Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Zejneli: Realizmi magjik

| E marte, 22.09.2020, 08:58 PM |


REALIZMI MAGJIK

Nga Xhelal Zejneli

Realizmi magjik është drejtim letrar artistik në të cilin elementet e fantastikes ndërthuren me realitetin, duke u identifikuar në këtë mënyrë me të dhe duke krijuar një tërësi të harmonishme të bazuar në raportin objektiv. Është stil i trillimeve dhe i zhanrit letrar që pasqyron një skenë, pamje apo ngjarje reale të botës moderne, duke shtuar edhe elemente magjike.

Termi realizëm magjik (Magical Realism) nisi të përdoret prej vitit 1925 e këndej për shkollën e piktorëve.

Sot më së shumti ndërlidhet me prozën e Jorge Luis Borgesit, të Gabriel Garsia Markezit, të Gynter Grasit dhe të romancierit anglez, të shkolluar në Oksford Xhon Robert Faulz (John Fowles, 1926-).

Prej shkrimtarëve të brezit të ri këtij grupi i takojnë edhe Izabel Alende. Realizmi magjik ndërlidhet edhe me krijimtarinë e Franc Kafkës, të prozatorit e dramaturgut rus Mihail Afanasjeviç Bullgakov (Kiev, 1891 – Moskë, 1940) dhe të Salman Ruzhdi-ut.

*   *   **   *  *

Në veprat dhe në rrëfimet e realizmit magjik, jeta e përditshme bëhet magjike. Në jetën e përditshme të letërsisë së realizmit magjik kemi thurjen e fantazisë dhe mitit. Ç’është reale? Ç’është e përfytyruar? Në botën e realizmit magjik, e zakonshmja bëhet e jashtëzakonshme, ndërsa magjikja bëhet e zakonshme.

I njohur si “realizëm i jashtëzakonshëm” apo si “realizëm fantastik”, realizmi magjik nuk është stil ose zhanër aq sa mënyrë për hulumtimin e natyrës së realitetit.

Në romane, tregime, poezi, drama dhe film faktet e narrativit dhe të fantazisë së bujshme kombinohen për të zbuluar shoqërinë dhe natyrën shoqërore. Termi “realizmi magjik” ndërlidhet edhe me veprat artistike reale dhe figurative – me pikturat, vizatimet dhe skulpturën – që përmbajnë një ide të fshehtë. Pikturat jetësore, siç është portreti i Frid Kahlos, të paraqitur lart, ngërthejnë në vete mister dhe mrekulli.

Historia - S’ka asgjë të re për t’u inficuar te të huajt për njerëzit  e rëndomtë. Studiuesit kanë gjetur elemente të realizmit magjik te prozatorja dhe poetja angleze plot pasion Emili Xhein Brëntei* (Emily Jane Brontë, 1818-1848), i mallkuari Heathcliff (Wuhering Heights, 1848) dhe fatkeqi Gregor Zamza i Franc Kafkës (1883-1924) i cili u shndërrua në insekt gjigant (Metamorfoza, 1915). Por, shprehja “realizëm magjik” ka lindur nga lëvizjet letrare specifike artistike dhe letrare që janë paraqitur nga mesi i shekullit XX.

Shënim: Emili Xhein Brëntei* (Emily Jane Brontë), prozatorja dhe poetja Sharlot Brëntei (Charlotte Brontë, 1816-1855) dhe prozatorja e poetja En Brëntei (Anne Brontë, 1820-1849) janë motra

*   *   *.

Termin realizëm magjik (Magischer Realismus; Magic Realismus) e krijoi në vitin 1925 kritiku i artit figurativ, historiani dhe fotografi gjerman Franc Roh (Franz Roh, 1890-1965) për të përcaktuar me të krijimtarinë e piktorëve në fazën e postmodernizmit. Është autor i veprës “Kah ekspresionizmi: realizmi magjik” (Nach Expressionismus: Magischer Realismus).

Deri në vitet ’40 dhe ’50 të shekullit XX, kritikët dhe studiuesit e kanë përdorur këtë term për artin e traditave të ndryshme. Pikturat me lule të mëdha të piktores amerikane, e quajtur “nëna e modernizmit amerikan” Georgia Totto O’Keeffe (1887-1986), portretet psikologjike të piktores meksikane Frida Kahlo (1907-1954) dhe skenat urbane të piktorit realist amerikan Edward Hopper (1882-1967) bëjnë pjesë në lëmin e realizmit magjik.

Në letërsi, realizmi magji ka evoluar si një lëvizje e veçantë, përveç realizmit magjik misterioz të qetë të artistëve vizualë. Shkrimtari kuban Alejo Carpentier (1904-1980) paraqiti konceptin " lo real maravilloso " (e drejta magjike) kur në vitin 1949 botoi esenë “Për realitetin e çuditshëm në Amerikën spanjolle”. Carpentier besonte se Amerika Latine, me historinë dhe gjeografinë e saj dramatike, në sytë e botës ka marrë aurë fantastike.

Në vitin 1955, kritiku letrar nga Porto-Rika Angel Flores (1900-1992) përdori termin  magjikja realiste, për dallim nga realizmi magjik, për të analizuar veprat e autorëve latinoamerikanë të cilët “të zakonshmen dhe të përditshmen e kishin shndërruar në të pabesueshme”.

Sipas krikut Angel Flores, realizmi magji ka filluar me një tregim të vitit 1935 të shkrimtarit argjentinas Jorge Luis Borges (1899-1986). Paraqitjen e kësaj lëvizjeje kritikët e ndërlidhin me shkrimtarë të ndryshëm. Por, s’ka dyshim se vendosja e themelit të realizmit magjik latinoamerikan është meritë e Borgesit. Ai konsiderohet unik, ndërsa veprat e tij  dallohen nga veprat e shkrimtarëve evropianë, me përjashtim të veprave të Kafkës.

Autorë të tjerë spanjollë të kësaj tradite janë: Isabel Allende, Miguel Angel Asturias, Laura Esquivel, Elena Garro, Rómulo Gallegos, Gabriel García Marquez dhe Juan Rulfo.

Shënim: Isabel Allende Llona (Limë, Venezuelë, 1942- ) prozatore kiliane; Miguel Angel Asturias (1899-1974) prozator, poet guatemalas; një ndër përfaqësuesit më të shquar të realizmit magjik; Laura Esquivel (1950- ) shkrimtare meksikane e realizmit magjik; Elena Garro (1916-1998) prozatore dhe dramaturge meksikane, e njohur për tregime të shkurtra; konsiderohet nismëtare e lëvizjes së realizmit magjik; Rómulo Gallegos (1884-1969) shkrimtar venezuelas; Gabriel García Marquez (1927-2014) shkrimtar kolumbian; më 1982 mori çmimin “Nobel”; dhe Juan Rulfo (1918-1986) romancier meksikan.

“Surrealizmi ecën nëpër rrugë” thotë Garsia Markezi në një intervistë për The Atlantic. Markezi i ik shprehjes “realizëm magjik” ngaqë ishte i bindur se rrethanat e jashtëzakonshme në Kolumbinë e tij janë pjesë e jetës. Në një shkrim të tij të çuditshëm, por real thuhet: “Plaku me krahë gjigantë” apo “Njeri më i marrë në botë”.

Sot realizmi magjik merret si tendencë ndërkombëtare, shpikje e shprehjes në shumë vende dhe kultura. Recensentët e veprave, agjentët letrarë, publicistët dhe vetë autorët e kanë pranuar etiketën si mënyrë e përshkrimit të veprave që krijojnë skena reale me fantazinë dhe legjendën.

Elemente të realizmit magjik mund të hasen në shkrimet e Atkinsonit, të Italo Kalvinos (Italo Calvino), të Angela Karterit (Angela Carter), të Neil Gaimanit (Neil Gaiman), të Gynter Grasit (Günter Grass), të Mark Helprin (Mark Helprin), të Alise Hofman (Alice Hoffman), të Kobo Abe (Kobo Abe), të Haruki Murakami (Haruki Murakami), të Toni Morrison (Toni Morrison), të Salman Rushdi (Salman Rushdie), të Derek Uallkot (Derek Walcott) dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë të botës.

Shënim: Rowan Sebastian Atkinson (1955-) aktor, komediograf dhe shkrimtar anglez; Italo Calvino (Santiago, Kubë, 1923 – Siena, 1985) prozator italian; Angela Carter (1940-1992) prozatore angleze; Neil Richard MacKinnon Gaiman (1960- ) shkrimtar anglez; Günter Grasse (1927-2015) romancier, dramaturg dhe poet gjerman; baba i gjashtë fëmijëve; më 1999 iu dha çmimi “Nobel”; Mark Helprin (1947- ) shkrimtar amerikan; Alice Hoffman (1952- ) shkrimtare amerikane; Kobo Abe i lindur si Abe Kimifusa (1924-1993) shkrimtar dhe dramaturg japonez; Haruki Murakami (1949-) shkrimtar japonez, i përkthyer në 50 gjuhë të botës; bestseller në Japoni dhe jashtë vendit; Toni Morrison, emri i vërtetë Chloe Anthony Wofford (1931-2019) prozatore amerikane; Salman Rushdie (1947- ) prozator anglez me prejardhje indiane; prej vitit 1961 jeton në Angli; studioi në Universitetin e Kembrixhit (Cambridge); Derek Alton Walcott (1930-2017) poet, dramaturg dhe eseist i Karaibeve, Saint Lucian; nga nëna dhe babai ka prejardhje afrikane, angleze dhe Zelande të Re; pikëpamjet e veta estetike dhe filozofike i paraqiti në esenë “Antilet: fragment kujtimi epik” (The Antilles: Fragment of Epic Memory); më 1992 iu dha çmimi “Nobel”; esenë e sipërthënë e lexoi me rastin e ndarjes së çmimit.

*   *   *

KarakteristikatRealizmi magjik lehtë mund të ngatërrohet me format e ngjashme të të shkruarit imagjinues. Por, përrallat nuk janë realizëm magjik. As tregimet e frikshme, tregimet për shpirtrat, fantastika shkencore, fantastika distopike, fantastika paranormale, letërsia e absurdit dhe fantazia e shpatave dhe e mrekullibërësve. Për të qenë pjesë e traditës së realizmit magjik, shkrimi duhet të përmbajë gjashtë karakteristika, apo disa nga ato:

1. Situatat dhe ngjarjet që e definojnë logjikën: Në romanin Si uji për çokollatën” Laura Eskivelit (Laura Esquivel), gruaja së cilës i është ndaluar të martohet, derdh magji në ushqim. Në “Beloved” autori amerikan Toni Morison (Morrison) sjell një tregim më të errët: robi është zhvendosur në një shtëpi të cilën e ka shkelur shpirti i fëmijës i cili ka vdekur para shumë kohësh. Këto tregime dallohen shumë prej njëra-tjetrës, por që të dyja janë vendosur në një botë në të cilën vërtet mund të ndodhë diçka.

2. Motivet dhe legjendat: Shumë të panjohura të realizmit magjik burojnë nga folklori, nga parabolat religjioze, nga alegoritë dhe nga besëtytnitë. P. sh. Abiku, fëmijë shpirtëror afrikano-perëndimor, në tregimin “The Famished Road” të poetit, prozatorit dhe eseistit nigerian Ben Okri (1959- ). Për të krijuar anakronizma të ngatërruara dhe tregime të ngjeshura e të ndërlikuara, legjendat e vendeve dhe të kohëve të ndryshme shpeshherë vendosen bashkë. Në romanin “A Man Went Down the Road, 1973”, shkrimtari gjeorgjian Otar Shilaxe (Otar Chiladze, 1933-2009), mitin e lashtë helen e lidh me ngjarjet tronditëse dhe historinë dramatike të vendit të tij euro-aziatik pranë Detit të Zi. Në romanet e veta mitet sumere  i ndërthur me ato helene.

3. Konteksti historik dhe brenga shoqërore: Për t’i hulumtuar çështjet që kanë të bëjnë me racizmin, seksizmin, intolerancën dhe me lëshimet e tjera njerëzore ngjarjet politike dhe lëvizjet shoqërore të botës reale përshkohen me fantazi. Romani “Fëmijët e mesnatës” (Midnight's Children) i shkrimtarit Salman Rushdi (Salman Rushdie) është sagë për njeriun të lindur në kohën e pavarësisë së Indisë. Personazhi i tij është i lidhur në mënyrë telepatike me mijëra fëmijë magjikë të lindur në të njëjtën orë, ndërsa jeta e tij reflekton ngjarjet kryesore të vendit të tij.

4. Koha e shtrembëruar dhe sekuenca: Në realizmin magjik karakteret mund të lëvizin prapa, të kërcejnë para apo zigzag ndërmjet të kaluarës dhe të ardhmes. Duhet parë sesi e trajton kohën Gabriel Garsia Markezi në romanin e tij “Njëqind vjet vetmi” (Cien Años de Soledad, 1967). Ndryshimet e befasishme në narrativ dhe paraqitja e gjithmbarshme e shpirtrave dhe e parandjenjave te lexuesi krijojnë ndjenjën se ngjarjet sillen rreth një nyje të pafund.

5. Premisat e botës reale – Shkrimtarët e realizmit magjikë (magic) nuk janë hulumtues të gjithësisë apo magjistarë. Shembuj të qasjes nuk janë “Star Wars” dhe “Harry Potter”. Në një shkrim për The Telegraph, Salman Rushdi thotë se “Magjikja në realizmin magjik i ka rrënjë thellë në realitet”. Ndonëse çdo ditë ballafaqohen me ngjarje të jashtëzakonshme, personazhet janë të zakonshëm. Dihet se në ç’vende jetojnë ata.

6. Materiali i tonit – Karakteristika më e përhapur e realizmit magjik është zëri narrativ armiqësor. Ngjarjet bizare përshkruhen në një mënyrë të pazakonshme. Karakteret nuk i vënë dyshim situatat surrealiste në të cilat ndodhen. Për shembull, në veprën e shkurtër “Jetët tona bëhen të parëndësishme”, tregimtari luan dramën e zhdukjes së bashkëshortit të saj: “Gifordi i cili qëndronte para meje, palmës së zgjeruar, ledhatohej nga ajri, nga rrobat gri dhe kravata e mëndafshtë vija-vija ia , mezi merrte frymë. Kur erdha më vonë, rrobat ishin avulluar, duke lënë vetëm shkëlqimin ngjyrë vjollcë në mushkëritë e tij dhe organin e trëndafiltë dhe pulsues që e kisha ngatërruar me trëndafilin. Kuptohet, ky s’ishte se zemra e tij”.

Sfidat

Për dallim nga arti vizual, letërsia jo gjithmonë mund të paloset në një kuti. Kur prozatori anglez me prejardhje japoneze, i cili prej viti 1960 jeton në Angli, Kazuo Ishiguro (Nagasaki, 1954- ; më 2017 mori çmimin “Nobel”) botoi romanin fantastik “Gjiganti i varrosur” (The Buried Giant, mars 2015) studiuesit iu rrekën punës për të parë se cilit zhanër i përket vepra. Mbase subjekti është një fantazi ngase zhvillohet në botën e përbindëshave, por narracioni është objektiv dhe me elemente të theksuara të përrallës. “Megjithëkëtë, shkak i lemerisë nuk janë përbindëshat e tillë... Ka edhe shumë gjëra të tjera tmerruese”. A është Gjiganti i varrosur” një fantazi e kulluar, apo Ishiguro ka depërtuar në mbretërinë e magjikes? Është e mundur që veprat e këtij lloji të bëjnë pjesë në të gjitha zhanret.

“Review: Kazou Ishigurooy”, studim i publikuar më 24.02.2015 nga Washington Post, qasje digjitale, Web 9.10.2017, shkrimtarja dhe kritikja amerikane e lindur në Lima të Perusë Mari Arana Kempell (Marie Arana Campbell, 1949- ) thotë: “The Buried Giant dëshmon se kategorizimi i veprës në zhanre nuk është punë e thjeshtë”.

Burimet:

1. Ashley Opseci, “Origjina e realizmit magjik të Gabriel Garsia Markezit”, Atlantik, 17.04.2014, shtypur nga Atlantic Archive, Web 9.10.2017;

2. Flores Angel, “Realizmi magjik në fantastikën spanjolle-amerikane”; Hispania 38, maj 1955: 187-192; shtypur nga JSTOR. Web 11.10.2017;

3. Ken Keegan, “Përse tregimet Fabulist dhe New Wave Fabulist në antologji janë emëruar parasfera?” Parasferat: Dalja jashtë sferës së fantastikes letrare dhe të zhanrit. Ed. Rusty Morrison dhe Ken Keegan, Omnidawn Publishing, 2006, f. 625-637;

4. Luis Leal, “Realizmi magjik në letërsinë spanjolle dhe amerikane”, Trans. Wendy B. Faris, “Realizmi magjik: teoria, historia, bashkësia”, Ed. Lois Parkinson Yamora dhe Wendy B. Faris. Duke University Press, 1995, f. 119-124;

5. Alberto Rios, “Realizmi magjik: përkufizimet”; Universiteti shtetëror i Arizonës, 23.05.2002; Web 11.10.027;

6. Salman Rushdie, “Salman Rushdi për Gabriel Garsia Markezin: Bota e tij ishte edhe botë e ime”; Telegraf, 25.04.2014; shtypur nga Telegraf Media Group. Web, 9.10.2017;

7. Jeffrey Wechsler, "Realizmi magjik: Përkufizimi i të palejueshmes." Art Journal, Vëll. 45, Nr. 4, 1985: 293-298, shtypur nga Web 14.10.2017.