| E hene, 21.09.2020, 07:53 PM |
Në 22 vjetorin e vrasjes së Ministrit të Parë të Mbrojtjes
Kujdesi për kolonelin,
shprehje e dashurisë për shtetin!
Nga
Florim Zeqa
Harresa institucionale e
kolonelit!
Harresa
është një fenomen shoqëror i ndikuar nga shumë faktor psikologjik, biologjik
dhe social, shërimi i së cilës është i vështirë dhe i gjatë.
Sëmundja
e harresës apo shlyerja e trurit, nga vende të ndryshme të botës është duke u
trajtuar si sëmundje e shekullit e emërtuar në gjuhën mjeksore si "ALZHAIMER" (alcaimer).
Alcaimeri
i shoqërisë kosovare, i ardhur si pasojë e egoizmit njerëzor, xhelozisë dhe
urrejtjës ndaj njëri-tjetrit, është duke e dëmtuar seriozisht shëndetin e
shoqërisë kosovare.
Padyshim,
harresa e kolonelit të lavdisë sonë kombëtare, e ministrit të parë të mbrojtjes
së Republikës së Kosovës në radhë të parë është politike, pastaj shoqërore. Por
në asnjë rrethanë nuk ishte dashtë që koloneli të harrohet nga familjarët dhe
bashkluftëtarët, shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës.
Përgjegjësia
më e madhe morale bie mbi institucionet shtetërore, liderët dhe partitë
politike që dëshmorët dhe martirët e
shtetit të Kosovës i trajtojnë jo sipas meritave dhe hierarkisë ushtarake, por
sipas përkatësisë partiake.
Pas rivarrimit të
padinjitetshëm, ndodhi edhe harresa e kolonelit
U
dasht të kalojnë plot 10 vite në shtetin e pavarur të Kosovës dhe 20 vjet nga
vrasja, derisa erdhi momenti i "duhur" për sjelljen e eshtrave të
Ministrit të Parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës nga vendi ku u
ekzekutua (Shqipëri) kolonel Ahmet Krasniqi.
Ata
që shitën edhe për së vdekuri kolonel Ahmet Krasniqin, provokuan ndjenjat e
pastra të qindramijëra e miliona shqiptarëve të ndershëm, por më së keqi
turpëruan familjarët e kolonelit.
Këtë
e bënë një grusht matrapazësh politik,
të cilët ua mundësuan kundërshtarëve të vijës institucionale të luftës
çlirimtare, që pas 20 vitesh të bëjnë marketing politik me eshtrat e Ministrit
të parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, të cilin nuk e njohën dhe
pranuan si të tillë as në ditën e rivarrimit!
Për
21 vjet rresht në Kosovën e lirë, e në veçanti në periudhën post-rugoviane,
emri dhe vepra e kolonel Ahmet Krasniqit, e dhjetra dhe qindra veprimtarëve të
vrarë u përdorë vetëm si marketing elektoral nga eksponentet e LDK-së për
grumbullimin e votave e asgjë më shumë.
Është
një tendencë e hapur për shtrëmbërimin dhe falsifikimin e skajshëm të historisë
më të re të Kosovës, e cila për qëllim ka mbulimin e të gjitha vrasjeve politike
të luftës dhe pasluftës në Kosovë.
Krijimi
i realitetit të rrejshëm sot, për qëllim ka minimizimin deri në asgjësim nga
kujtesa popullore të figurave më markante të lëvizjes paqësore të viteve të
'90-ta, të heronjëve dhe dëshmorëve të vërtetë të luftës çlirimtare.
Koloneli i harruar nga
institucionalistët e LDK-së
Ka
kohë që një pjesë e eksponentëve të LDK-së, zyrtarë të lartë dhe deputet për
interesa meskine personale kanë shkelur mbi gjakun e bashkëpartiakëve.
Kjo
tashmë nuk paraqet risi dhe as befasi në opinionin publik, por befasia tepër e
dhimbshme qëndron në faktin e dorëzimit të disa prej familjarëve të figurave
politike jo në mënyrë të drejtëpërdrejt por përmes "mësitëve" të
krimit të organizuar.
Mungesa
e përkujdesjes institucionale ndaj varrit të kolonelit Ahmet Krasniqi nuk është
e rastësishme, por e qëllimshme. Nuk ka si të trajtohet ndryshe harresa e
institucionalistëve të LDK-së, të cilëve vetëm në kohë fushatash zgjedhore u
bie ndërmend ta vizitojnë varrin e Ministrit të parë të Mbrojtjes, Ahmet
Krasniqi dhe atë të liderit historik dhe komandantit suprem të Forcave të
Armatosura të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe jo vetëm, duke i
lënë në harresë të plotë veprimtarët e vrarë dhe luftëtarët e vijës
institucionale që ranë në altarin e lirisë.
Përkujdesja e ushtarit
për komandantin e tij
Por
është dikush që në vazhdimësi përkujdeset për komandantin e tij, për Ministrin
e Parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Ai është Valdet (Miftar) Ziba,
ushtari besnik i kolonel Ahmet Krasnqit dhe vijes institucionale në
përgjithësi.
Valdeti
si shumë të tjerë, për një kohë të gjatë kishte trokitur dyerve të
institucioneve të shtetit kur "institucionalistët" ishin në pushtet,
në kërkim të një vendi të punës për të siguruar një ekzistencë për familjen e
tij, por për fatin e keq, as respektin minimal nuk e treguan ndaj tij. E
sotmja, pas 21 vjetësh Valdetin e gjenë duke bredhur rrugëve të perëndimit në
kërkim të ekzistencës dhe të një jetë më të mirë për familjen e tij, pasi
shteti nuk i dha dhe nuk i ofroj asgjë!
Mirëpo,
edhe pse i dëshpruar thellë në institucione, e në veçanti në strukturat
drejtuese të LDK-së, për asnjë çast nuk e harron komandantin e tij. Sa herë që
i ipet mundësia të vie në vendlindje, e viziton varrin e bacës, siq e quan ai
kolonel Ahmet Krasnqin.
Në
vzitën e fundit ditë më parë ishte zhgënjyer më shumë se asnjëherë më parë kur
e kishte parë në gjendje të mjerueshme mermerin mbi varrin e kolonelit.
Shlyerja e shkronjave mbi mermer, e kishte detyruar që ai ta ndryshoj agjenden
e tij. Menjëherë shkon në librari dhe dyqan të ngjyrave për blerë ngjyrë ari
dhe mjete tjera për riparimin e shkronjave mbi varrin e bacës.
Me
përkushtim dhe dashuri, ashtu siq qendisen shkronjat në flamur, akoma më bukur
i kishte qendisur shkronjat mbi mermerin e baces ushtari dhe vozitësi besnik i
kolonelit Valdet (Miftar) Ziba.
Tani,
pas dy vjetësh në Velani, kur të shkojnë për homazhe zyrtarët e LDK-së do t'u
dalin fotot më të bukura nga shkëlqimi i shkronjave mbi mermerin e Ministrit të
Parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Le
të jetë ky shkrim si kujtesë për zyrtarët e LDK-së, që krahas nderimit për
kolonelin, ta çmojnë edhe përkujdesjen e ushtarit Valdet Ziba për komandantin e
tij, pa të cilin sot, me vështirësi do t'i lexonin shkronjat mbi varrin e tij!
Ky
shkrim le të shërbejë si thirrje në ndërgjegjën e çdo politikani dhe qytetari
të Kosovës për respektimin pa ngjyrime partiake të martirëve, dëshmorëve dhe
heronjëve, për arsye se ata nuk janë të asnjë partie politike, feje apo rajoni,
por janë të të gjithëve, janë bazament i shtetit të Kosovës.
Përkujdesja
ndaj varrezave të dëshmorëve është shprehje e respektit ndaj veprës së tyre,
dashurisë ndaj atdheut dhe shprehje e
nivelit kulturor të shoqërisë sonë.
Lavdi kolonel, prehu i qetë në zemrën e tokës dardane që e deshe me shumë se jetën tënde!