Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Zënkë me parole

| E merkure, 07.10.2020, 09:14 AM |


Zënkë me parole

Nga Edison Ypi

Rama po lëvizte majën e thikës brenda një kocke për t’i nxjerrë palcën.

Krasta po ndiqte me pirun një kokërr ulliri mbi pjatë.

Kështu nisi ajo që të nesërmen gazetat e cilësuan “Genocidi i Pjatave”, “Vaterloja e Thikave”, “Torviolli i Pirunave”, pra luftë, por në fakt nuk qe më tepër se zënkë.

Kur Rama kuptoi se ishte e kotë të vazhdonte të gërryente brenda një kocke pa palcë, i hodhi Krastës një vështrim të egër nga ata; Po më pe, pse më sheh, Po s'më pe, pse s'më sheh ?

Krasta nuk nuk ra në këtë kurth. E la për një moment persekutimin e kokrrës së ullirit. Me pirun në dorë, i tha Ramës,

-Nuk gjete gjë brenda kockës, jo sepse kocka s’ka palcë, se s’ka palcë pa kockë, por ti kockën nga palca nuk di ta nxjerrësh sepse ti çdo gjë e bën për shou. E çlirove Lazaratin si me qen Stalingradi, vetëm gjenerali Paulus mungonte.

Rama, i befasuar nga hidhësia cfilitëse e këtyre fjalëve, ja ktheu atypëraty,

-E kush flet. Ti që ke punuar për një televizion apo kafaz budallenjsh ku të gjithë qeshnin e bërtisin gjithë kohës kush t’i binte më tepër në sy italianit. Me ty në krye, përmes rrenave llafollogjike, ja arritët ta armiqësonit italianin me qeverinë aq skajshëm dhe aq ndyrë sa vetë italianit nuk ja kishte marrë mendja. Atë çorbë e bëre ti. Milionat që shteti shqiptar i ka italianit, duhet t'ja shlyesh ti dhe la tua bella compagnia. Kudo që do shkosh, të njëjtën çorbë do bësh. Atë të servilizmit pa skaj për hir të rrogës. Dhe do i falimentosh. Kur ta kuptojnë hilen, do tërbohen. Por do jetë vonë. Do kesh vajtur te çorba tjetër. Domethënë te falimentimi tjetër.

Aq u desh.

Aty Zënka mori zjarr.

Krasta Ramës,

-Ti je patetik, dramatik, emfatik. Gjithçka në qeverisjen tënde është fjalë-fjalë-fjalë si të Hamletit.

Rama Krastës,

-Ti je një mediokër qesharak fukara i mendimit dhe komunikimit që çdo gjë e bën për pare. Gjithçka në televizionin tënd nuk është asgjë tjetër veçse parole-parole-parole dhe karamele si të Alberto Lupos me Minën te "Teatro 10".

-Leri këto se i di më mirë se ty. Cila është sipas teje o zoti Rama puna më e vështirë në botë ? Të ndërtosh një Mur kinez, të ngresh një piramidë Keopsi, t’ja marrësh Krimenë Putinit, ta ngjallësh Merilin Monronë, të shkrish akujt e poleve, ta arabizosh Shqipërinë, ta bindësh Kim Kardashian të vijë në takim në një motel në Kashar ? Ti kësaj pyetje nuk di t’i përgjigjesh. Ja ku po ta them unë; Puna më e vështirë në botë është të qeverisësh shqiptarët.

Rama,

-Po të them bëj televizion të mirë, jo kazan-televizion me femra me breçka dhe pa breçka që e paraqet Shqipërinë aheng non stop.

-Shqipërinë nuk po e bëjmë tallava ne të televizioneve por ju të tritolit, kanabisit, kalashnikovit.

-Je i sipërfaqshëm.

-Posi-posi. Disiplinimi i administratës, zhdukja e korrupsionit, ti e di që këto janë përralla. Problemi është se janë të njëjtat përralla. Përrallat duhen ndërruar. Shqiptarët mërziten po tu tregosh gjithmonë të njëjtën përrallë. Nuk po them që bëre gabim që rrejte dhe prrallise. Po them që rrenat e vjetra duhen zëvendësuar me rrena të reja, përndryshe do ta kemi pisk, ti dhe unë, ne dhe ju, se në një barkë jemi.

-Të ka mbetur sahati te Pippo Baudo.

Krasta s’e priste këtë akuzë kaq të rëndë. Megjithatë u përmbajt.

-Unë, i tha Krasta Ramës, e di që televizionet ku punoj janë plot me shqiptarë të çmendur që përmes të bërtiturave duan të hiqen për të qytetëruar, dhe të huaj të përmbajtur që shkojnë me shpresën se një ditë do bëhen shqiptarë të shkathët. Mos mu hidh degë më degë. A s'më thua; Si do ta zgjidhësh çështjen e marrjes së këstit të fundit të dëmshpërblimit të disa të përndjekurve kur data e vdekjes së tyre nga kanceri është më e afërt se data e marrjes së atij kësti ?! Pranoje se nuk mësove sa duhet nga përvojat e Doktorit lidhur me vështirësitë e qeverisjes. Nuk po të them atë që të thotë Doktori, se je duke qeverisur me qelbësirat. Je duke qeverisur me simotrat e qelbësirave, me plehrat.

-U çmë bëre të qesh o Krasta. Po a nuk punove ti kaq kohë për një televizion plehrash që donte të na e mbushte Shqipërinë me plehra ?

-Kjo dihet. Ne nuk e fsheh që punoj dhe fitoj me plehra, për plehra dhe nga plehra. Plehrat janë lënda e parë e biznesit tim. Nuk është gabim të bësh televizion me plehra. Gabim, madje krim, është të qeverisësh me plehra, si bën ti.

-E ka thënë Hasan Zyko Kamberi; “Çdo popull ka mbi krye plehrat që meriton”.

Krastës j’u errën sytë. Dyshoi se Rama e quajti  “kryeplehër”. Krejt i zbehtë tha,

-Një politikë si e jotja nuk mund të prodhojë një media më të mirë se e imja.

Rama flak-për-flak,

-Një media si e jotja, me plehra pa plehra, me breçka pa breçka, nuk mund të jetë veçse një media plehër.

U dëgjua një zë nga prapa;

-Mjaft !

Ishte Erion Veliaj.

Të gjithë mbajtën frymën

Veliaj i gozhdoi të dy me pyetjen monumentale;

-Si spjegohet që Gërdeci dhe Lazarati janë të dy meshkuj, ndërsa Mjeksia falas dhe Divjaka e hashashit janë femra ?

Pati vezullime të frikshme thikash dhe pirunash. Por Zënka filloi e mbaroi e tëra me parole.