Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Profesor Bardh Shiroka

| E marte, 18.08.2020, 08:40 PM |


PROFESOR BARDH SHIROKA

Kujtime

Nga Fritz RADOVANI

Bardhi i bardhë si kmisha që ka veshë në dukje e, në Shpirtë gjithë jeten!

Ata që e njohën afer perjetë të jetës nuk e harrojnë buzqeshjen e Tij aq të ambel sa kishte fjalen, e deri tek shterngimi burrnor i dorës së paster.

Ishe fëmijë kur e njohta prej vllaut të madh Alfonsit, me të cilin ishin të një moshe, shokë po, dhe të asaj brezni studentash që e paguene me jetë  persekucionin e terrorizmit komunist në Shkodren e masakrueme…

Vetem me kujtue emnat e kriminelave vrastar Zoji Themeli, Hilmi Seiti e ish hetuesit korçar Skender Villa, drejtor i Gjimnazit Shkodres, mjafton me kuptue se shka ka kalue rinia shkodrane, e panjollosun me sigurimin.

Bardh Nik Shiroka ishte nder studentat e shkelqyeshem nder mësime, kur me 10 maji 1950 u arrestue grupi i studentave të Shkodres. Bardhi e perfundoi Gjimnazin, po nuk mujti me i shpetue arrestimit mbas atyne pak viteve që ishte ushtar në repartin ushtarak të Beratit, me 4.7.1955.

Dëshira e madhe e sigurimit komunist per me prangue dhe torturue dhe Bardhin si të gjithë shokët e Tij, nuk ishte plotsue pa e pa në birucat e sigurimit të Shkodres, ku zhvilloi hetimet. Gjykata e Shkodres drejtue nga toger Faik Spahiu, nuk u kursye me fillue akuzen kunder Bardhit, me “shkollen françeskane të Shkodres, dhe me vazhdue me perpjekjen e Tij, per me rrëzue pushtetin komunist...” vetem me llafe e shpifje ashtusi, ka kenë gjithmonë per 47 vjetë dhe procedura e “drejtësisë sonë popullore” antidemokratike. Akuzat ishin ato të grupit studentave të vitit 1950...

Akuza që randon Bardhin në dënimin e Tij asht gjoja “pjesmarrja e Tij në një organizatë kriminale studentore, që kerkon me rrëzue pushtetin...”

Këta veprime të dhunshme të sigurimit baheshin per me justifikue para opinjonit Shkodres, shifrat nalta të dënimeve të randa, si rasti i Bardhit, që u dënue 10 vjetë burg, me punë të detyrueshme nder kampe shfarosje.

Vendimi i dhanun me 19 Tetor 1955 nga gjykata e Shkodres, u aprovue me 23 Nandor 1955 nga Gjykata e Naltë në Tiranë, me kryetar Mustafa Qilimi, dhe antar Hilmi Telegrafi dhe Sotir Spiro, tue firmosë origjinalin.

Pafajsia e Bardh Shirokës vertetohet nga lirimi i Tij mbas 7 vjetësh burg, me 24 Gusht 1962. Sikur akuzat ndaj Tij të kishin vetem një rresht nder të gjitha fletët të vertetë: Bardh Shiroka nuk delte nga burgu as mbas 20 vjetësh tue Ju persëritë dënimet nga 20 e 25 vjetë, mbas dënimit të parë. Kjo praktikë asht ndjekë me disa mija vetë të ridënuem nder burgje.

Bardhi ka folë dhe ka shkrue rusisht, italisht, greqisht, latinisht dhe, në burg ka mësue edhe anglishten në mënyrë të persosun.

Bardh Shiroka (28 Shtator 1932 – 10 Maji 2006), ishte nder figurat ma të nderueme të inteligjencës së qytetit të Shkodres, gja per të cilen, kur  unë në vitin 1991, ishe në kryesinë e BSPSH, dhe kerkova nga Nenkryetari i Këshillit të Ministrave të Qeverisë provizore, zotni Gramoz Pashko, formimin e “Shoqatës së të Perndjekunve Politik të Shqipnisë”, gja që Ai e aprovoi mbrenda 4 ditësh dhe, na njoftoi nga Tirana per zgjedhje të një Kryetari, unë ju drejtova Bardh Shirokës, tue Ju lutë me marrë atë detyrë. Bardhi nuk e pranoi, tue u justifikue me gjendjen shndetsore jo të mirë. Atëherë me që nuk i lente gja mangut Bardh Shirokës, qytetari po aq i njoftun Lin Martini, Ju drejtova Atij, tue rikujtue edhe një thanje të At Mëshkallës per Te: “Nder të rijtë e burgosun aso kohe në Burrel, asht kenë dallue me gisht per qendrimin e tij Lin Martini!” Kjo ishte garanci e plotë per detyren që po i kerkojshe. Me vështirsi e pranoi, tue Ju lutë edhe Karlet Luka, Dedë Gjonmarkaj. Dhe, Emni i Linit mbeti i nderuem!

Arsyeja e vertetë e kundershtimit Tyne, nuk ishte se Ata nuk e donin që të formohej ajo Shoqatë, po ishin shumë pesimistë per drejtuesit e Shtetit...

Sot mbas gati 30 vjetësh... Kur asnjeni nuk jeton ma, u mundova me Ju rikujtue Popullit të Shkodres Emnat e Nderuem t’ Atyne Burrave, që nuk e dij a i vijnë ma Asaj Shkoder... Vertetë që Ata vuejtën si Krishti, po në Themelet e Rozafës, Ata shkruene Emnat e vet me shkronja t’ arta!

Nderim e Lavdi të Perjetëshme kujtimit t’ Atyne Burrave..!

Melbourne, 14 Gusht 2020.