Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemal Ahmeti: Ngritja dhe rënia e Zijadin Selës

| E diele, 20.09.2020, 01:04 PM |


NGRITJA DHE RËNIA E ZIJADIN SELËS

Nga Xhemal Ahmeti

Për tri gjëra masat mbështetën Zijadin Selën: 1. Për shkak të folmes së tij ndryshe nga shumica e politikanëve - në shqipe të bukur 2. Për shkak të këmbëngulësisë në mbrojtjen e të drejtave shqiptare në Maqedoni dhe 3. Për shkak se nuk kishte biografi të korruptuar (për nga aspekti material).

Ishte pika e dytë ajo që i dha atij popullaritet të jashtëzakonshëm në mbarë kulturosferën shqiptare. Prandaj kampanjat difamuese të religjiopatëve, të cilat e postonin me birrë në tavolinë duke e "demaskuar" si të pafé jo që nuk e dëmtonin por edhe e përforconin. Ndodhi tragjedia e rrahjes brenda parlamentit. Ngjarje, e cila tronditi gjithë shqiptarët. Përveç koalicionarëve të tij të sotëm, të cilëve u ishte siguruar dalja në kohë nga objekti para se të plas sherri, dhe të cilët gjatë ndodhisë zgërdhiheshin të tubuar pas parlamentit maqedonas. Nga ky moment ndryshon gjithçka. Sela do të kthehet nga shtrati i spitalit ndryshe. Fillimisht lidhi aleancë me "Besën". Me këta nuk pati sukses ngase u çanë në dy pjesë. Për të mbijetuar këta iu bashkuan LSDM - së me qëllimin që të kapin pushtetin së paku me elektoratin ish-jugosllavëve brenda kësaj partie. Ia dolën. Mbeti pjesa tjetër e ish "Besës" që të gjej metodën. "Alternativa" me ndihmën e ASH - së ia doli të marrë Kumanovën dhe Shkupin. Kështu krahu, i cili jo se spekulohet të jetë filiale e shtetit turk, respektivisht AKP-së së Erdoganit në Maqedoni, por edhe vetë me krenari e dëshmon me vepër këtë çdo ditë, u etablua si përfaqësuese legale e elektoratit shqipfolës në Maqedoni. Në demokraci edhe kjo është e mundshme. Mllefi i qytetarëve që nuk mendojnë si këta as që qëndron në këtë pikë. Revolta ndaj këtyre ka të bëjë me aktivitetin e tyre dy-dekadash, i cili ka tjetërsuar, deformuar identitetin e shqiptarëve të Maqedonisë. Ata sillen si turq/osmanë e jo si shqiptarë më. Edhe në perëndim ia kanë nisur të deklarohen si "arnautë osmanë". ky "identitet i ri" ishte/është jashtëzakonisht profitabël për shumicën tjetër, atë të quajtur maqedonase, e për të cil?n Bullgaria sapo publikoi memorandumin nëpërmjet, të cilit kërkon si kusht që Maqedonia Veriore të pranojë se "para 2 gushtit 1944 nuk ka pasur popull e gjuhë maqedonase dhe se këto u krijuan me urdhër të Beogradit". Nëse këto nuk ishin, po kush ishte atëherë populli shtetformues? "arnautët osmanë" të ardhur nga Anadolli e që mund të rikthehen si në vitet e 30, 50, 60-ta sërish atje? Nëse sllavët i solli Tito dhe Dimitrovi me bekimin e Stalinit edhe këta tjerët i solli më herët perandoria osmane. Toka pa tapi autoktoniteti u takon sot atyre që e kanë në dorë dhe mirupafshim. Këtë gjendje, çtapizimin e shqiptarëve mbi tokat e Maqedhonisë, në frymën e kontratave ende qëndruese turko-jugosllave (pa ish) e mundësuan paraprakisht (ideologjikisht, nëpërmjet xhamive dhe shkollave) këto agjentura sot të formuara si dy parti. Ndërkaq e mundësuan politikisht: LSDM dhe ASH.

Se ata që as dinë të shkruajnë e as të lexojnë (masat mbështetëse të këtij trinomi) në asnjë gjuhë të kësaj bote nuk e kuptuan këtë strategji turko-sllave nuk habitet kush. Po Zijadin Sela? Pse nuk e kapi ky këtë përdhunim të së drejtës së një identiteti kulturor për të qenë? Nga kush u korruptua? Njëra palë thotë se fajet i ka politikani i kombësisë turke (ashtu flet në shtëpi dhe ashtu është i regjistruar), kryetari i komunës së Gostivarit Taravari. Shok shkollimi e ka. Tjerët thonë se financimi që ia siguronin satelitet e AKP-së në Maqedoni e bënë këtë. Të dyja qëndrojnë. Dje tregoi Arta Toçi, shefja e forumit të gruas se ka braktisur partinë. Është ajo profesoresha, e bija e shkrimtarit të mirënjohur dhe të ndjerë Murat Isaku e cila u sulmua [ngase u keqlexua, e si ndryshe?] rëndë nga religjiopatët pse shkruajti për rolin e gruas shqiptare në Maqedoni. Këtë nuk e mbrojti ASH siç e mbronim ne Selën kur e difamonin për "birrën" dhe "shkavellërinë". Ikja e Arta Toçit manifeston shuarjen përfundimtare të elementit rezistues shqiptar brenda kësaj partie. Ajo, partia, lirisht mund të festojë rreshtimin si filialë e AKP-së, respektivisht agjenturë për shkatërrimin e mëtejmë të kulturës shqiptare atje. Do t'ia dalin? Jo.

Problemi, nuk është se pse u rreshtua Sela më këto parti, të cilat nuk i ndalon dot në sistemet pluraliste, problemi është tek mashtrimi në kurriz të tjetrit: u ngrit në emër të shqiptarëvee vepron sot në interes të atyre që u rrezikojnë ekzistencën shqiptarëve si kulturë, qenie e identitet. E gabime/dëme të llojit nuk i le historia të paregjistruara. Keqardhje.