| E diele, 23.08.2020, 04:54 PM |
BETEJA
E KATLLANOVËS
(Çlirimi
i Shkupit, 18 maj 1844)
NGA DR. ALEKSANDAR MATKOVSKI
I
trimëruar nga sukseset e veta, Dervish Cara planifikonte të pushtojë Velesin, e
pastaj edhe Manastirin që ishte seli e vilajetit të Rumelisë, e prandaj kishte
shumë ushtri. Mirëpo, kryengritësit nuk e kaluan asnjëherë grykën e
Katllanovës. Nuk janë të sakta të dhënat e disa autorëve se kinse kryengritësit
e kanë pushtuar Velesin e Prilepin dhe i qenë afruar Manastirit. Ata nuk e
kaluan kurrë grykën e Katllanovës, por disa pararoje të tyre shkonin në vëzhgim
edhe kah Velesi që shkaktoi frikë mes pushtetmbajtësve të Velesit. Populli u
ftua të marrë masa preventive. Atëherë edhe myslimanët edhe të krishterët iu
përgjigjen thirrjes dhe bashkërisht hapnin hendekë dhe fortifikime të tjera. Të
rinj dhe pleq, të krishterë e myslimanë shkonin në punë me aq frikë të madhe
nga kryengritësit. Frika nga Velesi bartej në Manastir dhe kjo i detyroi
pushtetmbajtësit osmanë të ndërmarrin aksion kundër kryengritësve para se të
fillojë pranvera e parë. Nga Manastiri nisi Ahmed Pasha në krye të ushtrisë
osmane, e pararojën e komandonte renegati dhe dezertori kroat nga ushtria
austriake, Mihail Latasi, që pastaj e pranoi islamin nën emrin Omer Pashë
Latasi. Në kohë, kur e komandonte avangardën e armatës osmane kundër
kryengritësve, Omer Pasha kishte gradën e gjeneralmajorit, pra ka qenë mushir
në varmatën e Rumelisë, ngaqë i bëni shërbime, të mëdha Turqisë.
Shumë
autorë në letërsinë historike e përshkruan me disa fjali betetjën e
Katllanovës, por asnjëri nuk e ka caktuar datën e saktë të kësaj beteje të
rëndësishme, ku u vendos fati i kryengritësve. Kur pararoja osmane u takua me
krynegritësit, menjëherë afër fshatit Katllanovë, Omer Pasha hyri në luftë
vendimtare, pa e pritur pjesën kryesore të ushtrisë. Turma e çrregulltë e
kryengritësve të armatosur luftoi me dëshpërim kundës armatës osmane, por nuk
mundi t’i kundërvihet me sukses ushtrisë të rregulltë osmane. Një numër i madh
të plagosurish dhe të vdekurish gjendej në të dyja anët. Shumë autorë mendojnë
se kjo ka qenë beteja e vetme, që u zhvillua, në fushëm e Shkupit dhe se aty u
zgjidh fati i kryengritësve dhe kishte shumë skllavër të kapur e, midis tyre,
edhe vetë Dervish Carën. Në këtë luftë u kap skllav Dervish Cara e pastaj e
çuan në burg në Stamboll, ku edhe vdiq si deklarojnë shumë autorë të cituar. E
saktë është se lufta e Katllanovës ka qenë luftë e ashpër dhe e përgjakshme që
vendosi fatin e kryngritjes. Miëpo, ajo nuk ishte beteja e vetme, por si do të
shohim, ka pasur shumë beteja.
Përshkrim
të bukur të betejës së Katllanovës ka dhënë Hr. Çoçkovi. Ai shënoi: “Bejlerët e
Kumanovës, Vranjës, Gjilanit dhe Shkupit nuk donin të japin rekrutë për
ushtrinë e rregullt. Për këtë shkak me kalorës të armatosur ata u nisën drejtë
Velesit. Mirëpo, atëherë Frenk Omer Pasha me dy regjimente të ushtrisë së
ërregullt dhe me dy topa arrtiti nga Manastiri në Veles. Ditën e dytë, pas
“Ujit të bardhë”, pranë Urës së Katllanovës, u ndeshën dy ushtritë: 5.500
kryengritës me afër 2.000 ushtarë të rregullt. Gjatë kalimit të urës dhe të
lumit u vranë disa ushtarë dhe një oficer bimbash. Omer Pasha urdhëroi që
ushtria të rreshtohet në formë katrori në një livadh të madh, e topat nga të
dyja anët të qesin kundër turmës së kryengritësve që e kishin nxirë sukën
fqinje mbi ujin e ngrohtë termal. Kryengritësit në fillim mësynin trimërisht me
kuaj kundër ushtrisë osmane dhe e rralluan rendin e tyre, por pas shpërthimeve
të fuqishme të topave, ranë rreshtat e parë. Kryngritësit u frikësuan nga
shpërthimet e topave, me të cilat nuk ishin mësuar dhe ikën të hutuar. Pastaj
disa krerë kryengritës i prenë, e të tjerët
në zinxhirë i dërguan për në Stamboll.”
Si
Çoçkovi, po ashtu, edhe Toskovi, jep përshkrim të bukur të betejes së
Katllanovës me të dhëna të sakta e të hollësishme dhe thotë: “Kundër Dervish
Carës u dërguan Hajredin Pasha dhe Ismail Pasha me ushtri të fortë të
sulltanit. Dervish Cara e mblodhi gjithë ushtrinë e grumbulluar të shqiptarëve
dhe u përlesh me Hajredin Pashën në vendin e njëjtë në fushën e Shkupit, te
fshati Katllanovë. Hajredin Pasha i mbarështroi ushtritë e tij në bregun e
majtë të lumit Pçinja, por para kësaj e rrëzoi urën mbi këtë lumë, kurse
Dervish Cara ishte në skajin e fushës, pas fshatit Katllanovë. Natën Hajredin
Pasha e kaloi kalorësinë nëpër lumë, e pastaj edhe këmbësorinë në lartësinë mbi
lumin Katllanovë. Këtu ushtrinë e topat
i vuri në rreth dhe hapi zjarr kundër Dervishit. Kaçanikasit e
tetovarët, fuqishëm e sulmonin ushtrinë e sulltanit. Ismail Batalli me sulm të
hovshëm u hodh kundër topave dhe arriti që disa topave t’ua presë rrypat. Në
kohë të njëjtë, shokët e tij qitnin me pushkët. Emin Bojana nga Tetova e shumë
trima të tjerë e ndoqën shembullin e Ismail Batallit dhe me tërbim të madh u
hodhën kundër topave. Por, gjithë kjo trimëri ishte e kotë para fuqisë së
topave dhe sulmeve sistematike të ushtrisë së rreglltë. Kështu u shkatërruan
dhe filluan të ikin. Duhet shënuar se qyteti Shkup, i cili thuaja i tërë ishte
në anën e shqiptarëve, nuk mori pjesë në betejë, ngaqë Kuçuk beu i ktheu topat
e kalasë së Shkupit dhe i frikësoi qytetarët se gjithë qytetin do ta shndërrojë
në hi e pluhur nëse dikush del nga qyteti. Pas fitores të Katllanovës,
Hajredin Pasha, lë në Shkup pak ushtri
dhe me ndihmën e Kuçuk beut, që doli nga kalaja, e la qytetin në gjendje
rrethimi. I siguruar nga ana e Shkupit, Hajredin Pasha vazhdoi t’i ndjekë
shqiptarët. I ndoqi deri në Prishtinë e Prizren, pra, derisa i dërmoi e
shpartalloi.” Toskovi ka lënë të dhëna të sakta e të rëndësishme që janë vërtetuar
nga burime të tjera. Ai na la të dhëna se Omer Pasha dhe Hajredin Pasha e komandonin
ushtrinë osmane, kurse kryengritësit ishin nën komandën e Dervish Carës, Ismail
Batallit, dhe Emin Bojanës nga Tetova. Janë të rëndësishme edhe të dhënat e tij
se kalaja e Shkupit nuk qe pushtuar nga kryengritësit dhe se atje ishte
fortifikuar Kyçyk beu me ushtri e topa.
Përshkrim
shumë të saktë të betejës së Katllanovës na ka lënë udhëpërshkruesi anglez dhe
nëpunës i ambasadës angleze në Stamboll, Henri Osten Lejardi, që ishte në
suitën e Omer Pashës dhe gjendej në kampin e tij gjatë luftës së Katllanovës,
ku porsa kishte kthyer nga negociatat me
Dervish Carën. Si dëshmitar nga ka lënë të dhënat vijuese: “Misioni im,
te Dervish Cara, përfundoi pa sukses dhe ktheva tek Omer Pasha, të cilit i
kumtova për çdo gjë që ngjau. Hëngra darkë me të, e pastaj u tërhoqa të pushoj
në një çadër të vogël që gjendej afër çadrës së tij. Në mesnatë u zgjova nga të
shtënat që dëgjoheshin në kamp. Për fat Omer Pasha u tregua vigjilent
(përndryshe komandantët osman nuk janë të tillë) dhe mori masa në raste të
sulmit eventual. Pararoja dha në kohë shenjë për afrimin e armikut. Urdhërat e
tij u kryen me kohë. Ushtria osmane e rrethoi shpejt kampin e vogël, në kendet
e të cilit ishin vënë topat. Sulmi i zgjërua në të gjitha anët. Shqiptarët në
numër ishin superiorë, e tejkalonin numrin e osmanëve, por për shkak s’e
s’ishin aq të armatosur dhe të padisiplinuar nuk mundeshin të ballafaqohen me
ushtrinë e rregullt të sulltanit. Kampin e sulmonin me trimëri të hatashme e
vendosmëri, duke u vërsulur kundër bajonetave dhe duke i zbrazur pushkët e tyre
dhe revolet para vetë fytyrave të ushtarëve osmanë. Filloi të agojë dhe
shqiptarët duke mos mund ta thejnë rrethimin u tërhoqën në fortesat e veta
malore. Gjatë luftës isha pranë Omer Pashës që nuk dyshonte në suksesin e
ushtrisë së tij. Ai kishte besim në ushtrinë e vet që u dëshmua për nga
disiplina e trimëria që e treguan gjatë sulmit. Si komandantët e tjerë, që
ishin në ballë të ushtrive të veta osmane, ai thoshte se ata janë ushtri më e
mirë në botë, se me ta duhet udhëhequr me urtësi që ta kryejnë çdo detyrë.
Osmanët nuk kishin shumë viktima, kurse te armiku ishin shumë të rëndësishme se
trualli rreth kampit tonë ishte plot me të vdekur e të plagosur...”). Ata ishin
të armatosur mirë dhe trima, por pa kurrfarë disipline dhe kur gjendeshin në
fushë ishin të paaftë të ballafaqohen, mandej edhe para njësive të vogla
ushtarake osmane që ishin të pajisura me artileri para së cilës shqiptarët
ishin shumë të dobët”).
Tani
do të orvatemi të caktojmë vendin e saktë, ku u zhvillua Beteja e Katllanovës,
cilën ditë ngjau dhe sa ushtri dhe kryengritës morën pjesë në të. Për shkak se
autorët e deritashëm që shkruan për këtë nuk e kanë bërë, ne do të orvatemi me
burime të reja, që nuk njiheshin deri më tani ta caktojnë këtë. Këtë mund ta
bëjmë tani se disponojmë me burime të reja, kryesisht me raporte të konsujve të
ndryshëm nga Selaniku, që e ndiqnin situatën dhe që ishin informuar mirë.
Historiani shqiptar, Aleks Buda deklaroi “se në rrethin e Shkupit, te vendi
Katllanovë... kryengritësit shqiptarë, të organizuar mirë u shpërndanë nga
ushtria e rregullt osmane”). Edhe pse ky numër është me siguri i tepruar, Buda,
si kolegët e cituar deri tani, nuk e cakton datën dhe vendin e saktë të luftës.
Jovan Haxhivasileviqi shkroi se: “ në
fund të prillit në Veles arriti komandanti i sulltanit Frenk Omer Pasha dhe
nisi kah Shkupi, Kumanova e më tej. Shqiptarët e pritën te Banja e Katllanovës,
pranuan betejën dhe të mundur filluan të tërhiqen. Edhe sot flitet me përbuzje,
sesi sa kishin filluar të qitnin topat, gjysma e tyre u shpërndanë. Edhe sot e
kësaj dite për këtë këndohen shumë
këngë”). Në bazë të një raporti nga një tregtar serb i cili mes 12 e 24 prillit
1814, udhëtonte nga Manastiri për në Aleksinac, kurse raportin e ka dhënë më
vonë, autori Brestovci thotë se mes Velesit dhe Shkupit u tubuan afër 8.000
kryengritës dhe se kryengritësit e rrëzuan urën mbi Pçinjë dhe vazhduan të
përqëndrohen rreth Shkupit e Katllanovës, se ushtria osmane në muajin maj (pa
precizuar ditën) i sulmoi kryengritësit.”) Konzullatat nga Selaniku, dikur
shumë kishin informata të sakta nga terreni
dhe ishin të informuar mirë për çdo gjë që ngjau, por ndonjëherë edhe
këto informata të tyre nuk ishin të sakta. Në një raport të konsullit francez
nga Selaniku, dërguar ministrisë së tij, më 24 prill 1844 thuhet se “pararoja
osmane sipas urdhërit të Omer Pashës, renegat kroat, përparonte drejtë Velesit
16 orë larg Manastirit dhe 8 orë nga Shkupi. Ajo ishte përbërë nga 3.380
këmbësorë, 340 kalorës dhe 10 topa. Kjo grykë e Vardarit është shumë e
rëndësishme. Po përhapen zëra të kobshëm për këtë sulm të parë dhe thonë se kjo
ushtri ku qenë e rrethuar nga shqiptarët e shumtë, ashtu që nuk mund ta kalojnë
grykën pa pasur humbje të mëdha”. Nga një raport i konsullit anglez, prej 3
majit 1844, marrim vesh se ura mbi lumin Pçinjë u shkatërrua. Në raport thuhet:
“Shqiptarët e shkatërruan urën mbi lumin Pçinjë te Katllanova, ku gjenden 1.000
kryengritës. Është e pakuptuar se osmanët, që kishin ushtri 7.000 vetash në
afërsi të Katllanovës, vetëm 12 deri më 15 mila largësi, lejuan që kjo urë të
shkatrrohet pa luajtur vendin.” Pesë ditë pas këtij raporti, pra më 8 maj 1844,
konsulli francez kumtoi se shqiptarët dëgjuan për ardhjen e pararojës në Veles,
u tubuan në mumër të madh mes Velesit e Shkupit, e dogjën urën mbi Vardar dhe
gjithkund proklamuan se erdhi koha që shqiptarët të mblidhen ta mbrojnë
pavarësinë dhe të drejtat e veta kundër armikut të përbashkët.” Autori
Brestovci, duke cituar një dokument të zbuluar thotë: “Sipas burimeve arkivore
serbe, beteja kryesore mes kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane ngjau
para vendit Katllanovë pak më larg nga Shkupi dhe pikërisht në gjysmën e dytë
të majit 1844. Duke e lajmëruar princin Aleksandar Karagjorgjeviq, në bazë të
një raporti, të pranuar mes 11 e 21 maj Ilia Garashanini shkruan se fuqitë osmane,
në krye me Hajredin Pashën dhe me feudalët shqiptarë Dali bej e Shahin bej
korrën fitore mbi kryengritësit që u detyruan të ikin. Pas përleshjes së
armatosur te Katllanova kryengritësit u tërhoqën kah veriu. Kurse fuqitë osmane
u kthyen”. Është e sigurtë se pas këtij ngadhënjimi ushtritë ormane nuk kthyen,
por e vazhduan përparimin drejtë Shkupit, e më tutje. Raport më të sigurt, me
datë të saktë të betejës, na la konsulli francez nga Selaniku. Ai iu dërgua
Drejtorisë politike të Ministrisë për punë të Jashtme të Francës. Raporti u
shkrua, më 24 maj1844 dhe në të thuhet:
“Letra
ime e 8 majit shfaqte parandjenjë se së shpejti do të ketë përleshje mes
trupave osmane dhe shqiptarëve kryengritës. Sipas situatës në vend nuk jam mashtruar,
se më 13 dhe 17 maj kishte dy beteja mjaft të rëndësishme në të cilat
kryengritësit ishin të detyruar të ikin, e ushtria e sulltanit hyri në Shkup.
Kam nderin t’i parashtroj Madhërisë suaj detalet kryesore të këtyre ngjarjeve.
Më 17 maj Omer Pasha mori urdhër të depërtojë nëpër Pallankë dhe të marrë
pozicione para Shkupit. Ai nisi nga Velesi me 4.000 njerëz kënbësori të
rregullt, 2.000 Shqiptarëve të jugut ushtri të çrregullt, një regjiment
kalorësie dhe një bateri artilerie dhe hasi në vendin e përmendur në 7 deri më
8 mijë shqiptarë të mbrojtur nga lumi Vardar urën mbi të cilën e kishin
shkatërruar. Beteja ishte e ashpër, kryengritësit luftonin me ashpërsi, por pas
dy orë e gjysmë, deri më tri, ata filluan të ikin, duke lënë pas vetes 400 të
vrarë, 200 të plagosur e 400 të kapur skllevër. Midis të cilëve ishte, një nga
prijësit e tyre më të rëndësishëm, i ashtuqujturi, Emin Xhambazi, të cilin
menjëherë ia prenë kokën sipas urdhërit të Omer Pashës. Pasi Dervish Cara me
nam, një nga prijësit më të ndikueshëm të kruengritësve e pa dështimin e të
vetëve, shkoi personalisht te Omer Pasha të kërkojë “aman”. Po asaj dite
pararoja hyri në Shkup në mes të popullit të kësaj ane që kishte ardhur ta
presë. Nuk u bë fjalë për të vdekurit dhe të plagosurit ndërmejt ushtrisë
osmane, se si dihet, sipas zakonit, osmanët këtë e heshtin”.
Nga
ky raport kuptojmë me saktësi se ushtria osmane prej 13 deri më 17 maj nuk ka
mundur të depëtojë nëpër grykën e Katllanovës, ku kishin zënë pozicione
kryengritësit. Më 17 maj me një manovër të zhdërvjelltë, Omer Pasha e tejkaloi
Katllanovën. Betejat u zhvilluan nëpër luginën e Pçinjës, mes fshatrave Konjari
e Katllanovë.
Konsulli
anglez nga Selaniku, me letër prej 25 majit, lajmëron kontin Aberdin se “u bë
sulm kundër kryengritësve më 19 km. te Katllanova, nën komandën e Omer Pashës,
ku një nga prijësit me emrin Dervish Cara u kap, kurse tjetri, i quajtur Emin
Xhambazi u vra, afër 200 shqiptarë u kapën skllevër e 450 u vranë. Unë nuk isha
në gjendje ta vërtetoj humbjen në anën e osmanëve. Kryengritësit u tërhoqën kah
Tetova dhe Vranja, ku në vendin e dytë ka afër 6.000 që e mbajnë qytetin.”
Ruhet
edhe raporti i konsullit austriak i shkruar, më 25 maj 1844. Që fragmente nga
ky dokument i rëndësishëm që po ashtu na jep të dhëna të hollësishme për
betejën e Katllanovës që deri tani janë të pamjohura: “Më 22 të këtij muaji
arriti lajmi zyrtat nga Shkupi deri te mushiri i këtuesh se Omer
Pasha (Latasi), duke e ditur se ura mbi Bregallnicë” te Katllanova është rrëzuar
nga shqiptarët, mendoi ndryshe, të nisë kah Shtipi. Këtë edhe e kreu, duke
nisur nga Qupërlia (Velesi) me 3.200 njerëz e 8 topa dhe duke kaluar afër udhës
te Shtipi e shfrytëzoi terrenin malor që t’ju afrohet armiqve që gjendeshin te
Kaplanti në numër pre 8.000 vetave, që të sulmuar me mjeshtri nga ana, kishin
dyqind të vrarë, kurse 200 të tjerë të plagosur ose të kapur robër. Pë shkak të
habisë së këtillë, shqiptarët u tërhoqën. Midis shqiptarëve të vrarë gjendet
edhe një nga prijësit me emrin Emin Xhambazi.
Pastaj Omer Pasha hyri në Shkup që nga i shpërndau rojet që ta ruajë e mbrojë
lidhjen me prapavijën, deri atëherë të ndërprerë nga ana e kryengritësve. Si
duket sulmi i Omer Pashës nuk ishte i lejuar nga seraskeri Reshid Pasha që
kishte ndërmend t’ua fillojë armiqësive kur ai të vëhej në krye të armatës së
madhe, të ardhur nga Manastiri në Qupërli, ku gjendej tani. Prandaj suksesi e
ngjalli xhelozinë e Reshid Pashës që donte të ketë merita pët ngadhëmjimin”.
Për
ngjarjet te Katllanova kemi edhe një dokument mjaft të rëndësishëm nga konsulli
anglez në Selanik, Çarls Blanti, ku janë dhënë të dhëna mjaft të rëndësishme:
“Më 18 ose 19 km. (maj 1844) Omer Pasha me dy batalione ushtri të Perandorisë,
e sulmoi ushtrinë kryesore të kryengritësve te Katllanova, ku pas një
përleshjeje të ashpër me humbje të ndishme në të dyja anët, kryengritësit u
tërhoqën kah Tetova e Vranja, kurse Omer Pasha e vazhdoi marshin kah Shkupi,
qytet, ku hyri, si thuhet, me 21 km. Gjatë betejës te Katllanova Dervish Cara, një
nga udhëheqësit shqiptar, u kap rob, kurse një tjetër, që quhej Emin Xhambazi u
vra. Unë nuk isha në gjendje të kuptoj diçka më afër sa ishte numri i vërtetë i
të vrarëve në betejën e fundit, por ka persona që insistojnë se parësia që e
fitoi ushtria e sulltanit u kërcnua nga ana e kryengritësve...”
Për
këto ngjarje kemi edhe një dokument tjetër të rëndësishëm nga 8 qershori 1844.
Ky dokument është nga arkivi i Zarës, i shkrur nga konsulli perandor-mbretëror
austriak në Shkodër dhe i dërguar Doimës, komisarit të rrethit dhe udhëheqës të
komandës qarkore austriake në Kotor. Nga ky dokument shihet se për humbjen e
shqiptarëve te Katllanova u dëgjua shpejt nëpër gjithë Maqedoninë dhe
Shqipërinë, deri në Shkodër. Në këtë raport thuhet: “Në korelacion me notëm nr.
60 vicekonsullare prej 22 majit në lidhje me disa pashallëqe kryengritëse në
Rumeli, kam nderin t’ju informoj: Hajredin Pasha, gjeneral, nuk mundej të
depërtojë në mënyrë miqësore në Shkup. Mori urdhër nga gjenerali Omer Pasha t’i
sulmojë kryengritësit me ushtrinë që arrinte ndërkohë nga Selaniku e Manastiri.
Lufta u zhvillua te banja e qujtur Kapllan” mes 6.000 nizamëve e 8.000
kryengritësve. Ata u mbrojtën me dëshprim, por mundnin t’i japin rezistencë
artilerisë. Treqind kryengritës mbetën në fushën e betejës dhe 80 mizamë.
Seraskeri i Rumelisë Reshid Pasha bashkë me Omer Pashën hyri në Shkup që e
priti me dëgjesë e frikë.”
Ambasadori
anglez Stratford Kening, për betejën te Katllanova, i kumtoi grofit Aberdin me
letër prej 13 qershorit 1844. Në këtë letër flitet për përbërjen e ushtrisë
osmane që mori pjesë në luftën te Katllanova. Në raportin thuhet: “Ushtria e
tubuar përbëhet kryesisht nga arabë e baronë të Azisë së Vogël. Duket qartë se
zgjedhjen e ka bërë Porta për shërbim të këtillë dhe me siguri ata janë më të
mirët, me të cilët disponon ajo, e mendoj, mund të mbështetet krejtësisht mbi
ta, për pastrim llogarish me shqiptarët. Omer Pasha më shprehu lavdërim të madh
për trimërinë që e treguan ushtarët në luftën e Katllanovës”.
Në
betejën e Katllanovës, në bazë të dokumenteve serbe, Jovan Haxhi Vasileviqi e
ka shkruar këtë: “Si në pashallëkun e Vranjës, më 1844, u ngritën shqiptarët
nga rrethi i Tetovës, Gostivarit e Shkupit. Ishin afër 1.500 veta, e pushtuan
Shkupin e Bllatën dhe kërkuan ndërrimin e Hëvzi Pashës. Prijësit e tyre ishin
Dervish Cara, Batall Pasha e Bakri Bojana. Duket se në Stamboll i dinin
qëllimet e shqiptarëve. Ata hynë në Shkup, i zunë pozicionet në Baltën dhe
vendosën administratën e tyre. Gjithkah kryenin zullume të mëdha. Kundër
shqiptarëve porta e dërgoi Frenk Omer Pashën e njohur. Ai kishte 2.000 nizamë
me katër topa. Omer Pasha me shqiptarër u ndesh më së pari në Baltë. Beteja u
zhvillua te fshati Katllanovë dhe te hani i Katllanovës”.
Haxhi
Vaileviqi ka disa gabime në këtë citat. Kryengritësit nuk mundeshin të jenë
vetëm 1.500 persona, kur dimë me siguri se i pushtuan qytetet Gostivar, Tetovë,
Shkup, Kaçanik, Prishtinë, Vranjë etj. Po ashtu ata nuk kërkonin të ndërrohet
Avzi Pasha, por përkundrazi kërkonin që Porta ta kthente në Shkup Avzi Pashën e
internuar. Nën terminin “blato” J. H. Vasileviqi mendon në fushën e Shkupit që
atëherë quhej ashtu nga popullata maqedonase, më saktë “blatia”, se te
Katllanova ishte moçali i Katllanovës. Ekziston edhe një dokument mjaft i
rëndësishëm serb i 19 majit 1844, pra vetëm një ditë pas betejës së
Katllanovës. Në këtë dokument thuhet: “Shqiptarët u shkatrruan dhe u vranë 930
veta, kurse në një han e kapën të gjallë Dervish Carën, kryesori mes
kryengritësve. Lidhën 300 dhe ia dërguan vezirit, kurse veziri perandorit.
Kapën edhe 160 të plagosur në vendin ku u zhvillua beteja...”.
Beteja
e Katllanovës nuk mbeti e pashënuar edhe nga analet maqedonase që lënë gjurmë
në shënime e mbishkrime. Prifti Save, nga fshati Zubovci, rrethi i Gostivarit
na ka lënë një shënim mjaft interesant. Duke e analizuar këtë shënim anal,
prifti Save na ka lënë të dhëna shumë të rëndësishme. Ai na kujton se duke
filluar nga viti 1843, d.m.th. në kohë të sulltanit Abdyl Mexhitit kishte
turbullira të mëdha në gjithë Rumelinë, e posaçërisht në nahitë e Tetovës,
Gostivarit e Shkupit. Për maqedonasit atëherë ishte shumë vështirë, ngaqë shumë
vajza maqedonase u turqizuan e shumë u vranë në Taoravë”. Taor është fshat afër
Katllanovës dhe prandaj grykën e Katllanovës e quajnë shpesh gryka Taore.
Prifti Save shkruan se beteja ka qenë zhvilluar afër fshatit Taor dhe se pas
saj, në Shkup, hynë 50.000 ushtarë nizamë, që është me siguri numër i tepruar,
të cilët arrestuan shumë persona dhe i dërguan nëpër burgje të ndryshme. Pastaj
sundoi qetësi pothuaj një vjet e gjysmë kurse pikërisht deri në rrethin e
Gostivarit qeveriste Dali beu nga Dibra. Më vonë edhe atë e internuan se veziri
Hajredin Pasha nisi edhe kundër tij me 2.000 ushtri nizamë dhe ushtri tjetër.
Shumë fshatra Hajredin Pasha i dogji në rrethin e Dibrës. Por, në kohë, kur
nizami gjendej në rrethin e Gostivarit, kishte shumë lirësi në çmime, e çdo gjë
u vu në rregull. Por kjo zgjati shkurt, sepse osmanët përsëri filluan të bëjnë zullume,
e vranë shumë të krishterë. Më 1846 ishte shumë lirë dhe kishte shumë bereqet
në rrethin e Gostivarit, ngaqë, sa u korr elbi, menjëherë u mboll misër dhe
bëri më mirë se çdo vjet tjetër. Kështu u fituan dy të lashta, që do të thotë
se kryengritja e Dervish Carës nuk ndikoi negativisht në popullatën fshatare të
Pollogut. Kjo nuk ndikoi negativisht vetëm në popullatën krishtero-maqedonase
se nuk mori pjesë në kryengritjen dhe mundej t’u kushtohet punëve bujqësore,
kurse popullata shqiptare dhe maqedonaso-myslimane mbeti për shkak të
kryengritjes pa fuqi pune.
Përshkrim
për betejën e Katllanovës la edhe prifti Serafim. Shënimin e ka bërë në një
libër në manastirin Deçani. Nëse analizohet ky shënim do të shohim se ka disa
pasaktësi. Serafimi e ka gabuar vitin, në vend 1844, ka shkruar 1845. Veziri i
madh, Reshid Pasha nuk ishte aziat, por afrikan. Përveç vezirit të madh, Rashid
Pashës, përmend si kryesorë Hajredin Pashën, Omer Pashë Latasin dhe Murat Pashë
Topçin. I cili në betejën e Katllanovës komandonte me artilerinë. I përmend
Avni Pashën, Sabri Pashën, Mustafa dhe Emin Pashën. Për këta të tre në
dokumentacionin tjetër nuk ka shënime. Përveç këtyre, para kryengritësve kishte edhe shumë pashallarë e bejlerë nga
mbarë Shqipëria sa nuk u dihej numri. Nga ky shënim kuptojmë se, numri më i
madh i agallarëve e bejlerëve shqiptarë,
ishin me kryengritësit kishte edhe shumë pashallarë që ishin në përbërjen e
armatës osmane, duke luftuar kundër kryengritësve shqiptar. Kundër kryengritjes
u ngrit ushtri prej 20.000 nizamësh e
5.000 bashibozukësh, gjithësejt 25.000 ushtri e sulltanit që luftonte kundër
gjithë shqiptarëve. Edhe këtu teprohet me numrin e ushtarëve. Kryesori ishte
Dervishi, kryengritës perandorak me të cilin ishin gjithë shqiptarët. Dervishin
e kapën, e me 300 kryengritës të tjerë u dërguan në Stamboll, nga nuk u kthye
kurrë. Veziri i madh, Rehid Pasha me anë të Shkupit, Prishtinës e Kosovës,
shkoi në manastirin Deçani, ku kampoi në
livadhet e Manastirit dhe u ndal tetë ditë. Nga rrethi i Pejës dhe Gjakovës
afër 200 veta të lidhur me zinxhirë i dërgoi në Stamboll për pjesmarrjen e tyre
në kryengritje. Kur shkoi ushtria, Omer Pasha igumenit i dha vetëm 100 groshë.
Pakënaqsinë për këtë shumë e shprehte duke thënë se për mbajtjen e ushtrisë së
sulltanit paguan 600 groshë kurse mori vetëm 100 sish. Nga shqiptarët e
burgosur disa u kthyen nga internimi në gjysmën e vitit e disa pas një viti.
Nga
gjithë kjo që u parashtrua deri tani mund të kuptojmë se arritëm të mbledhim
shumë burime të njohura e të panjohura dhe ta caktojmë datën e saktë kur ngjau
Beteja e Katllanovës si dhe lokacionin e saktë kur dhe ku u zhvillua beteja.
Beteja
e Katllanovës nuk u zhvillua në një vend, por më shumë. Prej 13 deri më 17 maj,
beteja u zhvillua në vetë grykën e Katllanovës (Taorës), ku kryengritësit
kishin zënë pritë dhe i pritnin ushtritë osmane. Të vendosur mirë në shkëmbinj,
kryengritësit plot katër ditë nuk e lejuan ushtrinë të kalonte nëpër grykë. Më
17 maj 1844 Omer Pasha mori urdhër të bëjë një manovër dredharake. E la mënjanë
grykën dhe me ushtrinë doli afër fshatrave Konjare e Poshtme, e Mesme dhe e
Epërme, e pasatj zbriti nëpër Pçinje dhe u duk mbi banjën e Katllanovës, ku i
vendosi topat dhe kampoi. Etapa e dytë e betejës së Katllanovës, që ishte edhe më e ashpër, u zhvillua më 18 maj nëpër
luginën e lumit Pçinje nga banja e Katllanovës (toponimi Beli vodi) deri te gryka
e saj në Vardar. Ushtritë osmane gjendeshin në bregun e majtë të lumit Pçinjë,
kurse kryengritësit në të djathtin. Duke dalë te banja e Katllanovës, ushtria
osmane u gjet pas shpinës së ushtrisë kryengritëse, që gjendeshin ende në
grykën e Katllanovës, që nga u duhej të tërhiqen me urgjencë në bregun e
djathtë të Pçinjës. Që të mos kalojnë ushtritë osmane në bregun e djathtë të
Pçinjës, kryengritësit e rrëzuan që më parë urën mbi këtë lumë. Po atë ditë, më
18 maj, disa njësi osmane e kaluan Pçinjën dhe u dukën edhe në bregun e
djathtë, ku u vendosën, por Omer Pasha i kujdesshëm kishte vendosur pararojë më
larg nga kampi.
Beteja
e Katllanovës filloi, më 18 maj1844 menjëherë pas mesnatës. Betejën e filluan
të parët kryengritësit që e sulmuan pararojën e armatës osmane. Mirëpo,
pararoja në kohën e duhur dha alarm. Kryengritësit ishin pak më shumë se 8.000,
por pa disiplinë dhe me armatim të dobët. Ushtria osmane numëronte afër 7.000
ushtarë. Beteja u zhvillua deri në mëngjesin e 19 majit, kur kryengritësit
rralluan të shtënat artilerike dhe filluan të tërhiqen dhe të rigrupohen. Në
anën e ushtrisë së sulltanit luftonin edhe shumë shqiptarë të Jugut në krye me
bejlerët e tyre. U dalluan bejlerët e Dibrës Dali beu e Shahin beu.
Kryengritësit dhanë afër 300 të vdekur, 200 të plagosur dhe 400 të kapur robër,
kurse ushtria osmane kishte vetëm 80 të vdekur. Kur ushtria osmane i mundi
kryengritësit në bregun e djathtë të Pçinjës dhe vazhdoi përparimin drejtë
fshatrave Aezheniçino, Ibrahimovë, Mralinë e Bunarxhik. Rreth këtyre fshtrave
Omer Pasha e solli dhe e vendosi artilerinë që shtinte kundër grupeve më të
mëdha të kryengritësve që iknin të shpartalluar nëpër Bllato (fusha e Shkupit).
Nga fshati Arzheniçino me topa, me urdhër të Omer Pashës qitej kundër hanit të
Katllanovës, që kishte mbetur pas vijave të para osmane dhe u zhduk krejtë. Nga
fshati Arzheniçino, e pastaj edhe nga varrezat e fshatit Mralinë artileria i
qëllonte grupet më të mëdha kreyngritëse dhe shtinte kundër tyre. Që këtej
qitej edhe në grykën e Katllanovës, ku disa kryengritës shqiptarë i mbanin ende
pozicionet. Pastaj topat u bartën te fshati Bunarxhik dhe që andej vepronin.
Kështu
ushtria osmane duke përparuar drejtë Shkupit u ndesh përsëri me kryengritësit
mes fshatrave Arzheniçino e Mralino. Edhe këtu beteja ishte mjaf e ashpër dhe e
përgjakshme se kryngritësit u orvatën,
jo vetëm t’i ndalin ushtritë e sulltanit, por t’ua marrin edhe artilerinë. Kjo
u bë afër orës 10 në mëngjes të 18 majit
1844. Për këtë ngjarje ekziston edhe një rrëfim nga një dëshmitar. Ai quhej
Haxhi Bozhini nga fshati Qojleri, i cili rrëfeu se shqiptarët u tubuan qysh në
mars për të luftuar kundër ushtrive të sulltanit. Në Katllanovë u zhvillua
betejë e ashpër. Atëherë Omer Pashë Latasi nga fshati Arzheniçino mori dy
persona që i shërbyen si kallauzë. Omer Pasha i vendosi topat te varrezat e fshatit
Mralino dhe që andej shtinte kundër kryengritësve që i mbanin ende pozicionet
në grykën e Kaçanikut.
U
zhvilluan tri beteja: a) në vetë grykën e Katllanovës prej 13 deri më 18 maj,
b) në bregun e djathtë të lumit Pçinje prej mesnatës deri në mëngjes të 18
majit dhe c) mes fshatrave Arzheniçino, Mralino e Qojlia rreth mesditës të 18
majit 1844, kur kryengritësit u përpoqën të japin edhe një rezistencë dhe u
orvatën t’ua marrin topat. Ushtritë osmane të prira nga persona ekspertë,
gjenerali Omer Pasha, i mundën kryengritësit që u shpërndanë nëpër fushën e
Shkupit në tri drejtime kryesore. Një grup më i madh kryengritësish tërhiqej i
organizuar drejt fshatit Jurumllari dhe Shkupit, dy grupet e tjera u tërhoqën
njëri duke shkelur Vardarin drejt malit Kitkë, e grupi i dytë, që ishte më i
madh, ikte drejt Malit të Zi të Shkupit. Në këto tri vende të përmendura u
zhvilluan luftime që në letërsinë historike njihen si “Beteja e Katllanovës”.
Te burimet e fshatit Katllanovë e hasim me emrin Kapllan, Kapllani, Kapllan
han, Kaplantiera dhe kapllanovë.
Nga
libri: Kryengritja e Dervish Carës, Shkup - 1985).
Kryengritja e Dervish
Carës, krah për krahu me kaçakun e maleve Emin Çeliku (Xhambazi) hyjnë në Shkup (1844).