| E diele, 27.09.2020, 07:27 PM |
IDENTIFIKIMI ME ARMIKUN,
APO BIZANTINIZMI E
OTOMANIZMI
(Replika
nga realiteti i përditshëm)
Nga
Prend BUZHALA
Është
mentalitet i trashëguar bizantin për ta pritur shpëtimin nga një Udhëheqës
politik, ndryshe nga Evropa perëndimore, që e kultivon dhe e krijon Kultin e
Vlerave. Domethënë, ende këtu njerëzit nuk janë mësuar që vendimet e shumicës
vlejnë e janë demokratike, sepse ende vepron ai mentalitet bizantin, ku nuk
vlen shumica, por Vendimi i Udhëheqësit. "Përfundon se trashëgimia
bizantine, së bashku me trashëgiminë osmane dhe atë komuniste, ka dekurajuar
zhvillimin e institucioneve demokratike në Ballkan dhe ka thelluar tendencën e
njerëzve të Ballkanit për t'u varur nga qeveria dhe të mos u besojnë
biznesmenëve...(sipas: W. Treadgold, "A history of the Byzantine state and
society". Stanford: Stanford University Press).
1.
Kur
përmendet bizantinizmi, ndër të tjera, si civilizim, zakonisht përmendet edhe
në kontekstin negativ: bizantinizmi ka lënë trashëgimi të rënda në raportet
shtet-religjion (kisha dhe shteti janë një, sipas kulturës që solli ortodoksia)
, me cezaropapizmin a nënshtrimin e kishës nga shteti, nga njëra anë, dhe
deformimi që ua ka bërë të arriturave civilizuese, si dhe deformimet e
karakterit dhe të mentalitetit të njeriut të këtyre anëve (termat
“cezaropapizëm” dhe “bizantinizëm” i krijoi iluminizmi evropian për të
karakterizuar sisteme e mënyra të sjelljes, “si antitezë e idealeve të
Rilindjes evropiane” - Jacob Burckhardt).
Nëse
Evropa perëndimore përjetoi mesjetën (disa vende e jo gjithkund), dhe po kjo
Evropë vetë e mënjanoi këtë të keqe të saj; vendet e Evropës juglindore -
Ballkanit të sotëm (ç'prej se erdhën sllavët dhe turqit), shkuan duke e shtuar
e duke e trashëguar këtë të keqe. Edhe sot, thuhet se Ballkani dhe Rusia
diferencohen nga Evropa Perëndimore pikërisht me këtë mënyrë të sjelljes
shtetërore e individuale. "Mungesa e ndarjes dhe përplasjeve të
përsëritura midis Kishës dhe Shtetit, një shenjë e padiskutueshme e një ndikimi
bizantin në botën sllavo-ortodokse, është një arsye mjaft e mirë për të
tërhequr një vijë ndarëse të mprehtë midis Perëndimit të zhvilluar dhe Ballkani
i prapambetur" (Huntington). Domethënë: Bizanti e kombet e Evropës
Juglindore nuk e provuan Humanizmin e Renesancën e as reformimet tjera në kohë
e me kohë. Nëse disa ndër to ndodhën gjatë shek. XX, ato u provuan përsëri në
formë të deformua, në formë karikature... Julia Kristajeve, kritike letrare
bullgare, që jeton në paris, shkoi edhe më tutje: "individi ortodoks është
i paaftë të përshtatet me shoqërinë moderne, një fakt që u bë veçanërisht i
dukshëm pas rënies së komunizmit. Vlerat tona janë vonuar për dy mijë vjet ndër
ne."
Përgjithësisht,
"e paaftë" po tregohet komplet sfera e ndikimit historik
bizantino-otoman.
2.
Më
së keqi, në këto hapësira, e pësuan shqiptarët, të shtypur nga bizantinizmat e
shteteve përreth, sidomos të pushtuesve sllavë e turq.
Le
ta përfytyrojmë sundimin turk të djeshëm: i krishteri nuk kishte të drejtë të
ndërtonte kullë si vëllai i tij mysliman, nuk kishte të drejtë të mbante armë
si vëllai i tij mysliman, paguante gjizjen a taksën e rëndë si jomysliman e
prej kësaj takse ishte i liruar vëllai i tij mysliman. Nuk kishte të drejtë të
përfaqësimit politik as juridik e as financiar, siç i kishte vëllai i tij
mysliman (dihen sa deputetë shqiptarë e sa pashallarë kishte nën perandorinë
otomane). Shtoja kësaj shprehitë administrative: se si vetëm me forma të rënda
korruptive (duke dhënë para, e pasuri) mund ta realizoje një të drejtë. Duke e
parë se si vëllai tjetër që kishte ndërruar besim, kishte kaq shumë privilegje
(shtëpi, armë, pozita), atëherë, i detyruar nga këto rrethana diskriminuese-gjenocidale,
edhe shqiptari katolik detyrohet të ndërrojë besim, sepse fitonte privilegje.
Ishin këto shprehi bizantine që i mori komplet nga Bizanti Turqia otomane, tash
jo në emër të ortodoksisë, por të fesë së Allahut: feja në shërbim të
perandorit dhe politikës.
Shqiptari,
duke u mësuar nga kjo mënyrë e sjelljes armike, mori edhe vetë ato shprehi; u
identifikua plotësisht me armikun e tij, i cili shndërrohet në
"vëlla". Shikoje sot “binjakëzimin” ekonomik të Kosovës me Serbinë
dhe merret vesh lehtas ky mentalitet me forma tragjike korruptive.
3.
Por
e keqja qëndron diku tjetër: këto shprehi e mënyra kriminale të sjelljes, janë
trashëguar edhe sot në jetën politike. Hegel do të thoshte Bizanti është
histori e trashëguar krimesh, mbasi ende nuk ka dalë nga tunelet e Mesjetës.
Ti
duhet të jesh "si udhëheqësi politik", nga i cili varet shpëtimi yt,
sepse e drejta jote nuk varet nga ligji e as nga drejtësia, as nga vlerat
demokratike. Duhet të jesh "si zyrtari i lartë shtetëror": nëse
dëshiron të realizosh të drejta, ta realizosh një qëllim a kërkesë, duhet ta
korruptosh zyrtarin, ose duhet t'i shërbesh atij dhe tarafit të tij politik,
sepse politika nënshtruese e jo demokracia e vlerat tjera, e drejtojnë jetën
këtu! Ti nuk e ke hisen tënde të frymëmarrjes, të ajrit, por duhet të marrësh
frymë aq sa ata të[ lejojnë të marrësh...
Tjetër
rrugë as që lënë: bëju si unë, bëju me mua, si të them unë! Pra, mos u bëj as
si gjermani, as si amerikani, as si francezi, as t’i përqafosh vlerat
demokratike, por bëju si armiqtë tu, serbi e turku! Ti duhet t'i kultivosh jo
përvojat e lirisë e të demokracisë, as përvojat e dinjitetit njerëzor, por
përvojat e nënshtrimit e të servilizmit. Ti nuk duhet ta respektosh vlerën,
dijen, punën, madje ndaj këtyre vlerave ti duhet të sillesh me agresivitet, me
mohim, me përbuzje, duke mbrojtur antinjerëzoren, të ligën, krimin, idiotësinë
politike e sociale... deri te përdorimi i mjeteve të diktaturës politike a
sociale.
Bizantinizmi
e otomanizmi, tashmë shndërrohen në neo-otomanizëm e në ballkanizëm, e që janë
bërë sinonime të së papërsosurës, të ngecjes, të regresit historik, të
paaftësisë për ta zënë hapin në zhvillim e në vlera, sinonime të gjymtimit të
kulturës e të qenies nacionale. Edhe kur e kemi gojën përplot “orientim
evropian” “evroperëndimorizëm”, kjo shfaqet si karikaturë e vetvetes...
Nuk
është e habitshme, që, duke i parë se cilat vlera gjenden në Perëndim, njerëzit
që duan të jetojnë nga dija e djersa e tyre, të mësyjnë andej për të jetuar,
mbasi këto vende janë bërë të padurueshme për të ekzistuar.