë e tyne në formimin e
fizionomisë kulturore, tabanit shpirtnor dhe identitetit kombëtare të
shqiptarit e automatikisht fabrikohej njeriu i ri komunist, pa temel (Krijuesi)
e pa shtyllë kurrizore (Kombi).
E njimend edhe kështu ndodhi, sepse krejt pak kohë mbas
fjalëve profetike të poetit të ambelsisë, në nandor 1944 e ashtuquejtuna
qeveria e parë ‘fallco’ demokratike popullore në Shqipni, me kryeminister Enver
Hoxhën, hyn në Tiranë e mbas mâ pak se nji muej nisë përsekutimin e
pamëshirshëm mbi Kishën dhe Klerin. Në
dhjetor 1944 arrestohet dom Lazër Shantoja; me 4 shkurt 1945 arrestohet dom
Ndre Zadeja; me 4 mars pushkatohen pader Gjon Shllaku, pader Danjel Dajani,
pader Giovani Fausti, seminaristi Mark Çuni e të tjerë katolik shekullar, nji
ditë mbrapa pushkatohet në Tiranë dom Lazër Shantoja e me 20 shkurt 1946
pushkatohet mâ i madhi antropolog shqiptar, pader Anton Harapi, e via
discorrendo me meshtar e laik tjerë.
Këto e të tjerë meshtar nuk kishin frigë me u flijue për
Shqipni, akt që e kishin bâ edhe sivëllazënt e tynë në prezbiterat disa herë
gjatë rrjedhës së shekujve në tokën Ilire, sepse besojshin ngultësisht në
vërtetësinë e fjalës së Krishtit drejtue dishepujve të tij: “Ja, po ju
dërgoj si delet mes ujqërve, […]. Ruhuni nga njerëzit, se do t’ju dorëzojnë
nëpër sinedra dhe do t’ju fishkullojnë në sinagogat e tyre. Do t’ju tërheqin
zvarrë për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para paganëve. […]
vëllai do ta dorëzojë vëllanë që da dënojnë me vdekje e babai të birin. Bijtë
do të ngrihen kundër prindërve dhe do t’i çojnë drejt vdekjes. Të gjithë do
t’ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do
të shpëtohet” (Mt 10,16-23). Këto pesë rreshta të ungjillit janë sinteza mâ
e saktë në nivel historik dhe shpirtnor e dyzet e pesë vjetëvë komunizëm: delet
mes ujqve, në këtë rast, simbolikisht identifikohen me meshtarët që u
denuen prej vëllazënve të tyne nëpër sinedrat (gjykatë) e partisë; paganët
janë ata shqiptar që i ranë mohit Zotit, vëllaut, prindit, mikut e dashamirit; ata
që qëndruen deri në fund janë tanë ata meshtar e laik që pranuen me vdekë e
mos me i râ hasha fesë Krishtit e atdheut. Sot, shêjtja Nânë Kishë, memorien e
tyne e ka përjetësue në liturgjinë e saj dhe emnat e tyne që tashma janë pjesë
e qiellit i kremton në sofrën e flisë eukaristike; besimtarët lypin dhe i
besohen ndërmjetësisë së tyne e kombi i jonë i njeh dhe i pranon si dëshmorë të
atdhedashtunisë.
Martirët tonë e deshtën Zotin dhe kombin mâ shumë se
jetën e familjen e tyne të gjakut, i deshtën aq shumë sa edhe në fjalët e
mbrame nuk mujten me e nda binomin: Zot - Shqipni:
“I vetmi faj që i njoh vetes, âsht
se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”;
“I fali ata që më kanë bâ keq. Jam
kondend se po vdes i pafajshëm mâ mirë se fajtor”;
“I fali të gjithë ata qi më kanë
gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë”;
“I falim anmiqt tanë.Shqipnia nuk
vdes me ne”;
“Rrnoftë Krishti Mbret. Rrnoftë
Shqipnija”.
Këto kolos të kombit dhe të kshtenimit, për sa kjen
gjallë, me sa forcë që kishin e denuen doktrinën komuniste me të gjitha
implikacionet e saj në shoqninë shqiptarë e në rendin botnor, por kurr nuk e
denuen njeriun komunist n’sa krijesë e Zotit e n’sa vëllau i tyne; denuen
mëkatin e jo mëkatnorin, përkundrazi mëkatnorin e falën me tanë shpirt e ia
dorëzuen mëshirës së pakufishmë të Atit qiellor, e sot prej lumnisë
ndërmjetësojnë për kthimin e tyne e për paqë, dashtuni e vëllazënim në mes
krejt popullit të vuejtun shqiptar.
Tregohet nëpër Shkodër, se në vitet e para të demokracisë,
dikund kah rruga para kishës se Fretenve në Gjuhadol, rastësisht pader Anton
Luli takon hetuesin e tij, nuk më kujtohet emni. Zotnia, në atë çast që sheh
pader Antonin largohet me vrap prej turpit me i dalë përpara klerikut të
vuejtun, që me duert e tij e kishte shtí në rrugën e Kalvarit. E pader Antoni,
me nji pervujtëni të pashoqe nget me vrap mbas tij për me e ndalë e me folë me
tê. Kur takohen, kleriku me thjeshtësinë dhe butësinë kristiane i drejtohet: “Unë
të kam falë, por lypi falje edhe Zotit”.
Rreshti i internimeve, burgosjes dhe pushkatimeve të
klerikëve katolik dhe musliman, e po ashtu i besimtarëve te të dy përkatësive
religjoze âsht i gjatë dhe mbyllet veç në vjetin 1990 me vrasjen e malësorit
Pllum Pllumi, që djemt e Shkodres trupin e tij e mbajtën mbi shpatulla tue
përshtegtue nëpër rrugët e qytetit për me e çue e me pushue në pagjë bashkë më
martirët tjerë, ndër vorre t’Rrëmajit.
Shumë klerikë u pushkatuen e vdiqen nëpër burgje, por
shumë tjerë e patën hirin e Zotit që mbas kalvarit shumë vjeçar me i pështuë
plumbit të kuq e me gëzue lirinë e fesë e me i pa kishat e çiluna, këtë hirë të
veçantë e patën:
Dom Simon Jubani, Dom Zef Gila, Dom Loro Nodaj, Dom Frano
Ilia, Dom Zef Simoni, Dom Luigj Kçira, dom Mikel Koliqi, dom Ernest Troshani,
dom Ndoc Nogaj, dom Nikóll Mazrreku, dom Martin Trushi, dom Kolec Toni, dom
Luigj Kola, dom Ndrekë Krroqi, dom Ndoc Ndoja, dom Pashko Muzhani, dom Njac
Dema, dom Jak Zeka, pader Viktor Volaj, pader Aleks Baqli, pader Leon Kabashi,
pader Konrad Gjolaj, pader Zef Pllumi,
pader Kostandinn Pistulli, pader Shtjen Pistulli, pader Dioniz Maka, pader
Robert Ashta, fra Salvator Hajmeli, pader gjergj Vata SI, pader Anton Luli SI.
Këto burra ‘rrnuen për me tregue’: se njimend, gjaku i martirve, vuejtjet e
fëmijëve të pafajshëm, lotët e nânave e sakrificat e etenve tonë nuk kanë shkue kot por janë pranue prej Zotit
si dhuntia mâ e bukur që populli shqiptar i ka bâ ndonjiherë Krijuesit të
gjithësisë. Ky gjak, këto vuejtje, lot e sakrifica u banë gur temelit për
demokracinë e vërtetë që më kalimin e ditëve -si thoshtë dom Simoni- u
shndërrue në demonkraci.
Enveri, mbylli kisha e xhami, burgosi, interrnoi e
pushkatoi meshtar, hoxhallarë e laik, përdhosi istrumentet e kultit, shkatërroi
gjuhën shqipe, futi ngatërresa e konflikte mes familjarëve, tjetërsoi
ekzistencën e individit, por kurr nuk mbërriti me zhgulë fenë e dashninë për
Zotin prej shpirtit të shqiptarve, sepse kjo fe mbahej gjallë e ushqehej prej
gjysheve tona që mbi bukën e mbrueme bâjshin shêjën e kryqit, që nëpër festa
ndeznin qirat në nderim të shêjtit, e në darkë vonë, mbassi kishin rahatue
fëmijët, puthshin fuguret e recitojshin rruzarën e Zojës. Si Enveri, si Hitleri
e si shumë diktatorë tjerë gjatë historisë së njerëzimit që u munduen me e
shkatërrue Kishën Katolike tashma janë të kalbun e të dekompozuem e shpirti i
tynë Zoti e din ku mund të ketë përfundue, kurse Kisha Katolike sot e kësaj
dite qindron në kambë e fortë e ngallnjimtare, sepse gur kandit ka Krishtin e
Ringjallun e gurë tjerë që mbështeten mbi gurin e kandit ka martirët e fesë,
pleqt e plakat, fëmijët, të rinjtë gratë e burrat e Shkodres që janë dishmi e
gjallë e fesë dhe personifikimi i t’mirës që gjithmonë ngallnjen mbi të keqen.
Enveri e bashkëpuntorët e tij i denuen meshtarët dhe
hoxhallarët me vdekje, tue mendue se bashkë me ta po denojshin edhe vetë
Krijuesin, e tue andërrue edhe ata si
Cezari i Romës apoteozën e krijesës e kushtimin e flisë kultuale (mëkati
i Adamit e i Evës përsëritet), por si ka pa thanë dom Simon Jubani, dritë i
baftë shpirti: Zoti nuk denohet me vdekje, e kje pikërisht ky klerik i
madh që bashkë me popullin e Shkodres këtij postulati të thellë shpirtnor i
dhanë vërtetësi me 4 nandor 1990 në fushë të Rrëmajit, bâsh njaty ku rrëmohet
ndërgjegja e i treguen komunistave se ‘nji Zot i vetëm në botë sundon, e ky Zot
s’ka pasë fillim e as kurr s’ka për t’pasë mbarim’.
MESHA E PARË ME 4 NANDOR
Për me kuptue randësinë e Meshës së Parë në Shkodër që
mblodhi tanë shqiptarët pa dallim fejet e bindjet politike tue i dhanë nji herë
e përgjithmonë il colpo di grazia regjimit komunist, duhet
s’parit me njoftë kontekstin historik botnor të atyne viteve dhe me lakue edhe
faktorët tjerë botnor që ndikuen në përmbysjen e kulshedres s’kuqe.
Michail Gorbacev në vjetin 1985 nisi ndryshimet e mëdha
ekonomike dhe politike në vendet e ish bllokut komunist; në vjetin 1989
Hungarezët duelen prej gardhit të hekurt e nisën me emigrue drejt Austrisë; me
10 nandor 1989 kujtojmë shembjen e Murit të Berlini; në Çekosllovaki, Hungari,
Poloni, Bullgari u mbajtën zgjedhjet e lira që i dhanë fund komunizmit një herë
e përgjithmonë e në Rumani gjatë
protestave të Revolucionit të vjetit 1989 u ekzekutue diktatori, Nicolae
Ceausescu. Në këtë kontekst duhet të integrohen edhe ngjarjet e Shqipnisë, tue
u nisë prej te vizita e Nanë Terezes në gusht 1989 dhe takimi i saj me Ramiz
Alinë; demonstrata e 14 kallnduerit në Shkodër dhe hjekja e bustit të Stalinit
prej qëndres së qytetit (demonstrata e parë antikomunistë në Shqipni); 13 dhjetor 1990 revolta e studentave të
Universitetit Luigj Gurakuqi; meshtarët që kryenin shartet fetare (mbarështimin
e sakramenteve) nëpër shtëpija dhe besimtarët katolik që në ditët e para të
muejit kushtue shpirtnave të burgatorit kishin shkue ndër vorre me kujtue të
parët e tyne me uratë, lule e qira të ndezun.
Tana këto janë ngjarje me frymë fetarë dhe atdhetare i
paraprijnë Meshës së Parë me 4 nandor, që i dhâ grushtin mâ të fortë komunizmit
dhe i kthei lirinë e demokracinë Shqipnisë.
Me 4 nandor disa djem të ri që banojshin rreth e rreth
vorreve kishin shpërthye derën e lumnisë të mbyllyn me hekura prej komunistave,
e tue kenë së fillë mbas atij veprimi shumë të guximshëm, ndër vorre shkuen
disa besimtar për me pa çka u bâ e për me kujtue edhe të afërmit e tynë të
vdekun; në këtë atmosferë të përzieme prej gëzimit e trishtimit për nji çast te
tanë menduen se janë në andërr, se pa pritë e pa kujtue u shfaq nji hyll
dritët, që i shdriti ato vorre me dritën e
Krishtit të Ringjallun tue kremtue Meshën e Parë që mbas mbylljës së
kishave me dekret të shtetit. Dom Simon Jubani e ky grup i vogël besimtarësh
kremtuen e morën pjesë në të parën Sofër Eukaristike që u shtrue në atë fushë
ku rrëmohet ndërgjegja e e secilit besimtar.
Ja si e përshkruen dom Simoni këtë ngjarje historike: “Kjo
datë u rregjistrue nga nji shofer i thjeshtë, Mark Murana që krisi në derë teme
me datën 4 nandor 1990, ora 9 para dreke dhe më tha: “Populli asht mbledhë nder
vorreza e po të pret për Meshë.” […] Bana gadi shpejt çka i kishte
shpëtue kontrolleve dhe sekuestrimeve në shtëpinë teme gjatë 26 vjetve:
Mesharin latinisht, nji stolë, nji kelk, nji purifikues, nji korporal dhe nji
kryq. Kur mbërrijta nder vorre, Marku që kishte shpinë aty afër solli nji
tavolinë të zakonshme e nji shtrojë mbi të cilën vendosa çka nevojitej për
Meshë të improvizueme.”
Në fund të homelisë dom Simoni trimnisht, si apostulli
vertetë i Krishtit i njoftoi besimtarët e pranishëm se me dt.11 nandor, në orën
12:00 do të kremtohej përsëri Mesha ndër vorre, ajo Meshë që populli i Shkodres
e njef si Mesha e Madhe.
“Me 4.11.1990, te varrezat katolike
te qytetit të Shkodrës, ka patur grumbullime njerëzish për rite fetare.” (nga
raporti i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, i datës 12.11.1990, dosja 1241)
Ky grup i vogël besimtarësh që kishin hy tixash ndër
vorre e që patën hirin e veçantë me kenë të pranishëm në banketin e Krishtit të
Ringjallun, me zemrën plot me ndjenjat antinomike të frigës dhe të trimnisë, të
gëzimit e të trishtimit, -ashtu si Maria Madalenë-pa pritë pa kujtue u gjinden
para faktit të kryem: ishin bâ apostujt e parë të lajmit të mirë nëpër rrugat e
qytetit të Shkodrës e dishmitarët e parë të mrekullisë:
“Të verbrit po shohin përsëri dhe të
çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të
vdekurit po ngjallen dhe të varfërve po u shpallët ungjilli. Lum ai që nuk
humbet besimin në mua”.
Paradoksalisht për logjikën njerëzore vorret janë simboli
i vdekjes, i trishtimit, i humbjes, i pa kuptimit, i kalbjes, dekompozimit, i
errësinës e i misterit, por realisht vorret e Rrëmajit në këtë rast na e
vërtetojnë të kundërten, - ndër këto vorre lulëzoi shprsesa e shqiptarve
e këto vorre u banë dishmia mâ e fortë e
ringjalljes dhe e jëtës- atë çka na e tregon edhe vetë Bibla-Fjala e
Zotit, se vdekja për të Krishtënin âsht veç nji shteg i pashmangshëm përmes së
cilit duhet për me kalue në jetën e pasosun.
DITËT NDËRMJET 4 DHE 11 NANDORIT
Mbas kremtimit të Meshës me 4 nandor shtëpija e dom
Simonit kundruell pyjorës u mbush me besimtarqë vijshin pa prá prej të katër
anëve të qytetit për me e falenderue e për me i shprehë e gadishmërinë e tyne
për me organizue Meshën e Madhe. Të marten 6 nandor në nadje ka ora 09:00 dy
polic paraqitën në shtëpinë e dom Simonit dhe i tregojnë se duhej të paraqitej
menjëherë në degë.
“Policët në fytyrë dukeshin se e kishin për nderë që
po ecshin me mue midis tyne dhe ndërronin me mue ndonji fjalë miqësore mbi
ngjarjet e ditëve të kapërthyeme, të ndezuna flakë me gjithfarë episodesh,
tensionesh por që ma e randësishmja ishte Mesha e Parë, edhe atyne ju dukte nji
fat, fatbardhësi sepse e zbuste pak dramen ku po kalonte vendi” (Mesha e
Parë, fq.45).
Mbassi dom Simoni del prej degës ku kishtë folë me
kryetarin e degës Çapajev Taçin dhe me shefin e policisë Dilaver Papare, të
cilët e kishin ndalue rresptësisht me thanë Meshënn e datës 11 nandor, bâsh sa
kalon pragun e derës ndeshet me djemt shkodranë (dukagjinas e malësor),
dishepuj të Krishtit, që po e pritshin jashtë për me e mbrojtë apo si thotë
vetë dom Simoni ‘me i bâ apolgjinë’, të cilët të trimnuem prej Shpirtit Shêjtë
që i kishte mbushë me zëmrat e tyne me dashtuni e fé i shprehin atij
gatishmëninë e tynë për me organizue Meshën e parë. Dom Simoni -ashtu si
pohojnë edhe shumë dishmitar të atyne ditëve e që konfirmohet edhe në raportin
e sigurimi që gjindet në dosjen nr.1241.- tue pasë frigë së edhe ndokush prej
tyne mund të vrahej, tue kenë se ishin tanë djem trimaloça e plot me energji,
ju kërkon me shkue e me marrë lejë në DPB (khr.Mesha e Parë, fq 49) e ndër të
tjera ju drejtohet me këto shumë atnoree
baritore: “unë nuk kam hallin
tem se jam meshtar, por hallin tuej se jeni të ri e s’due me iu marrë në qafë”.
Ndër ato ditë herë mbas herë dom Simoni vazhdonte me ju kerkue nëse e kishin
marrë lejën, por djemt guximtar tue kenë se nuk kishin mbërritë me u marrë vesh
me të sigurimit e tue kenë se e kishin nda mendjen me e kremtue Meshën me çdo
kusht u justifikoshin tue paraqitë gjithfarë aryesh, ja si e përshkruen vetë
dom Simoni ketë realitet:
“Djelmt kishin frikë se unë po
merzitem dhe po e braktisi Meshënn, prandej me rrejshin sepse kur ja u
kerkojshe lejen me thonin se na e japin të djelën.”
(Mesha e Parë, fq 49)
Ndërkohë që komunistat silleshin rrugëve të qytetit,
Shkodra mobilizohej për ditën e madhe, e dom Simoni strehohej nëpër familjet katolike
të qytetit, ndër të cilat qëndroj deri në ditën që u kremtue Mesha e Madhe.
Ndër këto familje përgatiti paramentat, vazot e shêjta dhe pretkun e Meshës. Në
të njajtën kohë në anën tjetër, dishepujt e Krishtit punojshin ditë e natë për
me organizue kremtimin e darkës së Zotit.
Ato ditë vorret e Rrëmajit ishin shndërrue në nji kantjer të madh
punimësh: dikush prente selvia për me rindërtue çatinë e kapelës, dikush
sjelltë fugure të mshehuna për vite me radhë nëpër bodrumet e shtëpijavet,
dikush u merrte me ndërtimin e kryqave, dikush djetër lyente muret me gëlqere,
dikush me instalimet elektrike, dikush me ndërtimin e elterit e shumë e shumë
punë të tjera që u banë ndër ato ditë të bekueme për Shkodrën e për mbarë
kombin. Ia vlen me u përmendë edhe shumë gra, murgesha të veshuna civile e
shekullare, që në ato ditë shkuen me pastrue vorret e me bâ provat për me
animue me muzikë e kangë kishtare liturgjinë e dt.11 nandor: motër Adelajde
Pashkja, Marie Pali, Luçe Shkodra, Angje Vjerdha, Luigjina Leka, Neta Pali, Ana
Daja, Luigjina Ternaku, Gjyzepina Lazri, Tili Gjonaj, Antonjeta Gjoni, Gjystina
Shahini, Gita Gjergji, e po ashtu duhet me u përmendë edhe bujaria e madhe e
familjeve të krejt Shkodres, tue kenë së gjatë këtyne ditëve dikush prej tyne
sjellte nji grusht gozhda, dikush nji thes me çimento, dikush tjetër karrocën e
dorës, lopatën, kazmën, dikush sjelltë bukë e ujë për punëtorët, e kështu me
radhë. Kjo ishte symfonia mâ e bukur natyrale e Shkodrës tash 30 vjet, symfoni
që shpërthente prej shpirtit të shkodranëve të vuejtun dhe si temjani naltohej
drejt qiellit, e atje bashkohej edhe me zânin e të gjithë familjarëve të vdekun
e të martirve të krishtënimit që prej qiellit merrnin pjesë në gëzimin e
familjarëve tyne të mbledhun në fushë të Rrëmajit, tue shprazë mbi kryet e
secilit kelkun me bekimet e Krishtit të kryqëzuem. Në këto vorre femijë, burra,
gra e pleq u banë nji trup e nji shpirt i vetëm, e kjo ndoshta kje edhe
mrekullia mâ e madhë që Mesha e Madhe i bani peshqesh besimtarve katolik të
Shkodrës me rrethina. Ja si e përshkruen vetë dom Simoni organizimin që bahej
në ato ditë:
“Edhe ma interesant se puna e jeme
ishte kantjeri i ndërtimit i të rijvë, ku ishin angazhue katolikë, musliman,
ortodoks, karpentjerë, bojaxhi, elektreçista që gjatë asaj jave të paharrueme
nuk shkonin as në shtëpjat e veta, po hanin, pinin dhe flenin në kantjer për të
përshpejtue restaurimin e Kapeles së djegun gjatë epokës komuniste, edhe pse
gjoja e ruejtun me ligjë (Mesha e Parë, fq. 49)”
Nji pjesë e këtyne burrave vullndetarë e vullndetmirë që
ndër ato ditë kontribuen me shumë devocion në nji mënyrë apo në nji tjetër,
kjen: Paulin Bregu, Arben Bregu, Zef Kola, Palë Nika, Gjovalin Çekini, Ton
Bluda, Primo Ballçiti, Bruno Pali, Nin Mirashi, Mark Murana me familje, Kolë Çekini
me vëllazën, Angjelin Muzhani me vëllazën, Lush Kaceri me vëllazën, familja
Tonin Hilës, Zef Buka, Lec Tarragjati, Njac Shahini, Valentin Preçi, Gjokë
Vata, Gjenarin Topalli, Kolë Beka, Karlo Luka, Rrok Bardeli, Valentin Deda,
Marjan Kepi, Zef Gjoni, Gac Cepi, Gac Pici, Zef Nenshati, Kolec Sermi, Zef
Kiri, Agostin Mhilli, Ndue Gjoni, Lec Preka, Fred Bardeli, Lin e Ndoc Vuci,
Valentin Vavaci, Baltazar Pistulli, Bernard Temali, Marjan Leka, Biç Thika,
Frederik Temali, Ardian Shllaku, Paulin Shllaku, Zef Nenshati, Zef Kiri, Paulin
Qarri, Sokol Drasati, Ferdinand Hila, Kolec Ashiku, Ndrekë Haxhari, Karlo Çefa,
Nush Radovani, Vlash Berloka, Paulin Shllaku, Adrian Shllaku, Marin Mari, Marin
Shestani, Luixh Thika, Simon Pjetri, Marjan Kepi, Sander Kepi, Tonin Alia, Tomë
Lisi, Gjovalin Zefi, Kolë Mani, Angjelin Nenshati, Uiliam Skota, Paul Palushi,
Buldazer Pistulli, Sokol dhe Bepin Kokquku, Eduard dhe Aldo Telumi, Alfred
Preçi Ardjan Sukaj, familja Krepi, Roland Prela, Arjan Radi, e shumë e shumë të
tjerë, që tue mos jua ditë emnat nuk mundem as me i shkrue në këtë artikull të
shkurtë, por jam i sigurtë se emnat e tyne janë të shkruem më shkrola të arta
në librin e Zotit-Atë.”
E pikërisht këtyne burrave, pak para se me nisë Mesha e
Shêjtë, dom Simoni ju drejtohet tue i kërkue përsëri nëse e kishin marrë lejën
në DPB, e tue e pa se nuk kishin mujtë me e nxjerrë lejën, atëhër si bari i
vërtetë shpirtnor e si bir i Gjergj Kastriotit pa iu dridhë qërpiku aspak me
shpirtin plot gëzim ju drejtohet tue u thanë:
“Lejën na e dha Zoti e populli i Shkodres që na
përkrahi”.
MESHA E MADHE ME 11 NANDOR
Mbas Meshës së Parë me 4 nandor, ndër vorre të Rrëmajit,
u kremtue Mesha e Madhe Publike me 11 nandor 1990 po ndër këto vorre, përsëri
prej klerikut trim që kishte vuejtë për 26 vjet në burgjet e regjimit, dom
Simon Jubanit. Po atë ditë të 11 nandorit dom Frano Illia, meshtari tjetër i
përvujtë që kishte kalue shumë vite të jetës së tij në birucat e ferrit
komunist në orën 09:00 kremton Meshën e Parë në rrenojat e kishës së vjetër të
fshatit Juban. Siç tregohet në Shkodër, arsyeja që dom Frano e kremton Meshën
pak mâ parë ishte e dyfishte, në njënën anë me tërhjekë sadopak vemendjen e
sigurimit prej organizimeve që po baheshin në fushë të Rrëmajit dhe në anën
tjetër me ju dhanë mundësinë besimtarve të Jubanit me marrë pjesë në Meshën e
Madhe në Shkodër.
Për organizmin madhështor dhe të përkryem që u bâ atë
ditë po citoj tekstualisht dekretin e dt.12 nandor 1990 (marrë nga dosja 1241):
“Në këtë ceremoni fetare nga ana
jonë u konstatuan këto probleme; qënë hyrje të varrezave ishin caktuar njërëz
për ruajtjen e biçikletave të personave që vinin për këtë ceremoni fetare. Po
ashtu edeh te dera e varrezave kishte roje (djem të rinjë) që mbikëqyrnin në
heshtje njërëzit që hynin atu. […] Në këtë ceremoni kishte pjesmarrje të madhe
njerëzish nga fshati, qyteti, që shifra e tyre mund të jetë 3-6 mijë vetë të
moshave parashkollore, të rinjë e deri te moshat e thyera. Kishte edhe njerëz
me të mbeta fizike. Gjithashtu në këtë pjesëmarrje kishte edhe shumë persona të
fesë myslimane. Ambienti i kishës ku do të zhvillohej ceremonia fetare ishte
pastruar dhe regulluar për ritin fetar. Aty ishte vendosur një çati dhe një
jryq me përmasa të mëdha, disa ikona të ndryshme, qirinj të ndezur me shandanë,
altari me të gjitha pajisjet fetare dhe të zërit. Në ambjentet e kishës kryenin
sherbime të ndryshme nji grup prej 30 vetësh të moshave 25-40 vjeç”.
Populli Shkodres kishte organizue gjithshka në detaje;
atë ditë nuk mungonte asgja, dér edhe kumona duel prej dheut; nji palë
paramenta të blerta i kishte sjellë pater Shtjefen Pistulli, e dikund mbas nji
kolone të kapelës qëndronte pater Rober Ashta, që në rast se vritej dom Simoni
të shkontë në lter dhe të përfundonte Meshën, e asnjëni prej këtyne fretenve s’ishte
marrë vesh me dom Simonin. Por, kjo ishte njimend provania e Zotit e mrekullia
që vetë Zoja e Shkodres kishtë përgatitë për popullin e Shkodres e për Kishën
Martire Shqiptare.
Me gjithshka materiale gati e sidomos me predispozicionin
e shpirtit të etun për me ndigjue fjalën e Zotit, dom Simoni, me tanë popullin
e Shkodrës për krah e me djemt e vigana qe e rrethojshin e nisi Meshën tue jue
drejtue të pranishmëve me këto fjalë solemne që veç nji apostull i Krishtit
mund t’i thotë (fjalë që do të mbahen
mend gjatë prej të pranishmëve e do t’u trashigohen edhe brezave të ri):
“Vllazën dhe motra! Le t’i kujtojmë
për nji minut në heshtje të gjithë këta të vdekun që kemi ndër këto varreza dhe
të gjithë ata vllazën e motra tona që kanë ra për nji Shqipni europjane gjatë
këtyne 46 vjetve të shkueme. Në vjetin 1443 kur heroi ynë kombtar, Gjergj
Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe e përshëndeti
popullin shqiptar me këto fjalë: ‘ Lirinë nua jua solla unë, por e gjeta midis
jush’. Unë i padenjë për këtë misjon po ju tham se fenë nuk jua prun unë, por e
gjeta të ndezun ndër zemrat tueja. Se kjo fe ka kenë gjithmonë e flakët ndër
zemrat tona e dëshmon ardhja e juej sot në këtë Vend të Shëjtë prej katër anëve
të Shqipnisë për me adhurue, për me falenderue, për me lëvdue të Madhin Zot për
këtë mrekulli të madhe që po shofim sot me sytë tonë. Se ky besim ka kenë
përherë i ndezun në shpirtnat tonë e verteton restaurmi i kësaj kishëze
vorrezash ku kanë dhanë kontributin e vet me punë e me të holla edhe vëllaznit
tonë musliman e ortodoks.” (Mesha e Parë, fq.59)
Atmosferën e këtynë ditëve mâ mirë se kurrkush e
përshkruejne disa nga vetë dishmitarët e pranishëm në atë ngjarje; këtyne Zoti
ju dhashtë shëndet e të tjerve që kanë ndërrue jetë i madhi Zot ju faltë
lumninë e Parrizit.
DISHMI
“Në fund të tetorit 1990, këta, për
të paralajmërue shkatrrimin e ateizmit, shpërndanë në të gjitha rrethet nga nji
delegacion. Në rrethin e Shkodres për të përgatitë aparatin shtetnor se në të
ardhmen religjonet do të lëhëshin të lira u dërgue Adil Çarçani. Tue kenë se
Shqipnia nuk ka shtet që prej 1944, sekretin e mbledhjes që zhvilloi Adili, e
nxorën si gjithmonë vetë anëtarët e partisë, anëtar partije prej leverdije. Kur
e morën vesh edhe katolikët e Shkodres se në të ardhem do të lihej e lirë Feja
u mori flakë fantazia, paralajmin e kthyen në fakt të kryem dhe sendergjuen
lajmin e mirë se gjoja Adili paska thanë; “Muslimanët le të falen kësaj të
premte në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ortodoksët të meshojnë në Vrakë, kurse
katolikët kanë kapelen e vorreve të vjetra” (që në atë kohë ishte e djegun).
Sihariqi u përhap në të gjithë Shkodrën. Te dhandrri hanë e pinë, e nusja gja
nuk dinë. Ndërsa me 4 nandor në Shkodër shkruhej nji datë e paharrueshme, as
Policia e Shkodrës, as Tirana, as Vatikani s’kanë dijtë gja. Ndodhë shpesh
gjatë historisë që dëshirat, ma të parealizueshmet, ngjarjet ma të rëndësishme,
që duken të pamujtuna, i organizon Perëndija me njerëzi e thjeshtë dhe më këso
shembujsh e kemi plot Biblën dhe Historinë e Kishës”.
(Dom Simon Jubani, Mesha e Parë, ed.Camaj-Pipa,
Shkodër 2000, fq. 34)
“Unë i quejtuni Mark Pjetër Murana lindë me
dt.09-03-1935 në Shkodër, banor në lagjën Skenderbeg, me dt. 4 nandor 1990
sëbashku me vëllanë tem, të ndjemin Zef Murana ndodheshim në oborr të Pallatit
të Sportit, sot Kisha e Madhe, kur pa pritë e pa kujtue më drejtohet nji djalë
i ri që nuk e njihshe, tue më thanë se janë mbledhun disa persona të varrezat
katolike. E unë nji as dy i thashë, mos u shqetëso se shkoj vetë dhe e marr dom
Simon Jubanin në shtëpinë tij dhe e bi te vorret. Shkuem bashkë me dom Simonin
te kapela e vorreve, e shpejt e shpejt sigurova nji tavolinë për me vendosë
materialet e Meshës. Atë ditë koha ishte me shi e friga prej regjimit ishte e
madhe, kështu që i qëndrova pranë dom Simonit tue i dhanë besimin dhe sigurinë
për me çue Meshën e Parë në Shqipni dhe në qytetin tem, Shkodër. Ishin mbledhë
dikund 30-40 persona. Mbasssi u çue Mesha e Parë, mes frigës dhe terrorit
komunist që ende s’kishte përfundue e mora dom Simonin dhe e strehova në
shtëpinë teme. Ditën e dytë e shoqnova në nji banesë tjetër, të kushërinjtë e
mi, aty qëndroi për disa ditë, mbrapa dom Simoni shkoi dikund tjetër por
s’mujtën me e mbajtë, tue i pohue së e kanë të pamujtun me e strehue nga friga
e burgut. U detyrova që ta kthej edhe nji herë te kushrinjtë e mi deri me datën
11 nandor të po atij vjeti që u çue edhe Mesha madhështore tek kapela e vorreve
katolike. Zef Gjoni, Rrok Bardeli, Zef Kiri, Tonin Alija për të sigurue jetën e
dom Simonit e morën dhe e çuen për të kremtue Meshën e dytë. Gjatë kësaj
periudhe unë bashkë me femijët e mi Leonard dhe Rodolf Murana e shumë të tjerë
të cilët i nderoj dhe i falenderoj, por për arsye të moshës teme 86 vjeçare nuk
i mbaj mend emnat, kemi punue ditë e natë për të rimëkambë atë çfarë ka kënë e
shkatërrueme e jena mundue me e mbrojtë dom Simonin edhe tue vu në rrezik jetën
tonë.”
MARK MURANA
“Vutjeve për të mos pá Meshë dhe për të mos u lutë ndër
kisha, po u vinte fundi.... Pa u bâ e madhe u hap fjala ndér popull që me dt. 4
nandor Dom Simon Jubani do të kremtonte Meshë tek kisha e Vorreve Katolike. Si
nên za u mblodhem, ishim rreth 50 persona, shumica e të cilëve ishim vetë ne që
në ditët mbrapa do të organizonim Meshën e 11 nandorit. Mbas dt. 4 nandor
vullnetarisht populli u mblodh per pastrimin dhe rregullimin e kishës, mbassi
komunizimi e kishte kthye në gërmadhë. Besimtarët kontribuan me aq mundësi sa
kishin në rindërtimin e kishës duke punue ditë dhe natë me shumë sakrifica,
kurse në krahun tjetër rregjimi komunist vrojtonte çdo levizje tonën (më
kujtohet nji rast kur mikrobuzi i sampistave rreth orës 02?? të
mëngjesit erdhi brenda në kishë, dhe nji prej policëve ndërhyri për të ndalue
punimet, donte të terhiqte litarin e këmbanës, dhe aty për aty nderhyni njëni
nga organizatorët e shumtë që ishim aty, Rrok Bardeli tue i thanë: " Mos e
prek me dorë, sepse me nji të rënë të këmbanës, k’tu mblidhet e gjithë Shkodra
".) Ditën e premte, 2 ditë para se t’u jepte Mesha e Madhe me dt. 11 nandor
1990, shefi i degës kishte derguar fjalë që t’u paraqitshim në degë 4 pjestarë
nga ne që ishin organizator tue tentue me bâ presion për ndalimin e
përgaditjeve për Meshën e Madhe. Takimi nuk u bâ kurr nga ana jonë mbassi e
dinim që synimi i tyne ishte që të na bllokonin ne dhe pastaj gjithë popullin.
Të dilën, me11 nandor 1990, rreth orës 09??
filloi grumbullimi i popullit, besimtarë nga të gjitha fetë, ishin të shumtë në
numër, u flitte që janë dikund te rreth 50 mijë vetë, po pritej ardhja e Dom
Simon Jubanit për celebrimin e Meshës. Jashtë ishin shumë roje të sherbimit
civil të shikut, në fshehtësi në rrugicat afër varrezave mbërrinë me një veturë
i shoqnuem nga Zef Gjoni. Nga aty e kanë marrë përsipër dërgimin e tij përmes
turmës deri tek elteri, Rrok Bardeli dhe im vëlla, i ndjemi Pal Çekini. Ne
kishim marrë masat që edhe po t’i ndodhte diçka Dom Simonit, Mesha mos të
ndalohej dhe për zevëndësimin e tij ishte i gatshëm pader Robert Ashta. Policia
e pa të pamundur me ndërhye për shkak të numrit të madh të pjesmarrësve në
meshë. Mesha u kremtue,e popullit të vuejtun shqiptar iu kthye liria e
besimit!”
KOLË ÇEKINI
“Fjala merr dheun. Të gjithë
vrapojnë me shpërnda lajmin “Në Shkodër ka ardhë Mesia!” Si dikur, ndër
katakombe njerëzit nuk besojnë, shumica kujtojnë se janë në andërr. Ka shumë që
nuk harrojnë fjalët e Shën Tomës: “Unë, pa e pa Don Simonin me sytë e mijë tue
thanë Meshë, e pa vue dorën ndër plagët e tija, që i kanë hapë komunistët në
trupin e tij, NUK BESOJ!” Të gjithëve u dukët se ndër dyer përgjohen nga
xhullinjët e shekullit të elektronikës, të gjithë me lot ndër sy pranojnë: “Kjo
asht mbrekullia!” Edhe pse shiu vazhdon me ra, rruga e Ballabanës edhe njëherë
u këthye në pjacë. Turma, turma, të rijë, pleq, sakata e qorra që kanë lind
mbas datës 19 mars 1967, ditë në të cilën në Shkodër nuk kishte ma asnjë Kishë
të hapun dhe që, nuk kanë pa Dritën e Qillës tue shndritë në fëtyrat e tyne
nëpërmjet fjalës së Ungjillit, drejtohen kah Rrëmaji dhe me të vërtetë të
gjithë besojnë se: “GJAKU I MARTIRËVE TË FESË DHE T’ ATDHEUT ASHT FARA QË SOT
KA BIJTË, KATOLIKË E MYSLIMANË, TË VRAMË SË BASHKU NË ZALLIN E KIRIT, TË LIDHUN
DORADORËS, SOT THËRRASIN: BASHKOHUNI VËLLAZËN SHKODRANË, SI NA KËTU QË KEMI
VDEKË PËR LIRI DHE DEMOKRACI TË VËRTETË!” Amanetin e mban toka, thonë
shkodranët. Filloi rindërtimi i Kapelës. Ato selvia të vogla, fidanat që dikur
mbillte Nikolin Muzhani, tashti u banë trupa me mbulue çatinë e djegun. Një
kantjer i vogël ndërtimi që ruhej nga qindra të rinjë ditë e natë për mos me u
përsëritë dhunimi. Futej ndonjë gjips me spijunët e Partisë, por përgjegja
ishte vetëm një: “Na leni rahat të vazhdojmë punën tonë... !” Çakiçi rrahte pa
pushue tue ngulë gozhda. Karroca me llaç e gëlqere shkarkoheshin në sheshin
para Kapelës. Të gjithë muratorë, të gjithë hamaj padallim Feje, të gjithë
elektricistë e bojaxhijë, për me zbukurue tempullin e rindërtuem nga RINIA.
Vetëm ndër dy vende nuk fikej drita as ditë as natë, në Rrëmaji dhe në
Komitetin e Partisë. Vetëm ndër dy vende ka roje të vazhdueshme, ndër vorre dhe
në Sigurim, ndërsa, agjentët janë përhapë në gjithë qytetin: “ Kush e gjenë ku
asht Don Simoni?” por, askush nuk flet... dihet se nuk asht i arrëstuem po, ku
asht nuk dihet! Asht data 10 nandor, ora 19.00. Terr. Nata ka fillue por pak
kush asht ndrye ndër shtëpia, gjithë Shkodra asht dyndë ndër vorre. Janë fikë
dritat. Tre djelm të fortë janë tek kulmi i faqatës së Kapelës. Njeni duket si
Krishti, ka në krah një Kryq jo druni, po hekuri, ashtu si e pat edhe Shqipnia
për 50 vjet; tjetri të duket se po e gozhdon me një çakiç të randë në dorë;
ndërsa, i treti mban një qiri në dorë, për dritë. Vëndoset edhe Kryqi. Kur,
përfundon puna dhe asht derdhë edhe betoni një duertrokitje e fuqishme ushton
në Rrëmaji nga mija vetë që janë aty, të gjitha dritarët e apartamentëve hapën
për me vështrue se shka ndodhi: “KISHA ASHT GATI PËR NESËR!” ndigjohet një za i
fortë mes brohoritjeve. Në orën 23.55’ në zyrën e Sekretarit të Parë të
Partisë, Xhemal Dymylia bie telefoni, asht zani i Presidentit të Republikës,
tregonte dëzhurni që ndodhet aty tue pi një kafe me Xhemalin. “Si urdhëron, po,
po, si urdhëron... Peres De Kuelar më foli... si urdhëron shoku Ramiz, ...
qetësia duhet siguruar... po, shoku Ramiz... njofto Çapajevin... po, si
urdhëron shoku... Forcat speciale... po, po, ndigjoj... tashti, shoku Ramiz, si
urdhëron... deri në një urdhër të dytë... po, shoku Ramiz, këtu jam sonte!...”
Gjithë natën lëvizje gjipsash, gjithë natën korrierët spijun e agjenta në
qarkullim...në çdo qoshe të qytetit që dukej sikur po flenë. Shkodra dukej se
flenë por, jo; dukej se heshtë por, jo; dukej se zien, por, jo; asht çue dhe
zor se flenë ma, asht çue e nuk besoj se heshtë ma; nuk zien por, vlon, vlon
bashkë me gjakun e Martirëve e derdhët si lum në Zallin e Kirit, aty, aty,
brijë çinarëve të Rrëmajit! 11 NANDOR
1990, ora 11.00. Ka disa postbloqe por jo, të rëndësishme. Disa makina gaz të
Sigurimit janë në disa këthesa rruge. Mbrenda tyne shihej edhe ndonjë surrat i
njohtun spijuni por nuk do ta ndyjë këtë dishmi me emnat e flligtë të tyne.
Filmojnë dhe shënojnë emna... Karvani i fshatarëve me biçikleta asht i pafund.
Të gjithë ecin në punën e vet. Të gjithë drejt vorrëve... të gjithë të zhytun
ndër mendime... të gjithë të duket se, me vete thonë Punën e Pendimit, asnjeni
nuk din a këthehët në shtëpi... të gjithë me fëmijë, gra e pleq për dore, të
gjithë përshëndetën njeni me tjetrin, të gjithë janë SHQIPTARË, padallim Feje
... Të gjithë drejt vendit të Ringjalljës së Përjetëshme... Një grup i madh
myslimanësh asht vendosë mburojë tek dera e vorrëve. Njeni më tregon se, na do
të qëndrojmë këtu mbasi po kje se ndodhë gja, na do të përdorim armët që kemi
në trup... Ju, rrini të qetë ashtu si jeni me fëmijë e familjet tueja!..Sot
jemi ne këtu! Ndër katët e nalta të apartamentëve shihet ndonjë tytë automatiku
e drejtueme nga ne. Në krahun e majtë të vorrëve janë disa vagona të mbushun me
sambistë të ardhun me forcat speciale nga Tirana, që presin “urdhën” ... Në
sheshët e vogla përbrijë apartamentëve sheh vetura me gjithfarë targash tue
fillue nga trupat diplomatike, sigurisht, edhe nga Ministria e Mbrendshme e
deri tek taksitë e Elbasanit, Durrësit e të Kavajës... të gjithë kanë ardhë me
pa me sytë e tyne mbrekullinë, mbasi nuk u besojnë ma fjalëve... Pritët Ai
burrë që do të këthejnë edhe një fletë tjetër të lavdishme në Historinë e
Shqipnisë, ashtusi atë ditë në Deçiq, u prit Ded Gjo’ Luli me trimat e tij...
e, Ismail Qemali në Vlonë,... atëditë! Mërrini... Erdhi Don Simoni! ... Shihe,
shihe, ku asht i rrethuem me djelmë të rinjë... Dikush çohët në majë të
gishtave me e pa, dikush hypë mbi ndonjë gurë vorri, dikush tjetër çon fëmijët
hopa; të gjithë kanë sytë në një pikë: “Tek Prifti vigan, tek Ai sokol, që nuk
e ban ma Nana Shqipni shokun e tij, asht vetëm një vijë e bardhë në fytin e tij
që ndanë kokën nga trupi, asht shenja e Shugurimit Meshtar, asht pikërisht ajo
shenjë, që kush e di sa herë diktatori ka matë shpatën e tij me gjak për atë
fyt... Asht Don Simon Jubani... Meshtari i Shkodrës... i bardhë në fëtyrë, si
Shpirti i tij....” Një gëzim që nuk përsëritët ma! Erdhi,....Ai ecë me
shpejtësi si gjithnjë e gjujzohët para Elterit! Një grup grashë të moshueme me
shenjën “Bijat e Marisë” këndojnë me lot për faqe, nga mallëngjimi kangën e
“Zojës së Shkodrës”, të shoqnueme nga populli i cili, nuk e ka harrue... Një za
naltohët nga qielli tue u bashkue me cicërimat e zogjëve ndër selvia, drejt
gjethëve të çinarëve që duertrokasin fitorën me hymnin “Ave Maria” ... prej
Gjok qorrit (Vata), të cilit sot i ka ardhë drita... Asht ora 11.45’... Vetëm
në Rrëmaji bie ora e Lirisë... Rrahin kumbonët... Edhe ajo ka dalë prej
dheut... asht Ringjallë. Largohën pak rê që kishin zanë shkëlqimin e diellit e
bashkë me rrezët e tija lind njëditë e re. Para një Elteri të thjeshtë druni
përkulet para Kryqit për të cilin asht salvue Ai bashkë me gjithë Popullin e
Shkodrës, asht Don Simoni. Mbas 1-2 minutash heshtje ushton një za sipër rrasës
vorrit 24 e sa vjeçar, vue në 1967, asht zani që shembë bashkë me “Revolucionin
Kultural” edhe zanin e qyqës së Partisë, që vajton “bilbilin”e sajë... Asht
zani i një Don Simoni që ndihët i vetëm në truellin e Arbërit, asht një gjamë
mbi të pafetë që shkrep si rrëfeja e zharitë monumentët e bronxit mjedis të
Shkodrës e Tiranës, asht dora në ballë që thotë: “Në emën të Atit...” e, Mesha
fillon...”
FRITZ RADOVANI
“Ishte data 5 - Nentor 1990. Nga
miqt e mi në Shkodër mora vesh se dom Simon Jubani kishte celebrue Meshë në
varrezat e Rrmajve. Nje gëzim i pa përshkrushëm e pushtoj trupin tem e me vrap
shkova e takova dom Frano Illinë qe jetonte në lagjën teme te shtëpia e Shan
Simon Jakut, familja e të cilit ishin kujdesë për tê edhe gjatë kohës kur dom
Franoja kishte kenë në burg. I tregova që dom Simoni kishte celebrue Meshë në
Rrëmaj. Bisedueme se çfarë duhet me bâ edhe në fshatin tonë, e ramë dakord që
me datë 11.11.1990 të celebrojmë Meshë edhe në Juban. Lajmrova menjëherë mikun
tem Rrok Bardelin i cili me siguroi që do fliste me Dom Simon Jubanin dhe unë
menjëherë shkova e njoftova Dom Franon dhe i thashë që kam njoftue edhe miqt e
mi në Shkoder dhe ato janë dakord që Mesha në Juban të celebrohej. Kështu
vendosem që të njoftohej gjithë populli i Jubanit, sidomos rinia. Me daten 10,
një ditë para celebrimit të Meshës, përfaqësues nga D.P.B ( që me siguri ishin
informue nga ndonjë spiun i tyre) kanë ardhë me takue dom Franon dhe i kanë
kerkue me firmosë që Mesha mos të celebrohet. Dom Franoja asht përgjegjë:
“Populli i Jubanit asht i vendosun për celebrimin e kësaj Meshe, asht e
pamujtun me u anullue”. Lajmi që me 11 nandor do të celebrohej Mesha u perhap
me shpejtësi. Unë personalisht u mora me organizimin dhe ditën e djelë në orën
09:00 në rrenojat e kishës së vjetër shkatrrue nga diktatura komuniste, mbas 23
viteve u celebrue Mesha e parë nga dom Frano Illia. Në sytë e besimtarve kishte
lot gëzimi. Menjëherë pas Meshës ne Juban, gjithë rinia shkuan në Shkodër tek
varrezat e Rrmajit sepse në orën 11:00 do të celebrohej Mesha e Madhe nga dom
Simon Jubani. Populli i Jubanit, që edhe sot e k’saj dite asht shumë besimtar,
nuk e humbi kurr shpresën në Zot e prandaj ishte i bekuem me dy meshtar të
pazevendësushem: Dom Frano Illinë dhe Dom Luigj Kolaj. Pas një jave (me
18.11.1990) dom Luigj Kolaj celebroj meshën tek varrezat e Ganjollës, aty ku
preheshin shpirtërat e atyre që kishin vdekë me mallë për ta pa këtë ditë të
bekume.
VALENTIN PREÇI
“Me 4 nandor e kishim lanë për me u takue me Tonin Temalin në krye të rrugicës
teme dhe pastaj me shkue në Skenderbeg për me takue nji shok tonin. Sa kalueme
shkollën pyjore takueme nipin e Aleks Baqlit me biçikletë që na tha se disa
djem të ri kanë hapë derën e varrezave. I them Toninit, a kthehena deri tek
varrezat e të shohim se çka ka ndodhë. Aty ishin 5-6 djem të ri e pak gra që
ndërkohë kishin hy mbrenda e po pastronin vorret, ndër ta njihja vtëm Nin Bregun.
Kur ndërkohë po vjen Mark Murana që e njifsha sepse ishim rritë bashkë në
lagjën Rus, me një burrë të vjetër me një çantë në dorë. Marku e njihte këtë
burrë trim që ishte dom Simon Jubani sepse disa ditë mâ parë e kishte marrë në
shtëpi për të krye disa rite fetare. Dom Simon Jubani kerkoi një tavolinë dhe
vetë Marku a dikush i familjës tij ia sollën tavolinën dhe ai nxori disa gjana
nga çanta e pa vonue aspak nisi me kremtue Meshën. Unë edhe pse isha i pagezuem
dhe i krezmuem nuk kisha pá ndonjëherë Meshë, e kjo ishte Mesha e Parë për mue
si i ri i asaj kohe e po ashtu Mesha e Parë në Shqipni që mbas ndalimit të
ceremonive fetare. Heronjtë e vërtetë të dt. 4 nandor 1990 ishin Mark Murana,
ato djem të ri dhe ato nâna që po pastrojshin vorret. Kur mbaroi Mesha e shêjtë
Dom Simoni tha se do të çohet Meshë edhe të dielën mbrapa, me dt. 11 nandor
rreth mesditës. Kur u nisem për të percjellë Dom Simonin në shtëpi, ne e pyetem
rrugës nëse kishte frigë prej sigurimit se do të thontë gjâ rreth Mëshës dhe
njoftimit që kishte dhanë në fund të Meshës. Ai na tha:‘ unë tash sa kohë e
këtë ditë për me i shërbye Zotit’. Kur mbërritem te dera e Dom Simonit u
prezantuem kush ishim dhe i thashë jam Rrok Bardeli, jetoj 200 m larg shtëpisë
tuej. Ndërsa dom Simoni po hynte brenda i thamë për çka të kesh nëvojë na
trego. Nuk kaloj shumë dhe në qytet u perhap fjala se dom Simoni kishte çue
Meshë në varrezat e Rrmajve. Të marten në mëngjes erdhi nipi i dom Simonit dhe
më tha se ju kërkon domi me ju takue. Unë shkova mora Tonin Temalin te shtëpia
e tij dhe shkueme te shtëpia e domit. Sa hyra te dera takuem vëllanë e Dom
Simonit dhe na tha se domin e kishin thirrë ne degë dhe i kishin thanë për me u
tërhjekë nga celebrimi i Meshës së 11 nandorit, dhe për këtë arsye, për mos me
râ në dorë të policëve të degës e për me pasë mundësi me thanë Meshën e Madhe
për të cilën kishte lajmërue besimtarët, Dom Simoni kishte vendosë të mos
qëndronte në shtepi ato ditë por të shkonte me u strehue nëpër familjet e
katolikëve të Shkodres. Unë dhe Tonini kishim dëshirë ta merrnim domin në
shtepitë tona por nuk kishim kushte. Dom Simoni tue pa se ishim merzitë se
s’kishim mâ shumë forcë, na tha: ‘mos u shqetësoni se do të shkoj te shtëpia e
një mikut tem, të familjaa e Njac Shahinit e ashtu edhe bani. Me dt.5 dhe
6 nandor nisen me u mbledhë të gjithë
djemt e lagjeve Sarreç, Rus, Arra e madhe dhe Skenderbeg, Zef Gjoni, Pal
Çekini, Marjan Kepi, e shumë djem të tjerë të nderuem të qytetit tonë, për me
nisë punimet e me bâ gati kapelën e vorreve për kremtimin e Meshës së Madhe.
Unë kisha fatin të njoh dhe të kisha shumë miqësi edhe me shumë djem të rí
musliman të qytetit, të cilët në ato ditë na u gjetën pranë dhe na ndihuem pa u
kursye aspak, taman si vëllazën shqiptar e shkodranë, e kështu tanë Shkodra bashkë,
morëm pjesë me dt. 11 nandor 1990 në Meshën e Madhe, e i dhamë goditjen e
fudndit diktaturës së egër komunistet”.
RROK BARDELI
“Kam shkue vet’ i treti me Tonin
Marin dhe Marin Shestanin sapo e kam ndigjue këtë muhabet. Te kupola e vorreve
z.Mark Murana ka prue një tavolinë dhe njerëzit jane mbledhë menjiherë sepse
gjindeshin në varreza tue pastrue vorret e t’parëve t’tyne. Dom Simoni shpejt e
shpejt ka çue një Meshë sa s’e morem vesh çka po thonte, se çdo gjâ ndodhi
shkurt e shpejt. Atëherë kam dalë dhe e kam takue personalisht ndër varreza dhe
e kam ndalë, e i kam tregue se jam vellau i Ndoc Gjonit që ka bâ burg me tê në
Burrel, dhe dom Simoni më ka thanë që e njihte. Une i thashë: çka ke nevojë me
të ndihmue? E ai më tregoi çka me bâ për me u pergatitë për të dilën e dt. 11
nandor që do të kremtohej Mesha e Madhe në orën 12:00 të mesditës. Atëherë me
shokët e mi Rrok Bardelin, Tonin Temalin, Kolë Çekinin, Zef Kirin, Kolë Bekën,
Kolë Sermin e shumë tjerë jena pergatitë me rregullue ndriçimin e shumë gjana
të tjera të nevojshme. Kena takue dom Simonin dhe i kena tregue se çka kena bâ.
Dom simoni ka ndéjtë dy-tri ditë nëpër shpijat e shkodranëve jo larg vorreve, e
pasta ditët e fundit âsht strehue në zonen e Kirasit tek nje familje malësorësh
për efekt sigurie. Ajo familje sillte djalin e tyne çdo ditë me kontaktue me
mue për me ditë si po shkojshin punët dhe dom Simoni na çoj fjalë mos të
shkonte askush me e takue, sepse te tanë ne ishim në ndjekje nga sigurimi dhe
kështu mund të zbulohej vendi ku ai strehohej e automatikisht edhe të deshtonte
Mesha”.
ZEF GJONI
“Ishte mesi i vjetit 1990. Atmosfera
dhe flladi i lirisë ndjehej kudo. Qeveria e asaj kohe e detyrueme nga presioni
ndërkombëtar, kishte fillue të lëshonte terren. Në atë kohë unë punojsha në
Parkun e Mallnave si drejtues artistik. I nxitun edhe nga vendimi i qeverisë
për lirinë e besimit mendova se kishtë ardhë koha me levizë e me bâ dishka.
Varianti i parë që më shkoi ndërmend ishte të gjeja nji prift për të kremtue
Meshë në publik dhe për ketë fola me z.Palokë Topalli i cili dikur kishte kenë
punonjës në Kishën e Madhe dhe njihte gjithë klerikët që kishin dalë prej
burgut. Ai më rekomandoj Dom Simon Jubanin si personin mâ trim e vetmohues për
kryemjen e kësaj pune, dhe bashkë me të shkueme në shtëpinë e tij. Unë i
paraqita planin tem dhe ai e priti shumë mirë. Ndërkohë ditët kalonin, e nëpër
qytet përceptohej dishira e shkodranëve me i dhanë fund komunizmit e me rifitue
lirinë e humbun, dëshirë që realisht u relaziue në fillim të nandorit. Ditët e
para të këtij muaji që përne asht edhe mueji që i kushtohet shpirtnave të
burgatorit, kur mora vesh se po punohej ndër Rrëmaj, u afrova edhe unë me
gëzimin në shpirt se po më realizohej andrra që i kisha shprehë ditë mâ parë
dom Simonit e kështu iu shpërvjela punës e menjëhërë nisa të ndërtoj altarin e
parë mbas 23 vjetëve, përveç kësaj preva edhe germat në polisterol ‘Jepjau o
Zot pushimin e pasosun’, që ishte urata që më kujtohej nga koha e dikurshme kur
shërbeja si xhakue në kishen e fretenve, në atë kohë nuk kishim shkalla të
nalta, por me ndihmen e Rrok Bardelit i cili me mbante të lidhun me konop nga
çatia mbërrita t’i ngjis në pjesën ballore të kishës. Gjatë kohës së
restaurimit policia vinte herë mbas here për me pengue punimet, dy ditë para
Meshës erdhi mikrobuzi i policisë mâ i egërsuem se ditët tjera dhe kërkuen
organizatorët e këtij organizimi, në atë kohë ishte darkë dhe terr e ndërkohë
unë po punojsha në altar, i dola para dhe u thashë, këtu nuk ka organizim, nuk
as drejtues e as mvartësa, këtu secili me devocion jep kontributin e vet, tue
kenë se jena në ditët e burgatorëve dhe vendimet e fundit të qeverisë na e
lejojnë nji gja të tillë, i pari i tyne L.H. mu afrue dhe më kërcenoj se nqs
nuk keni miratimin e qeverisë për këtë tubim do të arrestoj ty të parin. Atë
natë perpilova me shkrim dore kërkesen dhe të nesermen bashkë me Tomë Lisin dhe
Simon Pjetrin e kena paraqitë në DPB, ku na priti në mënyrë mjaft çnjerëzore
zv/shefi i policisë Gjekë Çela. Të nesermen në mengjes kena shkue me marrë
përgjegjën në zyrën e shefit të policisë Dilaver Papare i cili ishte pak mâ i
moderuem se i pari,e realisht përgjegjën kurr s’ mujtem me e marrë me shkrim
por veç verbalisht. Pak ditë mbassi kremtuem Meshën e Madhe, me dt. 16 nandor u
bâ falja e besimtarëve musliman tek Xhamia e Plumbit, e fill mbas faljes unë
bashkë me dom Simonin dhe Zef Kirin shkueme me i bâ vizitë në shtëpi hafiz
Sabri Koçit, i cili kishte organizue nji pritje mjaft vëllaznore me familjarët
dhe besnikët e tij”.
VALENTIN DEDA
“Me dt. 5 nandor 1990 mora vesh se
me dt. 4 në varrezat e Rrmajve, Dom Simon kishte çue Meshë, bashkë me 3-4 shokë
shkueme te varrezat dhe pamë se po punohej për restaurimin e kishës, atëherë u
angazhume edhe na që të jepnim kontributin tonë simbas mundësisë sepse aty nuk
kishte të parë as të dytë por secili punonte pa urdhën e pa komandë deri me dt.
11 ku çdo gjâ ishte gati për Meshën kryesore. Atë ditë, Dom Simoni sapo
mbërriti afër vorreve e zbriti prej makinës së Rudolg Guraziut, disa prej nesh
e morëm dhe shoqnueme deri te lteri. Mbas Meshës unë nuk jam nda prej tij për
një kohë të gjatë tue shoqnue edhe nëpër fshatnat për rreth në Meshët që
kremtonte. Kam asistue bashkë me Dom Simonin dhe Valentin Deden në vizitën tek
shtëpia e Hafiz Sabri Koçit me rastin e faljes së parë tek Xhamia e Plumbit.
Atmosfera ishte e mrekullushme dhe shtrëngimi i duerve jepte garanci për një
vëllaznim dhe rrugë të përbashkët. Mora pjesë edhe në hapjen e Kishës së Madhe
nga pader Aleks Baqli dhe po ashtu në restaurimin e saj”.
ZEF KIRI
Atmosferën e atynë ditëve të gëzueshme për shpirtnat e
burgatorit e për shpirtnat e të gjallëve që përshkruhet edhe në këto dishmi, e
përjetësoj në mënyrë poetike, tue jua lanë brezave të ri trashigim për shekuj të
shekujve, i madhi e i paharrueshmi Gjosho Vasia:
“Dom Simon, t’mbajtë Zoti nderen, se
ja rrite Shkodres vleren. […] Kush asht vallë ky dom Simoni, Që kaq shum po e
vlersoni, a mos asht bre Kastrioti, q’e ka ngjallë së dytit Zoti?
Jo bre mik, ky dom Simoni, që po
thoni e diskutoni, s’asht luftari që mendoni, por nji Hyll që bani dritë, bash
at ditë kur s’e kem pritë.
Pra, në kulmin e mjerimit, të
trishtimit të regjimit, i bamë shpirti paçavure, me’i hy Kishes n’katër mure,
me pa Meshë, me puthë Figure,
Baaaaam! Kërset nji pushkë pa
pritë.” O çka asht pushka more n’ktë ditë, a mos asht ndoj krisëm vajit, ajo
pushkë sot n’Fushë të Rrmajit? “Jo bre jo, mos u friksoni, nuk asht vaj ai që
mendoni, Por qet ‘pushkë’ sot dom Simoni…
E kur ‘krismën’ ndigjoj Shkodra,
mori turr me male e kodra, plak nuk mbet atë ditë te votra, nuk mbet grue n’at
fund motmoti, pa shkue atje ku lutet Zoti, me’i fmij n’krah e dy përdore, tue
marrë turr si ortek bore, e madje e zhgrehun vajit, aty fill e n’Fushë të
Rrmajit.
U mbush fusha, aman o Zot, Çka
s’kish pa syni deri m’sot, me t’thanë mendja qinda e mija, me t’thanë mendja
tanë Shqipnija, kishte hy atë ditë në lamë, thue dhe t’vdeknit janë çue
n’kambë. […]
Por mendue s’e ka ‘lavdia’, se kur
vritet pafajsija, asht në Qiell i madhi Zot, që s’e mban kandarin kot, por me
to mbushë Ferrin plot.
Ndërsa ‘Prifti’ pa farë fajit, sot
thotë Meshë n’Fushë të Rrmajit.”
EPISODE TË VEÇANTA TE ATYNE DITËVE
populli i Shkodres tregon…
1- Gjatë atyne ditëve para Meshës së
Madhe me dt. 11 nandor, ka kenë nji vajze e re Shkodrane që ka shkue në fushë
të Rrëmajit, e mbassi ka pastrue vorrin e familjes vet dhe thanë uratë për
shpirtna të burgatorit, -tregojnë njerëzit- se âsht sjellë tri herë te vorri i
priftit [vorri i priftit âsht vorri i dom Gjon Gazullit që Ahmet
Zogu e pat varë në konop në Fushë të Druve me akuzën e rremë se në nandor 1926
pat organizue kryengritjen e Dukagjinit për me përbysë pushtetin Zogolljan].
Ky vorr prej shkodranve të moçëm njifet si vorri që ka bâ mrekulli. Mbas
asaj dite njerëzit kanë nisë me e shprehë devocionin e tyne tue çue lule,
fugure, qira dhe tue u sjellë tri herë rreth vorrit me shumë devocion, ndërsa
recitojshin ‘Epjau Zot pushimin e pasosun’, (tregue nga z.Tonin Alija). Tue
kenë se ky vorr asht bâ objekt pelegrinazhit dhe tue kenë se dom Gjoni mendohet
se âsht vra në ‘odium fidei’, kongregata për kauzat e shêjtënve e ka
marrë në konsideratë fazën dioqezane për lumnimin e dom Gjonit, tue konsiderue
rastin e tij si ‘kauzë historike’ që lypë mâ shumë kohë për shqyrtim sesa
procesi i lumnimit të 38 martirve të vdekun gjatë regjimit.
2- Paulini, nji punëtor i degës së punëve të brendshme ka
thirrë kameramanin e qeverisë i cili ka bâ filmimin e Meshës së Parë. Ky asht i
vetmi dokument zyrtar historik qe tregon çka âsht bâ me 11 nandor. Filmimi ka
kenë veç me figurë e pa zâ. Filmimi nga sigurimi i shtetit âsht i vetmi
dokument televiziv i asaj ngjarjeje (tregue nga Tonin Alija).
Paulini apo si do kjoftë emni i tij, më kujton
centurionin edhe pse në kundërshtim me Jezusin e përndjekës i Tij tue pa më
sytë e tij TË VËRTETËN kthehet e beson, e jo veç kaq, por bân nji ndër dishmitë
mâ të bukura të fesë: ‘njimend ky njeri ishte Birë i Zotit’ (Mk 15,39).
4- Me 11 nandor mbassi përfundoj Mesha e Madhe e mori
vesh tanë Shqipnia se çka ishtë bâ në Shkodër. Katolik e musliman si vëllazën u
rrokshin me njani-tjetrin, prej gëzimit se Shqipnia ishte lirue prej ferrit
komunist.
5- Të krishtënë dhe musliman mbas Meshës së Parë ndër
vorre të Rrëmajit, shkuen si bij të të njëjtit Zot e vëllazën t’nji gjuhe dhe
t’nji gjaku me 16 nandor 1990 me hapë Xhaminë e Plumbit. Xhamia e parë e hapun
në tokë t’Shqipnisë. Faljen në këtë ditë të shenueme për krejt bashkësinë
islame të Shkodres dhe të Shqipnisë e drejtoj hoxha i nderuem me 20 vjet burg mbi
shpatulla, antikomunisti Hafiz Sabri Koçi, i cili ju drejtue besimtarëve me
këto fjalë solemne, të daluna prej zëmret: “ne në Shqipni kena pasë nji
fatkeqësi që se ka pasë askush në botë, neve kemi kenë të penguem për 50 vjet
me radhë; kemi pasë frigë të themi se ka Zot, kemi pasë frigë ta adhurojmë të
madhin Zot, kemi pasë frigë të kujtojmë se ka Bajram dhe Ramazan, e se ka ditë
të mira. Kjo qe nji provë, nji provë e fortë për me e vërtetue se sa e thellë
asht dashtunia e Zotit për krijesat e veta”.
KONKLUZION
E për me e përfundue këtë artikull të vorfën nga ana
estetike por me ndjenja të pastra bashkimit e respektit për tanë popullin e
Shkodrës, në nderim te dy datave të shenueme për Kishën Katolike në Shqipn: 30
vjetori i Meshës së Parë dhe 4 vjetori i lumnimit të martirëve, po më bjen
ndërmend nji histori që e kam ndigjue para dy muejsh në Shkodër:
mbassi komunistat kishin shkue në nji shtëpi në Dukagjin,
e familjës në fjalë përveç se i kishin shtí djalin në burg, i kishin konfiskue
e plaçkitë edhe gjithshka që kishte pasë mbas shpirtit. Plaka e shpisë, nji
grue sojnike e fetare, burrneshë ‘hak’, kishte dalë në prag të shpisë e tue u
bâ za xhelatëve të regjimit që gjindeshin në oborr të shtëpisë e u kishte thanë: “bilé
ketë a mund t’ma merrni”?
E kishte vû dorën në ballë tue u shenue me shëjên e
Kryqit.
PS. Ky
artikull përveç pjesës së parë (hymjes), dhe dimensionit fetar dhe shpirtnor që
përshkon krejt artikullin âsht ende me episodet historike që kanë rrëfye nji
pjesë e vetë dishmitarëve të asaj kohe, emnat e të cilëve i kam lakue gjatë
shkrimit e disa prej tyne kanë dhanë edhe nji dishmi peronale për këtë ngjarje
të shenueme historike për kombin tonë. Tue ditë se kanë kalue 30 vjet nga Mesha
e Parë dhe siç ndodhë gjithmonë në histori nuk mund të mbahen mend krejt
ngjarjet me përpikmëri, e për këtë arsye
objektive nuk âsht faji i kurrkujë nqs artikulli mund të ketë ndonji digresion
historik. Janë harrue shumë emna burrash e grashë pa u lakue në këtë shkrim, po
ashtu për efekt hapsinet shumë detaje nuk janë tregue me hollësi, etj, por mbas
së gjithash e randësishmë âsht që ky artikull me të gjitha luhatjet e pahirshme
historike që mund të ketë, t'i shërbejë lexuesit me konsiderue mâ shumë njetin
e mirë të shkrimit se sa rezultatin përfundimtar, mâ shume kuptimin dhe esencën
e realiteteve që trajtohen sesa gjuhën e thjeshtë që âsht përdorë, mâ shume të
vërtetën se sa elegancën e tekstit. Me ketë ndërgjegje personale mund të
shijohet dhe të jetohet në thellësi krejt narrativa historike e shkrimit
me të gjitha implikacionet tematike që mbartë në vetvete.
Mesha e Parë, Lumnimi i Martirëve, hapja e Xhamisë së
Plumbit dhe vuejtjet e të parëve tonë , le të na shërbejnë për me dalë prej
plagëve shpirtnore e identitare që e kanë përqafue vendin tonë: lasizmi moral,
relativizmi, indiferentizmi dhe egoizmi; me u ripërtëri si komb, e me e ndërtue
jetën tonë e të rinisë tonë mbi pilastrat e dashtunisë e të vëllazënimit. Sot
mâ shumë se kurr Shqipnia ka nevojë për DRITË.