| E diele, 23.08.2020, 10:52 AM |
HOMAZH PËR NDOC SELIMIN
Nga
Prend BUZHALA
Në
rrjetet sociale, më 21 gusht 2020, u dha lajm i pikëllueshëm dhe i rëndë për
vdekjen e Ndoc Selimit nga Komani, studiues, shkrimtar, publicist, pilot... i
cili kohëve të fundit ka jetuar në Itali.
Humbje
për fushën e studimeve historike e të asaj të trashëgimisë, sepse qëmtonte me
përkushtim e zell, me forcat e veta.
Kështu
u njohëm, nëpërmes vlerave të shfaqura në rrjetin social. Kur e boti librin e
tij "Kultura e Komanit dhe komanasit", ma kishte dërguar me postë dhe
e pata lexuar me një frymë. Mandej e kishim, një vit pas, saktësisht më 26
prill 2014 në Klinë me përurimin e veprës së tij "Kultura e Komanit dhe
komanasit", së bashku me Shoqatën atdhetare e kulturore "Dukagjini“ nga Shkodra. Aso kohe
kumtesa mbajtëm unë, , Prelë Milani dhe Luigj Shyti.
Në fushën e letrave Ndoc Selimi njihet si krijues letrar me librat poetikë "Brirët e hënës" të botuar më 2003 dhe “ Si mundem me ike pa ty” (2015), kurse si historian e publicist i letërsisë dokumentare, me monografinë "Kultura e Komanit dhe komanasit.
1.
Shkrimin
kushtuar librit monografik "Kultura
e Komanit dhe komanasit" (botoi “Gjergj Fishta”, Lezhë 2013), e pata
përfshi të vëllimi im XIII "Në
aktin e leximit" që doli këtë vit. Nuk pata fat t'ia dërgoj këtë libër.
Ndoc
Selimi, te kjo monografi, arrin ta
konceptojë natyrshëm këtë lëndë, ta përballojë e strukturojë me sukses brenda
një monografie. Po qe se kultura europerëndimore mbështetet në trashëgiminë
greko-romake në fushta përkatëse, trashëgimia e vazhdimësisë
iliro-arbërore-shqiptare, në radhë të parë, mbështetet në Kulturën e Komanit, e
cila quhet kështu për shkak të një numri vendbanimesh të zbuluara në trojet
shqiptare – por jo vetëm aty – e cila është datuar si e Mesjetës së Hershme...
që ndërlidh antikën e vonë ilire me mesjetën e hershme arbërore...
Në
këso rastesh, sigurisht që kemi të bëjmë me një trashëgimi kontekste e të
shumëfishtë: me trashëgiminë historike e materiale të një mesi, me trashëgiminë
kulturore dhe shkencore, me trashëgiminë e dijeve linguistike apo të atyre onomastike, sidomos
me atë të të dijeve historike e
arkeologjike e të asaj shpirtërore...
Të
gjitha këto Ndoc Selimi i ndërthur natyrshëm, me pasionin e kureshtjen për t'i
sqaruar faktet, për t'i paraqitur ato në dritë të plotë, për t'i parë nga shumë
anë.
Nëse
me trashëgiminë kulturore kuptojmë trashëgiminë e objekteve fizike dhe
atributet jomateriale, pra të fushës shpirtërore (ndërtesa, monumente,
peizazhe, libra, vepra të artit dhe objekte apo kulturën jomateriale, si
folklorin, traditat, gjuhën dhe dijet), dhe trashëgiminë natyrore, duke
përfshirë peizazhet kulturore të rëndësishme, biodiversitetin, Ndoc Selimi
arrin ta konceptojë natyrshëm këtë lëndë e ta përballojë e strukturojë me
sukses brenda një monografie. Po qe se kultura europerëndimore mbështetet në
trashëgiminë greko-romake në fushat përkatëse, trashëgimia e vazhdimësisë
iliro-arbërore-shqiptare, në radhë të parë, mbështetet në Kulturën e Komanit, e
cila quhet kështu për shkak të një të një numri vendbanimesh të zbuluara në
trojet shqiptare – por jo vetëm aty – e cila është datuar si e Mesjetës së
Hershme, sikundër thekson Neritan Ceka në librin Ilirët (Migjeni, 2005).
2.
Pikërisht
me historinë e këtij termi e nis librin e tij autori Ndoc Selimi: "Varreza
e kalasë së Dalmaces, e cilësuar si një nekropol misterioz, hyri në histori me
emrin 'Kultura e Komanit' e pastaj si
'Kultura Arbërore' e së fundi, me përmasat që ka marrë përhapja e gjetjeve
arkeologjike të së njëjtës kulturë në Shqipëri dhe jashtë saj, e klasifikon
këtë trevë si qendra kryesore e Mesjetës për rajonin e Ballkanit
Perëndimor."
Më
tutje Ndoc Selimi nxjerr përfundimin e drejtë se Kultura e Komanit hyri në
histori si nyje lidhëse midis ilirëve, paraardhësve tanë të dikurshëm dhe
shqiptarëve të sotëm, pa të cilën vendit tonë do t'i mungonte një hallkë
lidhëse e domosdoshme, dhe nuk do të kishte një fakt historik të pamohueshëm
për të mbuluar një periudhë të errët historike 500-vjeçare.
Prandaj,
autori fillimisht, nënvizon faktin se historia e zbulimit nis që në shk XIX pas
Krishtit, kur historiani gjerman Henrik Shliman, i pasionuar qysh në vegjëli
pas Homerit, në kërkim të Trojës antike, pas disa vite gërmimesh, më 1879,
zbulon pikë për pikë për atë çka thoshte Homeri dhe koha e cilësoi si
"zbulim të shekullit".
Legjendat
e dikurshme nxitën edhe të tjerë, si historianë kërkues thesaresh, hajdutë e më
vonë këtë shteg kërkimi e pati edhe kalaja e Dalmaces me varret përreth.
Me
Komanin ndërthuret edhe Legjenda e Lisit të Florinjtë që e dokumenton Franc
Baron von Nopça, kurse konsulli frëng në Shkodër, Degran, pikërisht në fshatin
Koman të Pukës, më 1892, nis gërmimet në kërkim të thesarit, ku gjen varre të
vjetra, tek vendi i quajtur Kalaja e Dalmaces, ku u gjetën edhe objekte e stoli
të një kulture materiale e shpirtërore të panjohur deri atëherë, gjetje që u
bënë objekt diskutimi në qarqet e historianëve të shk 19, por vetëm me gjysmë
zëri flitej për vazhdimësinë iliro-shqiptare.
Autori
Selimi dëshmon se kjo lëndë sot gjendet e ekspozuar në Muzeun Sen Zhermen të
Parist (Saint Germain de France),
pavioni "Kultra e Komanit". Më tutje autori përmend studimet e
Theodor Ypenit, i pasionuar pas arkeologjisë e historisë, pastaj shënimet e
Tragerit e të historianëve e autorëve tjerë të jashtëm deri në Luftën e Dytë
Botërore, të cilët i morën gjetjet me veti, kurse etërit jezuitë, me kërkimet e
tyre më 1920, ato i ruajtën në Atdhe. Autori shton edhe një vazhdimësi të
trishtueshme të grabitjes së saj pasurie: "Fatkeqësisht në vitet 1945
-1948 muzeut iu plaçkitën shumë materiale e mbi të gjitha dokumentacioni i
arkivave muzeale nga jugosllavët në prezencën e ndihmën e shtetit komunist shqiptar".
3.
Autori
ka bërë një punë shumëvjeçare nëpër arkiva vendase të huaja. E pasur me fotografi, me dokumente, me dëshmi, me
bibliografi të larmishme nga shumë fusha të dijes, libri përmbyllet me indeksin
e emrave e të emrave të vendeve që përdorën në brendi të kësaj monografie
studimore.