| E enjte, 15.10.2020, 01:54 PM |
Nga Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:
Autor’ i librit:
”SHKËMB I
TOKËS DHE I
SHPIRTIT SHQIPTAR”
T`i
heqësh kulturës shqiptare Fishtën, asht njilloj sikur t`i heqësh Rilindjes së
përbotshme Dante Aligherin, ndërsa t`i heqësh Fishtës “Lahuten e Malcis”, asht
njilloj sikur t`i heqësh Dantes “Komedinë Hyjnore”…
Parathënje:
PROMETHEU I PALIDHSHËM I
OKSIGJENIT TË SHQIPES – Nga Ton Zmali
Midis
majave kulmore të mendjeve të ndritura, Gjergj Fishta asht mundësi i heshtjeve,
vrasësi i harresave, rilindësi dhe ringjallësi i madh, përpara të cilit
gjunjëzohen kohnat, qofshin ato hyjnore apo me sakatët, me xhuxhët e tyne
epshakë.
Dikujt
sot ndoshta fjala liri dhe luftë për të jetue persosjet e saj, i duket si nji
zhargon i vjetër i heroizmave të dala boje, por liritë janë si gravitetet e
universit, nuk mund të ekulibrojnë jashtë njëra – tjetrës. Bashkëkohësia e vet, At Gjergj Fishtën e
pati krahasue me “Zeusin e vetëtimave e bubullimave”, “Homerin e dytë të
Ballkanit”, “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar” etj… Shkëlqimi
marramendës i vlerave të tij në të gjitha fushat e jetës përbën në vetvete universet
e hapsinave të pafund, të ringjalljeve të pandalshme e të vërshimeve gjigande
që mund të sjellë madhështia brilante e kryegjeniut.
Ai
ka qenë, asht e do të mbetet pararendës i kohnave, nji marathonomak pishtarndezur që u bën dritë
qorrnajave e miopëve keqorientues të popullit të vet.
Orvatjet
dhe përpjekjet ogurzeza të tejskajshme të qarqeve lindore “komuniste dhe
mbeturinave anadollake”, sulmet, shpifjet, intrigat dhe heshtjet dashakeqe,
ndalimi, çensurimi, harrimizolimi e akuzimi absurd nuk munden të shuajnë e të
zhdukin oksigjenin e përjetshëm të artit të fjalëve pa varr të shqipes së futun
prej tij në shkolla së bashku me alfabetin që shkruajnë përjetësisht
bashkëkombësit e tij, alfabet që u krijue, u orientue dhe u zbatue drejt
Perëndimit prej tij, duke u ba oksigjeni i fjalës dhe i gjuhës së lirë që i
kishte mungue kombit pesë shekuj në robëri.
Mendoj
se mjafton vetëm kontributi i tij për gjuhën për t`iu ngritur përmendorja e
pavdekshme kombëtare, “Gjergjit të mendjes përkrah Gjergjit të shpatës”, si dy
maja në vargmalet dritëzuese e të
pamolepsuna të kultures sonë.
Me
korifeun e ndaluar At Fishta jam takue për herë të parë personalisht në
rrethana misteri e të paimagjinueshme, ndonëse në mjediset e jetës ku jam rritë
oksigjeni i fjalëve epos mbi sharkun e lahutës, telat dhe kuajt e muzave
ishin shpirti i ndezun i odave, gëzimeve, festave dhe notave polarike, akujt e
të cilave, pas ndalimit të zjarrit fishtian u shndërruan pak nga pak në morg
asgjësues dritash, andrrash e shpresash. Aty mbijetoi e kalëroi në katër dekada
edhe arkivoli harrimtar i fjalës time gojëndryme.
Nuk
e mbaj mend as ditën, as muajin, por kujtoj me siguri se ishte periudha e
“Çmendurisë së artit”, menjëherë pas dënimit të festivalit të njëmbëdhjetë,
festivalit të pranverës dhe plenumit të katërt që varrosen çdo iluzion për
lirinë e artit. Ishte koha që sapo kisha mbrojtur diplomen në I.L.A. (Sot
Akademia e Arteve të Bukura). Në barakën prej dërrasash të Mark Frrok Sadikut,
në Laç, vëllait të madh të nanës sime, bujta gati si gjysen ilegal i fshehun
brenda lëkurës sime.
Në
mjes kur ai u ngrit heret për të marr turnin papritur e pakujtue më vjen te
koka e minderit dhe më thotë, -A don me
folë goja-gojës me Atin e Madh Gjergj Fishta?!.. E leni këto libra të kuq…
Rruga e Shqipnisë asht rruga e Fishtës. Pa prit të marr përgjigjen time
rrënqethëse, nxori nga nëndyshemeja e cepit të barakës, poshtë minderit ku
flinte nji libër të vjetër, të shkruar në nji gegënishte të pastër. Valixhja
prej hekuri kishte edhe libra të tjerë “të verdhë”, siç quheshin atëherë e
asokohe për të cilat kurrë nuk mora
haber, por di që u morën pa inventar e pa kthim ditën e arrestit të tij që
ishte 5 maji.
Libri
i fshehur ishte “Lahuta e Malcis”. Kundër saj dhe autorit ishin derdh mbi mue
rrufe leksionesh me lloj-lloj akuzash e sulmesh llahtaruese. E ndaluemja ka nji shije të çuditshme. U
mrekullova që në rreshtat e parë ku në sfond dëgjova fjalën e dajos në ikje kur
më tha:
-Po e mbyll derën me dry nga jashtë.., mos iu përgjigj askujt. Po
trokiti kush, fute librin nën jastek e ban sikur po fle gjumë...
U
zhyta me nji oreks të urituni në oqeanin e asaj vepre dhe ndjeva brenda çdo
vargu e rreshti alarmet zgjuese të “korifeut të ndaluem” që hynte brenda meje
si oksigjen përjetësie.
Të
nesërmen po aty shetita “Mrizin e Zanave” dhe ndigjiova pallamat e
lemerishme të “Gomarëve të Babatasit”.
Ato
dy ditë e netë në barakën e drujtë me dërrasa të vjetra e të kalbuna
vende-vende, pranë Kombinatit të Drunit, i kyçun me dry nga jashtë, jetova
parajsen e shpirtit qiellor, u ngjita majave të heroizmit të paimagjinueshëm të
vetorganizimit atdhetar të malësorëve për vetëmbrojtje të tokës dhe të lirisë
së vet. Preka iluzione andrrash universale dhe u tejngopa me oksigjenin e fjalëve
pa varr të gjuhës sonë të lashtë sa vetë jeta mbi tokë. Po njikohësisht
nga ekstaza e majave të larta u hodha
viktimisht nën kataraktet, hone e humnera të botës së molepsun e pa karakter që
paranjoftonte simptomat e ferrit që jetonim.
Gjatë
rrugës në fushën e letrave e sidomos pas studimeve të mia që lidhen me
“krijimtarinë, estetikën e kritiken e ndalueme të këtij kryegjeniu”, shpesh kam
pyet veten: Pse u ndalue kaq egërsisht
ky “Përbindsh i dijeve”, siç e quan me
të drejtë Prof. Aurel Plasari? Pergjigjen e jep vepra e tij dritëzuese. I pa
mëkat e krejt pafajësisht u “grabiti djajve të tokës së vet” oksigjenin e
fjalëve të gjuhës së Perëndisë për të ndez flakadan zjarrin e shpirtit atdhedashës të
bashkëkombësve të tij në veçanti, por edhe për çlirim njerëzor në përgjithësi
nga prangat e jashtme e të brendshme të “luciferrëve të kohnave”. Gozhdat e
ndryshkuna të nguluna në trupin e këtij prometheu të lidhun në eposin e maleve
të lahutës së tij gjatë kohëve nga psikozat e kryeskifterëve të realsocit që
akoma shfaqen aty-këtu në horizontet e lirive si hije të përjetshme, të
molepsuna me dogmat e dështueme të botës së fjalëve të vdekuna nga mbingarkesa
e tejskajshme e gazit karbonik e të jetës
së ngujueme oksigjenvrasëse e symbyllëse. Dilema fishtiane mbeti e hapun si
dilema e njohun shekspiriane “të rrosh apo mos të rrosh”, por ajo s’ kishte të
bante me Hamletin, por me shqiptarët.., ”tash që u ba Shqypnia duhen ba
shqiptarët”. Në të vërtetë shqiptarët mbeten pa u ba.., dhe dilema fishtiane
vazhdon pa kohë e pa cak. Ajo që mbetet perla e pendës fishtiane asht vepra e
tij pa dallim feje, krahine si dhe idea në bashkësimin e shqiptarëve. Duhet theksue fakti se në satirë ke sarkazmen
e thellë politike kundër shtetit dhe organizmave shoqnore të bashkëkohësisë,
Fishta dhe Migjeni, ndonëse në pozicione të ndryshme, janë në të njëjtën vijë
sulmi, luftëtarë të të njëjtave llogore, sidomos përsa i përket pasojës morale
e përgjegjësisë së drejtësisë e humanizmit me qendër njeriun edhe jetesën e
tij.
Migjeni
e autopson varfërinë e tejskajshme të kohës me viktimat e saj si pasojë
reflektive nga vjen mjerimi.
Kurse
Gjergj Fishta, i mbush e i zbraz armët e rënda mbi “Gomarët e Babatasit” dhe
mostrat e tyre si shkaqet e së keqes nga vijnë pasojat, kusarët dhe
korrupsionet e shtetit.
Të
dy, secili në mënyren e vet, në thelb synojnë universalitetin e lirive të
çlirimeve shoqërore, ngallënjimeve e dinjiteteve të vlerave njerëzore.
Fishtës i shkon për shtat thënia e mençur popullore “Prek nji kashtë e
dalin gjashtë”, pra prek nji rresht a fjalë nga vargjet e tij e shpërthejnë
rreze drite ku do të gjejsh rrezatime e diej të pafund; prek nji sekondë nga
jeta e do të gjejsh vite e shekuj, paramotet dhe epokat e popullit të tij; prek
nji fletë nga vepra e tij e zgjohen Homerë, Eskilë, Shekspirë e Dante… Prometheu i ndaluar i oksigjenit të fjalëve
pa varr të shqipes asht universalisht enciklopedi gjithëkohore, e cila sa më
shumë të lexohet e të përjetohet, aq më shumë fisnikëron kulturën e qytetëron
botën shqiptare. Nën shqetësimet e vazhdueshme të gogësimave e ulëqerave të
arteve të orientuara në klimat e ndotuna të dekompozimeve të tyne, bahem i
detyruar t`u them shkarrashkruesve të
realsocit, që vazhdojnë akoma me shkrimet e tyne edhe sot e asaj dite të
përdorin termin “shkrimtar katolik të Veriut” duke synuar përfshirjen unikale
prej fillnajave të shkrimit të shqipes nga Pal Engjulli, Barleti, Budi, Bardhi,
Buzuku, Bogdani, Matranga, Prennushi, Migjeni, Camaj, Palaj, Kurti etj.
Me
të tilla etiketime keqdashëse “fetarokrahinore”, këto qorravaça të dalë boje,
siç u thotë Fishta këtyne modeleve në bashkëkohësinë e vet, nuk sjellin vlera
arti, por përçarje, ndarje me parcelime në kulturë dhe traditen letrare të
gjuhës shqipe, e cila asht unikale kudo e kurdoherë, që asht dëshmue si vlerë
nga pellazgjishtja e deri në përsosjen e alfabetit fishtian me sytë drejt
Europës te origjina.
Ferexhetë
e errësinave “pesëqind plus pesëdhjetë vjeçare” ka ardhur dita t`i grisim në
mendjen, jetën e kulturën tonë, duke u hapur rrugë dritave të lirive, duke
refuzue majmunëritë mbrenda dhe jashtë vetes.
Promethe
i palidhshëm i ideve, misionar profetik elitar me frymë Europiane të andrrimit,
mendimtar integrues e erudit perspektiv si guk i bardhë orienton rilindjen e
hapësinave të reja me ankthet e kohës, duke i rrëfye botës shqiptare vullkanet
aktivë të antikonformizmit në art dhe letërsi, publicistikë, gazetari,
politikë, ligje e shtet, moral, karakter, besim, orientim e qytetërim. Artisti i talentuem vetëlidhet
drejtpërdrejt në intuitivitet me
satelitorët e ardhmenive, kurse i patalentuemi asht si televizor pa antenë.
Rrezatimi
i veprës së tij universalisht dëshmon se
artistëve të vërtetë nuk u lind kurrë nevoja për bateritë e auditorëve
artificial, mediokër e të rremë. Dufet e fjalëve të zjarrta si prush ndezin
shqiptarët e u japin frymë hyjnore lirie larg korit elegjiak të dështakëve
puthadorë, lustraxhi, oborrtarë e shërbyesa të dogmave bashkëkohore e atyne pa
kohë.
Përpjekja
e disa intelektualëve të nderuem të
letrave për të “standardizue” fjalën fishtiane, mue më gjenë krejt në krah të
kundërt, atje ku dogmat e kongresit të përjashtimit të drejtshkrimit duhet që
të afrohen te gjuha e Fishtës dhe rranjet e saj. Asnjë arsye nuk ka që Gjergj
Fishtës t`i preket origjinaliteti autokton i madhështive të papërsëritshme të
universit gjuhësor të përdorur prej tij.
“E
mesmja e artë” e shqipes duhet të gjejë kryeqendren e vet në aksin gjuhësor të
orbitës së tij, por jo, kurrsesi jashtë magmave të vullkaniteteve unikale të
njësimit bashkëjetues.
Sebep
për me i shkrue këto pak rreshta për korifeun e fjalës shqipe të derisotëm u ba
inisiativa e intelektualit të nderuar në Greqi, Zotni Prof. Paulin Shestani, i
cili prej shumë vitesh në emigracion hulumton e studion pandërprerje
sistematikisht e i pavarun askund dhe te askush jetën dhe veprën e Gjergj
Fishtës, duke synue krijimin e nji përmbledhjeje me titull “Shkëmb i tokës dhe
i shpirtit shqiptar”.
Libri
i tejkalon kufijt e nji bibliografie,
duke i theksuar lexuesit të sotëm, të nesërm e më tej gjykuesve apo
paragjykuesve “arshiven e plotë” të derisotme të pasurive të patundshme të
fjalëve e të kryefjalëve të botës së letrave që na dhuroi kryegjeniu i
graviteteve të pavdekshme. Ai ka mundur të tërheq magnetin e artit të fjalës
rreth e rrotull, penat e mendjet e shquara me elitat më të ndritura të botës
shqiptare mbrenda dhe jashtë vendit. Gëzimi im kaloi kufijtë e çdo parashikimi
kur mora vesh se fatlumnisht autori më kishte zgjedhur mue, nga krijuesit dhe
studiuesit e emigracionit, për t`ju përcjellë lexuesve librin e tij arshival.
Atëherë më kaloi në mendje libri “Fishta, Estetikë dhe kritikë”, ku në nji
letërkëmbim të Fishtës me Dr. Gjergj Pekmezin, për vlerat e mëdha të veprës së
Thimi Mitkos “Bleta shqiptare”, Pekmezi i kishte shkruar: “Në kurbet kaq munda,
kaq bëra”
Fishta
fisnikërisht thotë:”Po të banin të gjithë mergimtarët aq sa keni ba ju, kultura
shqipe do të ishte sot nji ndër ma të përmendunat e kohës.”
Duke
i marrë leje Fishtës e duke mos prekë asnji fije autorësie, këto fjalë
profetike në ligjeratë të drejtë, s`dua t`i them edhe unë sot, nji shekull ma
vonë autorit për librin arshival të vlefshëm për të gjithë ne. Libri nderon
autorin si atdhetar, përmbledhës, gjurmues dhe hulumtues, por dëshmon edhe
pavdekësitë origjinale të oksigjenit të fjalëve të gjuhës sonë të lashtë. Uroj
që ky libër qëllimirë t`u ngjajë “Hipogrifeve fishtiane”, simboleve të
fluturimeve të muzave mbi kokat e kryezeusave edhe sot, kur maska skifterësh e
kufoma krijuese përpiqen të na shiten si engjuj të kohnave.
Autori
ka kuptue vetë, por ndjen edhe nevojen
të njoftojë të tjerët për mesazhin fishtian që duhet t`u jepet brezave të
ardhshëm se, graviteti i rrajve e ka mbajtun e do t’a mbajë botën në kambë si
nji forcë e palëkundshme e universalitetit të saj. Nji gja asht e sigurtë dhe e pamohueshme për
të gjithë ata që shkruejn’ e flasin
Gjuhën Shqipe, kudo që janë, Gjuhën e
Perëndive si e quajti ai
ndërtuesi modern i saj, kur jep mesazhin e pavdeksisë:
“Pra,
mallkue njaj bir Shqyptari,
Qi
ketë gjuhë të Perëndisë;
Trashigim
qi na la i Pari,
Trashigim
s`ia len ai fmisë”…
Duke
ecë nëpër shkallët përcjellëse të kësaj parathanie, them me bindje të plotë se
shqiptarët sot më shumë se gjithnji kanë nevojë për terapitë universale të
kulturës së hapur të fjalës e të shpirtit njerëzor. Galeria e shumë salloneve
dhe polivitrincat “Shestani”, zemërhapun mirëpresin me besim të patundun në
profecinë Fishtiane se, “Shqipnija e shqiptarët do të bahen nji ditë prej
Zotit…”: Vizitoni magjitë e saj brilante pa asnji ngurrim, pa asnji hezitim, pa
asnji paragjykim, duke u ngjitur shkëmbijve të tokës e të shpirtit shqiptar me
traditat madhore të eposëve tona krijuese.
Ton Zmali (Poet e shkrimtar)
Athinë, 2011.
Shenim nga Fritz
Radovani: Pershëndes Autorin e librit Profesorin e nderuem z. Paulin SHESTANI,
per vepren e Tij kaq me vlerë si dhe, shkrimtarin e parathanjes, per vlersimin
e veprës.
Ju falemnders me shumë
respekt.
Melbourne, 9 Tetor 2020.