| E marte, 20.10.2020, 08:59 PM |
SHQIPTARËT KANË NEVOJË PËR PAJTIM KOMBËTAR!
TURPI NË RADHËT E TË PATURPSHËMVE
(Një libër i ri në anglisht dhe reagimi i
Profesor Sami Repishtit ndaj Kryeministrit Rama)
Nga Frank
Shkreli
“Sa për komunizmin, ballist, unë nuk kam asnjë lidhje
emocionale ose intelektuale me të, im atë po, ka qenë komunist si shumë të
tjerë, dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë...”. Kryeministri i
Shqipërisë, Z. Edi Rama në parlament, 30 korrik, 2020.
“Jemi ndarë komunistë e ballistë, që
në vitin 1944...” dhe shton, “Është shekulli i
mendjes dhe jo i forcës, se po të ishte e tillë...”, Kryetari i Kuvendit të
Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, 24 Shtator, 2020.
Nga ana e tij, deputeti i Ballit Z. Adriatik Alimadhi bllokon
foltoren e Kuvendit dhe shanë, Z. Gramoz Ruçin, “komunist i ndyrë”, 24
Shtator, 2020.
Kur njeriu dëgjon deklarata të tilla nga udhëheqsit më të
lartë të Republikës së Shqipërisë – Kryeministrit të vendit, Kryetarit të
Parlamentit dhe një interlokutori të ashtuquajturës opozitë – të një Shqipërie
30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar, vend anëtar i NATO-s, aleancë
ushtarake që për një gjysëm shekulli mbrojti lirinë dhe demokracinë perëndimore
nga hordhitë komuniste sllavo-aziatike dhe të një Shqipërie të shekullit XXI,
që të pakën me fjalë aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian – lind
pyetja: quo vadis Shqipëri? Kush janë këta njerëz dhe në cilin vend tjetër
evropian do të toleroheshin deklarata të tilla në mbështetje të një ideologjie
sllavo-aziatike – jo nga ndonjë pseudo-historian nostlagjik i komunizmit – por
nga foltorja e parlamentit të një vendi anëtar i NATO-s?
Këto deklarata janë provokime të rënda ndaj një
përqindjeje të madhe të shqiptarëve dhe familjeve të tyre, që për pothuaj 50-vjet
kanë vuajtur dhe vuajnë gjithnjë pasojat e tmershme të komunizmit. Me të thënë të drejtën nuk kisha në plan ta
prekja prap këtë subjekt, pasi jam lodhur me nostalgjikët e komunizmit në
nivelet më të larta politike të Tiranës, si dhe në radhët e akademikëve,
gazetarëve, opinionistëve dhe publicistëve shqiptarë, të të gjitha ngjyrave, të
cilët po helmojnë brezin e ri të shqiptarëve.
Por gjithnjë nuk mund të heshtë dhe detyrohem të pyes veten, në cilin
vend tjetër ish-komunist të Evropës së NATO-s dhe të Bashkimit Evropian do të
toleroheshin deklarata të tilla nga zyrtarët më të lartë të qeverisë e të
shtetit nga tempulli i gjoja “demokracisë” shqiptare?
Kam në dorë një libër të posa botuar në anglisht këtu në
Shtetet e Bashkuara, titulluar, “Shame Among the Shameless”, ose (“Turpi në
Radhët e të Paturpshëmve”, nga autorja e re shqiptaro-amerikane, Monika
Koleci. Në këtë libër, ajo përshkruan
historinë tronditëse të zemrës së një familje me nëntë anëtarë nga fshati
Fishtë në rrethin e Lezhës në Shqipëri-- të familjes së saj të gjerë pra -- të
cilët u persekutuan ashpër pasi i rezistuan regjimit komunist në fillimet e
tij. Protagonisti kryesor, Vasa, djali i
madh i çiftit Toma dhe Lina, pasi mori vesh se regjimi komunist i kishte
burgosur prindërit e tij, ai la ushtrinë dhe u bashkua me çetat antikomuniste
që vepronin brenda vendit për të rrëxuar regjimin komunist. Veprimet e tij përshkruhen si heroike, por
tepër të dëmshme për familjen e tij, veçanërisht për vëllain e tij Lukën, i
cili është torturuar për disa muaj nga regjimi komunist dhe më pas kaloi disa
vite në një kamp përqendrimi. Pjesa tjetër e vëllezërve dhe motrave të tij,
sipas librit, u dërguan në një kamp internimi.
Gjatë gjithë kësaj kohe, motra e madhe, Çilja, bëri të pamundurën për të
mbajtur familjen Koleci, së bashku.
Askush në familje nuk është kursyer nga vuajtjet, sipas tregimit në
librin në fjalë. Etja e antarëve të
kësaj familjeje për liri u ndesh me shtypje, tortura, madje edhe vdekje.
Vuajtja dhe turpërimi i pamerituar me të cilin janë përballur anëtarët e
familjes Koleci, pasqyrojnë vështirësitë e të gjithë shqiptarëve që në atë kohë
nuk u pajtuan me atë regjim due të cilët guxuan të ndërmerrnin veprime kundër
regjimit komunist shqiptar, në emër të lirisë, demokracisë dhe në mbrojtje të
vlerave perëndimore.
Një prej këtyre shqiptarëve që e ka pësuar rendë mos
pajtimin e tij me regjimin komunist të Enver Hoxhës është edhe miku dhe kolegu
im i dashur Profesor Sami Repishti – njëri prej figurave më të njohura të botës
shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve tona si dhe në diasporën e pas Luftës së
Dytë Botërore e deri më sot – i cili gjithnjë me shkrimet e tija ende nuk
pushon të dëshmojë ferrin e komunizmit shqiptar, bazuar në përvojën dhe
vuajtjet e tija personale në burgjet e Enver Hoxhës.
Në një shkrim të ditëve të fundit, duke reaguar ndaj
deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Rama në parlament, se “Komunizmi
dhe komunistët ishin në anën e e duhur të historisë”, Profesor Repishti, në analizën e tij me
titull: “Ju lutemi, mos lëndoni plagët tona të hapuna!”, Profesori i nderuar
shqiptaro-amerikan rrjeshton disa fakte se pse komunistët dhe komunizmi, në të
vërtetë, nuk kanë qenë kurrë në anën e duhur të historisë, siç pretendon
Kryeministri Rama.
Në analizën e botuar në potalin e gazetës Dielli të
Vatrës në Nju Jork, https://gazetadielli.com/sami-repishti-ju-lutemi-mos-lendoni-plaget-tona-te-hapuna/,
Profesor Repishti shkruan se e kundërta është e vërtetë. Si viktimë e komunizmit të Enver Hoxhës,
Profesor Repishti shkruan se komunistët shqiptarë kanë qenë pjesa më fatkeqe e
vendit, trashëgimtarë të krimeve dhe dhunës së pashoqe në Shqipëri. Prof. Repishti përmend me data disa prej
ngjarjeve dhe veprimet fatzeza të udhëhequra nga komunistët gjatë dekadave ndaj
kundërshtarëve të tyre, e që sipas tij, kanë sjellë tragjedinë shoqërore dhe
izolimin e Shqipërisë, pasojat e të cilës ndihen edhe sot. Dhe me të drejtë, Profesori ynë i nderuar, i
kujton Kryeministrit Rama dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai, ndryshimin
thelbësor midis komunistëve që morën pushtetin me dhunë në vitin 1944 dhe
ngjarjeve të vitit 1990 që sollën rrëximin e sistemit zyrtar komunist në
Shqipëri: “Për fatin e madh të popullit
tonë, (me 1990) rrugët e sheshet e Shqipërisë nuk u mbuluen me gjak, ashtu siç
ngjau me 28 nandor 1944…Na nuk kërkuem varjen në litar të Byrosë Politike”,
shkruan Profesor Sami Repishti.
Ky pra është ndryshimi midis komunizmit dhe komunistëve
në Shqipëri dhe brezit të shqiptarëve, kundërshtarë të komunizmit, denjësisht
të përfaqësuar sot nga Profesor Sami Repishti.
Megjithë vuajtjet e tyre dhe krimet ndaj familjeve të pafajshme
shqiptare, siç ishte edhe familja Koleci, vuajtjet dhe mundimet e të cilës
pasqyrohen në librin e lartë përmendur, “Turpi në Radhët e të Paturpshëmve”,
(Shame Among the Shameless”, të posa botuar në anglisht këtu në Shtetet e
Bashkuara – ish-të-përndjekurit e regjimit enverist – megjithë humbjet e tyre
të mëdha -- kurrë nuk kanë kërkuar as
nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm pajtim kanë kërkuar dhe kërkojnë për
shoqërinë shqiptare, sidomos, nga udhëheqsit më të lartë të vendit. Ata presin
pajtim kombëtar midis brezave të shqiptarëve --pa dallim ideologjie, feje a krahine
-- në radhë të parë nga përfaqsuesit e tyre politikë, pasi ata janë përgjegjës
për të siguruar unitetin e popullit dhe të kombit, pa dallime.
Në shkrimin e tij, Profesor Repishti i lutet
Kryeministrit Rama, por edhe të tjerëve, në
emër të viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që me deklaratat
e tyre të papërgjegjshme, “të mos lëndohen plagët tona të hapuna” dhe u kërkon
atyre që “Mos harroni se nji kalvar i vërtetë 45-vjeçar ashtë përjetue nga nji
popullsi disamilionëshe nën tiraninë e murtajës komuniste. Mijëra të pushkatuem pa faj, të arrestuem, të
torturuem, të gjykuem e të burgosun pa faj, të shpronësuem pa të drejtë, me
plotësue dëshirat satanike të udhëheqësve injorantë e maniakë komunistë, ose me
plotësue forcën punëtore të nevojitun për projektet e çmenduna”, i kujton ai
Kryeministrit.
Më në fund, Profesor Repishti u kujton autoriteteve “ma
të nalta që qeverisin vendin tonë”, se në vend të justifikimeve the lavdërimeve
të komunizmit -- e si përfundim edhe të krimeve të atij sistemi gjakatar -- të
pakën të ofrojnë “nji fjalë ngushëllimi, nji përkëdhelje për fëmijët pa prindë,
për të vejat pa burrë, për prindët pa djalin e pa vajzën, të zhdukun në qelitë
e errëta mesjetare të Sigurimit kriminel… e kampe përqendrimi”, shkruan Prof.
Repishti dhe përfundon duke kujtuar kalvarin e familjes sës vet: “Mijëra të tjerë si unë kemi zemrën e thyeme
pa shërim! Babai, viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë, viktimë e
terrorit nazist; nana, motra e vëllau minorenë, víktima të regjimit komunist të
internuem në Berat e Tepelenë…aty ku motra ime 14-vjeçare u detyrue me tërheqë
karrocën e bukës për policët në tatëpjetat e rrugës…në vend të kalit. Unë i arrestuem, i torturuem e i burgosun për
dhjetë vjet të gjata sepse deklarova besnikërinë time për demokracinë liberale
perëndimore; shtëpinë e zanun nga të huejt … e të tjera! Dëshiroj të veçoj nji
rast: ditën e “lirimit” nga burgu, në mbramje, nana plakë, e shqetësueme, më
tha: Nuk kemi të holla me ble bukën! Ishte dita e ime e parë në “liri”,
përfundon shkrimin e tij Profesor Sami Repishti, në përgjigje të deklaratës së
kohëve të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama se, “Komunizmi dhe
komunistët ishin në anën e duhur të historisë.”
Të nderuar udhëheqës të Shqipërisë. Dëgjoni të urtin Profesor Sami Repishtin i
cili ka kaluar 10-vjetë në qelitë e errëta të
torturës së regjimit komunist në Shqipëri due gjamën e mijëra viktimave të
komunizmit në Shqipëri, para se të bëni deklarata të tilla të papërgjegjëshme
dhe të pahijshme për autoritetet e një vendi anëtar të Aleancës së NATO-s.
Shprehje të tilla nuk u nderojnë ju para popullit tuaj dhe Shqipërinë e shekullit XXI, jo se jo,
para botës! Tri dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri,
Më në fund, Kombi shqiptar ka nevojë për një ballafaqim të sinqert me të
kaluarën komuniste, ka nevojë për të vërtetën historike dhe, përfundimisht,
vendit i nevojitet pajtimi kombëtar midis shqiptarëve. Mjaft me deklarata që
nxisin urrejtje midis shqiptarëve!