| E hene, 26.10.2020, 05:41 PM |
Nga Kastriot Dervishi
Në vitin 1944
revista e jezuitëve “Leka” botoi një studim në lidhje me të drejtat e
Shqipërisë etnike. Ky ishte një punim historik, i cili mendohej të ishte
gatshëm për çdo rast nëse shteti shqiptar do paraqitej në konferencën e paqes.
Në procesin tërësisht të montuar ndaj Bashkimit Shqiptar, në të cilin u
pretendua një organizatë e madhe e drejtuar nga profesorët e seminarit jezuit,
doli fare qartë e vërteta. E ashtuquajtura “organizatë” nuk ishte gjë tjetër
veçse në disa letra të xhakojve. Nuk kishte asnjë pjesëmarrje të profesorëve që
u paraqitën si “drejtuesit” e saj, për të mos folur në vijim për veprimtari me
karakter “fashist”, “terrorist”, etj. Profesorët klerikë, bënë një mbrojtje me
të vërtetë dinjitoze. Prokurori Aranit Çela sulmon At Daniel Dajanin pse
revista “Leka” kish botuar punimin historik në fjalë, duke pretenduar synimin
për të penguar luftën. Kurrkund nuk mund të dilet me tezën se fati i luftës
qenka në një punim historik. Për Aranit Çelën, Kosova e kishte vendosur vetë
fatin e saj, duke qëndruar në Jugosllavi, sigurisht.
Pjesë nga
procesi gjyqësor i datës 12.2.1946:
At Daniel
Dajani:
në vitin 1944 librin mbi Shqipërinë etnike e kemi shtypur ne dhe ky është një
studim historik.
Prokurori: Shokë gjyqtarë! A
ka qenë koha në vitin 1944 që Patër Dajani e Padër Fausti me shokët e tyre të
kërkonin Shqipërinë etnike pa dalë okupatori? Kjo nuk arsyetohet.
At Daniel
Dajani:
Ai është një studim i gjatë për t’u paraqitur në konferencën e paqes.
Prokurori: Shokë gjyqtarë! Në
Kartën e Atlantikut është vendosur që çdo popull është i lirë të vendosë mbi
fatin e tij dhe në këtë rast, populli i Kosovës ka vendosur vetë mbi fatin e
tij, por këta kanë dashur me na fut në luftë me Jugosllavinë.