Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Ferid Jahiu

| E hene, 17.11.2008, 11:01 AM |


Ferid Jahiu
FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI

 

FERID JAHIU

 

Aty ku shtrihen fushat e Vestfalisë dhe duket se valëzojnë si syprinë deti, duke iu afruar kufirit gjermano-holandez, janë të shpërndara katundet fushore me shtëpi të grumbulluara rreth kishave të vjetra, që duken si shenja jete të përmbytura në gjelbërim. Nga fusha e gjelbër, e paanë, fluturojnë furishëm aeroplanët e NATO-s që duket se e shqyejnë qiellin me uturimën e motorëve supersonikë. Aty është baza e Aleancës më të fuqishme ushtarake, që për të mos u zhbërë kurrë, në momentin më të rëndë, Kosovës i erdhi në ndihmë. Ndanë asaj baze, afër qytetit Galenkirshen, në katundin e fshehur Gangelt, për ­çdo ditë rrin e ndezur një furrë. Nga ajo furrë dalin picat e nxehta, të shijshme, të bukura dhe aromatike që i bën dora e shqiptarit të mërguar Ferid Jahiu, një burrë ky me prejardhje nga Karadaku, pikërisht nga Miratoci i Preshevës. Por jo vetëm Feridi. Në picerinë e tij, me emrin italian “Il Genio”, pasditat e fundjavës kanë gjallëri të veçantë. Aty punon edhe shoqja e tij. Edhe Imer Gashi nga Prishtina. Edhe  Isuf Reçica nga Manastirci i Ferizajt. Edhe tre fëmijët e tij. Shpesh ndodh që duart e vyeshme të mos mjaftojnë. Klientela është e gjerë. Vijnë aty vendës, banorë të katundeve të afërta. Vijnë kanadezë, holandezë, amerikanë, anglezë. Vijnë mjekë, personel sanitar, pilotë e gjeneralë, inxhinierë e observues të makinerisë ushtarake. Po vijnë edhe familje të tëra në atë magje shqiptare. Piceria e Ferid Jahiut pjek specialitete italiane, por ai nuk e fsheh identitetin e tij. Shqiptar krenar në fushat e Vestfalisë. Atë krenari ia ka dhënë shkathtësia e pashoqe dhe vullneti për punë. Shumicën e klientelës, falë punës dhe çiltërisë njerëzore, Feridi i ka bërë miq. Ata vijnë, e në të shumtën e rasteve, i marrin picat për në shtëpi. Kështu e ka zgjedhur Feridi këtë formë të punës që është shumë praktike dhe efikase njëkohësisht.

            Por burri me prejardhje nga Presheva, as që ka ditur të bëjë pica dikur sa ishte në Kosovë e as që ka menduar se një ditë do të bëjë emër në këtë zeje, të cilën tashmë e don dhe e bën me kënaqësi. Si rrëfen Feridi, familja e tij ka zbritur nga Miratoci në Prishtinë derisa ai ishte nxënës në fillore, duke migruar për shkaqe ekonomike. Ai po në Prishtinë ka kryer shkolën fillore dhe atë të mesme ekonomike. Vonë, në vitin 1987, kalon me familjen prindore në Fushë-Kosovë, ku fati e don që dy vite më vonë të hapë një kiosk nga Ndërmarrja Botuese Grafike dhe Shitëse “Rilindja”. Aso kohe, thotë Feridi, ia ngarkova vetes një përgjegjësi paksa të vogël, por me rëndësi për kohën. Krahas gazetave që shiteshin publikisht, po nga kiosku legal, tinëz shpërndaja revistën “Alternativa”. që në gjuhën shqipe botohej në Lubjanë dhe shkruante atë që nuk kishte mundësi ta bënte shtypi i Prishtinës. Ky nuk ishte hapi i vetëm. Si shumë gazetashitës, kur në vitin 1990 Serbia me dhunë ndaloi botimin e gazetës shqiptare “Rilindja”, edhe Feridi me kënaqësi shpërndante çdo ekzemplar të gazetave alternative që filluan të dalin më shpesh në kuadër të “Rilindjes”, vetëm e vetëm që lexuesit të mos mbeteshin pa informacion. Por me shkatërrimin gradual të “Rilindjes” si shtëpi gazetare, botuese e grafike, shkatërrohet edhe rrjeti i shitjes prenda saj, që Ferid Jahiu ishte një nga hallkat e këtij rrjeti. I gjendur në mes të katër rrugëve, madje në një mes ku dominonin serbët të yshtur nga qeveria hegjemoniste e tyre, Feridi nis të bëjë plane ta marrë botën në sy. Në vitin 1991 e lëshon Kosovën dhe drejtohet për në Gjermani. Menjëherë kërkon azil politik në Këln bashkë me familjen. Aso kohe kishin vetëm djalin Valdrinin, që ishte dyvjeçar, ndërsa tash ka kryer shkollën profesionale për informatikë dhe teknologji kompjuterësh. Më vonë familjes i shtohen dhe dy vajzat, Jetmira dhe Ardita, që tash vazhdojnë shkollimin. “Në fillim, thotë Feridi, - nuk bënim plane të gjata. Pritnim nga rasti në rast në përmirësimin e situatës në Kosovë dhe kthimin atje. Mendonim se për një apo dy vite do të bëhej diçka dhe do të kthehemi. Por kjo nuk ndodhi që nuk ndodhi. Dikur u desh t’i përvishemi punës dhe të mbijetojmë edhe këtu. Statusin e refugjatit e kishim të parregulluar. Duhej punuar diçka, por ky status nuk na linte t’i hapnim sytë. As leje qëndrimi as leje pune. Por kur njeriu synon diçka edhe arrin. Duke shfrytëzuar mundësitë e tjera ligjore dhe duke pasur synim të vazhdueshëm pavarësimin në punë, pasi kisha punuar me një gjysmë orari në fushën e gastronomisë, të them të drejtën, duke larë pjata e vodha” zanatin. Me ndihmën e disa miqve, e hapa një piceri të vogël, të cilën me sukses e mbajta për dy vjet. Por prapë pengesë zgjidhja e statusit. Nuk mund të shtija rrënjë, ani që tashmë zejen e picave e kisha perfeksionuar. Gjatë kohës së luftës në Kosovë më është njohur e drejta e lejeqëndrimit në Gjermani.  Kjo ka bërë që unë t’i gëzoj të gjitha të drejtat, duke përfshirë edhe atë për punë. Pa vonuar shumë e kam hapur këtë piceri, ku jemi tash dhe sukseset kanë filluar të radhiten. Kam mundësi po ashtu të hap edhe një tjetër në këto hapësira, por nuk po mund të gjej personel për punë. Personnel?!” - e ndërpresim Feridin, derisa e dimë se këtu njerëzit gjithnjë e më shpesh e humbin vendin e punës. Po, po, - përgjigjet ai. Gastronomia kërkon disa sakrifica, e njerëzit hezitojnë të punojnë, ndërsa ata që dinë ta punojnë këtë punë gjenden rrallë. Ta zëmë njerëz që pjekin pica nuk ka. Të mirët janë të punësuar. Kështu po më duhet të vendnumëroj derisa të vijë momenti për zgjerim. Vetë i përgatis picat, vetë i pjek dhe vetë i shes. Një punë e shumë funksione. Shkathtësia në punë dhe synimi për të shënuar rezultate Ferid Jahiun nuk e frikësojnë as po të kthehej në Kosovë. Mirëpo, koha e gjatë e qëndrimit, ka bërë që ai të jetojë në mes Kosovës e Gjermanisë. E zhvillon veprimtarinë në Gjermani, pasi tashmë e obligojnë edhe fëmijët, sidomos me sukseset në shkollë. Vajza e madhe, kalon në gjimnaz, që në Gjermani është shkollë elite. Kjo e shtyn edhe më tepër që ai të punojë këtu, se si thotë, për vete e ka edhe biznesin tjetër në Kosovë. Shitoren për sanitari në Fushë Kosovë, ku janë të angazhuar babai dhe vëllai i tij. Me punën në Gjermani, ka arritur që atje të zgjerojë shtëpinë prindore dhe të hapë dy lokale afariste. Ndërsa në Gjermani, pas blerjes së dy shtëpive, është në negociata për ta blerë edhe shtëpinë, ku tash i funksionon piceria.

            Kur e pyesim Feridin për fshehtësinë e suksesit, ai na përgjigjet: “...matematikë e thjeshtë dhe dinamikë e pashkë-putur. Në të shtatë ditët e javës unë jam i lidhur për vendin e punës. Orari publik është për klientelën, ndërsa për mua puna është e dyfishtë duke llogaritur kohën para-përgatitore të kuzhinës. Mesatarisht bëj gjashtë orë gjumë në ditë, të tjerat ia kushtoj keyesisht punës. Kjo puna që e shihni këtu është fare e thjeshtë, por puna përgatitore kërkon mund të madh. Fundjavëve më duhet ta dyfishoj personelin. Në këtë kohë shtohen kërkesat, shtohen mysafirët, dyfishohet puna. Pra këtu punë e fitim ka edhe për të tjerët, e sidomos për bashkëkombësit e mi...” Ndërsa sa i përket punës, Feridi shton: “Shumëkush lakmon një ose një punë tjetër, por mbi të gjitha, zejes të cilës njeriu i qaset duhet të ketë së paku njohje të mirë për të, ta dojë atë dhe të besojë se me të arrin suksesin. Secila veprimtari kërkon investimet e veta. Mua shumëkush më ka thënë se kam para dhe me sa mund ta nisë njeriu një piceri. Por vetëm paraja nuk vlen. Pa dije e dashuri ndaj punës, kondicioni bie dhe po nuk e fute drejtpërdrejt dorën tënde, nuk ke sukses. Me dy mendje nuk bën të niset njeriu. Ka ndodhur shpesh që disa njerëz ta lakmojnë këtë punë, por duke e parë vetëm sipërfaqësisht, që në shikim të parë duket e lehtë dhe atraktive. Por kur futesh në të dalin pastaj vështirësitë dhe këputet ai zinxhiri i punës. Gjithashtu, në fushën e gastronomisë, e sidomos në piceri, konkurenca është bërë e madhe. Sot piceri ke në secilin kënd e në secilin katund të Gjermanisë. Duhet shkuar nga ajo që të angazhosh në punë anëtarët e familjes se po të ndalesh vetëm te personeli i jashtëm, llogaria është e vogël. Të paguash sot tatimet, sigurimet dhe gjërat e tjera përcjellëse për personel jashtë familjes nuk e qet. Janë shpenzime të mëdha. Ta zëmë vetëm në një ditë në fundjavë, me mua punojnë dy vajzat dhe djali, pastaj si zakonisht e shoqja dhe bashkërisht bëjmë rreth tri orë punë përgatitore. Kjo punë po të bëhej me njerëzit e huaj nuk do të ishte e mundur, sidomos në kontinuitet”.

            Në rrethin e Heinsbergut, shqiptarët kalojnë mirë mes vete. Pjesa më e madhe janë të integruar në shoqërinë gjermane, punojnë dhe dalëngadalë disa kanë arritur që të pavarësohen në afarizëm. Por kjo anë, njihet në veprimtaritë kombëtare, atëherë kur e ka dashur momenti. Ferid Jahiu, në vitet nëntëdhjetë ka qenë koordinator i trepërqindëshit, taksë kjo që është paguar për sendërtimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga mërgimtarët, kuptohet, në fondin e Qeverisë në ekzil. “Pjesa më e madhe e shqiptarëve këndej kanë paguar, - pasi si thotë Feridi, ne angazhoheshim shumë. Ata pesona që nuk kanë dashur të paguajnë i kemi futurë në lista si të devalvuar. Ta zëmë, në shtëpitë e refugjatëve, e vëja listën publikisht kush ka kryer obligimin e kush jo. Ata që donin ta fshehnin dorën e shtrënguar nuk kishin mundësi. Vinin dhe e paguanin obligimin. Ka ndodhur shpesh, që në disa vendbanime të largëta, më shumë të harxhojmë karburant se sa ishte kjo taksë, por vetëm e vetëm që ta ruajmë rendin, kemi sakrifikuar me anëtarët e komisionit. Këtë më së miri e din edhe veprimtari Abedin Gashi, i cilia aso kohe ishte shtyllë e organizimeve këndej. Për disa vite me radhë, shqiptarët e këtyre anëve, duke punuar ag e terr dhe duke ndarë kafshatën e gojës, kanë ndihmuar familjet e veta në Kosovë, kanë ndihmuar të varfërit e të afërmit, kanë ndihmuar po ashtu edhe rastet e rënda që kanë njohur përmes mediave si të sëmurë etj., dhe mbi të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, që aso kohe nuk njihej nga të tjerët. Me dorën time, - merr qëndim krenar Feridi, - kam dorëzuar shuma edhe deri në 120 mijë marka në Fondin e Republikës së Kosovës, pastaj edhe në fondin “Vendlindja thërret” dhe investime jo të rralla në funksionimin e UÇK-së. Ato ishin para të këtyre njerëzve që i fitonin me mund të madh, me punë nga më të ndryhmet. Falë punës sonë kudo që jemi, falë miqve të fortë dhe falë ndihmës së Zotit, nuk na shkoi mundi kot. Sot kemi shtetin e Kosovës, kemi shtetin që duhet ta forcojmë nga forca e secilit individ. Sot secili shqiptar që rrit ekonominë familjare dhe që pak i bie udha kah Kosova, ndihmon në forcimin e shtetit. Ne pothuajse të gjithë kemi pasuri dhe e shtojmë atë në Kosovë. Ajo është pasuri e atij vendi. Ajo pasuri jep taksa për atë vend të dashur. Ia shton bukurinë atij vendi. Por mbi të gjitha duhet punë edhe atje. Kam synuar të bëj edhe diçka atje, pra në Kosovë, por, e kam parë që për momentin më shumë mund të bëj këtu, ani që nuk ndahem nga dëshira për të vazhduar atje”.

            Mbrëmja e një të shtuneje të fillimverës së vitit 2008 na zë në fushat e Vestfalisë. Nën tingujt e një muzike të lehtë, të ngopur me darkën e shijshme, lëmë prapa furrën e skuqur, picat e pjekura dhe aromën e këndshme, në atë gjallëri të picerrsë së Ferid Jahiut. Aty është një pjesë Kosovë, e rrethuar nga një pjesë Gjermani, nga një pjesë Amerikë, nga një pjesë Angli, nga një pjesë Kanada. Gjithë këtë vatër me punën e tij të madhe e ka bërë shqiptari Ferid Jahiu.