Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“Si i njohim prej rinisë Liri dhe Sali Berishën”

| E diele, 09.11.2008, 02:55 PM |


Liri Berisha me mike dhe kolege në festimin e 60-vjetorit të lindjes
Eglantina Bardhi

 

RRËFIMET E TRI MJEKEVE / Mikeshat e ngushta të bashkëshortes së kryeministrit: Historia e dashurisë së vajzës me sjellje aristokrate dhe djalit të zbritur nga Tropoja.

 

E mbajnë mend gjithmonë si “Lilin që reflekton gjithmonë thjeshtësi; natyrë e qetë dhe zemërgjerë”. Madje besojnë se natyra e saj e qetë ka ndikuar fuqishëm mbi natyrën e bashkëshortit të saj, tepër impulsiv.

 

Bëhet fjalë për Liri Berishën, bashkëshorten e kryëministrit aktual, Sali Berisha. Shoqja e saj e Fakultetit të Mjekësisë, Monda Niko, tani kardio-pediatre në QSUT, rrëfen për “SH2”-shin, sesi e mban mend atë, që në vitet 1967-1971, si studente; sa e lidhur ishte ajo me shoqërinë dhe sesi arriti t’ia fitonte zemrën profesori i saj në atë kohë, sot bashkëshort dhe kryeministër i vendit, Sali Berisha.

 

Djali i ardhur nga malësitë e Tropojës duket se doli i pari edhe në këtë betejë pasi Lilin, (kështu e thërrasin miket e veta znj. Liri Berisha), sipas saj, e admironin të gjithë. Kujtime për ish-zonjën e parë dhe bashkëshorten e kryeministrit, rrëfejnë edhe ish-shefja, Ermira Tomori, dhe kolegia, Mirela Petro, e cila punoi deri pak muaj më parë, për më shumë se 13 vjet, në të njëjtën zyrë me znj. Berisha, në poliklinikën nr. 4, në lagjen e Brrakës.

 

Njohja me Doktorin

 

Monda Niko, shoqe në fakultet me Liri Ramën, por edhe ish-kolege e kryeministrit aktual, Sali Berisha, tregon se Liria ka qenë një vajzë që e admironin të gjithë. “Lili ka qenë një vajzë simpatike, e ëmbël, e qetë dhe shumë e ekuilibruar. U linte vend të gjithëve që ta admironin me paraqitjen dhe sjelljen e saj. Ishte i zoti tropojani, e admiroi dhe e mori”, - na thotë znj.Niko.

 

Sipas saj, dashuria mes studentes dhe profesorit, lindi që në bankat e fakultetit dhe u finalizua me martesë, ende pa mbaruar vitin IV të shkollës. Në fakt, në fillim të gjithë të njohurit e çiftit u habitën për lidhjen e tyre, pasi Lili ishte një vajzë e rritur në Tiranë, kurse djali vinte nga malësitë e thella të Tropojës. Edhe natyrat e tyre ishin krejt të ndryshme.

 

“Vërtet doktori kishte ardhur nga Tropoja, por ai ishte inteligjent dhe me vullnet të pashtershëm. Mendoj se Liria i vlerësoi këto dy karakteristika të profesorit dhe vendosi të lidhte jetën me të”, - pohon Monda Niko.

 

Edhe kolegia e saj pediatre, Mirela Petro, e mban mend pasionin e asaj historie vite më parë. Madje kujton edhe një detaj: “Mbaj mend një histori që Lili e tregonte shpesh, sepse ishte vërtet e lezetshme. Ajo na thoshte se në vitin e katërt, në verë, do të martohej dhe ishte shumë e zënë me përgatitjet e dasmës, ndaj i thotë doktorit se ka një provim të vështirë dhe i kërkon ta ndihmojë. Doktori i thotë të futet në provim se do të fliste ai me profesorin e lëndës. Ajo u fut në provim, por Lili na tregonte se doktori nuk kishte folur fare me profesorin e lëndës”, - thotë me të qeshur znj. Mirela.

 

Ajo shton atë që thonë të gjithë të njohurit e tyre: mes të dyve ka patur gjithmonë adhurim dhe respekt.

 

Ndikimi mbi Doktorin

 

Liri dhe Sali Berishën, të njohurit e tyre në rini, i cilësojnë si dy njerëz që janë krejt të ndryshëm, por që kanë marrë dhe kanë dhënë shumë nga njëri-tjetri. “Mendoj se doktori ka marrë shumë nga qetësia e Lirisë, pasi doktori ka qenë më impulsiv, më këmbëngulës. Unë e njoh doktorin edhe në marrëdhënie pune. Mbaj mend që kur bënim bashkim stafesh, ai konfliktohej shumë shpejt, ishte impulsiv dhe gjaknxehtë. Por e shoh se puna e Liries dhe qëndrimi i saj afër ka ndikuar shumë në karakterin e tij”, - pohon Monda Niko.

 

Të njëjtin mendim ndajnë edhe ish-koleget e saj, Ermira Tomorri dhe Mirela Petro, të cilët vlerësojnë si pikën më të fortë të saj, pikërisht qetësinë dhe maturinë në çdo aspekt. “Mendoj se Liria ka qenë boshti kryesor ndikues në karakterin e doktorit, të cilin e mbajmë mend edhe si profesor. Ka ditur të ekuilibrojë dhe balancojë karakterin e saj të qetë me një karakter shumë impulsiv dhe tepër energjik, si ai i bashkëshortit”, - pohon Ermira Tomorri.

 

 

Shoqja e fakultetit, Dr.Monda Niko:

 

“Lili ishte e tërhequr ndaj aktiviteteve, mbante shoqe dhe jo shokë”

 

“Unë e njoh që në fillim të shkollës së lartë (në vitet ‘67-’71), Lirinë. Edhe sot mendoj që është po ajo Liri që ka qenë. Tani që është bërë një gjyshe dhe bashkëshorte shembullore, ka po ato vlera dhe virtyte.

 

Lili e vlerësonte shumë shoqërinë, por ka qenë edhe tip i tërhequr, sidomos ndaj aktiviteteve që zhvilloheshin me qëllim argëtimi. Lili ka patur në përgjithësi shoqe e jo shokë. Sigurisht që pas lidhjes me doktorin ajo vazhdoi të ishte akoma më shumë e tërhequr ndaj aktiviteteve, por shoqërinë nuk e ka harruar kurrë. Ajo që të bie më shumë në sy është se Liria ka një zemër të mbushur me mirësi që e rrezaton kudo, përveç pamjes së jashtme, që tregon pamjen një zonje fisnike që duket se e ka në gen.

 

Kam njohur edhe doktor Saliun, si pedagog, por edhe si kardiolog, pasi kemi punuar rreth 15 vjet bashkë. Pediatrinë, Liria e zgjodhi vetë, pasi ishte e dhënë shumë me fëmijët. Fakti që ajo punoi rreth 40 vjet me këtë punë, duke i trajtuar me një dashuri prej nëne të vërtetë. Ajo nuk ndërroi punë, por punoi te lagjja e Brrakës, gjithmonë, ndonëse nuk ishte një lagje e preferuar nga mjekët e tjerë. Ndërsa si studente ajo ka qenë e mirë, por nuk krahasohej me rezultate si ato të doktorit. Ai ka patur një memorie të frikshme.

 

 

Kolegia, Dr.Mirela Petro:

 

“Lili e adhuronte doktorin”

 

“Kam punuar prej 13 vitesh në këtë zyrë me Lilin. Vinte gjithmonë në këmbë në punë, sepse e ka patur shtëpinë në lagjen e poliklinikës. I përshëndeste të gjithë, që nga njerëzit me ngjyrë deri tek intelektualët. Mendoj se ajo e adhuron doktor Berishën. Më është ngulitur ky mendim prej 13 vitesh që kam punuar me të.

 

Pacientët e donin. Këto fotot në mure (Dr. Mirela na tregon fotot në muret e klinikës), janë të pacientëve që, doktoreshë Lili, i ka patur më përzemër. Përveç këtyre, është një kuzhiniere fantastike. Na jepte receta nga më të ndryshmet dhe gatuan shumë mirë. Ajo pohonte se doktori drekonte gjithnjë në shtëpi, pasi donte të hante gjithmonë vetëm ushqim nga gruaja. Lili më ka thënë shpesh një veçanti të doktor Berishës: Të gjitha rrobat që i sillte Lirisë, i bënin çuditërisht fiks doktoreshës. Madje, doktori njihte mirë edhe materialet stofa dhe bënte gjithmonë dhurata…”

 

 

Shefja, Dr. Ermira Tomorri:

 

Lili nuk na fliste për kryeministrin

 

“Është një grua që ka ëmbëlsi dhe të bën shpejt që të duket e afërt. Unë kam punuar me të 18 vjet dhe prej 12 vitesh e kam patur edhe vartëse. Ka qenë doktoresha më e preferuar nga pacientët dhe kjo për shkak të karakterit të saj. Asnjëherë nuk pranoi të hiqte dorë nga lagjja e saj e Brrakës, ndonëse mjekët gjithnjë bënin naze të shkonin aty, pasi nuk ishte një zonë e preferuar, sepse banorët vinin nga shtresa të ulëta të shoqërisë. Mendoj se ajo ka kaluar sprova edhe sa i takon lidhjes me familjen e saj. Nisem prej faktit që ka qenë bashkëshorte e ish-Presidentit dhe kryeministrit aktual, Sali Berisha, dhe mendoj nuk e ka patur edhe aq të lehtë.

 

Megjithatë ajo ka ditur të përshtatet. Lili nuk para fliste për kryministrin vetëm kur ne e pyesnim për të. Lirisë i vinin gjithnjë shumë miq në shtëpi, sidomos nga njerëzit e doktorit. Mbaj mend (andej nga vitet ’90), Liria na tha se Saliu i kishte sjellë një fritezë patatesh nga jashtë shtetit dhe ishte shumë e kënaqur se i rregullonte miqtë e shumtë, si fillim, me patate të skuqura, në pak minuta. Përveç kësaj, mendoj se është një femër me shumë gusto, vishet gjithmonë bukur”.

Shekulli