| E hene, 19.10.2020, 08:24 PM |
Lajçakofobia e
(pa)arsyeshme!
Shkruan:
Florim Zeqa
Pas
arrestimit të dy drejtuesve të OVL të UÇK-së, emri më i përfolur ishte Gjykata
Speciale, ndërsa tani pas kërkesës për formimin e Asociacionit të Komunave
Serbe, emri më i permendur në Kosovë është ai i të dërguarit të posaçëm i
Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak!
Ata që sollën specialen,
e sollën edhe "zajednicën"
Por
çuditërisht askush nuk po merret me shkaktarët vendor që sollën Gjykatën
Speciale, Asociacionin dhe jo vetëm!
Nënshkrues
të marrëveshjeve të dëmshme dhe fatale për vendin nuk janë Lajçaku, Borrelli
dhe as Grenelli, por kryeministrat e vendit tonë.
Marrëveshjet
e dësmhme për vendin nuk i ka miratuar Parlamenti Evropian dhe as Kongresi
Amerikan, por i ka miratuar Parlamenti i Kosovës, përkatësisht deputetët shqiptar
të zgjedhur me votën e popullit të Kosovës.
Nuk
duhet marrë me frikë dhe as tragjike kërkesat e Borrelit dhe Lajçakut, të
këtyre dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, vendet e të cilëve nuk e kanë
njohur pavarësinë e shtetit tonë, por duhet trajtuar dhe kuptuar si tragjike
gatishmërinë e liderëve tonë shtetëror dhe partiak, politikanëve dhe deputetëve
që negociojnë me armiqt e shtetit integritetin territorial dhe pavarësinë e
vendit tonë.
Nuk
ishte Lajçaku, Borreli dhe as Grenelli që i falen Maqedonisë dhe Malit të Zi
rreth 11000 hektarë tokë të Kosovës, nuk ishin këta që nënshkruan dhe as votuan
Gjykatën Speciale, Asociacionin, kalimin e tokave komunale në pronësi të
manastireve dhe kishave ortodokse serbe, por ishin liderët politik dhe
deputetët e zgjedhur me votën e popullit kosovarë.
Sikurse
të ndodhnin në kohën e duhur reagimet e koordinuara të skenës politike dhe
shoqërisë civile, sot nuk do të bëhej fjalë për specialen dhe asociacionin e
komunave serbe.
Mirëpo
për fatin e keq të Kosovës, në kohën kur u nënshkruan këto dy marrëveshje të
dëmshme për shtetin, nuk kishte reagime dhe kundërshtime kaq të fuqishme siq po
ndodhin këtyre ditëve të fundit!
Reagimi
i i vonuar i politikanëve më shumë i ngjet "shiut pas të vjelave"
sesa një vendosmërie të sinqertë për të penguar diçka!
Jo ndryshimit të
kushtetutës sipas kërkesave të Lajçakut
Nuk
ka dyshim se kushtetuta e vendit ka nevojë të ndryshohet për shumçka tjetër,
por jo për themelimin e asociacionit të komunave serbe.
Lajçaku
paraprakisht kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
duhet t'i drejtohet parlamentit serb për ndryshimin e kushtetutes serbe e cila
në preambulen e saj e mban Kosovën pjesë integrale të Serbisë.
Është
e vërtetë e madhe që Kushtetuta e Republikës së Kosovës është pengesa e vetme
për themelimin e AKS-së (Zajednicës), dhe është mirë që është kështu, për arsye
se, sa për qendrueshmërinë e liderëve
tonë kjo punë do të ishte harruar siq u harrua Çakorri dhe pjesët tjera që ju
dhuruan Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Ishte
Gjykata Kushtetuese ajo që kishte konstatuar shkeljen e 23 neneve të
kushtetutës me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së 25 Gushtit 2015 në
Bruksel në mes (dy kryeministrave)
Aleksandër Vuçiq dhe Isa Mustafa, duke konfirmuar se asociacioni i komunave
me shumicë serbe nuk duhet të krijojë një nivel të tretë të qeverisjes në
Kosovë.
Përderisa
marrëveshja e parë e 19 prillit 2013 (Thaçi-Daçiq) i vuri themelet e AKS-së,
marrëveshja e 25 gushtit 2015 (Mustafa-Vuçiq) i betonizoi ato themele duke i
fuqizuar me kompetenca ekzekutive.
Pavarësisht
vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me këto dy marrëveshje të dëmshme,
ish dy kryeministrat paraprak, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa e kanë futur
Kosovën në obligime të mëdha ndërkombëtare, nga të cilat, edhe pse vështirë, nuk është e pamundur të dilet!
Me kushtetutë në
mbrojtje të territorit
Pas
dështimeve të njëpasnjëshme në dialog, në veçanti në dialogun e Brukselit, edhe
pse e pamjaftueshme për marrëveshjet ndërkombëtare, e vetmja mundësi për
mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit teritorial të vendit është
KUSHTETUTA, gjegjësisht respektimi i ligjeve të kushtetutës që garantojnë
Kosovën shtet unitar, pa asociacione etnike.
Nuk
kemi arsye t'i frikohemi Lajçakut, Borrelit dhe as Grenellit, por duhet t'iu
frikohemi atyre shqipfolësve që për dy dekada masakruan ekonominë e Kosovës,
atyre që në emër të privatizimit grabiten të gjitha pasuritë publike të shtetit
duke blerë (përvetësuar) toka bujqësore në çmim qesharak "1 ari tokë për
një 1 euro" dhe duke uzurpuar prona publike pas asnjë cent.
Ata
që i bënën "kabull" të gjitha këto mëkate në dëm të shtetit dhe
qytetarëve, dhënjen e territorit të vendit nuk e kanë problem, mjafton të mos u
preken tokat dhe pronat e tyre.
Prandaj,
fati i asociacionit dhe i veriut të vendit në përgjithësi mbetet në dorën e
deputetëve, ku pa 2/3 (dy të tretat) e votave të tyre nuk mund të ndryshohet
Kushtetuta dhe as të votohet asnjë marrëveshje e dëmshme për vendin.
Deputet
shqiptar mos shkelni mbi betimin e dhënë, mos i përserisni gabimet e
legjislaturave të kaluara!