| E shtune, 31.10.2020, 12:21 PM |
Pse “blegërima” e Qingjit të vogël nuk e ngrohu asnjiherë autorin e saj.
Intervistë me LEON
LEKAJ, të birin e autorit ZEF LEKAJ
M. Simoni: Shqipëria po
mbyll dekadën e tretë në një rend demokratik. Bir i një artisti, të cilit iu
mohua egërsisht talenti, si ndjeheni sot?
L.
Lekaj: Ç’ mëkát që zhgënjími ka mjéte kaq të pàkta, me të cílat dúhet me u
luftúe.
M. Simoni: Nuk ju duket
se kështu po mohoni shpresën?
L.
Lekaj: Sot shprésa âsht shndrrúe në nji qíri, me të cílin njérzit e dëshpërúem
që jánë në fúndin e sállës kërkójnë me u nxê. Nga natyra jam karaktér që nuk iu
besój mrekullíve.
M. Simoni :Ndryshe nga
shumë autorë veriorë ju shpreheni në gegnisht. Ka një arsye?
L.
Lekaj :Sigurisht! Bába im íshte gégë, dínte përméndsh várgje të Físhtës të
Mjédës dhe shkrimtárve të tjérë të kóhës. Unë u línda në at' qytét të
mrekullúeshëm. Gegnísht? Imagjinóni síkur sot të dálë nji ekolog dhe të thotë:
Drínit të zi do t’i ndërrójmë rrúgë, na mjaftón vétëm uji i të bárdhit. Kjo gjâ ndodhi në kongrésin e drejtshkrímit
në ’72. Letërsínë e konsolidúeme gége e ndálën të rrídhte natýrshëm në fóndin
asáj shqípe. Ky nuk íshte nji gabím, por
nji faj i vetdíjshëm. Nuk due me hý në analíza të thélla, por mjaftóhem me
thânë që gegníshtja zotnón nji muzikalitét, që do t’a kíshte zilí çdo gjúh' e
bótës.
M. Simoni: A mendoni se
sot, mbas gati tri dekadave diçka ka ndërruar në trajtimin e personalitetit të
babait tuaj?
L.
Lekaj: S’pári dúhet me pranúe se ka një zhveftsím t’ artísëve në përgjithsî. Në
rástin e tim áti, harrésa shumfishóhet, sepsê ai nuk díti për asnjî çast me u rreshtúe në ánën puthadóre të
fitimtárve. Im atë i lútej vétëm Zótit.
Ka
pásë disâ tentatíva, të cílat ma shúmë iu ngjájnë flétve të ndérit të kóhës së
diktatúrës, se sa nji vlersîm reâl të figúrës së tij. Në Kuçóvë, ku ai zhvillói
një pjésë të mádhe të veprimtarís së tij, rrúga që përshkónte për në púnë ka
márrë émnin e tij. Kaq! Për antitézë, im atë mbylli sytë në prag të shékullit
të ri (shkurt 1999) pa pásë nji telefôn fiks.
M. Simoni: Keni botuar
një monografi për atin tuaj. Sa keni “ulëritur” aty?
L.
Lekaj: “Ulëríma” âsht pjésë integrále e njérzve që mrekullîsht dínë me úlë e me
çúe flámuj dhe ky lloj reagími nuk ka qénë kúrrë në menýnë që na u servîr prej
príndërve tánë. “Rránjët e edukátës jánë të ídhta, por frútat e tyne jánë të
ámbla” thóshte Aristotéli, por për fat të keq, as kjo thánie e tij nuk
funksiónoi në atdhéun tónë. E vétmja “ulërímë, n' qóftë se múndem me e qúejtë
kshtû, âsht rréshti i párë i monografísë, tek i cíli betóhem se déri që të kem
frýmën e fundit, do luftôj që “émni i tij të rríjë híjshëm në sfóndin e kóhës
ku jetói dhé punói"
M. Simoni: Ati juaj, si
pak artistë, u burgos dhe regjimi u ngut ta njolloste me me damkën e armikut.
Si do të përgjigjeshit sot?
L.
Lekaj: Në ditárin që ka lánë, ai flet për nji márrje në pýetje prej hetúesit të
tij, Bujar Himçi, i cíli e akuzón se ishte mbrójtës i fláktë i Físhtës, Kolíqit
apo i Dostojévskit, se njíhte mírë Bíblën, se íshte besimtár, apó se çmónte
Beniamino Gigli-n dhe kangtárë të tjérë të prendímit. Në at’ kóhë ktá émna për
njérzit e thjéshtë dúkeshin jashtoksórë. Mandéj atë e akuzúen si agjént të
prendímit, të amerikánve dhe të Vatikánit. Tánë eksperiénca e sigurímit të
shtétit, tue përfshí edhé arsenálin e
líbrave me armíq e diversántë, u lshúe n´ damárët e qytétit si nji hélm
i pregadítun me kujdés. Imagjinóni déri
ku shkónte ajó lloj propagánde; sot, shókë të mij të rinísë më thónë se në
piánon që kíshim në shtëpí, flítej se íshte gjétë një revolvér. Ç’ farë marríe!
Vétë arrestími i tij i bújshëm, i parapregadítun mírë prej regjímit në mjedíset
e pallátit të kultúrës ku punónte, flet ma së míri për nji godítje të
kalkulúeme, godítje, e cíla kërkónte me gjunjzúe krejt intelektuálët e qytétit
nën pushtétin e frígës. Imagjinóni; e tánë kjo skénë ndódhi vétëm tri dítë mâ
párë se ai të dílte në pensión.
M. Simoni:Me sa kam unë
dijeni, ati juaj nuk vinte nga një shtresë e pasur. Pse gjithë ai mllef kundra
regjimit komunist?
L.
Lekaj :Gjithmónë kam mendúe se shkólla ku ai studiói, (Kolegji saverian) ka
pásë bárrën mâ të mádhe të “fájit”. Prej saj im átë kíshte mbétë si të thúesh
“i fúndmi i mohikánëve”. Të tjérë miq, shókë, apó profesóra të tij, qófshin kta
shqiptárë apó italiánë, iu nënshtrúen nji represióni të pa pámë. Óse përfundúen
në tógat e pushkatímit, óse u burgósën, óse u arratisën. Edhé Zef Lékaj, në
vjétin 1946, kur dështói lëvízja e Postrríbës, tek e cíla móri pjésë, u detyrúe
me u arratísë në Jugosllaví, e për trembëdhétë múej me fjétë ndër vórre. Ajó
shkóllë népte kaq shúmë díje dhe drítë, sa që ndriçími i saj qorrónte
përbíndshat e térrit komuníst.
M. Simoni: Autor i shumë
këngëve të njohura, fitues çmimesh edhe pse gjithmonë i lënë në hije për shkak
të antikomunizmit të tij, ai është njëkohësisht edhe autori i këngës aq të
njohur “Qingji Vogël”. A keni diçka të veçantë në kujtimet tuaja që lidhen me
këtë këngë?
L.
Lekaj: Po! Jánë tre çáste, të cílat kánë mbétë t’ paharrúeme. Dy të párat, atë
që kánga Qíngji vógël u kndúe fillimísht prej vëlláit tim Sokólit, si dhe
ndryshími i tekstit, i cíli iu atribúe tim áti, e që në fakt ishte nji tekst i
krijúem prej R. Prenúshit, i kam përshkrúe në monografínë, “Një artíst nën
pentagráme të kryqëzúara”. Rásti i trétë âsht i lídhun me periudhén e búrgut të
tij. Mbasí na përplásën sportélin e vógël në búrgun e Zejménit me fjálët
“...Zef Lékaj ndódhet në nji spitál në Tiránë”, pâ nâ dhánë mâ shúmë shpjegíme,
mu désht me kërkúe shúmë rrúgëve të kryeqytétit për tâ takúe. Si e gjéta, u
paraqíta tek oficéri i rójës, brénda senatoriúmit, në kátin e póshtëm të tij,
në nji kthínë të rrethúeme me hékura. –Cílin kërkón? -më pýeti oficéri. I
tháshë émnin. -Aaaa, -ma kthéu, -âsht autóri i qíngjit të vógël. Prit!
Më
báni nji shërbím, të cílin e kujtój edhé sot, e që më bíndi se në véndin tim
kíshte énde njérëz që rrezikónin për hir të ndjénjave të týne.
M. Simoni: Pak kohë më
parë pati edhe një emision, ku u prezantua edhe një emër nga Kosova, i cili me
një video për qingjin e vogël, ka rrokur jo pak, por disa qindra miliona
shikues. Si u ndjetë kur patë emisionin?
L.
Lekaj: Në shqip ekzistón vétëm nji fjálë, e cíla nuk përmbúsh mirë gjithçká
ndjémë si famílje; të revoltúem! Jo aq shúmë me atë që e ka këndúe, se sa me
drejtúesen e emisiónit Bieta Sulo dhe me stáfin që ajó udhëhéq. Credo quia absurdum (únë e besój, sepse âsht
absúrde) -thótë nji autór latin. Por kjo nuk âsht héra e párë, ku gazetárë
mediókër shfrytëzójnë kángën “Qíngji
vógël” për qëllíme t’véta, pa i atribúe asnjí merítë autórit të saj. Si múndet
me ekzistúe një gazetarí e tíllë, tek e cíla hulumtími për témën që dúhet
trajtúe, kap shífra në rráfshin e zeros? Âsht e pafálshme! Shífni fáktin e
tékstit! Edhé pse zyrtarísht kudó e gjen të shkrúeme Tekst e muzíkë Zef Lekaj,
ati im, shum’ kóhë mâ parë se të íkte prej ksaj jéte, mâ thâ të vërtetën.
M. Simoni: Kur Zef Lekaj
e ndjeu kënaqësinë e këngës “Qingji vogël”?
L.
Lekaj: Për mendímin tim, tue përjashtúe çastet kur e krijói, pothuejsé
asnjihérë “blegëríma” e Qíngjit të vógël nuk e ngróhu autórin e saj. Në
opciónin e jurísë, megjíthë duartrokítjet e publíkut, u nderúe me çmim të dýtë,
sepsé të párin e móri njí kángë revolucionáre. Edhé pse gjátë víteve të
komunízmit ajó u këndúe shpesh, émni i tij anashkalóhej. Kur im átë u dënúe për
agjitacíon e propagándë, kánga hýni në fóndin e ndalúem dhe mbas víteve ’90,
për shkak se téksti u ndryshúe, mbéti prápë në arkívat e kángëve, të cílat
provokónin me përmbájtjen e tij. Jam i bíndun se mâ shúmë se 95% e shqiptárve
nuk e dínë émnin e autórit.
M. Simoni: “Pash dy syt’
e tu si drita”, një këngë që ka hyrë në repertorin e shumë këngëtarëve të
muzikës qytetare. Komenti juaj?
L.
Lekaj: Jam i bíndun që fonotéka shqiptáre ka boll shémbuj me kángë të árdhuna
prej muzikántëve anonímë, ku émni i autórit shkríhet, tue ja atribúe nji krijím
pópullit. Në ktë kandvështrím mbétja
anoním e kángës tue i shtúe qénien gjállë të krijúesit të saj, nuk qe gjâ
tjétër véçse nji respékt i pashpállun, që pópulli i bánte autórit të saj. S’
pári, si shúmë krijíme të tij, edhe ksaj kánge âsht ndërrúe títulli i cíli n’
origjinál âsht “Pash nj’at zâ qi lshon
bylbýli“ me tekst e muzíkë të Zef Lekës. Nuk do të lódhem me komentúe shúmë, por
do ti referóhem dy zânave të mrekullúeshëm ; Luçie Milotit dhe Bujar Qamilit,
të cílët e kánë interpretúe. L. Miloti: Aty (Qaf-Shtámë-shën. im) mësóva kángën
“Pash nj’at zâ qi lshon bylbyli“, që mâ vonë e kam këndúe shpesh...”. B.
Qamili: “Kjo kángë e Zef Lekaj ...u bâ prónë e ímja dhe rríti prestígjin tim si
kángtar”.
M. Simoni:Me çka di unë,
Zef Lekaj ka edhe një lënë një arkivë të pasur letrare. Po përmend tekstin e
këngës “Kur prendon dielli”. Sa njihet në Shqipëri, por dhe jashtë kufijve të
saj, që ky tekst asht nji krijim i Zef Lekës?
L.
Lekaj :Pothúejse aspák! E shkrúeme në vítin 1957 me kërkésën e autórit të
muzíkës, tridhjetetrevjeçári, míku dhe shóku i Leonard Dedës, Zef Lekaj, do t'i
bashkëngjíste muzíkës brilánte një tekst kándshëm, i cíli kalón prap` atjé, në
ngushtícën e tij të preferúeme, tek lirízmi romantík baritór, e cila u bâ káli
príjës i múzës së tij. Por édhe ktu,
demónët e kuq artvrásës kánë ndërhýe tue
ndrýshue fjálët e tékstit. Jam i bíndun, jáshtë çdo modestíe, se në
vítet ku asht shkrúe ky tekst kánge, vshtírë me gjétë kaq shúmë ndjénjë dhe art
brénda nji téksti.
M. Simoni :Drejtues
artistik në Shkodër dhe në Kuçovë. Çfarë keni dëshirë të përmendni tjetër nga
krijimtaria e tij?
L.
Lekaj :Sigurísht që múndem me fólë gjátë, por unë dúe me përméndë vétëm pak
ngjárje, të cílat janë eveniménte të shqúeme të jétës së tij. S’ pari Zef Lekaj
íshte kormaéstro në opérën e párë shqiptáre “Mrika” e cíla u shfaq në Shkodër
dhe së dýti, në Nándor të vítit 1962, gáti dy múej mâ párë se të hápte sipárin
Festiváli i I-rë kombëtár i kángës në Rádio-Tirána, në Shkódër u zhvillúe
Festiváli i párë i muzíkës së léhtë. Tek
kánga “Thúeje mos e zgjat” me të cílën ai paraqítet atý, si autór i tékstit dhe
i muzíkës, Zef Lekaj, pavarësísht prej
asaj héshtjeje keqdáshëse, që shpesh hérë mbulón individualitétin e tij, mbétet
edhe sot e kësáj díte historikísht si fitúesi i çmímit të dýtë të festiválit të
párë për kángën e léhtë, që u zhvillúe në Shqipërí. Dhe s’ tréti nuk mund të
rri pa përméndë kángën, “Lúmja un’ për ty” me tekst e muzíkë të tíjën, e cíla,
sipas mendímit tim âsht nji árie e mrekullúeshme. Lánia në híje e asáj kánge, e
cíla qysh prej vítit që u krijúe (1958) nuk ka nji versión të ri, ka të bájë ma
shúmë me tallavánë, që ka pushtúe muzíkën tónë.
M. Simoni :Cila qenë
motot që e udhëhoqën Zef Lekën kur ai u lirue prej burgjeve komuniste?
L.
Lekaj :S’pári qe ingraními në famíljen e tij, si dhe vendósja e pikétave për
krijimtarínë e së árdhmes. Së dýti
mendój se dúhet me gjétë nji baraspéshë në mes thánies biblíke, “Fáli o Zot se
nuk dínë çka bájnë” dhe asáj të O. Wilde kur thóshte “Fáli gjithmónë armíqtë e
tu. Asgjá nuk i zemrón atá mâ shúmë se kjo”.
M. Simoni :Ju
falënderoj!
L.
lekaj :Íshte knaqsí! Falemindérs edhé prej
jush!