| E shtune, 17.10.2020, 04:17 PM |
KOSOVA DHE QËNDRIMI NEBULOZ I BE-SË
Nga
Xhelal Zejneli
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është duke u shndërruar në bisedime apo në negociata ndërmjet dy palëve.
Qëndrimi i
qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Brukselit dhe Uashingtonit
lidhur me zhvillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, është në
kundërshti dhe në kolizion:
- me Planin e
Ahtisarit;
- me vendimin e
Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës shpallja e
pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare;
- me ndërhyrjen
ushtarake të vendeve, anëtare të NATO-s, në vitin 1999 kundër forcave
pushtuese ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi;
- me vendimet e
vendeve, anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Shënim:
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, që përfaqëson
gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara, më 12 korrik 2010
publikoi opinion këshillimor lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë
së Kosovës në vitin 2008. Në fjalën e tij, ryetari i GJND-së Hisashi Ovada tha:
Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e shkel të drejtën
ndërkombëtare. Me 10 vota pro dhe 4 kundër, gjykata është e mendimit se
deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sipas gjykatës, pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur as kornizën kushtetuese të
UNMIK-ut”.
Në favor të Kosovës votuan gjyqtarët:
Hisashi Owada - Japoni, president i GJND-së;
Thomas Buergenthal nga SHBA; Christopher Greenwood nga Britania e
Madhe;
Ronny Abraham nga Franca; Bruno Simma nga Gjermania; Kenneth
Keith nga Zelanda e Re; Awn Shawkat Al-Khasawneh nga Jordania; Antônio
A. Cançado Trindade nga Brazili; Abdulqawi Ahmed Yusuf nga
Somalia dhe Bernardo Sepúlveda-Amor nga Meksika,
Kundër kanë votuar:
Peter Tomka - nënpresident, përfaqësues nga Sllovakia; Leonid
Skotnikov nga Federata Ruse; Abdul G. Koroma nga Sierra Leone dhe Mohamed
Bennouna nga Moroku.
* * *
Nuk është vështirë
të konstatohet se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 e
deri më sot, Uashingtoni dhe Brukseli nuk kanë bërë asgjë për ta mbyllur
“çështjen” e Kosovës, si një shtet i pranuar në të gjitha organizatat
ndërkombëtare, përfshi edhe anëtarësimin e tij në OKB.
Administrata e
presidentit të ShBA-së Barak Obama, brenda dy mandateve presidenciale,
“çështjen” e Kosovës nuk e lëvizi nga vendi, as edhe një hap të vetëm. Madje
pjesë e kësaj administrate, në cilësinë e sekretarit të shtetit, ishte edhe Hillari
Klinton. Është më se e qartë se politika e administratës së Barak Obamës ka
paraqitur vazhdimësi të politikës së presidentit Bill Klinton.
Pasivizimi i
politikës amerikane rreth Kosovës në kohën e qeverisjes së Obamës tregon qartë
se ish-presidenti Klinton dhe pasuesi i tij Obama, “çështjen” e Kosovës nuk e
kanë pasur në agjendën e tyre. Duket sikur ish-presidenti Klinton thotë: “Isha
unë, ai që mori vendimin për ndërhyrje ushtarake kundër forcave ushtarake,
policore dhe paramilitare serbe, ndaj angazhimi im lidhur me çështjen e
Kosovës, me kaq mbaron.” Pikërisht për këtë arsye, administrata e Barak
Obamës, për tetë vjet qeverisje, “çështjen” e Kosovës nuk e ka pasur në
agjendën e vet. Pjesë e administratës së tij ndërkaq, ka qenë edhe gruaja e
ish-presidentit Klinton – Hillari.
Gjatë qeverisjes
së Barak Obamës, “çështja” e Kosovës dalëngadalë dhe pak nga pak po merrte
pamjen e një konflikti të ngrirë, përkatësisht sikur po shndërrohej në
një konflikt të ngrirë.
Shtrohet pyetja: A
ka ShBA-ja ndonjë farë interesi në Kosovë?! A ka Uashingtoni ndonjë interes
strategjik në Kosovë dhe sa është ky interes? Cilat janë përmasat e këtij
interesi, cila është vlera apo pesha e këtij interesi?!
Qëndrimi i
Uashingtonit rreth “çështjes” së Kosovës në dymbëdhjetë vitet e fundit nuk ka
qenë në interes të Kosovës. Ka shumë që thonë se në Amerikë presidentët mund të
ndërrohen, por politika amerikane rreth çështjeve të caktuara, mbetet e njëjtë.
Fare nuk është
vështirë të konstatohet se politika e administratës së presidentit të përtashëm
Donalld Tramp lidhur me Kosovën, fare nuk ka qenë në favor të
Kosovës. Është më se e qartë se administrata e presidentit Tramp, duke
deklaruar se “Uashingtoni do të pranojë
një marrëveshje për të cilën bien dakord të dyja palët, d.m.th.
Prishtina dhe Beogradi”, flet qartë se kjo administratë e ka pranuar
kërkesën e Vuçiqit që “çështja” e Kosovës të zgjidhet me të ashtuquajturin kompromis.
Diçka të ngjashme rreth “çështjes” së Kosovës kanë deklaruar sa e sa herë edhe
rusët. Nga kjo rezulton se qëndrimi i administratës së Trampit lidhur me
Kosovën nuk qenka larg atij të Putinit.
Mirëpo, qëndrimet
e sotme të fuqive të mëdha të Perëndimit – Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe
Londrës rreth Kosovës, bie ndesh me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin
1999; është në mospërputhje me Planin e Ahtisarit; është në kundërshti me
vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së
Kosovës nuk është në kundërshti me të drejtën ndërkombëtare; dhe është në kontradiktë
me njohjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës - prej tyre.
Sa për atë që
Beogradi e quan kompromis, mbase nuk do të duhej të shpërthente lufta.
Kompromiset mund të arrihen edhe pa luftë dhe pa gjakderdhje.
Lufta e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës s’ishte dot luftë për kompromis midis Prishtinës dhe
Beogradit. Ajo ishte luftë çlirimtare e saj kundër pushtuesve fashistë serbë.
Ishte luftë për liri, pavarësi dhe sovranitet.
Edhe ndërhyrja
ushtarake e Aleancës Veri-Atlantike nuk ishte ndërhyrje për kompromis, por për
çlirimin e Kosovës nga forcat kolonialiste fashiste serbe. Në kohën e
ndërhyrjes së NATO-s në Uashington është thënë: “Do të ndërhyjmë
ushtarakisht në Kosovë dhe kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare
serbe në Serbi, për ta mbrojtur një popull të tërë nga politika e dhunës, e
dëbimit prej vatrave të veta, e eksodit biblik...”
Sot ndërkaq, kaq
vite pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s për
shkaqe humanitare, qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni,
Berlini, Parisi dhe Londra duket sikur i kanë mbyllur sytë dhe duket sikur
flasin për kompromis.
Fuqitë dhe qendrat
politike të sipërthëna duhet ta kenë parasysh faktin se duke mos i dalë zot
Kosovës, e favorizojnë Serbinë. Tani Serbia, në një anë mbështetet nga Moska
dhe Kina, në anën tjetër duket sikur mbështetet edhe nga Uashingtoni dhe
Brukseli. Një mbështetje e tillë s’ka ndodhur kurrë në historinë politike të
kohës më të re, që nga Kongresi i Berlinit deri më sot. Dhe kush mbrohet? Kush
favorizohet? Kush shpërblehet? Mbrohet, favorizohet dhe shpërblehet një Serbi
fashiste, e udhëhequr prej radikalëve të Vojisllav Sheshelit dhe prej
nacional-socialistëve të S. Millosheviqit. Millosheviqi dhe Shesheli janë
kriminelë lufte. Kriminelë lufte janë edhe anëtarë të caktuar të qeverisë serbe
të viteve të viteve të fundit, me në krye Aleksandër Vuçiqin. Është turp i
pafalshëm për kancelaritë e vendeve të Perëndimit t’ia çelin dyert dhe t’ia
shtrëngojnë dorën një njeriu i cili ndaj ndjek politikë luftënxitëse,
destruktive, destabilizuese në rajon.
Është absurde të
mbështet nga perëndimorët politika fashiste e Beogradit që sjell dhe përçon në
rajon interesin rus dhe kinez. Është e pakuptimtë të mbështete prej
Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe Londrës politika e përtashme e Beogradit e
cila militarizohet çdo ditë e më tepër, e cila kryen stërvitje ushtarake, e
cila blen armë ruse dhe kineze, e cila ndjek politikën e forcës, e cila
zhvillon luftë speciale, e cila zbaton luftë psikologjike. Nuk ka ndodhur të
japë ndonjë prononcim Vuçiqi e të mos kanoset ushtarakisht. Edhe luftën
ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit e shfrytëzoi për t’u kanosur me luftë dhe
kjo s’ishte kanosja e fundit e tij.
Para një politike
të këtillë të Beogradit, fuqitë perëndimore i mbyllin sytë, rinë duarkryq dhe
me investime të theksuara edhe e shpërblejnë. Ky farë Vuçiqi, duke u lidhur me
Moskën, me Pekinin, me Uashingtoni, me Berlinin, me Parisin, me Turqinë dhe me
vendet arabe sikur dëshiron ta imitojë Josip Broz Titon i cili po ashtu e çonte
mirë me të gjithë. Por Jugosllavia e tij e AVNOJ-it (KAÇKJ-së) u shua në gjak.
Perëndimorët janë
duke e keqpërdorur politikën konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese të
shqiptarëve në rajon. Perëndimorët janë duke e shpërfillur politikën e prerë
properëndimore, sidomos proamerikane të shqiptarëve në rajon. Edhe shqiptarët
mund të kërkojnë alternativa, por një gjë të tillë s’kanë për ta
bërë ngase natyrshëm janë pjesë e qytetërimit perëndimor, për dallim nga serbët
të cilët natyrshëm janë prorusë.
KTHEMA BORXHIN, EVROPË!
Fuqitë e Mëdha
historike të Evropës u kanë borxh shqiptarëve. Ua kanë borxh vendimet e
Kongresit të Berlinit (1878) kur trojet etnike historike shqiptare iu falën
Greqisë dhe Malit të Zi.
Ua kanë borxh
vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912—1913) kur paqja në
kontinentin e vjetër dhe në Ballkan, u ruajt në dëm të interesave të kombit më
të vjetër të gadishullit, kombit shqiptar. Në konferencën e sipërthënë, trojet
shqiptare, për interesa të Rusisë, të Francës dhe të Anglisë,
u prenë me gërshërë dhe u copëtuan në katër copa, në dobi të zgjerimit
territorial të hienave të rajoni – Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Kjo
konferencë famëkeqe ia mori Shqipërisë më se gjysmën e territorit të saj dhe la
nën sundimin kolonialist të fqinjëve grabitqarë më tepër se gjysmën e
popullsisë shqiptare. Fuqitë e Mëdha të Evropës nuk bënë asgjë për t’i mbrojtur
të paktën liritë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve të mbetur jashtë
trungut të vendit amë, Shqipërisë, nën pushtetin e egër serb, grek, malazez, më
vonë edhe sllavo-maqedonas.
Mëkati për
krijimin e Serbisë së Madhe dhe për politikën gjenocidale të saj i
takon Parisit dhe Londrës. Këto dy kryeqendra të kontinentit të
vjetër janë mëkatare të mëdha edhe për politikën gjenocidale të Greqisë
ndaj shqiptarëve, që nga koha e Kongresit të Berlinit deri në ditët tona.
Gjatë gjithë
historisë së kohës më të re, që nga Kriza lindore (1851) e deri
sot, Rusia e ka mbështetur pa rezerva politikën hegjemoniste dhe
ekspansioniste të Serbisë në dëm të trojeve etnike historike shqiptare.
Një këngë
popullore shqiptare thotë: “Kthema borxhin Evropë!”
* * *
Politika e sotme e
Beogradit është luftë për territore. Kur Vuçiqi thotë se për
Kosovën nevojitet një zgjidhje kompromisi, atëherë kjo nënkupton territor.
Krijimi i një asociacioni komunash me shumicë serbe në Kosovë, s’është gjë
tjetër, pos synim për territor. Një krijim i tillë është në kundërshti me
Planin e Ahtisarit. Një asociacionin i tillë është në kundërshti të plotë me
vlerat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e lirive dhe e të drejtave të njeriut
në mjediset ku figurojnë minorite apo grupe etnike.
Në Kosovë, liritë
dhe të drejtat e minoriteteve, përfshi edhe të drejtat kombëtare, respektohen
me standardet më të larta të BE-së, si në asnjë vend tjetër të planetit.
Atëherë shtrohet pyetja: Ç’kërkon Beogradi më shumë se kaq prej Kosovës?
Ç’kërkojnë Uashingtoni dhe Brukseli më shumë se kaq nga Kosova? Por, Beogradit
fare nuk çanë kokën për të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Ai do territor.
Do që brenda Kosovës të krijojë një republike serbe, si ajo Millorad
Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë.
A nuk e vërejnë
vallë Uashingtoni dhe Brukseli se me Republikën Serbe, kreaturë kjo fantomike, Bosnja dhe Hercegovina është
shndërruar në shtet jofunksional, në pseudoshtet, në kuazishtet, e gatshme në
çdo çast për t’u shpërbërë.
Si mund ta lejojnë
perëndimorët - të cilët shqiptarët, s’ka ditë që s’i cilësojnë si aleatë, si
miq - krijimin e një dodik republike në Kosovë?! Nuk është parë në
histori që një shtet i cili ka kryer gjenocid
në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, të shpërblehet me territor.
A kanë parasysh
perëndimorët faktin se Beogradi ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë,
Bojanoc, Medvegjë) ushtron gjenocid të heshtur? Perëndimorët, ose s’i
përcjellin shkrimet e studiuesve shqiptarë, ose i përcjellin, por s’çajnë kokën
për to.
Po sikur të çohen
qindra mijë shqiptarë në Maqedoni dhe të kërkojnë krijimin e entitetit të
tyre?! A nuk çilet kësisoj kutia e Pandorës?! A nuk shkakton kjo
efektin domino?!
Krijimi i një
republike serbe brenda Kosovës, shpie në çintegrimin e saj. Pas kësaj
pashmangshëm do të pasonte bashkëngjitja e saj Shqipërisë. Por, edhe kjo do të
çelte kutinë e Pandorës Tani Republika Serbe e BH-së do t’i bashkëngjitej
Serbisë. BH-ja ndërkaq, do të zhbëhej si flluskë sapuni. Në shekullin XXI BE-ja
lejon nëpërkëmbjen e vlerave të veta për ndërtimin e të cilave ka punuar ndër
shekuj. Dhe për kë? Për klerofashistët serbomëdhenj.
Në dialogun midis
Prishtinës dhe Beogradit, Uashingtoni dhe Brukseli duhet të përqendrohen në
mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) të
cilët me dekada i janë të nënshtruar gjenocidit të heshtur serb, me qëllim
shpërnguljeje masive të tyre dhe pastrimi etnik të trojeve të tyre etnike.
Në Kosovë nuk ekziston kurrfarë çështjeje serbe ngase të drejtat e pakicave
në Kosovë janë të garantuara me ligje dhe kushtetutë, sipas standardeve më të
larta të BE-së.
Nga zhvillimet e
fundit, shihet qartë se vënia në veprim e Gjykatës speciale për Kosovën dhe
përndjekja e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është e
rastësishme. Është një shantazh ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës për të
lëshuar pe në dobi të Serbisë.
Për ta bindur
palën kosovare të arrijë marrëveshje me Beogradin, BE-ja mund t’i ofrojë
Prishtinës edhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Një premtim të tillë,
pala kosovare duhet ta injorojë sakaq. Në këtë dramë beketiane shqiptarët
s’kanë ç’të humbin.
* * *
Politikani
socialist 72-vjeçar Zhozef Borel (Josep Borrell, 1947) ka qenë ministër
i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës. Më vonë u emërua Vice-president i
Komisionit Evropian, apo shef i ri i diplomacisë evropiane, d.m.th. përfaqësues
i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Vjen nga një vend – Spanja,
që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Mirosllav Lajçak (1963) ka qenë një politikan dhe diplomat sllovak,
i shkolluar në Moskë. Tani është përfaqësues special i dialogut midis
Prishtinës dhe Beogradit. Vjen nga një vend që nuk e ka njohur pavarësinë e
Kosovës.
Pra, Lajçaku dhe
Boreli vijnë prej dy vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërmjetësimin
e tyre Kosova nuk duhet ta pranojë. Emërimi i që të dyve assesi nuk është
i rastësishëm. Që të dy janë të njëanshëm. Që të dy anojnë nga Serbia, nga
Beogradi, nga Vuçiqi. Që të dy punojnë për krijimin e asociacionit të komunave
me shumicë serbe në Kosovë. Me fjalë të tjera, punojnë për krijimin e një
republike serbe brenda shtetit të Kosovës, për krijimin e një shteti brenda
shtetit, për krijimin e një dodik republike brenda Kosovës, mu si
në Bosnjë dhe Hercegovinë. Një kreaturë e tillë artificiale dhe antihistorike
sakaq do të shkëputej nga
Kosova dhe do t’i bashkëngjitej Serbisë.
Ai shqiptar që do
ta nënshkruante krijimin e një republike serbe brenda Republikës së Kosovës do të hyjë në histori si tradhtari
Esat pashë Toptani. Ai do ta merrte mallkimin e historisë, ndër breza.
Dialogu i
Brukselit midis Prishtinës dhe Beogradit në asnjë mënyrë nuk duhet të
ndërlidhen me zgjedhjet presidenciale në ShBA. Zgjedhjet e nëntorit
fare s’kanë të bëjnë me shqiptarët apo me Kosovën.
Shqiptarët janë
thellësisht të bindur se bijtë e shqipes janë interes strategjik i ShBA-së,
përkatësisht i Perëndimit. Madje interes i dorës së parë. ShBA-ja hyn në
gadishull vetëm nëpërmjet shqiptarëve. Vetëm shqiptarët janë përçues të
interesit amerikan, apo perëndimor në rajon. Shqiptarët shpresojnë se këtë fakt
të pamohueshëm, perëndimorët do ta kenë parasysh.
Shqiptarët nuk ka
përse të nxitojnë pas dialogut të Brukselit. Mbi Prishtinën ushtrohet trysni
dhe kryhen shantazhe. Nuk ka dialog nën trysni dhe me
shantazhe.
Duke qenë se Beogradi
dita ditës armatoset kundër kombit shqiptar, ndjek politikë
luftënxitëse, luftë speciale dhe luftë psikologjike atëherë Tirana,
marrëdhëniet politike dhe diplomatike me Beogradin duhet t’i reduktojë dhe t’i
ulë në nivel më të ulët. Me hienat nuk bëhet mini-shengen.
Në shekullin XXI
Beogradi ndjek një politike obskurantiste, të vjetruar, anakronike,
antihistorike, antidemokratike, klerofashiste dhe antishqiptare. Mendja e
shëndoshë s’e kupton dot si është e mundur që një politikë e tillë të kalojë pa
u ndëshkuar.
* * *
Për zhvillimet e
sipërthëna, të pafavorshme për shqiptarët, fajtorë dhe përgjegjës janë
edhe vetë shqiptarët. Si është e mundur që një Kosovë, e njohur në
skenën ndërkombëtare prej 118 shteteve të botës, sot të shtrohet si një çështje
e pazgjidhur.
Shqiptarët duhet
ta dinë:
- se jetojnë në
Evropën e krishterë;
- se kontinenti i
vjetër, i krishterë, nuk i mbështet popujt që funksionojnë me vlera
joperëndimore, për të mos thënë antiperëndimore;
- se nuk mund të
sigurosh mbështetjen politike dhe ekonomike të Fuqive të Mëdha historike të
Evropës duke funksionuar me sistem vlerash turke, arabe dhe persiane;
- se me një
kler islamik proturk, proarab, proiranian dhe joperëndimor, në mos dhe
antiperëndimor nuk mund të sigurohet mbështetja politike e Uashingtonit, e
Romës, e Parisit, e Londrës dhe e Berlinit;
- se një
kler islamik i tillë – proturk, proarab dhe proiranian është thellësisht
antishqiptar;
- se nuk
është mirë të ndërtohen qindra tempuj fetarë të rinj në një kohë kur s’kemi
fabrika, ndërmarrje prodhuese, shkolla dhe spitale moderne, infrastrukturë dhe
vende pune;
- se duke
ndërtuar qindra xhami të reja nuk do të ndalim dyndjen dhe eksodin e qindra
mijë të rinjve drejt Perëndimit.