| E shtune, 29.08.2020, 07:55 AM |
Dashuri
e marrë
Tregim nga Albert ZHOLI
Në
autobusin e linjës Tiranë-Durrës u plandos nga fundi i ndenjëseve. Nga radhët e
para arrinte zhaurima e hapave në ngjitje, që më pas heshtte në një kuisje
sustash dhe nëpër ajër shpërndaheshin notat e një kënge popullore të kënduar
nga Sinan Hoxha. Ishte i gatshëm t’i grindavecej shoferit të ndërronte kasetë,
por diç e përmbajti. Kishte pasur boll atë ditë për t’u grindur me veten dhe
shpërthimin e inatit u mundua ta kapërdijë fizikisht. Në duar i dridhej libri i
tij i fundit, “Dallgë dhe erë”, që filloi ta shfletonte me nevrikllëk. Gabimet
ortografike, që miku i tij ia kishte nënvizuar me një laps të kuq, nuk ia falte
vetes, le pastaj korrektorit. “Këta të shtëpive botuese e kanë mendjen te lekët
dhe jo te cilësia. Çdo gjë është kthyer në biznes”,- mendoi dhe gati sa nuk
përplasi grushtin në ndenjëse. Nisi ta shfletonte faqe pas faqeje, me dëshirën
që pas çdo përkuljeje të mos shihte ngjyrë të kuqe, por ato nënvizimet pas çdo
faqeje ia cingërinin nervat më keq. Një miku i tij ishte larguar nga promovimi
i librit, sepse kishte gjetur gabime ortografike. Për herë të parë në jetën e
tij ai mendoi se ç’është gabimi. Gabimi fatal, ai që shumë herë të largon
shijen motake të kënaqësisë, punës, suksesit dhe të perfeksionit. Ndjenja e
fajit, e rregullave të përcaktuara, e ligjeve njerëzore që shumë herë janë
fatale. Autobusi ishte mbushur thuajse plot dhe bisedat e njerëzve i tërhoqën
vëmendjen nga shqetësimi që i kishte kapluar gjithë trupin. Për pak çaste hodhi
vështrimin tej dritares. Një turmë me njerëz siguronte mbijetesën duke shitur
plaçkurina, ushqime të shpejta të gatuara në prush, mes një baltovine të zhultë
që kishte marrë rrokullimën në kalldrëmin e saposhtruar të bulevardit. E ndërsa
ngriti kokën drejt kupës së qiellit, gati sa nuk iu shqitën thjerrëzat nga
tendosja. Qielli ishte ciflosur nga retë dhe atij i ngjau me shpirtin e tij të
trandur nga ankthi. “Punon vite të tëra dhe disa gabime ortografike ta prishin
frytin”,-mendoi me vete, ndërkohë që një zë e përkëdheli në fytyrë.
-
Mund të ma japësh pak librin ta shoh?
Ktheu
kokën nga pikënisja e atij tingulli dhe një biondinë sykaltër, me veshje
elegante dhe me tipare të mpiksura, iu avit fare pranë. Ai ndjeu njomësinë e
saj femërore, aromën e qumështit dhe pelurinë e ballit të vijëzohej nën një
fllad ndryshimi. Sytë e saj u kthyen në një lishars misterioz. Gruaja kishte
zgjatur duart.
-
Urdhëro! - i tha Gëzimi vetvetiu, pa ia shqitur vështrimin.
Ishte
sikur mendja t’i kërkonte zhbirim empirik. Gruaja e tërhoqi në duart e saj të
bardha me gishta të gjatë dhe me thonj të prerë cullak, u ul në poltronën e saj
dhe, pasi e shfletoi me mirësjellje, humbi në lexim duke e harruar fluturimthi
njeriun në krah. Edhe Gëzimi harroi shpejt. Ndërsa gëlltiste mërzinë, në
autobus zienin muhabetet mes udhëtarëve, të cilët komentonin me zë të lartë
skandalet e fundit politike, ndërkohë që te “Zogu i Zi” tashmë ishte bërë një
kurban në barkun e tij të betontë, një plak kurioz mbeti viktimë e pezullimit
të punimeve dhe e kuriozitetit mediatik. E ndërsa rruga me gropa u zëvendësua
me autostradën, duket se edhe të qarat e
një fëmije, që për herë të parë kishte hipur në autobus, u shoshitën me
përqafimin e nënës dhe lehtësimin e udhëtimit. Në stacionin e Sukthit, kur
autobusi frenoi për të zbritur
pasagjerë, gruaja bionde e shkëputi për një moment leximin, duke iu
kthyer burrit që sapo kishte mbushur të tridhjetë e pesat.
-
Më falni! Unë e marra u harrova, por është histori interesante, komplimente.
Nuk duhet lexuar kur udhëton, por më tërhoqi shumë. Duhet të jetë botimi juaj i fundit?
-
Po, është libri im i tretë, - pohoi shkrimtari duke ulur kryet.
-
Kam lexuar dy librat tuaj të parë. Im vëlla është fans i stilit tuaj. Po çne ju
që po udhëtoni me autobus?
-
Si çne?
Ai
e humbi krejtësisht toruan dhe nisën t’i dridheshin gishtërinjtë. Femrat shumë
herë të lënë pa frymë me pyetjet që bëjnë.
-
Jeni shkrimtar i njohur dhe duhet të keni veturë. Ai mezi kapërdiu pështymën
teposhtë. Shtrëngoi kollaren rreth fytit, tundi disa herë kokën majtas –
djathtas dhe, duke nëmur veten, krejtësisht i sikletosur, u përgjigj:
-
Në shoqërinë shqiptare ekziston mendimi se shkrimtarët janë parellinj. Botimet
e tyre janë luksoze, dalin shpesh në ekrane televizionesh, në radio dhe
njerëzit mendojnë se janë të pasur, por është një opinion fatal. Shkrimtarët
janë njerëzit më të varfër, sepse nuk e kanë në gjak biznesin, tregtinë dhe
materializmin.
Gruaja
u step, ndërkohë që shkrimtari heshti. Ajo e kundronte me të njëjtën shprehi
fytyre, duke pritur ndonjë sajesë si prej shkrimtari. Më pas, një çehre droje i
zymtoi freskinë.
-
Nuk desha t’ju fyeja, - i tha, ndërsa ai mori një hop frymë.
Ai
u mendua pakëz, si për t’i treguar që nuk ishte leshko. Nuk ia kishte qejfi t’u
hynte këtyre muhabeteve, por e kishin prekur në pikën e tij të dobët. Atë
vëzhgim kaq foshnjor do ta kishte marrë për ters në një kontekst tjetër,
ndërkohë që mendoi se ajo grua e re, simpatike, më shumë se për ta ngacmuar e
kishte thënë nga vlerësimi për veprën e tij.
-
Fisi i shkrimtarëve është i veçantë, sepse janë njerëz të pasur shpirtërisht,
por të varfër ekonomikisht. Në kohën e sotme, kur shqiptarët vuajnë dy varfëri,
shpirtërore dhe ekonomike, shkrimtarët vuajnë trefish atë ekonomike, pasi për
të botuar një libër duhet t’i shtrijnë dorën një biznesmeni, një tregtari të
vogël, kur shumë prej tyre e shohin me përbuzje librin. E di ç’më ndodhi një
ditë? Takova një pronar televizioni. Për televizionin e tij kisha simpati. Në
bisedë e sipër, unë me shumë dëshirë i dhurova një libër, ku vura edhe një
shënim bashkë me një autograf. Ai e shpërfilli me indiferentizëm, më pa me
dyshim dhe duke ma kthyer më shpjegoi:
-
Nuk lexoj libra. Jo, nuk kam lexuar asnjë libër që pas mbarimit të shkollës.
Eh, të ishte diçka tjetër do ta rrëmbeja symbyllurazi.
Unë
shtanga. Nuk mund ta besoja. Kurrsesi jo. E mora si shaka në fillim, por kur ai
u ngrit duke ma lënë aty librin sa nuk më ra vilani. Dhe këtë e deklaronte
pronari i një institucioni mediatik, i
një stacioni televiziv që propagandon kulturë, art. Ai që në emisionet më të
shumta në televizion fliste vetëm për librat, muzikën, pikturën...
Ajo
e ndiqte e çuditur.
-
Pastaj njerëzit shohin edhe kollaret. Kanë të drejtë. Po mbajti një njeri
kollare krijon përshtypjen e një të pasuri, sepse e mendojnë si bota jashtë. Ai
që mban kollare ka punë të zgjedhur, merret me biznese. Shkrimtarët në çdo vend
quhen pararojësit e mendimit të përparuar të një kombi, ndërsa te ne i quajnë
psikopatë. Dhe kjo është një plagë. Sot i mençur quhet vetëm ai që ka para. Dhe
shumë prej tyre, edhe pse nuk kanë asnjë gramë tru, mund të bëjnë edhe libra…
-
Siii?! – pyeti ajo duke ngritur vetvetiu tonin e zërit. Pasagjerët në kolltukët
e afërt kthyen kokat.
-
Ta tregoj unë sekretin.
Ajo
shqeu sytë dhe pa u çliruar akoma nga habia, shkrimtari ia nisi përsëri
rrëfimit të tij:
-
Një ditë më ftoi një shok i vëllait për të pirë një kafe. E kisha takuar disa
herë, por, duke qenë nën shoqërinë e të tjerëve, nuk i kisha dhënë muhabet.
Ftesa e tij më bëri përshtypje, pasi nuk na lidhte asgjë. Ai ishte tregtar dhe
prej disa kohësh kishte marrëdhënie tregtare me Kinën. Takimin e lamë te një
lokal luksoz te ish-Blloku dhe sapo u ulëm në tavolinë, nisi të më
komplimentonte sikur unë isha një fëmijë naiv. Si thonë këta të rinjtë e sotëm,
e filloi me furça, e vazhdoi me pompa dhe e përfundoi me avion spërkatjeje. Pa
porositur, tavolina u mbush plot. Ai iu turr pjatave me babëzi. Me bulçitë plot, duke rënkuar nga të ngrënit
e tepërt, më tha:
-
Zoti Gëzim...
-
Më thërrisni thjesht Gëzim,- i thashë unë.
-
Nejse, Gëzim. Unë kam një kërkesë. S’është gjë për ty, por për mua është shumë.
S’po
e kuptoja ku donte të dilte. E shihja fort në sy, por më kot. Ai nuk fliste. Më
së fundi ia doli.
-
Dua të bësh një libër për mua.
Unë
kapsallita sytë.
-
Si, të bëj një libër për jetën tuaj?
-
Jo, jo. Dua të bësh një libër në emrin tim dhe unë do të të paguaj sa të duash.
Shtanga. Çdo gjë mund të besoja, por që të dëgjoja një gjë të tillë, kurrë nuk
ma kishte marrë mendja.
-
Më konkretisht, - i bërtita.
-
Konkretisht fola. Dua të bësh një libër me tregime, poezi ose dhe përralla,
mjafton që libri të më ketë mua për autor,- tha sikur fjalosej me kamerierin
për t’i sjellë ndonjë pjatancë tjetër. Për punën do t’ju shpërblej me 2 milionë
lekë të vjetra.
-Ufff!
- shfryva sikur të më kishte ngacmuar dikush me gjilpërë në të ndenjura.
-
Ta mendoj dhe do të të kthej përgjigje pas dy ditësh.
-
Ç’ka këtu për të menduar? Unë blej librin, ti bën punën. Kështu janë këto punë.
E dua prej teje këtë libër. Si thua po ta bëjmë 2,5 milionë? Nuk janë pak. Sot
gjithçka është tregti. Unë tani kam një thes me para dhe dua të vë emër si
intelektual. Kështu qëndron muhabeti.
Dhe
e di ç’bëra dy ditë më vonë? I thashë se do ta bëja. Krijova një libër me poezi
për fëmijë dhe ia shita.
Gruaja
e re kapsalliti sytë.
-
I përdora ato lekë për të botuar këto libra që ka lexuar vëllai juaj dhe ju.
-
Uuaaa! – tha tejet e habitur gruaja e re. - Kurrë nuk do t’i besoja këto gjëra
po mos t’i dëgjoja nga goja juaj. Eh, ç’nuk ndodh sot në botë!
-
Nejse, si ju quajnë?- e pyeti ai, duke menduar që kishin hyrë në detaje pa u
njohur.
-
Irma.
-
Emër i bukur. Nga jeni?
-
Nga Durrësi.
-
Keni shumë gjëra të përbashkëta me detin, ngjyrën e syve. Sytë janë pasqyra e
shpirtit, por edhe belaja e femrave. Te ju i janë përshtatur relievit.
Gruaja
uli kokën.
-
Ku punoni?
-
Jam nëpunëse bashkie. Një autograf të lutem, - nxitoi ajo të thoshte të vetën.
Burri
nxori stilolapsin dhe firmosi një autograf. Poshtë shënimit nuk harroi të
shënonte numrin e celularit. Ndërkaq gruaja nxori nga çanta lekët.
-
Ju lutem, mos më fyeni. Ishte kënaqësi.
-
Kur të zbresim, do t’ju jap një kafe. Je mik në qytetin tim.
Burri
buzëqeshi, duke nxjerrë në pah një gjerdan dhëmbësh të bardhë. Ajo pëlqeu
tiparet e imëta që i jepnin bashkëfolësit harmoninë e përsosur të joshjes.
Kur
autobusi ndaloi në sheshin pranë stacionit të trenit, të dy hynë në një kafene
pa shumë salltanet. Shërbente edhe si gjellëtore për udhëtarët, sepse aroma e
qofteve i hyri drejt e në flegrat e hundëve. Gëzimi porositi një freskuese,
ndërsa Irma një kafe të shkurtër.
-
Pse s’morët ndonjë pije alkoolike?- e pyeti ajo.
-
Jam astemik.
-
Ç’do të thotë? Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë.
-
Nuk pi pije alkoolike, nuk pi duhan dhe madje astemik edhe ndaj kafeinës.
-
Jeni shumë i çuditshëm. Ju kam imagjinuar krejt ndryshe.
-
Një miku im thotë që është mirë që shkrimtarët vetëm t’i lexosh dhe mos t’i
njohësh në jetën e përditshme. Duket sikur vetëm nëpërmjet fantazisë ata marrin
përmasat gjigante të profesionit.
-
Jeni i martuar?
-
Po, kam një vajzë 2 vjeçe. Po ju?
-
Edhe unë. Kam një djalë dhe një vajzë, pak më të mëdhenj se vajza juaj. Jam
martuar shpejt, sapo përfundova studimet.
-
Dhe sipas jush keni bërë zgjedhjen e duhur?
Gruaja
e ulur gjysmë metri krah burrit, në një karrige plastmasi, pësoi një skat
nervozizmi. E ndërsa ngriti vështrimin drejt syve ngjyrë kafe të atij mashkulli
përballë saj, me atë butësi prej fëmije u çudit me veten që ajo, gruaja me
karakter të hekurt, kishte nisur të shkrihej nga një nxehtësi e sikletshme, që
gati sa nuk po e terte brenda organizmit.
-
Unë për vete jam martuar me dashuri dhe mblesëri, - tha ai me ton të sigurt. -
Nuk e di se si ngjarjet rrodhën kaq shpejt dhe rrethanat më stisën drejt
martesës. Shumë herë rrethanat e detyrojnë njeriun të bëjë zgjedhjet me më pak
pasoja të dëmshme. Shpresoj të mos ketë ndodhur një gjë e tillë edhe me ju.
Ajo
u habit nga biseda e tij e çiltër. Nuk e kuptonte se si mund t’i nënshtrohej
këtij diskutimi. Nuk e kishte bërë kurrë më parë, por ky njeri i ngjalli një
besim të jashtëzakonshëm.
-
Ju ishit puthur nga ndonjë mashkull? - vazhdoi ai pa drojë.
Ajo
u lulëkuq. Uli kryet. Shkrimtari vazhdoi:
-
Dashuria e parë shumë rrallë përfundon në martesë. Për mua ka qenë ndryshe.
Para se të martohesha kam pasur nja dy histori të vockla dashurie. Ndërsa nusja
ishte e ndrojtur, e turpshme, pa eksperiencë në dashuri. Seksi i dukej si
detyrim martesor, familjar, më shumë sesa ndjenjë dhe kënaqësi e pafund. Si
mund të konceptohet një marrëdhënie martesore pa njohur udhët e komunikimit
seksual?
Irma
dukej e përçudnuar. Ishte hera e parë që dëgjonte fjalë të tilla nga një
mashkull. Ishte rritur në një oaz familjar ku rrallëherë flitej për
marrëdhëniet martesore e për më tepër nuk cikej kurrë kjo temë e ndaluar.
-
Nuk e di, - tha ajo dhe ngriti supet. - Më duken gjëra të çuditshme këto. Edhe unë ashtu si
gruaja juaj e quaj martesën.
Ai
u habit një çast, por duke u kujdesur për të mos e fyer dhe pa e tepruar që në
takimin e parë ndërroi temën e bisedës. Qyteti i Durrësit ishte zhytur në një
kaos pluhuri. Ishte duke u konstruktuar rruga e hyrjes në qytet dhe autoveturat
duket se kalaqafeshin me njëra-tjetrën.
-
Duhet të keni shumë punë në bashki?
Ajo
pohoi me kokë dhe i kërkoi leje të ngrihej. Përshkuan të dy pakëz rrugë dhe në
atë moment ajo pati përshtypjen se kishte takuar njeriun më të rëndësishëm të
jetës së saj.
****
Ky
sensacion i çuditshëm nuk i ishte ndarë gjatë ditëve në vazhdim. Ishte sikur
papritur ajo kishte ngecur në rrugën e jetës së saj, pa gjetur drejtim.
Fluturonte, qëndronte pezull, mekej, tek kujtonte gjendjen e saj aktuale dhe
nuk ndihej e zonja të shpëtonte nga ajo ndjenjë që i kishte lindur brenda
vetes. Edhe rendimenti i saj në punë kishte rënë ndjeshëm.
“T’i
bëj një mesazh, apo jo?” - kjo dihatje e përjetshme, sa klasike aq edhe
vajzërore, dukej sikur nuk i shkonte për shtat gjendjes së saj civile e
megjithatë ka diçka në brendinë e njeriut që shkon jashtë logjikës, zakoneve,
ligjeve. Ajo akoma nuk e kuptonte këtë simptomë, por ishte e sigurt që kishte
një shkak për çdo ndryshim.
Ishte
vetëm në shtëpi atë buzëmbrëmje. Bashkëshorti kishte nxjerrë fëmijët për
shëtitje, ndërsa ajo kishte shkundur
shtëpinë me themel. Sapo u lirua nga detyrimet shtëpiake, lexoi faqet e fundit
të librit të Gëzimit dhe mendoi se po t’i shkruante dy fjalë nëpërmjet një
mesazhi me celular nuk kishte asgjë të keqe. Nuk iu duk vetja aspak e pacipë,
ndaj sajoi menjëherë një mesazh. “Komplimente. Libri më pëlqeu shumë. Kam disa
pyetje për ju. Kur të vij në Tiranë ndoshta takohemi. Suksese! Irma”. Kur
celulari dha sinjalin e dërgesës së mesazhit, ajo shfryu për të nxjerrë
sikletin, edhe pse nuk i shpëtoi aspak gjendjes së ankthit. Si mund ta merrte
ai vallë? Po sikur ta keqkuptonte? Ai është një burrë i zgjuar, i pashëm,
interesant… Po sikur ta merrte për budallallëk mesazhin?
Mendimet
ia ndërpreu sinjali i ardhjes së mesazhit në celular. E mori me mend që do të
ishte përgjigjja e shkrimtarit. Celularin e mbante në dorë pa marrë mundimin të
shkelte butonin e hapjes. Emocioni iu shtua akoma më shumë nga arritja e
përgjigjes. Më së fundi vendosi ta hapte. Germat në pasqyrën e celularit
lexoheshin qartë.
“Faleminderit.
Ishte një mesazh i sinqertë. Më ke bërë përshtypje dhe të kam menduar disa
herë. Kur të vish në Tiranë, të mirëpres. Me ty njeriu merr frymëzim. Gëzimi”.
Nuk mund ta besonte atë përgjigje. Një rrymë kënaqësie i përshkoi gjithë
trupin. Ato fjalë nuk ia kishte përcjellë kurrë një mashkull. Ishin magjike, të
bukura, të padëgjuara për të nga gjinia mashkullore, ku mbizotëronte fjala e
thatë, e egër, e shterpësuar nga ëmbëlsia. Atë natë nuk vuri gjumë në sy.
Ndihej sikur dikush e kishte kapur në bel dhe e fluturonte në krahë, në ajër,
si në një ëndërr. Ndjente se tek ajo kishte mbërritur një stinë e re.
***
Kishin
kaluar disa ditë nga marrja e mesazhit dhe Irma e lexonte disa herë në ditë.
Nuk ngopej me kuptimin e atyre fjalëve. “Me ty njeriu merr frymëzim” – kjo
ishte shprehja më e bukur që i ishte thënë ndonjëherë. Bashkëshorti i saj ishte
një tip strikt, tipititata, siç e quante e motra, nuk e nxirrte qimen nga
qulli. Emocionet e tij më shumë ishin bluar në heshtje sesa të shprehura me
fjalë. Ajo donte t’i dërgonte çdo ditë mesazh Gëzimit, por diç e pengonte në
momentin kur prekte butonat e ftohtë metalikë të celularit. Gjithë ato ditë
ndihej e çuditshme. Të nesërmen do të nisej për në Tiranë. Kishte një punë në
Ministrinë e Financave. Në mesditë i dërgoi Gëzimit një mesazh: “Nesër jam në
Tiranë. Pas orës 10.30 jam e lirë dhe mund të shkojmë për kafe. Irma”. Nisi të
endej sa në një zyrë në tjetrën pa gjetur rehat. Përgjigjja nuk arriti edhe
mbas orarit zyrtar. U shqetësua shumë. Në shtëpi nisi të kujdesej për fëmijët,
por ndihej jashtë natyre. Për një çast ndjeu bezdi të komunikonte dhe u fut në
shtrat. As aty nuk gjeti rehat dhe u çua. Kur vërejti atë nervozizëm faktik, që ajo e shprehte në
çdo qelizë, i shoqi e pyeti:
-
Irma, nuk ndihesh mirë?
-
Kam pak dhembje koke.
-
Dukesh e zverdhur. Ndonjë problem…?
-
Problemet e zakonshme të punës. Më ka ngritur nervat një klient.
I
shoqi nuk i shqiti sytë nga ekrani i televizorit ku projektohej një ndeshje
futbolli.
Ajo
ndihej si mbi re dhe nuk kishte dëshirë të fliste me askënd. Hapi kompjuterin
dhe herë pas here prekte tastet pa e pasur mendjen askund tjetër, veçse te
mesazhi.
I
shoqi kishte heshtur. Nuk donte t’i jepte xhevap për problemet e punës mbas
orarit zyrtar. Kur durimi i saj kishte arritur kulmin, celulari, ky mekanizëm
metalik, i dha sinjalin e ngrohtë shpirtëror. Burri, që ishte duke parë
televizor në dhomë, e pyeti:
-
Kush ta dërgoi atë mesazh?
-
Nuk e kam hapur ende. Nuk e di.
-
Hape!
-
AMC-ja bën ofertat e veta. Thotë që kemi dhjetë mesazhe falas.
Në
axhendë mbante një mesazh të AMC-së. E hapi dhe pa numrin e celularit të
Gëzimit. Ndryshoi menjëherë axhendën, hapi mesazhin e ruajtur dhe iu afrua
burrit duke shtypur butonat për të vërtetuar
ato që tha. Ia afroi burrit celularin. Ai zgjati kokën paksa, pastaj
luajti indiferentin. Gruaja hyri në kuzhinë dhe lexoi me një frymë mesazhin e
Gëzimit.
“E
mora mesazhin me vonesë, pasi isha në lëvizje, në Shkodër. Dakord! Takohemi në
orën 11.00 te Lidhja e Shkrimtarëve. Të përshëndes” .
U
lehtësua dhe e fshiu menjëherë mesazhin. I erdhi keq që kishte gënjyer
bashkëshortin dhe për momentin diçka e mbërtheu në gjoks. Ishte hera e parë që
gënjente në jetë. I hynë ca të dridhura në trup dhe një dhembje akute i
përshkoi pjesën e prapme të kokës. Atë natë mezi e gdhiu.
***
E
nesërmja ishte një ditë bukuroshe. Nga ato bredhje të shpenguara të natyrës, ku
qielli përzihet me ajrin dhe kthjellohen të gjitha linjat e relievit. Njerëzit i quajnë ditë behari dhe i kërkojnë
me çmos në jetë. Kjo harmoni natyrore i solli një lloj lehtësimi, edhe pse kur
iu afrua derës së Lidhjes së Shkrimtarëve u drithërua. Ajo godinë e kapardisur,
madhore, iu shfaq para syve me hijen e saj. Nuk kishte hyrë asnjëherë.
Gjithmonë e kishte menduar si një tempull të ndaluar për të. Ajo godinë për të
kishte përmasa të jashtëzakonshme, ku edhe njerëzit që mund të hynin lirshëm
ishin njerëz të veçantë, të privilegjuar, krejt ndryshe, inteligjentë, seriozë,
që flisnin me fjalë të zgjedhura, pa zhargone dhe fjalë të turpshme. Për të
shkrimtarët ishin njerëz inteligjentë, që ishte e vështirë t’i kuptoje, me një
botë shpirtërore të madhe, të ditur, sentimentalë, që nuk ngatërroheshin
asnjëherë, që ruanin raporte të drejta me njerëzit dhe nuk mund të binin lehtë
në dashuri. Nuk kishte besim se do të hynte lirshëm brenda atyre mureve.
E
hapi derën e lokalit duke u dridhur. Gëzimi ishte ulur në tavolinat e hyrjes.
Sa e pa, ia bëri me dorë të afrohej. Njerëzit kthyen kokat. Flokët gështenjë
dhe boja e saj gjatoshe tërhoqi vëmendshëm njerëzit. Gëzimi, pasi e përqafoi
(sa ajo u kuq), i rregulloi karrigen dhe u ul përballë.
-
Ç’kemi? Si ia kalove sot?
Ajo
ende nuk po e mblidhte veten. Emocionet i vërtiteshin në gjithë qenien si një
dallgë alkooli që njeriu e gjerb gabimisht në vend të ujit për të shuar etjen.
-
Mirë. Kisha ca punë në Ministrinë e Financave dhe...
-
Çfarë s’kishe kuptuar nga libri?
-
Seksi oral… - tha ajo menjëherë. Ai e fiksoi dhe nuk dinte si t’i përgjigjej.
Iu duk tejet naive ajo grua e re dhe pa përvojë fiziciteti. I erdhi rëndë t’i
përgjigjej, megjithatë u mundua të sajonte diçka.
-
Orale do të thotë gojore, - iu kthye ai dhe ajo u pendua që e kishte bërë atë
pyetje. Kishte parë diçka të tillë në një film pa e njohur emërtesën e këtij
akti.
-
Zakonisht ky lloj kontakti praktikohet nga njerëz që duhen shumë, - vazhdoi ai.
Ajo
dëgjonte me kokën ulur. Të gjitha i dukeshin si përralla me mbret.
-
Nuk keni pse bëheni me turp.
Gruaja
kafshoi buzën.
-
Sesi më duket. E pabesueshme, - iu përgjigj ajo duke mos e vërejtur në sy, por
duke gërvishtur me majën e thoit të gishtit tregues të dorës së djathtë syprinën e tavolinës. Ndërkaq pranë tyre
mbërriti kamerieri.
-
Me se mund t’ju shërbej? - pyeti ai duke ia ngulur me paturpësi sytë Irmës.
-
Mua një kakao me qumësht, - tha Irma.
-
Mua një çaj me limon,- tha Gëzimi.
-
Asgjë nuk është e pabesueshme sot. Në mbajtjen e një lidhjeje të fortë
dashurie, edukata seksuale dhe njohja e
pikave delikate të gjinive të ndryshme për një seks sa më të kënaqshëm përbëjnë
boshtin kryesor. Po ti si mendon?
-
Ku di unë? Për mua nuk përbën ndonjë problem të madh seksi, mënyra, delikatesa…
Mjafton të plotësosh dëshirat e burrit, që ai të mos jetë i pakënaqur dhe kaq.
Kështu na kanë mësuar nënat tona. Edhe gratë e punës këtë gjë përmendin
gjithnjë. Mendoj se gratë e kanë inat seksin.
-
Sipas teje, femrat nuk janë të dëshiruara?
-
Unë vetëm një herë kam marrë iniciativë. Gjithmonë është burri ai që vepron.
-
Seksi është barometri i dashurisë. Një dashuri e fuqishme nuk mund të
konceptohet pa një seks me të njëjtat përmasa. Po të them diçka, por mos ma
merr për keq. Nuk e mendoja që një femër elegante, e bukur si ju, të ishte
deficitare në edukatën seksuale.
Irma
u skuq dhe uli kokën sërishmi.
-
Jam martuar shpejt. Pastaj erdhën fëmijët, nisën hallet, shqetësimet, puna. Më
janë dukur ato më të rëndësishmet.
-Atëherë
pse pyete?
-
Për kureshtje.
-
E pra, për kureshtje. Njeriu për kureshtje pyet dhe do të provojë shumëçka. Njeriu has shumë të
panjohura në jetë dhe vetëm atëherë merr mundimin, pyet dhe gjen të panjohurën.
Njeriu është i prirur të shijojë ndalesat, sidomos femrat. Kur dimë diçka që na
e ndalojnë rregullat, shoqëria, mentaliteti, ne seç krijojmë një shije
personale që merr ëmbëlsinë e së panjohurës. Dhe kur flitet për ndjenja,
marrëdhënie që të çojnë në ekstazë, është gjynah të mos tundohesh. Ajo që quhet
e ndaluar apo e turpshme, në disa momente nxit dëshirën për ta bërë pjesë të
vetes pa marrë parasysh koston. Thjesht për provë. Pastaj ndoshta…
-
Ku di unë. Nuk jam tunduar, por me të vërtetë bëhem kureshtare për atë që nuk e
njoh. Nejse. S’kam kohë të bisedoj për këto gjëra. Më duhet të iki.
-
Shkoni, shkoni. Mund të largoheni. Ishte dialog interesant. Sot nuk është turp
të pyesësh për çdo gjë dhe për të diskutuar. Shkrimtari u ngrit për ta
shoqëruar. Te dera, kur ajo i dha dorën për ta takuar, burri ngriti dorën e saj
të bukur në lartësinë e buzëve dhe e puthi lehtë. Ajo puthje ishte farfuritëse
në sytë e saj. Ajo kafshoi buzën nga kënaqësia. Shkrimtari dalloi dellin e
purpurt t’ia përpinte gjithë tulin e puthjes. Asaj iu duk vetja e zhytur në
zakonet kalorsiake, ku ajo, dama e salloneve, adhurohej nga princi i mezipritur
i fronit. As vetë nuk e kuptoi se si mbërriti te stacioni i autobusëve dhe më
tej në Durrës. Ëndërrimet dhe vegimet e bëra realitet i zvogëlojnë ndjeshëm
largësitë gjeografike. Sjellja e atij njeriu bëri që nocioni kohë dhe largësi
të përjashtohen nga përmasat e tyre reale.
***
Sapo
kishte kaluar pragun e derës së zyrës kur dëgjoi zilen e celularit. Pa numrin
në ekranin e xhamtë të tij. Ishte numri i Gëzimit.
-
Urdhëro, - tha ajo me një frymë. Sa emocion ndjente kur fliste me të në
telefon!
-
Si je?
-
Mirë.
-
Të mori malli?
Ajo
nuk u përgjigj. I kishte munguar zëri i tij, por e kishte të vështirë t’ia
shprehte.
-
Për të pyetur si je të mora. Të puth!
Gëzimi
e mbylli celularin, ndërsa gruaja e mbajti celularin për një kohë të papërcaktuar në
vesh. Nuk po i besonte ndijimit. Ato fjalë ishin të padëgjuara për të. Një
zjarrmi e brendshme i kaploi gjithë trupin. Nuk mund të hidhte më asnjë hap. U
kthye në zyrë. Nuk e kishte ndierë kurrë atë bllokim në kraharor.
***
Në
mesditë vendosi t’i dërgonte një mesazh:
“Mbrëmë
të kam parë në ëndërr. Sikur erdhe në Durrës. Si je? Të përshëndes”.
Ai
heshti atë ditë. Nuk ktheu përgjigje. Ajo pasdite për të ishte një pritje e
tejzgjatur, e mbushur me ankth.
***
Pas
disa ditësh...
“Nesër
vij në Tiranë. Kam vetëm një orë punë. Të përshëndes, Irma”.
Pas
disa minutash shkrimtari mori në telefon.
Emri
i tij në pasqyrën e celularit si gjithmonë e tronditi.
-
Urdhëro?
-
Si je e dashur? Ajo u rrëqeth sërishmi. Fjalët e tij të rralla e çarmatosnin
dhe e çekuilibronin.
-
Mirë.
Nesër
thuaju nga shtëpia se do të vonohesh. Do të rrimë pak më gjatë.
-
Në rregull,- u përgjigj ajo instinktivisht.
-
Në orën 11.00 dil te stacioni i Pallatit të Kulturës. Unë do të vij me makinë.
Kam blerë makinë dje. Të puth. Mos harro orën.
Ajo
prapë mbeti me celular në vesh. Në buzë ndjeu shijen e së puthurës së tij në
distancë.
Të
puth... të puth... të puth...
***
Mëngjesi
ishte një kombinim i mrekullueshëm mes natyrës dhe dashurisë. Ajo ndihej atë
ditë sikur fluturonte në hapësirë. Ishte ngritur shpejt, kishte mbaruar të
gjitha punët e mëngjesit, kishte përcjellë fëmijët nëpër shkolla dhe tashmë
gjendej në stacion. Kur e kishte humbur durimin, një makinë e vogël
“Volksvagen” frenoi pranë këmbëve të saj të gjata. Në fakt ndodhej prej një
çerek ore në stacionin e Pallatit të Kulturës.
-
Hip, - i tha Gëzimi duke i buzëqeshur. Ajo tërhoqi fundin e saj gri me cirka të
zeza duke e shukuritur pak, me qëllim që mos t’i ngatërrohej me skarpinat
dhjetëpondëshe.
-
U vonova pak se kishte trafik, por pesë minuta i lejon edhe kënga. Ti besoj ke
ardhur më parë dhe minutat të janë dukur orë. Në fakt, një bukuri si e jotja
duhej rrëmbyer nga kaçakët. Sot qenke bërë...!
Ajo
buzëqeshi dhe më pas e frikësuar e pyeti:
-
Ku do të shkojmë?
-
Sot je nën varësinë time të plotë, çka do të thotë sa më pak pyetje, - i tha
Gëzimi duke qeshur. - Ke besim tek unë?
-
Besoj se po. Jeni një njeri pozitiv dhe duke qenë se shkrimtari shpreh në të
shkruarin e tij një pjesë të rëndësishme të vetvetes, më duket sikur ju kam mik
prej vitesh.
Burri
shtoi shpejtësinë e makinës me ndjesinë e një shoferi të ri, që, duke
rrëshqitur mbi asfalt, i duket se ka zotëruar universin. Pa dyshim që me Irmën
në krah i dukej vetja akoma më i fuqishëm. Ajo grua kishte ngjallur tek ai
fërgëllimat e rinisë. Ashtu e ndrojtur, serioze, e kulluar në shpirt, dukej se
i ngjallte idenë e një virgjërie shpirti që ai donte ta zotëronte. Kishte
nevojë për një grua të tillë. Prej pak javësh ndjente rigjenerim në shpirt dhe
atë ndjesinë e lumturisë që ia kishte sjellë kjo grua.
Pas
disa minutash ndaloi makinën pranë një moteli në të dalë të Tiranës. Gruaja u
tkurr në sedilje. Nuk donte të zbriste.
-
Shpejt! - e urdhëroi burri.
Instinktivisht
gruaja u shkund. E ndoqi shkrimtarin nga pas si një dele kokulur, edhe pse në
moment iu duk se ishte duke drejtuar tjetërkënd në atë vend. Këmbët e saj e
futën në një dhomë të thjeshtë, ku ngjyra rozë e perdeve të rënda e bënin atë
ambient epshndjellës. Ajo rrinte si
mumie buzë shtratit, pa bërë asnjë lëvizje. Burri i hoqi çantën nga krahu. Pas
kësaj i sfiloi xhaketën e hollë elegante nën krahë, duke i nxjerrë në pah
llërët e qumështa, këmishën që rrëshqiste në lëkurën e saj të butë si ajkë dhe
sytienat e buta prej mëndafshi. Me delikatesë prej artisti, i shtypte
lakuriqësinë e lëkurës, ndërsa ndillej nga format e saj të rrumbullakëta. Buzët
e tij, me atë brezin e thatë të epshit në tul, lëviznin ngadalë në qafën
mjelmëroshe, mjekrën e skalitur, faqet, sytë, llapat e veshëve, në butësinë e
tyre. Ajo mezi kapërdinte frymën. E ndërsa sytienat lëshoheshin si pupël pranë
këmbëve të saj, ai i pëshpëriti në vesh:
-
Bukuria jote më çmend. Që kur këmbyem vështrimin desha të të zotëroja.
Ajo
e shoqëronte me sy bredhjen e trupit të saj. Nuk po u besonte syve. Ai i hoqi
fundin dhe ja, të dy po shihnin të mbathurat e saj. Aty ishte ndalur zemra,
fryma, instinkti dhe heshtja e ndërgjegjes. Bardhësia e breçkave ishte në të
njëjtat përmasa me atë të epshit kafshëror për të zotëruar afshin e kënaqësisë.
Kur mbathjet kishin arritur në fund të këmbëve, trupi i ishte porizuar
gjithkund. Të dridhurat e kishin pështjellë si ethet e djallit me atë zjarrin
në gji dhe dëshirën për të shpërthyer pasionin e trupit. Kishte nevojë për
duart e tij, për lëkurën e atij mashkulli, për veglën e tij mashkullore. Nuk e
dinte ç’do të ndodhte më pas. Atë moment nuk pati vrarje ndërgjegjeje dhe
ankthe të mëpasshme. Ishte e udhëhequr nga një forcë e panjohur, por që rridhte
nga brendia e saj. Burri e ngriti në krah dhe e vendosi mbi krevat. Pastaj u
zhvesh vetë rrëmbyeshëm dhe pas disa sekondash u gjet pranë saj. E ndërsa e
lëpinte me gjuhë në kërthizë, bark, sisë, gushë, veshë, ballë, ndaloi te buzët.
Filloi ta puthte më tej, edhe pse ajo nuk jepte asnjë shenjë eksperience në
këtë drejtim. E ktheu me kurriz. Filloi ta kalojë me gjuhën e tij mishtore në
kokallat e qafës dhe kurrizit. Penisi i tij kishte nisur të ngrinte kryet në të
prapmet e rrumbullakosura të gruas.
-
Ohhh, ohhh, ohh, ohh, - dëgjoi ai rënkimin e saj.
-
Je shumë e mirë. Je e mrekullueshme. Je... - dëgjoi ajo një pëshpërimë që e
eksitoi në veshin e saj. Gëzimi e rrotulloi sërishmi përpara. Rënkimet e
kënaqësisë së paprovuar dilnin natyrshëm nga goja e Irmës. Pastaj ai u rëndua i
gjithi mbi të, duke puthitur me forcë organet e dashurisë me njëri- tjetrin.
Gruaja rënkonte, lëvizte, përdridhej, kullonte pështymë, lëpinte buzët...
Jetonte të pajetuarën, të padëgjuarën, ëndrrën e mbetur ëndërr, parajsën qiellore
të zbritur në atë shtrat të thjeshtë. U përplasën mishërisht për shumë kohë.
Për një moment ajo ndjeu shkëputjen e tij dhe mbi gjoksin e saj u derdh një
lëng i trashë. Gëzimi po merrte frymë me vështirësi. Vetëm në atë moment ajo
hapi sytë. Vetja i dukej sikur shkonte në ajër. Sikur fluturonte në hapësirat e
pakufishme të kënaqësisë. Toka si planet i dukej e largët. Ndihej një qenie që
për herë të parë shijon jetën. Ndjeu orgazmën, kënaqësinë që ekzistonte vetëm
si mendim dhe që deri atë çast nuk e kishte përjetuar. Madje e kaloi disa herë
atë kënaqësi të pafundme. Tashmë po e kuptonte ç’do të thoshte seks, dashuri
dhe që deri në atë çast kishte vegjetuar. Nuk i bënte përshtypje më asgjë:
fëmijët, burri, kushërirkat, opinioni, ndershmëria. Të gjitha ato koncepte
madhore deri në atë çast ishin zvogëluar për t’u bërë pa përmbajtje. Ajo ishte
në takimin me Zotin. Fjetën të dy në krahët e njëri-tjetrit.
***
Në
autobus, rrugës për në Durrës, ende nën dalldinë e seksit, nxori celularin nga
çanta dhe i dërgoi këtë mesazh:
“Kishe
të drejtë. Sot kuptova ç’do të thotë seks, dashuri. Jeta tashmë për mua mori
kuptim tjetër. Të lutem, mos më harro. Mos më harro se... Të dua më shumë se
jetën time”. Mbështeti kokën në shpinoren e sediljes dhe mbylli sytë. Gjithë
rrugës ëndërronte ato momente të paimagjinueshme nën pushtetin e trupit dhe
krahëve të Gëzimit. Po, deri tani ajo kishte ekzistuar përgjysmë, si një vegël
pune. Nuk kishte jetuar. Pikë.
***
Mbrëmjet
e kaluara më pas në shtëpi u mbushën me ngjyrën e zymtë të largësisë. Edhe
gjallëria e fëmijëve nuk mund ta sillte në humor. Tashmë ambienti i shtëpisë i
dukej i lodhshëm, pa hapësirë. Gjendja e saj i bëri përshtypje edhe të shoqit.
-
Çfarë ke sot? S’ke qenë ndonjëherë kështu?
-
Punë e bezdisshme. Kur shkoj në Tiranë shkatërrohem. Rruga, pritja në ministri,
sorollatjet, kthimi, - gënjeu ajo jo pa vështirësi.
Sot
kishte tradhtuar bashkëshortin. Ndihej në një hendek midis pendimit dhe
kënaqësisë. Pasi pastroi tavolinën dhe vuri fëmijët në gjumë, u shtri edhe
vetë. E kaploi një gjumë i ëmbël, ku ajo ndihej krejtësisht në pushtetin e të
dashurit të saj. I shoqi erdhi pas pak. Ai filloi ta ngacmonte, ndërsa ajo i
pëshpëriti:
-
Më lër të fle! Kam gjumë.
Burri
e ktheu nga vetja dhe i hipi sipër. Filloi të kryente aktin e tij martesor.
Shfryu shpejt e shpejt epshet e tij mashkullore sikur e detyronte njeri dhe u
ngrit. Asnjë fjalë të ëmbël, asnjë përkëdhelje, asnjë ledhatim... Kaq. Ajo nuk
lëvizi fare. I dukej sikur mbi vete mbajti për një moment një copë trung. “Sa
gra kanë vuajtur dhe vuajnë kështu si unë, në mbarë globin, pa arritur të
arrijnë në orgazëm dhe pa e shijuar kurrë magjinë e seksit?”.
Mendimi
se kishte tradhtuar burrin e sfiliste.
“Nuk
duhej ta kisha bërë. Është krim”.
Nisi
të qante nën zë. I vinte turp nga fëmijët. Ata nesër apo pasnesër mund të ishin
viktimat.
“Nuk
është faji im, por i tij”,- qetësoi ajo më pas
veten. Burri i saj ishte egoist dhe merrej vetëm me veten e tij, duke e
privuar nga kënaqësia e dashurisë dhe e seksit.
Por
pas pak mbylli sytë duke sjellë pranë vetes skenën e dashurisë me Gëzimin. Një
lumturi e papërshkruar i mbuloi gjithë qenien dhe gjumi e përcolli në transin e
lumturisë më të madhe të vetes, aty ku mund të të çojë vetëm dashuria e madhe.
Një
takim të tillë mund ta gjesh vonë, por asnjëherë nuk mund ta quash faj.