| E shtune, 19.09.2020, 06:25 PM |
Njerëzimi noton në rrena
Nga Tuna
Prekpalaj
Para se të filloj të flas me ty, lexues, bisedën mbi
rrenat due me thân diçka në lidhje me të vërtetën – opozitën e rrenës. Shumkush
në jetën e saj apo në jetën e tij, tej edhe fëmitë – e sidomos filozofët - e
bâjn pyetjen: `çka âsht e vërteta?` Secili prej nesh - sidomos ata që mendojnë
seriozisht – mbesin me gishta në gojë dhe nuk e japin përgjegjen e vërtetë.
Deri në kohët e fundit, konsensusi i përgjithshëm - gjithashtu në universitetin
ku kam studijue - ishte se ne duhet të jemi ma se kritik veçanisht kur bâhet
fjala mbi njohjen e vërtetës. E vërteta, si na mësuan filozofët e mëdhaj
postmodern, âsht vetëm një konstruim mashtrues, i cili plotësisht âsht i mvarun nga perspektiva personale dhe
në kët mëmyrë, pra, i nënshtrohet emocioneve dhe forcave të ndryshme të
mbrendshme e të jashtme të pakontrollueshme. Kjo gjâ më magjepsi sepse unë e
njohta jehonën e paqartë të Kierkegaard-it, i cili shum ma herët e kishte bâ
vrëjtjen, kur ka thanë: "Nëse subjektiviteti, brendësia, âsht e vërteta,
atëherë e vërteta, e vendosun në mënyrë objektive, âsht paradoks". Kjo
âsht nji gjâ e mrekullueshme me e ditë. Por duhet menjiherë me thân se kush e
kupton e kupton, e ai që nuk e kupton – `badijava` – fatëkeqsisht nuk e kupton.
Peccato! (mkat, me than italisht). Por, si student, e kam provue posaçënisht
anën e pangopur të pjesës së hijeve kritike.
E unë - prapseprap – duhet të qëndroj në nji distancë. Për me e kuptue
seriozisht pyetjen mbi të vërtetën,
duhet së shpejti të kemi në dije se vleftat dhe sistemet e shoqnive dhe
botëkuptimet e ndryshme na kan sjellë në botën tonë në nji prag të dekadencës
dhe të deformimit moral dhe etik. Por me e thanë të vërtetën në kët aspekt, ia
ka dhân ndjerëzimit nji dinamizëm në laminë e çpikjeve shkencore komunikative.
S’duhet me e gjujt fëmijun me ujin e banjos. Simbas pikëpamjes postmoderne,
besimi (në rrena) ekziston nga hiri i strukturave të pushtetit, me qëllim që
t'i mbante njerëzit nën gishtin e madh dhe nën kontrollë. Thellësia e
padredhueme që qëndron mbrapa fjalës "e vërteta", të cilën e kisha
zbulue në vitet e maparshme në rininë time me frymë të lodhun dhe me tru të
trubulluem nga rrenat, poshtërsitë, dredhinat, bukurfolësitë, naivitetetet,
pagdhendësitë, përmes disa mësuesve, pseudoshkencëtarëve, të llojlloj
mendimtarëve, poetëve, pseudoteologëve, psikologëve dhe analfabetëve - të cilët
thojn se din - por s´din; u përpoqa t’i çrranjësoj brutalisht rrenat dhe e
kuptova klimën ku kisha bifarkue. E pash se âsht vonë, e pash se sa âsht ora:
23:55. Shum vonë - kur e din se jeta e njeriut âsht shum e shkurt. Nuk âsht
vështirë me e kuptue se pse shum njerëz nuk e dijnë se sa âsht ora. Ata janë bâ
si ora që nuk e dinë se sa âsht ora. Dhe se nuk dinë me e dallue të vërtetën
nga rrena. Ku molla e kastraveci kuptohet si njilloj fryti në nji thes. Nuk e
dijm madje dhe se çka âsht e vërteta në kuptimin e plotë të të domethanjes. Ku
edhe shkencëtarët – e posaçërisht në kët kohë âsht evidente që virologët , të
cilët vit mbas viti e marin rrogën tue na thanë se dinë, se jan kompetent në
laminë e tyne. Si për shembul në këtë kohë të virusit të koronës.
Shkencëtarët s’po dinë me na tregue se
si virusi i koronës duhet t’iu zdredhohet koka. Në kët kohë të koronakrizës
shifet se sa na njerëzit jemi frgjil dhe nuk jemi aq të fuqishëm dhe të dijshëm
se sa na vet mendojm se jemi të fuqishëm dhe kemi njimend dituni. Në këtë kohë
kur thuhet se kapitali dhe pasunija janë gjanat ma të çmueshme në jetë, e vet ajo pasuni dhe kapital na nxjerrin
shpirtin prej trupit – me punën dhe njersën që e bajm. E Kur shum njerëz
(inocent, “xhunah! “) si fëmi rrehen dhe
mashtroehen: Kur nji virolog “shkencëtar” thotë se virusi kshtu e tjetri
virolog thotë se virusi âsht ashtu. Kundërshtohen me tezat e tyne. Nëse nji
virolog i shtron argumentet (teorike) mbi virusin se duhet me i mbajt maskat në
gojë, tjetri virolog thotë se s’âsht nevoja, sepse s’ka kurrfar efekti. Madje
kan publikue rrena edhe në revista të njohtuna shkencëtore, që s’ta mer mendja.
Thuhet se e kan çpik barin, ilaçin kundër virusit qysh nga koha kur virusi hini
në Itali, por njerzit akoma jan tue vdek dhe tue u infektue. Kurse populli âsht
ditë mbas dite tue prek në terr, tue mos pâ se çka âsht tue prek e me frigë âsht
tue u sill djathtas e majtas. Konkluzioni?
Dikush prej shkenëtarëve po rren. E shkencëtari nuk duhet me rrejt.
Rrena e shkencëtarit âsht vdekjepruese, jetëshkatrruese. Me rrejt në shkencë
âsht si mëkati i madh. E llatinët krishtenët e dinë se çka don me thanë mëkati
i madh: mbas vdekjes shkon drejtpërsëdrejti në Ferr (Xhenem). Shkencëtari mund
me e que njerin në univerz, por edhe mund me ta marue mbrapa vorrin. Merre me
mend. “Njeriu po shkom me raketë në Hanë, në Mars, por nuk i dinë me i zgjedh
problemet e veta, si smundjet, sistemin politik dhe social, egoizmin, moralin
dhe etikën, në të cilat gjinden para
hundës, këtu në Tokë. Të pyetemi se çka âsht e vërteta. Sinqerisht me thanë, ne nuk e dijm. S´âsht
çudi kur edhe vet Krishti, i cili nuk iu përgjegj Pilatit, gjykatsit Romak, kur
e pyeti se “çka âsht e vërteta”. Ma
amirë i kishte râ shkenëtarëve me e mshel gojen e mos me than kurgjâ. Për ate do ta gjuej mbi qilim nji temë të
randësishme mbi r r e n a t, në të cilat jemi tue notue. Fatkeqsisht edhe
njerëzit e mençum, njerëzit si ti dhe unë – shkurt me thânë - bijm ditë mbas
dite në kurthën e rrenave. S’ka dyshim.
Na jemi tue notue në rrena. Nji shok i imi më tha: “Vallahi bilahi, o burrë, na
myten tue na rrejt!”. Nuk mujta me e shtrydh elementin sarkastik në qenjen time
dhe në provokim ia shtrova do mendime të ngjeshuna me pyetje: Me rrejt nuk âsht
e ndalueme. Por unë e di se ndër Dhejetë Urdhënimet, të cilat Zotit ia dha
Mojsiut në malin Sinai, nuk gjindet urdhni “mos rrej!”. Ti mendon se me siguri
nuk rren, dhe nëse mendon se nuk rren, rren kur thue se s’rren. Të gjithë
rrejn. Unë e pranoj se rrej. Me pranimin tim shkoj edhe ma tutje për me e
përmirësue vetvetin mos me rrejt. Por – çka âsht ma e keqja - shumica mbesin në
bindejn e tyne dhe me kambëngulje thojn se s’rrejn dhe nuk e përmirësojn
vetveten për mos me rrejt mâ në të ardhmen. Nji shok i imi i ngusht musliman më
tregoi se hoxha në predikimin e tij i ka thanë besimtarëve: “besimtarë, besoni
çka tham unë, por mos bani ate çka baj unë”. Ko fjali âsht e shkurt, por flet
sa nji libër i trash. Shum njerëz mendojnë se gjithmonë e thojnë të vërtetën.
Ata rrejn, janë rrenacakë, se e kan nji mendim subjkektiv e jo objektiv. Personaliteti i jonë na detyron që ta thojm
të vërtetën, por janë momente vdekjepruese nëse e thojm të vërtetën. Fjala e
“vërteta”, âsht nji fjal me peshë shum të randë! E vërteta âsht gjithmonë e
njëjtë për të gjithë njerëzit në rruzullin e tokës. Rrena âsht opozita e së
vërtetës. Simbas Hegelit e vërteta dhe rrena përleshen. Dialektika përbahet me
negativin dhe pozitivin – shkurt me
thanë. E vërteta nuk din me
rrejt. Rrena nuk pajtohet me të vërtetën. Rrena âsht gjithmonë origjinale. Ajo
âsht interesante për psikologët,
hetuesit, xheparoshët, politikanët, pseudoshkenëtarët etj. Rrena ka vleftë për
ata që dojn me u pasunue mbi kurrizin e njerëzve që punojn, për ata që s’din se
sa pika të njersës në ditë i bajn punëtorët. Kurse, nga ana tjetër, ka edhe
njerëz që vdesin për të vërtetën, si për shembull Giordano Bruno, Sokrati etj. Këta filozofë janë prezent këtu dhe tash, te
na. Ata janë gjallë ndër ne. Ata na mësojn me nji fuqi shpirtnore dhe na
inspirojnë dita ditës për me e njoft dhe me e thanë të vërtetën – pa frigë. Pa
frigë për vdekje. Vetëm na duhet me hyp në nji frekvencë të tyne për me i
ndigjue se çka janë tue na thanë, se çfar udhëzimi jan tue na dhanë. Kta
filozofë s’kan dit me rrejt! Se të kishin ditë me rrejt, kishin jetue si
kafshët e dresueme, tue tund koken si shej pajtimi. Kurse na i mësuam rrenat
prej mësuesve tonë, prej shkenctarëve tonë, prej shoqnisë tonë. Edhe besa prej
prinëve tonë, që të vërtetën ose nuk e dit(ën)ë ose nuk e thojnë ashtu që,
megjithate, na ndalojnë – në mënyrë direkte ose indirekte - t'u japim të
tjerëve, mbasardhësve tonë dhuratën ma të çmueshme: njohjen e të vërtetën.
Në Bibël shkruen se Zoti i thâ Abramit (në Kuran quhet
Ibrahim) me e therr djalin e vet Izakun. Abrami i besoi Zotit pa kurrfar
formulimi logjik. Nuk dyshoi, por e ngriti thikën e kasapit për me e sakrifikue
djalin e vet. E kur ishte gati krejt, Zoti e dërgoi engjllin
Gabrielin/Gjebrailin që e shpëtoi jetën e Izakut dhe thika e Abramit nuk ishte
mâ e nevojshme. Djali i Abramit shpëtoi. Verzioni i tregimit mbi
sakrifiklimin/kurbanin e djalit në Kuran âsht i njejt sikurse itregohet në
Bibël. Por vetëm ka nji diferencë emni: në Bibël djali i Abramit/Ibrahimit âsht
Izaku, kurse Muhameti shkruen se emni i djalit të Ibrahimit/Abramit quhet
Ismail. Ky verzion i fundit - në lidhje me emnat – âsht i jezutit, priftit,
dr.Alberto Rivera. Këtu duhet me shikue se a âsht gabim në Bibël ose në Kuran.
Në Bibël Zoti i thotë Abramit me shkue në krahinën e queme Moria me e
sakrifikue djalin e vet Izakun (Genesis 22.1-5), kurse Allahu i ka thân
Muhametit në andërr me e bâ kurban djalin e vet ( Kuran: Sura 37. 102(100) –
103). Kuptohet alegoria e shkrimtarit të Biblës dhe të Kuranit, por – nëse
interpretuesit e Biblës ose të Kuranit thojn se krejt çka shkruen në Bibël apo
në Kuran âsht e vërtetë, atëherë nuk e di këtu se kush nuk e tjhotë të
vërtetën, por e ka fut në shkrimin shejt nji rrenë. Dikush âsht këtu tue rrejt.
E çuditem se si i ka ra ndër mend Zotit me i urdhënue Abramit/Ibrahimit,
njeriut - si ti dhe unë - të krijuem nga vet Zoti që t’a sakrifikon djalin e
vet! Krijimi i tokës âsht nji gjâ e mrekullueshme, por vrasja e nji gjallnese
(njeriu, fëmiu i pafajshëm, i pamkatshëm) âsht nji akt i pamëshirshëm, âsht nji
krim i madh. Edhe Urdhni i 5-të i vet Zotit thot: “Mos vrit”! A s’âsht kjo nji
kontradikt? Ky akt, ka qenë, âsht dhe do të mbetet – pa kurrfarë dyshimi - si
krim i madh. Po si i erdh Zotit ndër mend me i thanë Abramit/Ibrahimit me e
sakrifikue djalin e vet? Këtu mbi tokë, së pakut në Evropë, Zotin e kishin fut
në burg. Ose, kjo âsht nji rrenë në
Bibël apo në Kuran? Ata që e kan shkrue Biblën ose Kuranin na paraqesin në
pjatën e tregimit nji gja të pavërtetë, nëse thuhet në Bibël dhe në Kuran se
Zoti/Allahu âsht Ai që e don njerëzimin. Ai âsht i gjithdijshëm, i
plotfuqishëm, krejt me dsuperlativa i gjith-, plot-. Rrena për me e therr apo
sakrifikue djalin e tij âsht - në të vërtetë - si akt i tillë, nji prrallë e
shkëlqyeshme. Kush rren âsht - si të thuesh - i bindun se nuk e thotë të
vërtetën dhe se shpreson se ata që e ndigjojn rrenën mendojn se âsht e vërtetë.
Nëse dikush flet me ironi, ai/ajo nuk rren. Kush rren thot diçka që vet ai/ajo
âsht i/e bindun se nuk e thot të
vërtetën edhe nëse ai/ajo mendon se gjithkush do të mendon se âsht e vërtetë.
Aktorët kurrë nuk rrejn kur janë në skenë në teatër. Se ata dhe publiku e dinë
se thojn rrena. Oke. E jasht skenës së teatrit janë të lierë me rrejt edhe mbi
gjanat serioze. Të bajsh gabime nuk âsht rrenë. Së pakut nëse e pranon gabimin.
Nji person që e vret një person tjetër âsht nji vrasës. Vrasëssi vrasjen e
interpreton me llojlloj rrenash. Nji person që rren me vetëdije, âsht rrenacak.
Por ka edhe persona të panumërta, që rrejm (edhe) përshkak të interesit. Dhe –
çka âsht ma e keqja! – i përdorin shpesh e ma shpesh argumentet e rrejshme në
biseda, debata, ligjerata, mitingje, në televizion, etj. Me rrena âsht si me
artistët, piktorët: Nji fëmijë, nji i çmendun, ose nji majmun ndonjëherë mund
ta bâjn nji pikturë të bukur dhe të mirë, të cilëin ti mund t’a përjeton si nji
art me nivel të nalt. Por ai fëmij, i çmenduni, majmuni nuk janë artistë në
fjalën e plotë të domethanjes. Nji artist don me bâ diçka shum ma të veçantë me
intencion që ta befason shikuesin me krijimin, me pikturen e vet. Madje, edhe
nëse krijimi artistik i artistit âsht ma pak i bukur se ai i nji fëmije, i i
nji çmenduni apo i i nji majmuni – sepse ai âsht në fjalën e plotë të
domethanjës nji artistit. Si për shembull: unë pikturoj në kohë të lirë. Por
pikturat e mija nuk i çmon as nji qen, as nji njeri, askush. Kjo nuk më çudit.
Por ato pikturat e Picassos pothuajse secili i çmon. E nëse e ke nji pikturë të
Picassos, je edhe milioner. E piktura e ime smund me e shit as për 10 euro.
Vetëm nëse kam “nafak” se dikush ndoshta don me e ble. Edhepse unë mendoj se
piktura e krijueme me mendjen dhe dorën time âsht ma e bukur, ma domethanëse se
të gjitha pikturat e Picassos. Këtu, kush nuk e thotë të vërtetën, kush rren
mbi artin? Paditunija apo propaganda artit? E në fund të fundit, duhet me e
shtrue pyetjen: çka âsht në të vërtetë arti? Ata që njimend e dinë se
çka âsht arti, nuk shikojn se kush e ka krijue pikturen, ose nji objekt
artistik, por e analizojnë dhe me vëmendje shikojn se çfare âsht vlefta e
krijimit...Në fund të fundit ´shyqurë` dhe për fat që arti s’ka definicion.
Askush nuk mund me thanë se ate çka ke pikturue ti nuk âsht art. Ai që thot se
s´âsht art / rren. Arti duhet me qenë i lirë, pa diktate, pa sugjerime...
Diskutimi rreth rrenave tregon shum pak ndryshime me
shembujt e naltpërmenduna. Duket sikur se diskutuesit që flasin në të njejtën
kohë, njeni me tjetrin, biseda bahet e përzieme si rrushi me kumlla, ose si
rrushi me kastraveca. Duket, por nuk âsht ashtu. Le të kthehemi te koha e
filozofëve të Kantit dhe të Konstancës në 1797, të cilët diskutuan dhe debatuan
mbi pyetjen se a âsht mirë me rrejt në nji situatë kur âsht pyetja e vdekjes.
Për shembull: nji vizitor, i cili e pyeti shërbëtorin se a âsht i zoti i tij në
shtëpi. Shërbëtpri e diti se i zoti i tij ishte në shtëpi, por e ka kuptue se
ka ardh nji anmik i madh, i cili ndoshta e ka intencionin me e vrâ. A ban me
rrejt tue thanë se nuk âsht i zoti në shtëpi dhe kështu shërbëtori ia shpëtoi
jetën e zotit të shëpisë? Këtu preferoj t’i jap dy shembuj të njerëzve me të
cilët nuk i kanë nxjerrë tregimet e tyne nga filozofi Kant apo nga Konstanca,
por nga përvoja e tyne. Nji shok i imi u
intervistua në nji rivistë italiane nga nji gazetar, i cili e pyeti:
"I cili âsht mëkati ma i madh i fëminisë tande?" Shoku u përgjegj:
"Mëkati ma i madh në jetën time ka qenë ma e para rrenë q e kam thanë”. Me
sa mund të kuptoj ty – lexues - mund të
ndjen edhe ti se sa ka vuejt ky fëmi për rrenën e tij të parë. Sepse në kishë
ose në xhami fëmitë e ndigjojn predikimin se âsht mëkat me rrejt. Ndërgjegjja e
fëmiut ia ka grrye fytin prej frigës: për rrenë shkon në Ferr / Xhenem. Ma
tutje, shoku ka thanë se për te ishte nji gja absolutisht tronditëse që ka
rrejt. Simbas Katekizmit të Kishës Katolike, urdhërimi i 9-dë tingëllon: “Mos
flit dëshmi të rrejshme kundër fqiut tand”. Pra, në Dhejt Urdhnimet e Zotit nuk
shkruan se s’ban me rrejt. Por, âsht e ndalueme vetëm nëse je dëshmitarë që
rren kundër fqiut tand. Nëse dëshmitari rren, atëherë jep deklarime false mbi
tjertin. Ban mëkat. Por në jetn e prditshme njeriu âsht shpesh i detyruem me
rrejt. E kush thotë se kjo nuk âsht e vërtet - rren. Çdo institucion i ka
rrenat e veta. Çdo sistem ligjor ka mashtrime apo rrena të veta të veçanta. Si
për shembull: betimi i përkthyesit me dorë para gjykatësit. Ose betimi me dor
mbi Biblën, thirrja e Zotit që dëshmia
do të jetë e drejtë. Sot unë çuditem me landën e historisë. kur profesori i
historisë, në kohën e Titos 40% ka rrejt dhe nuk e ka thân të vërtetën. Më ka
shit 40% rrena. Ndoshta profesori nuk ka desht me mërrejt, por ate e kan shtye
(dashtepadasht) politika, e cila në mënyre djallëzore nuk ka dasht me ma tregue
të vërtetën. Kjo nuk ka ndodh vetëm në ish Jugosllavi, por ndodh edhe në shtete
tjera të civilizueme (nota bene!). Mirpo, atëherë shtrohet pyetja: A âsht mirë
me i përbi rrenat? A mundem tash me e ndryshue të kaluemen? Ndoshta - por vetëm
me publikimin e nji libri autobiografik. E tash mbas 50 vitesh âsht shum e
vështirë të akuzosh dikend që të ka rrejt. Ai profesor ka vdek. Politika e
athershme ka vdek. POR: shenjat e rrenave të zeza kan mbet në trunin tim.
Përbimja e rrenave ma ka ndryshue edhe jetën në mënyrë direkte ose indirekte.
Në shumë raste ka njerëz që nuk rrejn në mënyrë racionale, por na shesin
prralla me ngushëllime për t’i vendos poltronat e tyne, për t’a sigurue jetën e
tyne (sidomos materiale). E unë nuk mund t’i denoj ata rrenacakë. Duhet me kanë
pak diplomatë për me i lejue njerëzit që t’i tregojnë tregimet e tyne. Por, nuk
âsht mirë me i përbi rrenat në trupin tim të pafajshëm. Qysh rromakët kan thanë:
“Historia est magistra vitae” që në do të thotë se historija âsht mësuesja e
jetës. Po, por dikush duhet me kanë që duhet/don me mësue si objektivisht
historinë. Historija âsht nji përmbledhje e mitologjive individuale dhe
subjektive. Historija âsht vetëm nji fragment i realitetit. E realiteti nuk
âsht i thjesht. Historia instrumentalizohet nga ana e pushtuesve. E për ate “e
verteta e tregueme” âsht pjesësisht rrenë, pra s´âsht nji gja plotësisht e vërtetë. Madje edhe
“faktet” e historisë janë artificiale. Artificiale sepse e bajn nji rend në
realitet, kur realiteti nuk âsht i renduem. Historija âsht ekzakt si jeta e
jonë njerëzore. Âsht kaotike. Âsht nji kaos i sendeve që mbijetojnë, që
kundërshtohen me rastësi, me akcionet e tjetërkujt. Me bâ rendin don të thotë
me kuptue, dhe, prâ, duhet me bâ. Por don të thotë edhe pak me e
falsifikue.
Madje, edhe rezhimi politik e ka bâ të veten. Lenini i ka
thanë Politbyrosë: “shokë, rreni,rreni, rreni se nji herë rrena e juaj do të
bahet e vërtetë”. Kjo thanie në këtë botë dinamike âsht çdo dit tue u fut në
praktikë dhe në çdo lami: në shkencë, në politikë, në landët humaniora, në
psikoligji, në psikiatri, në media si gazeta, në facebook, në instagram, shkurt
- në internet, në familje, etj. Filozofi gjerman Fridrich Nietzche (Fridrih
Niçe) mendoi në kohën e tij se Zoti ka vdekë. Në Veri fjala Zot e ka pranue si
nji ide abstrakte. Disa e pranojn kurse tëtjerët nuk e pranojn. Me pas jetue në
Mesjetë pa besue në Zot, nuk i kishe pas privilegjet për me jetue normalisht.
Priftat i kan njoft të gjith banorët. E ka shkue puna me njoftësi. Kurse në
shekullin e XX, në shtetet e ashtuquejtuna socialiste (por në fakt s’ishin
socialiste (prap e kemi nji rrenë!) nuk ke pasë kurrfar privilegji në politikë,
në shoqni nëse nuk ishe antar i partisëkomuniste. Besimtarët që shkojshin në
kishë apo në xhami s’kishin kurrfar privilegji. Ka qenë nji dirigjent në Kishën
Katolike në Kosovë, Jozë Hila, i cili ishte mësues në shkollën tetëvjeçare. Ai
shkonte në kishë dhe dirigjonte në korin e kishës në meshë. Drejtori, me anën e shpijunave, ka ndi se Jozë Hila dirigon
në kishë. Drejtori ia ka shtrue pyetjen: a don me qenë mësues, apo dirigjent në
kishë? Nëse shkon në kishë, atëhere mos u lajmro mâ në punë. Noci e ka zgjedh
rrugën e fesë. Ka mbet pa punë tân kohën – deri në vdekje. Ku gjindet e
vërteta? Bashkaddhetarët shqiptarë të Shqipnisë kan përvoja të mdhaja në lidhje
me kohën e Enver Hoxhës. Shndrrimi në 360 shkallë. Përmbysja e botëkuptimeve, ë
cilat kanë qenë në nji perudhë të pranueshme, kurse nëperiudhën tjetër të
papranueshme. Ku qëndron e vërteta e ku rrena në këto botëkuptime...?
Nëse nuk i mbajm sytë çel, nëse nuk ndalemi (seriozisht!)
me mendue. Me mendue edhe mbi mendimin tonë se çka mendojm; nëse neve e dinë
çmimin e të gjitha gjanave, por nuk e dimë vleftën e tyne; nëse
nuk mundohemi dhe nuk jemi në gjendje me e dallue rrenën nga e vërteta, atëherë
do të bahemi viktimë, do të na mashtrojn edhe ma shum me rrena, me botëkuptime
të thuruna me rrena. Ashtu rrenat (njimend!) do të shëndrohen në të vërtetë. E ato rrena do
t’a çfuqizojnë inteligjencën tonë. Do të na trubbullojn
trunin edhe ma zi. Nuk do të jemi ate çka jemi. Megjithate, ai njeri që
ndalohet dhe mendon vet pa ndikim nga së jashti, vjen deri te konkluzioni se rrenat
janë nji problem, se asgjâ nuk âsht e qartë, asgjâ nuk merret si mirëqenie për njerëzimin. Por rrenat mbesin
si nji enigmë, si guri i mullinit i vjerrun në qafë, dhe në nji kufi mizerjes. Të ndalemi dhe të
mendojm vet met kokën tonë, t’i hapim sytë (seriozisht!). T’a shofim se sa âsht
ora - se po vonohemi. Mos të biem në shpellën e Platonit. Mos t‘i vendosim
pengesat në intelektin tonë. Mos me arrit deri te ajo gjendje, sikurse tingllon
nji thânie e të parëve tonë: “kur erdhen mendt, hupën dhendt”. Jeta âsht e
skurt. Sa bukur: zogjtë akoma shpallim entuziazëm me kangën e tyne se jeta âsht
e shkurt dhe se duhet me bâ shum gjana të mrekullueshme. Me e ndëgjue kangën e
zogjve që na sugjeron se jeta nuk duhet me kanë e mirë vetëm për nji pjesë të
njerëzimit, por për të tân njerëzimin. Mos të bahemi si ora që nuk e din se sa
âsht ora. Të kuptojm se nuk ka ma të vërtetë se e vërteta. Secili ka lind mbi
tokë dhe secili do të vdes. Vdekja âsht e vërtetë dhe e vetmja barabarsi për
njerëzimin. Kurse jeta po na shtin me rrejt.