| E merkure, 28.10.2020, 07:51 PM |
A ËSHTË KOSOVA TERRITOR, APO HYJËSI?
*Mbrojtja
e Kosovës prej banorëve të saj nuk po shkon bash mire, por gromadave tona
intelektuale nuk po iu ngutet
*Në
shkurtin e vitit 2018 demonstruesit valonin flamurin e Serbisë në protestën
kundër dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës
Nga
Tomislllav Markoviq
Se kush me se merret,
intelektualët serbë e mbrojnë Kosovën nga Shqiptarët dhe Malin e Zi nga
Malazezët. Dhe puna nuk po iu shkon keq. Malin e Zi tanimë kanë filluar ta
çlirojnë nga okupimi malazez, me ndihmën e vogël të Aleksandër Vuçiqit, të
buxhetit të Serbisë dhe të makinerisë mediale përparimtare, e cila hodhi breshëri projektilesh propagandistike
në drejtim të jugperëndimit.
Duhet ta kuptojmë
inteligjencën patriotike dhe klikën në
pushtet: lufta nuk po duket askund në horizont, qëmoti kaloi ajo kohë kur mund
të kënaqeshin me granatat e hedhura mbi Sarajevën, Dubrovnikun ose Vukovarin,
prandaj bombardimi medial iu vjen si ngushëllimi i vetëm në këtë kohë të paqës
neveritëse.
Mbrojtja e Kosovës nga
qytetarët e saj nuk po shkon si është më së miri, por intelektualëve tanë të
mëdhenj nuk po iu ngutet. Ata të gjithë, vargevi, janë të krishterë
pravosllavë, me shikim në amshim dhe orientim ekstaze; për ata dita është sa
njëmijë vjet, dhe njëmijë vjet sa një ditë.
Se a do të jetë Kosova pjesë
e Serbisë nesër, pas disa shekujve apo mileniumeve, fare nuk është me rëndësi,
por me rëndësi është të ruhet amaneti i Kosovës në zemrat e bijve më besnikë të
popullit tonë të shumëvuajtur. Në këtë frymë është themelua Lëvizja për
Mbrojtjen e Kosovë-Metoisë, të cilën e përbëjnë profesorë universiteti, doktorë
shkencash, akademikë, poetë, shkrimtarë, piktorë, publicistë, peshkopë, igumanë
(abatë), historianë, redaktorë, të gjithë
intelektualë të shquarë.
Njohja e
Kosovës është më e tmerrshme se apokalipsa
Janë mbledhur kokat e
mençura për një qëllim të vetëm, e ai është “të pengohet dhe për gjithmonë
të pamundësohet tëhuajësimi juridik nga Serbia i cilësdo pjesë të krahinës
jugore serbe”. Në Kryesinë e Lëvizjes janë: prof.dr.Sllobodan Samarxhiq,
prof.dr.Bogolub Shijakoviq, prof.dr.Millo Llompar, prof.dr. Millosh Koviq dhe
prof.dr.Çasllav Koprivica. Njeni prej anëtarëve të Kryesisë, historiain Millosh
Koviq, është zgjedhur përfaqësues i Lëvizjes. Kokat më të mençura serbe
frigohen se Vuçiqi do ta njohë Kosovën, prandaj i janë përveshur punës për ta
penguar në këtë tradhëti.
Por, nuk dihet prej nga i
erdhi kësaj bote të mençur ideja se Vuçiqi do ta njohë Kosovën, sepse gjasat
për diçka të tillë janë baras me zero, apo ndoshta edhe më pak se kaq.
Sa mund të shihet prej
anash, Vuçiqi qe tetë vjet po e mashtron
Bashkimin Europian dhe pjesën tjetër të botës, duke aktruar si bashkëpunues në
zgjidhjen e problemit të Kosovës, duke shfrytëzuar në të njëjtën kohë
përkrahjen ndërkombëtare për ta fituar dhe mbajtur pushtetin absolut në Serbi,
për ta robëruar shtetin plotësisht dhe shndërruar në park të tij zbavitës.
Njohja e Kosovës do ta
trondiste pozitën e gjithëlavdishme të Vuçiqit, dhe me qenë se atij nuk i
intereson asgjë më tepër se pushteti dhe fuqia, gjasat janë të vogla se do ta
rrezikojë atë që e do më së tepërmi. Realiteti i vrazhdë i jetës politike serbe
është i tillë, por të mençurit tanë e urrejnë realitetin si dukuri e hapur
antiserbe; ata nga lartësitë e tyre intelektuale rrallëherë zbresin në këto
ultësira tona ku jetojnë njerëzit e rendomtë, prandaj faktet aspak nuk i
pengojnë në zhvillimin e përralllave për mbrojtësit e vegjël të Kosovës.
Nëse dikush beson se Kosova
është pjesë e Serbisë, ai nuk e ka
vështirë të besoj se si kryetari do ta njohë Kosovën, dhe pas kësaj vetëm
qielli është kufiri i haluciacioneve.
Për ta parandaluar rrezikun
inekzistent, intelektualët janë angazhuar me shpirtë, duke organizuar tribuna
dhe tryeza të rrumbulllakta, kanë kirijuar web-faqen e Lëvijes, shkruajnë
pandërprerë tekste në të cilat, në mënyrë origjinale paraqesin problematikën
kosovare; nuk e kanë vështirë të jenë mysafirë nëpër mediume dhe në vijën e
parë të frontit të luftojnë për zemrën e Serbisë, thjeshtë – janë të
palodhshëm.
Nuk është çudi pse
intelektualët janë aktivizuar aqë shumë, sepse për ta skenari sipas të cilit
Serbia do ta njihte pavarësinë e Kosovës është më i rrezikshëm se vet
apokalipsa, zhdukja e botës, shiu sumporik dhe vërshimi i karkalecave. Siç e
thotë me urti filozofi Çasllav D.Koprivica, duke i qëndruar kundërshtisë:
”Lëvizja jonë është e barabartë me lëvizjën e popujve të ballafaquar me
kanosjen e tmerrshme të zhbërjes së identietit, që do të bëhej poqese
vullnetarisht do të heqnim dorë nga Kosova e Metohia”
Ithtarët e
kultit religjioz opskurantist
Koprivica flet për Kosovën
si për një “amanet të djepit tonë”, dhe eventualisht heqja dorë nga krahina e
dikurshme jugore, “do të binte mbi të gjithë ne dhe mbi pasardhësit tanë
mallkimin e tradhëtisë së të Shenjtit, tradhtësisë së shkakut të krijimkuptimit
të qëndresës së popullit tonë”. Ah, shihni se si këta filozofë dijnë të
shprehën kaq bukur, është çudi. Hajde, provoni ju ta mendoni shprehjen si kjo
“shkaku i krijimkuptimit të qëndresës sonë popullore”, të shohim a po ia arrini.
Shihet qartë se filozofi ka
marrë mësime nga magjistarët dhe stilistët e gjuhëtarët më të mirë, si për
shembëll, nga Matija Beçkoviqi. Në mendimet e thella filozofike të Koprivicës
jehojnë urtësitë e Beçkoviqit, si psh. Ajo: ”Kosova është fjala serbe më e
çmueshme”, apo ”Kosova është satelit i planetit të Serbisë”.
Edhe anëtarët e tjerë të
Lëvizjes nuk janë më pak inventivë. Intelektualët bëjnë gara se cili do shpikë
sintagma më të mira e më mbresëlënëse për Kosovën. Kështu, bie fjala, profesori i letërsisë,
Vlladimir Dimitrijeviq thotë se përcaktimi për Kosovën është “fill i
pamposhtur”; profesori i Fakultetit të Matematikës, Aleksandër Lipkovski thotë
se Kosova është “kuptimi i qenies serbe”; ndërsa filozofi dhe profesori
universitar Bogolub Shijakoviq jep diagnozën se çështja e Kosovës është “një
lloj skaneri apo rentgeni i gjendjes sonë, gjendjes së organizmit serb”.
Piktori Millosh Shobajiq e thotë shkurt
dhe qartë: “Kosova është bukuria jonë dhe shpirti jonë”, ndërsa kleriku,
teologu dhe profesori Darko Ristov Gjogo, në lidhje me betimin e Kosovës thotë:
“Serbizmi obligon, ndërsa Serbia Qiellore obligon hyjnueshëm”.
Nga tekstet e shumta dhe
mendimet e kokave tona më të mençura është vështirë të kuptosh se çka është kjo
Kosovë famoze. Kjo më së paku është
territor, shtet apo krahinë, diçka si një copë toke reale e planetit të Tokës,
në të cilën jetojnë dhe punojnë dofarë qeniesh njerëzore. Të vetmën gjë që mund ta nxjerrë si përfundim
vëzhguesi i paanshëm nga këto shkrime, është se Kosova qenka njëfar hyjësie,
prandaj intelektualët tanë të mëdhenj në të vërtetë janë ithtarë të një kulti
religjioz opskurantist. Veçse, nuk është
nevoja që bindjet e tyre religjioze t’i shesin për krishtërizëm.
Gjithfarë të këqijash kanë
bërë njerzëtit në emër të Krishtit: i kanë përndjekur heretikët, i kanë djegur
shtrigat, kanë zhvilluar luftëra kryqëzatash, kanë organizuar net të
ndryshme të Bartolomeut, por dihet se
Krishti me këto nuk ka kurrëfar lidhje. Sikur që nuk ka lidhje as me vrasjet e
civilëve në Kosovë, dhunimet, djegëjen e shtëpive, plaçkitjet sistematike,
përndjekjet dhe mbulimin e trupave të fëmijëve në varrezat masive në Batajnicë.
Nuk
dëshirojmë luftë, veçse mezi presim të fillojë lufta
Edhepse kanë gojën plot
fjalë madhështore, në atë lëmsh të betimit për djepin, për kuptimin e qenies
serbe, fillimin e pamposhtur, dhe të tjera – siç do thoshte Konstantin Kavafi
“banalitete të zhurmshme”, nganjëherë shihen rreze të pragmatizmit të papritur.
Intelektualët kohëpaskohe zbresin nga lartësitë e padukshme të Serbisë
Qiellore, në realitetin e urrejtur dhe ofrojnë zgjidhje konkrete të problemit
të Kosovës. Ja, për shembëll, Çasllav Koprivica ka idenë se “I vetmi dialog
i brendshëm serb për Kosovë-Metohinë, duke mos llogaritur dialogun për çështjet
teknike, të cilat nganjëherë mund të jenë të dhembshme dhe të errëta, pra i
vetmi dialog i ndershëm duhet të zhvillohet në Shtabin e Përgjithshëm, kur për
këtë të jetë koha.”
E shihni se ku përfundojnë
tregimet e rrejshme idealistike mbi etikën e Vidovdanit, identitetin, vendet e
shejta, kuptimin, shpirtin dhe bukurinë – në thirrjen për luftë dhe
shkatërrim. Kur të shpërndahet e gjithë
ajo mjegull e krijuar nga metaforat banale, në fund mbetet vetëm gjakimi për
vrasje. Është komike ajo që mbrojtësit e Kosovës nuk janë në gjendje t’ia
pranojnë vetvetes se gjakojnë për këtë, dhe kjo shkakton pështjellim logjik
total në mendimet e tyre.
Vlladimir Dimitrijeviq
thotë: “Kur mëkatet dhe tradhëtitë shumohen, atëherë vjen deri te lufta
fizike, sepse Zoti tërhqiqet dhe i lë njerëzit të korrin atë që kanë mbjellë me
djallin. Nuk mund të tradhëtohet Krishti
i betimit të Kosovës, dhe të jetohet në paqe. Natyrisht, feja pravosllave është
paqëbërëse dhe askush nga pravosllavët nuk e dëshiron luftën. Serbët e kanë
thënien ‘kush do luftë, luftën e pastë në shtëpi’. Por, feja pravosllave nuk
është qyqare dhe nuk është rrejshëm
pacifiste”.
Se çfarë ka dashur
shkrimtari të thotë me këtë, as vet nuk e di, sepse po ta dinte do të shprehej
më qartë dhe në mënyrë koherente. Pravosllavët nuk dëshirojnë luftë, sepse
pravosllavja është fe paqebërëse, por nuk është pacifiste në mënyrë qyqare, dhe
nëse ndodhë tradhtia e Krishtit të amanetit të Kosovës, atëherë duhet të
luftohet, sepse feja pravosllave nuk është qyqare. Shkurt, nuk dëshirojmë
luftë, por mezi presim të fillojë lufta. Kështu na ndihmoftë Krishti i amanetit
të Kosovës. Të cilin kurrësesi nuk duhet ngatërruar me Krishtin e Dhjatës së
Re, sepse këto janë personalitete diametralisht të kundërta, veçse ashtu quhen.
Zoti
gjakpirës në anën e Millosheviqit
Darko Ristov Gjogo, teologu
i ardhshëm, problemin e shtron në rrafshin metafizik dhe religjioz. Ai e çvesh tezën e rrejshme, sipas së cilës
rrafshi politik është e vetmja metafizikë. Ai thotë se e obligon “vetëm
qëndrimi para Zotit dhe para të Dytit, dhe konkludon” “Ky është kuptimi i
politikës si gënjeshtër; unë delegoj qëndrimin para paraardhësve, në atë mënyrë
që së pari nga kërkesa që qëndroin para meje krijoj një problem pseudo-praktik
(‘çfarë të bëjmë me një apo dy million Shqiptarë?), e pastaj atë problem të
lehtë pragmatik ua besoj mjeshtërve të pragmatikës”.
Pra, një apo dy million
Shqiptarë në Kosovë janë “problem i pragmaticës së lehtë”, kështu duket kur
besimtari dhe kleriku qëndron “para fytyrës së të Dytit”: në te nuk e sheh
njeriun, por pengesën për realizimin e projeksioneve vetanake. E kemi parë se
si ushtria dhe policia e kanë eliminuar atë pengesë të vogël në vitin 1999 – me
masakra dhe përzënien e 900 mijë Shqiptarëve nga Kosova.
Janë përhapë gjërë e gjatë
ata Shqiptarë mu në mes të kuptimit të qenies serbe, në qendër të bukurisë dhe
të shpirtit tonë, deri sa hordhitë e armatosura nuk arritën ta përmbushin
betimin e Kosovës me zjarr e hekur. Sepse, siç thamë pak më lart, “Serbizmi
obligon, kurse Serbia Qiellore obligon hyjnueshëm”. Nuk ka asnjë neveri që nuk
ia vlenë të bëhet në emër të “Krishtit të betimit të Kosovës”. Kështu besojnë
dhe mendojnë kokat tona të mençura, profesorët, doktorët, yndyra intelektuale e shoqërisë sonë të mjerë; I
tillë është edhe Zoti i tyre gjakpirës të cilit i luten – gjithmonë i gatshëm
të pranojë ndonjë victimë njeriu.
Me qenë se janë bërë rob të
etikës të lartë të vidovdanit dhe të
mbrojtës së betimit të Kosovës, duke shikuar lartë në Serbinë Qiellore,
profesorëve tanë iu kanë shpëtuar pa i vërejtur ca imtësira që që po ndodhin në
tokë, në realitetin të cilin e urrejnë ata. Bie fjala, vuajtjet e pashembëllta
të njerëzve.
Për shembëll, profesori i
letërsisë Ismet Haxhiavdiu, nga Gjakova, të cilit në prill të vitit 1999,
forcat serbe ia kishin djegur 20 anëtarë të famljes së gjërë, prej të cilëve 9
ishin gra e fëmijë. Në mesin e tyre ishte
edhe gruaja e Ismetit, Valbona, vajza tetëvjeçare Doruntina, djali pesëvjeçar
Egzoni dhe vajza katërvjeçare Rina. Duke dëshmuar për këtë krim të tmerrshëm,
Haxhikadriu thotë: “Kur e kam gjetur
një copë të indit të njeriut, kam filluar të qajë. Jam ulur dhe kam qarë dy orë dhe e kam sharë
Zotin. Mendoja se edhe ai duhet të jetë në anën e Millosheviqit”
Nëse ndonjë Zot ka qenë në
anën e Millosheviqit dhe vrasësve të tij, ai duhet të jetë “Krishti i betimit
të Kosovës”, i Dimitrijeviqit. Sepse, Krishti e Dhjatës së re dhe jevangjelies
sigurisht nuk është, ngase ai gjithnjë është me të përndjekurit. Janë të kota
të gjitha përpjekjet e mbrojtësve të Kosovës që ta kidnapojnë dhe t’i fshehin
motivte e keqija të tyre pas emrit të tij.
Atje ku lakmohet për territorin, atje ku ktithet për luftë dhe vrasje,
atje ku mbretëron indiferenca ndaj vuajtjeve të njeriut, aty ku nuk ka asnjë
grimë pendimi as ndërgjegje – aty nuk ka as Krisht as krishtërizëm.
(Marrë nga “Al Jazera”; përkth. A.F.)