| E merkure, 21.10.2020, 09:41 PM |
“Mirësevini Zoti
Marshall!”
Nga
Andon Dede
Një
“Plan i ri Marshall”, - kështu u vlerësua nga ekspertët amerikanë marrëveshja e
nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nga Serbia dhe Kosova, pasi Shtetet e
Bashkuara po investojnë plot 13 miliard dollarë, shumë që nuk ishte parë që pas
Luftës së Dytë Botërore.
Dy
javë pas paktit të ndërmjetësuar nga presidenti Trump, një delegacion amerikan
vizitoi Kosovën. Duke folur për investimet amerikane, Grenell tha se projektet
infrastrukturore dhe ekonomike janë provë e përkushtimit të presidentit Trump
ndaj rajonit. “Nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Trump. Pas
marrëveshjes, presidenti na mblodhi dhe na tha: “Tani duhet të shkoni ta
zbatoni atë që u nënshkrua në Uashington”, tha Grenell.
Pas përfundimit të takimit me liderët
e Kosovës, Grenell foli për mediat. “Përshëndetje nga presidenti Trump. Jam
këtu bashkë me shumë kolegë. E shikoni këtë prapa meje? Ai është njeriu i
parave. Ai e ka sjellë një çek të madh. Në fakt, ende jo, por do ta
sjellë” – tha Grenell duke iu referuar Adam Boehler, Shef Ekzekutiv i
Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-ve. “Çfarë ne dëshirojmë të bëjmë është që të zbatojmë me
përpikëri zotimet. Duam që t’i tregojmë popullit të Kosovës se do të punojmë
për zhvillimin e tij ekonomik”.
Si
në Prishtinë edhe në Beograd, më i gëzuar apo dhe më i kënaqur për marrëveshjen
në fjalë, dukej Grenell, madje ai as nuk përpiqej ta fshihte entuziazmin.
Veçanërisht kjo ra në sy gjatë një darke në Beograd, me presidentin
dhe kryeministren e Serbisë, duke kënduar këngë tradicionale amerikane. Logjika
më elementare, me që është fjala për një marrëveshje dypalëshe, do të kërkonte
që nderohej jo vetëm mysafiri, por dhe vetë pjesëmarrësit, veçanërisht Kosova,
për njëqind arsye, që nuk po përmend këtu. Por, euforia e mysafirit as që linte
shteg për protokolle të atilla.
As
që do të ndalesha aq shumë te kronikat e kësaj marrëvesheje, nëse ato nuk do të
më sillnin në mendje një film
spanjoll, të viteve ’50, të shekullit të kaluar, që më ka lënë mbresa të pashlyeshme
sa që kujtohet me detaje, si ta kisha parë dje.
* * *
“Mirësevini Zoti Marshall!” (Spanjisht: “¡Bienvenido,
Mister Marshall!”).
Është një film-komedi, e vitit 1953, me regjizor Luis
García Berlanga dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e kinemasë spanjolle.
Filmi fitoi çmimin ndërkombëtar për komedinë më të mirë, në Festivalin në Kanë,
më 1953. Në vitin 1996, Akademia Spanjolle e Filmit e cilësoi atë si filmi i
pestë më i mirë spanjoll i të gjitha kohërave.
Regjizori Berlanga, përmes këtij filmi, nxjerr në pah
stereotipet e trashëguara nga spanjollët e amerikanët në lidhje me kulturat e
njeri-tjetrit dhe njëkohësisht nuk i kursen
kritikat sociale të Spanjës Frankiste të viteve ’50, të shekullit të
kaluar.
Filmi tregon për një fshat apo qytet të vogël kastilian, Villar del Rio, tipik spanjoll; me
banorë po aq tipikë: pjesa më e madhe e popullsisë janë fshatarë, një prift,
një kryetar dhe një hidalgo. Kryetari i moshuar dhe paksa i shurdhër, Don
Pablo, është i alarmuar, pas një vizite të përfaqësuesi të Qeverisë lokale, i
cili i thotë atij se amerikanët janë përgjegjës për shpërndarjen e fondeve të
Planit Marshall. Ata do të kalojnë nëpër fshat, prandaj, duhet bërë ç’është e
mundur që të lënë përshtypjet më të
mira, duke filluar me rrugët, shtëpitë e vetë veshjet e banorëve. I inkurajuar
nga Manolo Moran, që ka qënë dhe vetë në Boston, ai pretendon se e di se çfarë
iu pëlqen më shumë amerikanëve. Fshatarët nuk i kursejnë parat, në përpjekjet e
ethëshme për t'iu shprehur mysafirëve mirëpritjen më të mirë që mund të
imagjinohet. Ata besojnë se, sa më gjatë që të qëndrojnë amerikanët në fshat,
aq më shumë para do të lënë atje dhe, për pasojë, fshatarët mund të blejnë çdo
gjithë që do të dëshironin ndonjëherë. Megjithëse fshati është në Castilje, ata
veshin rroba andaluziane për të gjithë, sepse, sipas Manolios, pikërisht kjo
është ajo që amerikanët duan të shohin në Spanjë. Rregulluan dhe ri-dekoruan
plotësisht rrugë të reja, me fasada, lule, konfeta e të tjera. Improvizuan
gjithashtu një ceremoni të hollësishme të mirëseardhjes, të kompletuar me
sfilatë, orkestër, këngë dhe vallëzime.
Më në fund, erdhi dhe dita e shumëpritur e vizitës së
amerikanëve. Por, ndërsa i gjithë qyteti mezi po priste për të demonstruar
përgatitjet e shumta që kishin bërë vendasit, autokolona amerikane shpejtoi
nëpër fshat pa u ndalur?!. Vendasit s’po iu besonin syve... Të zgjënjyer sa më
s’ka, atyre nuk iu mbetej gjë tjetër veç të hiqnin dekoratat dhe të paguanin
shpenzimet personale me paret e veta...
Në vendin tonë, filmi u shfaq mbas disa vjetësh dhe u
prit shumë mirë, si nga spektatorët dhe gazetarët që shkruan për të. Edhe pse
nga shfaqja e filmit ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, siç thashë dhe më
lart, mbresat për të më kujtohen si t’i shihja dje. Njerëzit gajaseshin nga të
qeshurit.
* * *
Këto shënime për
marrëveshjen e mësipërme apo dhe për filmin që përmendëm më parë, mund t’i
mbyllja edhe këtu, si epilog i gjithë kronikave për sa folëm më lart. Por, m’u
duk me interes që të kthehem pak në kohë, për më tepër që është fjala persona
publikë që lidhen direkt me zhvillimet e Ballkanit Perëndimor.
Para disa kohësh, Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo,
emëroi Zëvendës-ndihmës-sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, si të dërguarin
Special për Ballkanin dhe zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, gjë
që u vlerësua si një lëvizje e matur e politikës së jashtme amerikane dhe kthim
i vëmendjes së saj në Ballkan. Për më tepër, zoti Palmer vlerësohet si një
njohës i mirë i Ballkanit dhe me një eksperiencë të konsiderueshme me problemet
e këtij rajoni. Nga ai pritej ndihmë në zgjidhjen e çështjeve shumë të ndërlikuara në këtë
rajon.
Dikur, diplomati
amerikan ka punuar në ambasadën e vendit të tij në Serbi. Aty e ka njohur edhe
Danica Damjanovic me të cilën është martuar më pas. Kaq mjaftoi që të bëhej
lajm si shkak i origjinës së bashkëshortes së tij. Ministri i jashtëm serb,
Ivica Daçiq, që njihet edhe si hokatar, ka qenë përkrah Palmerit gjatë një
takimi të shefave të diplomacisë ballkanike në Bled të Sllovenisë, ku i është
drejtuar zyrtarit të lartë amerikan me shprehjen e njohur në këtë anë: “ne
themi jam nga fshati i gruas”. “Kur bëhet fjalë për Matthew, ne e njohim
njëri-tjetrin për shumë vite dhe nuk pres asgjë nga ai, por më shumë nga gruaja
e tij, e cila ka prejardhje nga ky rajon”, -
deklaroi Daçiç, teksa ky deklarim i tij shkaktoi të qeshura te të
pranishmit në sallë.
Mediat serbe kanë rikujtuar intervistën që Palmer pat
dhënë kohë më parë për shtypin e këtij vendi. “Ju thoni: “Nuk mbajmë anë në
mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë.”- tha Palmeri. Por, ndryshe nga sa
deklaroi në intervistë, vëzhguesit tërhoqën vëmendjen se ai nuk rresht së dhëni mesazhe të këqia që kur ka filluar të
merret seriozisht me Ballkanin. “Dhëndëri” shihet si pjesë e një aleance
të natyrshme. Por, Palmeri shihet edhe si një person që është përzier në punët
e brendshme të Serbisë dhe Kosovës, me rastin e krijimit të qeverisë, e thuhet
madje se e ka mbështetur Partinë Përparimtare të Vuçiqit.
Gjatë një vizite në Mal të Zi ai e
pat quajtur republikën e vogël, ku mbretëroi prej tre dekadash Gjukanoviçi, si
vendin më të suksesshëm multietnik të rajonit.
Pa ardhur akoma në vendin tonë, disa
nga analistët tanë, mezi po prisnin deklaratat e tij, sidomos për shkeljet e vazhdueshme
të kreu-rinindasit tonë, meqënë se ishin para zgjedhjeve. Veçanërisht, një nga
analisitët tanë, që njihet si më entuziasti, shprehej me superlavita: ”Ja, të
shihni se ç’ka për të bërë ai, “buldozer” e më tej akoma… Ata nuk janë legenë, si këta tanët…“ - tha ai, duke
kujtuar “buldozerin” e parë që nxorri protestuesit nga çadra.
Por,
ndryshe nga ç’prisnin, i dërguari posaçëm, zoti Palmer, ua preu shkurt: “Nuk
kam përgatitur për këto probleme…”, duke i lënë me gisht në gojë tërë ata që po
prisnin. Në vend të takimit me zyrtarë, ai zhvilloi një bisedë të ngrohtë më
studentë të Gazetarsisë. Mos të harrojmë se opinioni amerikan e njeh Matthew
Palmerin, në radhë të parë, si shkrimtar.
Më pas, Palmeri, nuk i ka kursyer
opinionet e veta pozitive dhe për qeveritarët tanë, duke nxitur votuesit të
marrin pjesë në zgjedhjet moniste, paçka se Kryetari i Shtetit tonë kishte
dekretuar datë tjetër.
Në
fjalën e tij në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos, zoti Palmer i ka cilësuar
të forta themelet e demokracisë në Shqipëri, kurse zgjedhjet i ka vlerësuar të
lira. Duke i quajtur të tilla, përmes “Zërin të Amerikës”, ai, si të ishte kryetar Shteti, lëshoi
fermanin: “Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të
qeverisin”.
Mund të zgjateshim edhe më tej me
diplomatin, shkrimtarin dhe dhëndërin,
tashmë të njohur por, pa ezauruar akoma bëmat e tij, na erdhi radha e një
diplomati tjetër dhe pikërisht ai që do ta zëvendësojë Palmerin. Është fala për
ambasadorin amerikan në
Gjermani, Richard Grenell, që është emëruar si emisar i presidentit të
SHBA-së, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me të cilin filluam edhe
shënimet e sotme.
Një emërim i tillë ka ngjallur habi tek shumë ekspertë e
ish-diplomatë, pasi vetëm pak ditë më parë, Sekretari Amerikan, Pompeo, kishte
emëruar Palmerin në të njëjtin pozicion.
Në shumë veta qarkullon mendimi se Trumpi e ka emëruar Grenell-in
meqenëse ka besim shumë të madh në të, ndërsa Palmerin nuk e konsideron si
njeri të afërt apo pjesë e rrethit të
ngushtë të Presidentit. Ilustrimin më të qartë, për gjithë sa po flasim, e bëri
vetë e Shtëpia e Bardhë, me Marrëveshjen e nënshkruar nën kujdestarinë direkte
të Trumpit.
Pas epilogut që vumë në krye dhe prologut që e lamë në fund, çdo koment do të qe i tepërt.
New York, 20 tetor
2020