Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Iku edhe Dani

| E enjte, 22.10.2020, 08:29 PM |


DINJITETI I KRITIKËS SONË

Nga Mehmetali Rexhepi

Iku edhe Dani... Ramadan Musliu (1954-2020). Poeti i poezisë së kulluar dhe kritiku i hollë i letrave shqipe; miku i mirë kush e ka njohur nga afër. Gjithsesi paraqitjet e tij kritike paralajmëronin një optikë krejtësisht tjetër nga ajo tradicionalja, ndesh asaj soc-realiste për letrat shqipe. Fillimin e kapjeve kritike të Ramadan Musliut e kishte vërshuar terminologjia e huaj, por gjithnjë gjatë depërtimeve të mëpastajme në aspekte e dukuri të qëmtimit të veçantive dhe përgjithësimeve teorike, tek autorë dhe rrjedha të shkrimeve letrare- poetike, Dan Musliu i përzgjodhi mjetet shprehëse, duke i qëruar për ta gëlltitur më lehtë kumtin dhe kuptimin e thënies tij kritike. Vështrimet kritike dhe estetike të Ramadan Musliut kapërcejnë rutinën shoqërore, ose përshkrimin e veprës si shkallë e parë e njohjes në përshkallëzimin e konceptit të Blumit për njohjen.

Po të vështrohen me vëmendje, Ramadan Musliu vështrimet kritike për akëcilët autorë të letërsisë bashkëkohore shqipe, i vështroi, i analizoi, i sintetizoi me kriterin e konceptimit shkencor, jashtë klisheve jetëshkrimore të autorëve, jashtë paragjykimeve ideologjike e politike, prore brenda një diskursi vlerësues me një arsenal shkencor, pa mbufatje tiradash e animesh meskine, por me peshoren e një logjike analitike... Sipas metodologjisë së shkrimeve kritike të Ramadan Musliut, vepra artistike trajtohet si plotësi e pleksjeve të thënieve të ngjyrosura, pra, figurës dhe reflektimeve figurative brenda ngërthesash filozofike, estetike, kontekstesh ideore, estetike, etike dhe evoluimit të relievit njerëzor...

E pohuar në trajtën e përmbylljes së këtij diskursi përkujtimor për Ramadan Musliun në aktin e kalimit tij në botën e amshuar: shkrimet kritike-estetike dhe gama e tërësishme e krijimtarisë së diskurseve të këtij intelektuali, mendimit kritik i ktheu dinjitetin në kahen e duhur... Përgjatë kësaj pandemie, që do të bëhet fatkobi i tij, pata fatin të shkëmbeja disa njoftime për mbylljen e detyrueshme të tij dhe, për qasjen intensive prirjes për përkthime poetësh, autorë botërorë dhe të rajonit të Ilirikumit të ballkanizuar... E përgëzoja pas çdo përkthimi nga frëngjishtja ose gjuhët e fqinjëve tanë... Ishte më e pakta që mund të bënim për njëri-tjetrin dhe kulturën tonë të komunikimit... Madje, nga Dan Musliu e mora edhe pëlqimin për emrin e tij redaktor, për dy vëllimet e mia të kahershme në prozë dhe kritikë e eseistikë letrare...

Ramadan Musliun që nga dita e sotme nuk do ta kemi në mesin tonë, por do t`i kemi veprat e tija të sferës së lartë artistike dhe intelektuale. Lamtumirë Dan!... Padyshim dinjiteti Yt është skalitur brenda veprave Tua!