| E diele, 18.10.2020, 04:25 PM |
Shtëpia që e sfidojë
inteligjencën në Prishtinë
Nga Qazim Namani
Trashëgimia kulturore dhe menaxhimi jo profesional i kësaj fushe
Ka vite që kjo
shtëpi e vjetër, e cila ndodhet në qendër të Prishtinës, është rrethuar me
skele, kinse qenka një objekt banimi, që paska vlera monumentale e historike!
Kjo shtëpi çdo
ditë është në sy të qytetarëve, institucioneve akademike dhe institucioneve
qendrore shtetërore. Pranë kësaj shtëpie kalojnë çdo ditë njerëz më ndikim në
politikën e shtet formimit të Kosovës, dhe askush nuk pyet përse kjo shtëpi
është rrethuar me skele!
Distanca në mes të
kësaj shtëpie dhe Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e
Kulturës, por edhe të objektit të Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës është më
pak se 200 m.
Në ministrinë e
Kulturës, përveç Departamentit për Trashëgimi Kulturore, është i themeluar edhe
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Në kuadër të
Parlamentit të Kosovës ka vite që vepron edhe Këshilli për Trashëgimi
Kulturore. Në Prishtinë e ka selinë
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Qendra
për Trashëgimi Kulturore në Komunën e Prishtinës. Përveç këtyre institucioneve
përkatëse, Ministria e Kulturës, angazhon staf akademik shtesë në emër të
këshillave drejtues të institucioneve vartëse të saj! Në Prishtinë është
Universiteti Publik Hasan Prishtina,
Universiteti UBT dhe AAB, në të cilat ligjërohet Lënda e Konservimit dhe
Restaurimit të Trashëgimisë Kulturore. Këtë shtëpi e shohin qytetarë,
qeveritar, student dhe profesor që e ligjërojnë këtë lëndë.
-Përse
kemi Këshill për Trashëgimi Kulturore, kur kemi Departament, Institute e Qendra
për Trashëgimi Kulturore?
-Përse
kemi Inspektorat kur kemi Institucione? Franca në fillim të shekullit XIX, e
kishte punësuar një inspektor për ruajtjen e objekteve të vjetra, por në atë
kohë ende nuk kishte doktrinë të qartë për monumente kulturore. Sot çdo problem
rreth monumenteve është studiuar, janë krijuar ligje e konventa, institucione ndërkombëtare,
andaj çdo i punësuar në fushën e trashëgimisë duhet ti dijë, dhe duhet ta luaj
rolin e inspektorit.
- Çka
është Instituti për ne! Përse themelojmë këshilla drejtues në Institute, duke
zgjedhur profesor nga universiteti me njohuri të pakta nga fusha e trashëgimisë
kulturore, e të cilët për mëditje i marrin përgjegjësitë për keq menaxhim, dhe
e bëjnë të pamundur zhvillimin e instituteve! Përse anashkalohen ekspertët në
institute. Përse nuk punësojmë ekspert, por familjar e militant partiak në institute,
kur kishim rekomandime edhe nga ndërkombëtarë që së paku në Institute ti
punësojmë tre doktor shkencash nga fushat përkatëse. Ne nuk dëshiruam që ti
plotësojmë këto rekomandime!
Është
për tu habitur si askush nuk pyet, përse kjo shtëpi është rrethuar me skele!
Hajt Kosovë he Skelja e Pusit
Si
profesionist i kësaj fushe i punësuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e
Monumenteve, po ju tregoj përse qe shtatë vite, kam heshtur deri sot, për këto
dukuri dhe lëshime profesionale në monumente të kulturës.
Si
ekspert i certifikuar në këtë fushë që në vitin 2011, e kam dhënë provimin e
doktoratës për Konservim dhe Restaurim të Monumenteve të Kulturës, dhe jam i
vetmi nga të punësuarit në MKRS, që e kam dhënë këtë provim të shkallës më të
lartë universitare.
Në
vitin 2010, reagova për objektet e zgjedhura për ti futur në listën e
monumenteve të kulturës. Në atë listë ishin futur shumë objekte që se
plotësonin asnjë kriter të vetëm, për tu marrë në mbrojtje si monumente të
kulturës. Gjatë vitit 2011, 2012, 2013 disa herë reagova lidhur me dëmtimin e
monumenteve të kulturës, gjatë procesit të konservimit dhe restaurimit. Ndaj
meje për shkak të reagimeve u ndërmorën masa, prej anashkalimit e deri te
përgojimet e linçimet e ulëta. Më kohë vendosa që të heshti, sepse nuk ja
vlente që të merrem me atë staf teknik, pa kurrfarë njohurish profesionale e
shkencore, e të cilët e kanë sjellë trashëgiminë tonë kulturore, në këtë
gjendje të mjerueshme, por rasti i kësaj shtëpie po më shtynë të reagoj edhe kësaj
here.
-Po
cilët ekspert janë ata, që e fustën këtë shtëpi në listën e monumenteve të
kulturës!
-Po
cilët ishin ata ekspert, qe këtë shtëpi e futen si prioritet që të restaurohet,
dhe e rrethuan me skele!
Disa fjalë rreth kësaj shtëpie:
Si
fëmijë i rritur në Prishtinë, deri diku i mbajë mend ndërtimet, gjatë viteve
shtatëdhjeta e tetëdhjeta, të shekullit XX në këtë lagje. Me qenë se shkollimin
e mesëm, e kamë të kryer si teknik i ndërtimtarisë, gjatë viteve shkollore
1975-1979, si gjenerata e fundit me plan programe të vjetra, ishim shumë të
lidhur me ndërtimet e reja, që ato vite ndërtoheshin në qytet. Përveç kësaj me
plan programin e vjetër, në vitin e dytë dhe të tretë, gjatë pushimeve verore
ishim të obliguar, që ta kryejmë praktikën ( Praktikë feriale e quanim në atë
kohë), në disa objekte që ndërtoheshin në qytet. Po ashtu shpesh herë, në
mënyrë të organizuar i vizitonim edhe objektet. Gjatë atyre viteve u ndërtua
Hotel Grandi, Objekti ku ndodhet sot Parlamenti dhe qeveria e Kosovës, Biblioteka
Kombëtare, Aneksi i fakultetit filozofik, Lagjja Dardania dhe shume objekte tjera. Pas mbarimit të
shkollës së mesme, mbi gjysma e klasës time, u regjistruam në Fakultetin e
Ndërtimtarisë. Si student i kësaj dege, ne disa shokë të klasës, ishim në shoqëri
me shumë student të ndërtimtarisë, e njëri ndër ta ishte edhe Shaban Aliu,
student nga Gostivari, e i cili në vitin 1981 banonte në një shtëpi private,
pranë kësaj shtëpie, në kompleksin ku është ndërtuar rruga dhe kompleksi
banesor te “Qafa”. Ne si kolegë e vizitonim shpesh Shabanin, andaj jo vetëm
qytetarët e Prishtinës, por edhe Shabani që jeton dhe punon në qytetin e
Gostivarit mund të reagoj dhe të pyes, përse kjo shtëpi është rrethuar me
skele. Në këtë rast fitues është vetëm pronari i skeleve. Fol prej Gostivari
Shaban, se këtu të gjithë po heshtin!
Në atë
lagje, ka pasur shtëpi shumë më të bukura që u rrënuan, se sa kjo që mbeti si e
vetme, deri me sot në mes të qytetit.
Në aspektin profesional shtohet pyetja: Çka simbolizon
kjo shtëpi sot?
Asgjë
tjetër vetëm se tregon se Prishtina, ishte një vendbanim në mesin e shekullit
XX! E kujt po i tregojmë këtë, kur për pallatet e Prishtinës, gjejmë shumë
burime të rëndësishme mesjetare!
Materiali
ndërtimor i kësaj shtëpie, tregon më së miri për kohën e ndërtimit, cilësinë e
ndërtimit, gjendjen sociale dhe ekonomike të familjes që jetoi në atë shtëpi,
gjatë viteve shtatëdhjeta të shekullit XX. Po ta shikojmë me vëmendje, aty do
të shihesh, se objekti është ndërtuar në disa etapa, dhe me materiale të ndryshme.
Në këtë shtëpi gjen: Qerpiç të papjekur, të pjekur, blloka të betonit, dritare
të zakonshme të asaj kohe, tjegulla tradicionale, Lesonit, stiropor, çatma të
mbetura zvarrë, mure me çatma , mure me blloka, mure të qara, mure të mbushura
me grafite, qarje vertikale e horizontale, që të lënë përshtypjen se e tërë u
ndërtua me materiale të mbledhura në rrënoja, dhe depot e mbeturinave të
qytetit! Thuhet se në vitet pesëdhjeta të shekullit XX, rreth kësaj shtëpie
jetonin disa familje rome.
A e
dinë këta “ekspert” se kjo shtëpi banimi është e një periudhe kur Prishtina,
kishte fakultete në gjuhën shqipe, Prishtina e kishte Universitetin, Radio
televizionin, dhe të gjitha institucionet tjera arsimore dhe kulturore, që i
kishin edhe republikat në ish Jugosllavi.
Monument Kulture:
Pyes:
Stafi udhëheqës i kësaj fushe dhe tërë ata ekspert, institucione e inspektorat
i trashëgimisë kulturore, që punojnë në MKRS, a e kanë të qartë, dhe a dinë
cilat janë kriteret, që një objekt arkitektonik, të vlerësohet si monument
kulture në mbrojtje të shtetit. Nëse i dinë pse lejojnë që qytetarët të tallen
me ne. Pse i qesin hije të keqe vetes së tyre, dhe së fundi pse e dëmtojnë
vendin e vet! Nëse nuk i dinë le të lexojnë pak, e ti mësojnë gjërat elementare
për monumentet kulturore dhe historike.
Inspektorati
për Trashëgimi Kulturore, përse u themelua. Nëse është themeluar që të reagoj
ndaj dukurive të pa ligjshme, që cenojnë
vlerat dhe autenticitetin e monumentit, ata
edhe mund të thonë, ne nuk jemi përgjegjës për këtë rast.
Në
rastin konkret, nuk shihet ndonjë vlerë e vetme monumentale, dhe fajet mund të
adresohen në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore, dhe në komisionin që e ka
propozuar këtë objekt, që të hyjë në listën e monumenteve, dhe në komisioni që
e ka shqyrtuar, projektin për konservimin e kësaj shtëpi.
Patjetër
se përgjegjësia në këtë rast i bie Departamentit për Trashëgimi Kulturore.
Përse ata qe sa vite nuk reaguan për rastin konkret! Mos vallë mendojnë se me
këtë objekt, po e ruajnë kulturën e banimit, gjatë gjysmës së dytë të shekullit
XX në Prishtinë! Nëse deri me tani nuk e kanë të qartë, se ky objekt nuk ka
asnjë vlerë kulturore dhe historike, ata duhet ti mësojnë kriteret bazë për
futjen e një objekti arkitektonik në listë për mbrojtje të monumenteve.
Nëse
Departamenti për Trashëgimi Kulturore, nuk vepron për ta larguar këtë objekt
nga lista e monumenteve, dhe për heqjen e skeleve, përgjegjësia bie mbi
Departamentin e Trashëgimisë Kulturore. Po ashtu nëse nuk veprohet por heshtet
ndaj këtij rasti, çdo qytetar ka të drejtë që të bëjë padi ndaj MKRS-së, siç
shihet avokati është në këtë shtëpi.