| E marte, 01.09.2020, 08:41 PM |
Urrejtja e të asimiluarit për identitetin e tij të braktisur është e papërmbajtshme, e egër, mizore
Nga
Blerim Latifi
Gjatë
historisë ne nuk kemi vuajtur vetëm nga pushtuesit e ndryshëm. Kemi vuajtur
shumë edhe nga ata që jo vetëm kalonin në anën e pushtuesit, por edhe merrnin
identitetin e tij. Ka kush e di sa raste që shqiptarë të asimiluar janë kthyer
për t’i masakruar bashkëatdhetarët e tyre të dikurshëm. Në kohën e Skënderbeut
ishte Ballaban Pasha. I lindur shqiptar i krishterë, ai jo vetëm kishte
ndërruar fenë, por edhe etninë, dhe më pas ishte kthyer në krye të ushtrive
osmane për ta larë në gjak atdheun e tij të dikurshëm. Në kohën kur ushtritë
osmane, të ndihmuara nga tartarët e Krimesë, po e digjnin Kosovën dhe po
masakronin kë u dilte përpara, pas tërheqjes së austriakëve në dimrin e vitit
1690, në krye të qeverisë osmane ishte një shqiptar, kryeveziri Fazil Mustafa
Kypriljoti. Mark Milani ishte shqiptar nga fisi Kuç, ai ishte asimiluar në
malazez dhe pastaj ishte kthyer në krye të ushtrisë malazeze për t’i masakruar
shqiptarët në Plavë e Guci. Familja mbretërore serbe e Karagjorgjeviqëve, sipas
disa dokumenteve, ka origjinë nga fisi shqiptar i Kelmendit. Krimet e
Karagjorgjeviqëve mbi shqiptarët janë të panumërta. Zufer Musiqi, komandanti
partizan i Titos, me origjinë shqiptare, familja e tij ishte boshnjakizuar dhe
ai, më vonë, në dimrin e vitit 1945, në krye të Brigadës së Parë Partizane të
Kosovës, do të bënte masakra të tmerrshme në Drenicë, masakra që nxitën
kryengritjen e Shaban Polluzhës. Këta nuk janë shembujt e vetëm. Ka me dhjetëra
të tjerë. Thuhet se urrejtja e të asimiluarit për identitetin e tij të braktisur
është e papërmbajtshme, e egër, mizore. M’u kujtua kjo histori e dhimbshme
derisa po dëgjoja një intervistë të këtij Dritan Abazoviqit duke mohuar
origjinën shqiptare të gjeniut të luftës, Gjergj Kastriotit. Sigurisht, ky
Abazoviqi nuk mundet të sillet si Ballaban Pasha, Mark Milani, Zufer Musiqi, e
të tjerët si ata, por politikisht është në rrugën e tyre.
______________
Në
Evropë, gjatë historisë, janë zhvilluar dy modele të mëdha të rregullimit të
raporteve midis shtetit dhe religjionit: modeli cezaro-papist dhe modeli
sekularist. Në hemisferën ortodokse ka dominu modeli cezaro-papist, me të cilin
kuptohet gjëndja kur autoriteti fetar i nënshtrohet autoritetit politik. Në
Bizant kisha i shërbente perandorit. Ky ligj edhe sot funksionon në shtetet ortodokse:
në Rusi, Serbi, Greqi, Bullgari. Feja është instrument i interesave kombëtare
në të gjitha këto shtete. Perandoria Osmane, mes shumë praktikave bizantine,
kishte përvetësuar edhe modelin cezaro-papist, duke e shndërruar islamin në
instrument të pushtetit të Sulltanit. Edhe sot është njëjtë: Dianeti, Bashkësia
Islame e Turqisë, është në shërbim të interesave të shtetit turk. Në Perëndim,
ndërkaq, në katër shekujt e fundit është zhvilluar modeli sekularist, me të
cilin kuptohet ndarja e autoritetit politik dhe autoritetit fetar. Religjionit
i ndalohet të përzihet në punët e shtetit dhe anasjelltas. Rilindasit
shqiptarë, të vetëdijshëm për faktin se shqiptarët ishin të ndarë në tri besime
fetare, e kuptuan se për të ndërtuar një ndërgjegje kombëtare unike shqiptare
kishte vetëm një rrugë: përvetësimin e modelit sekularist të Perëndimit. Kjo do
të thoshte krijimin e një kombi që është i ndarë nga besimet fetare dhe qëndron
mbi to. Në momentin kur ky parim thyhet, atëherë kombi shqiptar e humb unitetin
e tij dhe shkapërderdhet në komunitete fetare. Serbët e dijnë këtë, prandaj
investojnë dhe përkrahin rritjen e ndikimit vahabist tek shqiptarët, ndërsa
grekët nuk janë në gjëndje të manipulojnë ortodoksët shqiptarë, falë faktit se
Noli dhe Zogu, para më shumë se tetëdhjetë viteve, ia patën dalë ta krijojnë
Kishën Autoqefale Shqiptare, të pavarur nga Kisha Greke. Sot Mali i Zi po vuan
nga fakti se fetarisht nuk është pavarësuar nga Kisha Serbe.
_____________
Nëse
dialogu me Serbinë nuk prodhon rezultate të shpejta, vazhdimi i tij në mënyrën
si ka rrjedhur gjatë këtyre viteve, veç sa ka me degradu edhe më shumë Kosovën
në rrafshin ndërkombëtar. Siç në fakt ka ndodhur deri me tani. Sa më shumë që
flitej për dialogun me Serbinë, aq më shumë rriteshin dilemat ndërkombëtare mbi
pavarësinë e Kosovës. Njohjet nga viti në vit u pakësuan, derisa u ndalën
krejt. Integrimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare ka ngecur në vend
numëro.Integrimi në BE është ende veç vizion në letër. Të fokusuar në një
dialog pa kufi në kohë, ne kemi lënë pas agjendën e brendshme të demokratizimit
të institucioneve e zhvillimit ekonomik dhe për pasojë kemi lejuar ndërtimin e
kulturës politike të paligjshmërisë në çdo segment institucional dhe rritjen e
pesimizmit social të qytetarëve. Dialogu rraskapitës pa rezultate shpesh është
strategji për ta shkatërruar kundërshtarin. Duket se Serbia është duke ndjekur
këtë strategji dhe me sukses, madje.
_____________
Pasojat ekonomike të
pandemisë!
Fuqia
blerëse bie, bizneset detyrohen të mbyllen, mbyllja e tyre e rritë papunësinë,
rritja e papunësisë e ulë edhe më shumë fuqinë blerëse, për pasojë biznese të
tjera mbyllen dhe cikli vicioz vazhdon deri në kolaps të plotë ekonomik. Dhe
një gjë dihet, për ata që kanë mend për të kuptuar, sy për të parë e vesh për
të dëgjuar: nga ciklet negative ekonomike nuk mund të dilet me deklarata boshe
politike, as me akuza politikanësh që nuk dinë më shumë se të etiketojnë njëri
tjetrin, as me humbje energjish në debate fetare mesjetare, e as me shpresën se
pasi të kemi rënë në humnerë dikush do të shfaqet për të na shpëtuar.