Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bajame Hoxha - Çeliku: Një jetë e pathyer

| E marte, 18.08.2020, 07:56 PM |


NJË JETË E PATHYER

NGA BAJAME HOXHA-ÇELIKU

Po rritesha duke prashitur, duke vaditur dhe duke hapur kanale vaditës nën trysnin e diktaturës, por në kujdesin dhe dashurinë e vajzave të internuara, që ishin heroina, ishin modeli i edukatës dhe kulturës shqiptare: Kristina Markagjoni, Fatime kolgjini, Lajde Mirakaj, dhe Flora Ndreu.

Që nga mbiemrat, secili prej jush të dashur lexues, nuk e ka të vështirë për të gjetur e njohur prejardhjen e tyre fisnike.

Katër vajzat ishin rritur dhe formuar internimeve, me një kulturë e me një edukatë të thellë, aq sa për t’i pasur zili dhe një profesor universiteti. Dhe unë, që isha vetëm 11 vjeçe, e dalloja fisnikërinë e tyre dhe gjithmonë i ndiqja si manare nga pas.

Unë dalloja virtyte të larta dhe gjeja tek ato atë forcë të brendshme me cilësi të larta morale, që një fëmijë në rritje i ka të domosdoshme për edukimin dhe formimin e karakterit të tij. Dhe ato me bujari më mbajtën shumë pranë dhe pa u kursyer më dhanë ç’kishin më të shtrenjtë nga vetja.

Pra, edukimin dhe karakterin e fort e të pathyeshëm, përveçse trashëgimisë nga prindërit e mi të shtrenjtë, e sidomos nënës sime, e cila është munduar me gjithë shpirt të më bënte të fortë e të paepur para çdo stuhie, pjesën tjetër të vlerave e kam prej atyre sokoleshave.

Kur mbusha 14 vjeç më çojnë për të mbledhur pambuk të njomë larg në fushat e gjëra e të largëta vetëm me Kristina Markagjonin.

Punuam gjithë ditën e lume nëpër baltë. Çizmet e çara dhe këmbët tona të regjura nga lagështia na fundosnin gjithnjë në thellësi të baltërave të Myzeqesë.

Por ne ishim të kalitura të punonim e të mbijetonim në kushte të vështira e barbare, por gjithmonë me personalitet e kryelartë. Dhe pa rënë ende tisi i mbrëmjes, lidhëm grykët e thasëve, që peshonin nga 40 kg dhe që na duhej t'i nxirrnim nga një km larg te rruga ku hynte mjeti. Por, për t’i nxjerr deri atje, që ishte shumë e vështirë, sepse duhej t’ia ngrinim njëra - tjetrës në sup, se tjetër rrugëzgjidhje nuk kishim.

Në fillim, më tha Kristina:

- Ma ngri thesin, Arixhofkë! (kështu më thërrisnin në përkëdheli, se dielli më bënte shumë ezmere)

Unë ia ngrita thesin me vështirësi, por kur ajo bëri nja tre hapa, për të bërë një shaka, ia shtyva thesin dhe ai ra për tokë. Ajo, megjithëse e lodhur teje mase, më thotë:

- Ngrima edhe njëherë, Arixhofkë! Na u këputën zorrët...

Dhe sakaq u përkul e unë ia ngrita. Përsëri pas disa hapeve ia rrëzova thesin. Ajo s’u përmbajt më, po me një shpejtësi të madhe dhe me të drejtë ma ndezi një dackë mjaftë të fortë. Unë nuk u ndjeva, por sytë më lëshuan xixa dhe lotët më shkuan ujë. Aty pashë dhe lotin e saj, që rigoi e u përzien me lotët e mi.

Duke fshirë lotët e saja me shami, më drejtohet me gisht:

- Dëgjo, Arixhofkë! Nëse ka njeri që do të më futi mua në burg, je vetëm ti! Ti, që unë të dua kaq shumë! Hallën time, një shoqe që halla e donte fort, e futi në burg. Tani ngrima  thesin!

Një ofshamë e thellë më përfshiu dhe para syve më shfaqeshin vetëm xhelatë. S’mu desh shumë për të kuptuar se gurin e Sizifit e kishim ngritur ne dhe po vazhdonim ta ngrinim për ditë e askujt nuk i vinte keq. Por ja, kishte dhe më keq se kaq, ajo e tmerrshmja: mbyllja hermetike, që po e provonin shumë fatzinj e fatzeza me dekada.

Katër vjet më vonë.

Ishte kohë e fletërrufeve dhe na kishin nxjerrë në fletërrufe grupin tonë prej gjashtë vajzash e grash, sikur ndiqnim modën, ndërsa ne s’kishim tjetër përveçse një fustani basme, që sa e lanim, e thanim, e hekurosnim dhe e vishnim.

Kristina, e konsultuar me familjen, Dedën e Gjonin e hallat e veta, bën një autokritikë dhe e ngjit te shtylla pranë fletërrufesë në muzg ku dhe u shkëmbye me mua rastësisht: ajo duke  u kthyer, e unë me motrën 12 vjeç,  duke shkuar për të vendosur jo një autokritikë, por një kritikë ndaj vajzave komuniste, e duke i zënë ato me emra. U përshëndetëm me Kristinën, ku unë, si e “ mençur “, i hoqa vërejtje për autokritikën dhe u ndamë.

Të nesërmen, sa u kthyem nga puna, u kuptua se kishte rënë rrufeja në kamp. U lajmëruam për një mbledhje urgjente, ku duhet të merrnin pjesë me detyrim të gjithë të internuarit.

Unë nuk shkova. Por, pas më shumë se një ore, erdhi e më thirri te shtëpia një ekonomist, me sebep se askush nuk duhej të mungonte.

Errësira ishte e qetë. Ime motër 12 vjeçare, që më kishte shoqëruar një natë më parë, çuditërisht po vinte pas meje. Unë i bërtita, por ajo nuk u praps, edhe pse unë e urdhërova që të kthehej. Në këto momente ndërhynë ekonomisti, dhe thotë:

- S’ka gjë, le të vijë dhe ajo.

Rrugët jo vetëm të baltosura, po aq dhe të trembura ishin atë natë marsi 1997. Gjithçka dukej e shkretuar. Këmbë njeriu nuk u ndie gjatë rrugës, që nga shtëpia ime, e deri te kinemaja e kampit, ku po zhvillohej mbledhja ogurzezë afro dy orësh.

Nja pesë metra para se të hynim brenda, dëgjova se dikush më thirri tinëz:

- Bajame, ndalu pak!

E njoha zërin në terrin e natës së muajit mars. E ndala hapin me vështrim nga erdhi zëri, por pa mundur të dalloja asnjë siluetë, se dritat e zbehta të rrugës i kishin fikur krejt atë natë të nxirë.

Duke dëgjuar zërin e njohur të kapiten Llazar Gogos, mu kujtua kazerma famëkeqe e grave të internuara, ku ai vinte shpesh kur unë isha fëmijë. U futa përnjëherësh në atë botë të thellë të dhimbjeve fëmijërore, ku s’kishte natë të mos kisha dëgjuar rënkime dhimbjesh. Shikoja aq e vogël dhe lotin e tyre e të nënës sime, që pikonte nga sytë e bukur e të pafajshëm. Kisha parë duke u dridhur, dhe lotin e ofshamat e vajzave të reja, liria e të cilave qe mbyllur në shtatë çelësa përjetësisht. Kisha parë...eh, ç’kisha parë...!

Sakaq zëri i butë i kapitenit më shkëputi fillin e  ngjarjeve të mia të tmerruara. Duke mu mësuar sytë me errësirën, munda të dalloja nja gjashtë silueta të tjera të heshtura, por që fytyrat nuk më interesuan t’i njihja. Dhe duke më marrë me të mirë, nisi të më pyesë për vështirësitë, që kishim kaluar duke u rritur pesë fëmijë jetim veç me  nënën, në kushte të mjerueshme kampi. Dhe duke u përtypur, sikur s’dinte nga t’ia niste, më pyeti:

- E di pse të kemi thirrur?

-  Jo, nuk e di! Por mendoj, pse mbledhja nuk mund të mbyllej pa mua?

Ç‘duhem unë këtu?

- Ne të kemi thirrur se ti je bija jonë, vajza jonë e s'duhet të shkosh dëm. Këtej e tutje duhet të punosh vetëm me vajza tona të lira, e kurrë më me të internuarit.  Këtu në Savër janë mbledhur të gjithë armiqtë e Shqipërisë e ti  s'je një lloj me ata.  Ti nuk je armike e popullit e as familja jote si ata që janë aty brenda, - dhe bëri me dorë nga dera e kinemasë. -Do të të heqim nga puna e rëndë, nuk do të punosh më me kazmë e lopatë e në baltë deri në gju, mbaroi për ty vuajtja. Që nesër do të emërohesh edukatore në kopsht, pastaj mësuese në arsim, se do të krijohen kushtet e një arsimi të plotë. E sa e sa të tjera të mira do vijnë më pas për ty dhe familjen tënde...

Premtime e fjalë të ëmbla po dëgjoja prej gjysmë ore, që s'm’i kishte dëgjuar veshi kurrë më parë! As atëherë kur më pikonin këmbët e duart gjak dhe që e dija, se do të vazhdonin të më pikonin edhe në të ardhmen.

Eh, i thashë vetes, qëndro! E përfytyrova veten në mes të asaj rruge në hyrje të kampit, që ndante dy klasat. Majtas ishin barakat e të internuarve e djathtas ishin të lirët. Në dorën e majtë po mbaja fort të internuarit e në të djathtën të lirët. Të gjitha vendimet e pozicionit tim të ardhshëm ia lashë ndërgjegjes sime, që të vendoste vetëm ajo. Cila të peshojë më shumë nga të dy palët, me ata do të bëhem, -më foli ndërgjegjja ime, që tashmë ishte forma më e lartë e një realiteti objektiv dhe subjektiv. Vura re dhe e ndjeva thellë shpirtit atë peshë inteligjence dhe kulture, që e gjeja vetëm te të internuarit dhe unë mes tyre, e ulur këmbëkryq, kuvendoja dhe dëgjoja. Prandaj, dora e majtë peshonte shumë më tepër dhe i thashë vetes: unë u përkas të internuarve me të cilët më lidh botëkuptimi i ngushtë, bota shpirtërore dhe që kam ndarë halle e brenga të pafund. Unë kisha qenë dhe do të mbetesha ajo vogëlushja, ajo arixhofka e tyre!

Më lindi dhe ironia e hollë brenda heshtjes sime. Do të dëshiroja t’i vija në lojë dhe i vura, madje po tallesha me ta, me synimin e tyre të kobshëm. Ua, ua, ua! Pas kaq vitesh të tmerrshme u vjen keq për mua?! Ç’hipokrizi! Si është kjo botë!! Si në përrallat që sajoja çdo mbrëmje e ia tregoja vëllait tim të vogël, që s’rrinte urtë. Me përjashtim të rasteve, kur i tregoja përralla, ai gjente kënaqësi dhe dëgjonte me vëmendje. Dhe unë çdo mbrëmje isha e detyruar t’i sajoja një përrallë të re, deri te lotët e krokodilit.

E paskan një hall sot që duan ta kryejnë me mua. Por këta nuk e mendojnë dot kurrë, se vërtet sapo kam mbushur moshën 18 vjeç, por hallet e vështirësitë më kanë pjekur para kohe, e më kanë dhënë 50 vite mbi supe.

Zot! Vetëtimthi, në fraksion sekonde, m’u rishfaq përsëri e mrekullueshmja vajzë, e papërsëritshmja, Kristina e bukur, me sytë e kaltër si biluri, duke më thënë:

- “Dëgjo Arixhofkë! Nëse ka njeri, që do të më futi mua në burg je vetëm ti! “. Këto fjalë më drodhën, më kaluan si thikë nëpër mend e më shpuan zemrën dhe lotët e saj po i shihja përsëri. Por me zërin e dashurisë dhe të heshtjes, i çova besën:

- Jo Kristina, jo! Arixhofka nuk të fut ty në burg...dhe askënd!

Dhe në ato momente bekova gabimin tim të bërë katër vite më parë. Sa për të mirë kishte ndodhur ajo histori e dhimbshme! E kapa situatën! Brenda, e ngujuar dhe e ngritur në këmbë, po akuzohej Kristina e pafajshme, e bija e Gjonmarkagjonëve. Pritej vetëm deponimi im, pritej dëshmitarja 18-vjeçare, që të dënonte edukatoren e saj, të cilën e donte aq shumë. Isha gati të vija duart në kokë e të ulërija sa mundja, gjersa të dëgjonte e gjithë bota, por mendja mori kthesë tjetër:

- Unë po futem brenda, - u thashë e revoltuar dhe u nisa me trimëri të shpëtoja Kristinën nga kthetrat dhe kurthi i tyre. Por kapiteni nxitoi dhe më preu rrugën, duke më kapur për krahu:

- Dale, dale, - më tha- Do të futemi të gjithë së bashku... Ti e do partinë apo jo? Partia ka nevojë sot për ty, e ti për partinë. Dëgjo këtu, Bajame, ne kemi për të lexuar diçka në mbledhje, dhe kërkojmë prej teje vetëm një gjë të vogël, vetëm një "po" . Ne do të pyesim ty, pasi të lexojmë diçka: Është e vërtetë kjo, Bajame? E ti do të thuash në të gjitha rastet vetëm: po, po, po, e thjeshtë fare. E nesër e tutje puna e rëndë mbaron për ty. Do të shkëputesh përfundimisht prej të internuarve e do të fillosh një jetë të re, edukatore në kopsht, pastaj mësuese, siç e thamë.

- Futemi tani! - u them me ton të prerë e të ashpër.

- Je e sigurt, që do të thuash ato që të kërkon partia?

- Po,- i them- unë u jap fjalën se aty brenda nuk do të gënjej. Shoku Enver Hoxha më ka mësuar të mos gënjej, por gjithmonë të them: “ të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”. Lexojeni, është e shkruar në beze dhe është vendosur mbi derën e kinemasë dhe ia tregoja me gisht.

Po më rritej urrejtja me përmasa galoponte për atë kapiten dhe për sistemin e tij të fëlliqur. Mblodha veten dhe u kujtova, që motrën e kisha pas shpine.

Kthehem me vrik nga ajo dhe pasi e qëllova me një dackë, e kapa për flokësh dhe e shkunda: Fol, ke gënjye?! Kanë qenë sot te shkolla jote, këta? Të kanë qëlluar? Të kanë bërë presion, se do të mbesnin në klasë? Të kanë detyruar? Të kanë mësuar se çfarë duhet të thuash në mbledhje?

Ajo qante dhe pohonte. Atëherë kthehem nga ata, dhe me një përbuzje e neveri të tejskajshme, u them:

- Turp të keni! Keni shkuar në shkollë dhe keni tmerruar një fëmijë 12 vjeç. I keni bërë presion psikologjik dhe e keni qëlluar. Ja ku po ua them unë:

- Fletërrufenë e kam shkruar unë e jo Kristina Gjonmarkagjoni. Pushka top iu bëftë! Tani, po të doni, futemi brenda!

- Shporru! Nuk kemi nevojë për ty, shporru! - gërthiti dy herë me nerva të ngritura e tepër i zhgënjyer kapiteni.