| E hene, 17.08.2020, 08:00 PM |
INDIFERENTIZMI I SHQIPTARËVE NDAJ NËNË TEREZËS!?
Nga
Frank Shkreli
Disa
ditë më parë shkrova një artikull për shqiptaro-amerikanin Lekë Gojçaj i cili
ndërroi jetë javën që kaloi në Nju Jork, për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë
e tij prej bamirësi, përfshir, ndër të tjera, edhe ndërtimin e disa shtatoreve
të Nënë Terezës, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Në librin e tij, “Shtatoret e
Përjetësisë”, Lekë Gojçaj flet për sponsorizimin (me vëllain e tij Pashkon) të
disa shtatoreve kushtuar Shenjëtreshës Nenë Terezës, në trojet shqiptare dhe në
Amerikë. Këtë, vëllëzërit Gojçaj e bënë
si pjesë e përpjekjeve të tyre për t’ia bërë të njohur këtë bijë të dalluar të
Kombit Shqiptar, një bote të dyshimtë e cila ende nuk e njihte origjinën e saj
shqiptare si duhej, ose e njihte bazuar në keq identifikime dhe në
informacionin që sot konsiderohet si “fake news”, që përhapej nga sllavët e
jugut dhe të armiqëve historikë të Kombit shqiptar. Nga libri nuk është krejtësisht e qartë se
pse ata nuk ndërtuan një shtatore kushtuar Nenë Terezës në Shqipëri.
Megjithkëtë,
duhet thenë prej fillimit, se Shqipëria vërtetë e ka nderuar Nenë Terezën me
një ditë kushtuar asaj –Dita e Nenë Terezës – e shpallur festë publike. Aeroporti i Tiranës, mban emrin, Aeroporti
Ndërkombëtar Nenë Tereza, sheshi i dytë më i madh në Tiranë, quhet Sheshi Nënë
Tereza dhe spitali më i madh civil në Tiranë mban gjithashtu emrin e saj. Prandaj ka giasë që indiferentizmi ndaj
statujës ose statujave të saj në Shqipëri është më shumë një pa kujdesje, ose
një braktisje e përgjegjësive nga entet përkatëse qeveritare, që shfaqet edhe
ndaj shumë monumenteve historike të personaliteteve të tjera shqiptare (por jo
ndaj monumenteve të huajve në Shqipëri).
Sidoqoftë,
edhe në Shqipëri ka dy shtatore të Nenë Terezës të sponsorizuara, me sa dijë
unë, nga autoritetet shqiptare. Njëra
shtatore e Nënë Terezës ishte vendosur, fillimisht, në një skutë pranë
universitetit të Tiranës dhe në sheshin që mban emrin e saj në kryeqytetin
shqiptar. Gjithmonë kur vizitoja
Tiranën, gjatë viteve, nuk hezitoja të shkoja andej pranë universitetit për të
parë, “gjëndjen e Nënë Terezës në Atdheun e saj”, gjëndje e cila nuk
ndryshonte, nga viti në vit, ashtu e “veshur” me shkurret që e rrethonin dhe
nuk ndryshonte as për nga indiferentizmi i hapët që tregohej ndaj asaj shtatorjeje,
që ishte vendosur në një skutë që mezi shihej nga kalimtarët, por në qendër të
Tiranës. Për t’i ra shkurt bisedës,
kishte edhe një përmendore tjetër të Nënë Terezës – ajo që ishte vendosur në
hyrje të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës.
OK, busti që ishte tek universiteti, i ç’vendosur prej atje është
vendosur në hyrje të aeroportit ndërkombëtar në Tiranë -- se dikujt nuk i
pëlqente ajo statujë që ishte vendosur aty më parë. Atëherë, ajo statuja gjigante e Nenë Terezës
që dominonte hyrjen tek aeroporti Rinas (më vonë aeroporti Nënë Tereza), është
ç’vendosur prej aeroportit, për t’i lëshuar vendin statujës së Nënë Terezës që
ishte pranë Universitetit të Tiranës. Në këtë ndërkohë, për një periudhë, duke
mos ditur ç’të bënin me të, statuja e aeroportit ishte hedhur në një depo, së
bashku me disa statuja të kohës së komunizmit.
Por
saga e kësaj statuje nuk mbaron këtu.
Kërkoj ndjesë nëse e konfuzova lexuesin. Nuk di nëse e shpjegova si
duhet deri këtu, po qëndroni gjithnjë me mua, i dashur lexues? OK. Statuja që ka qenë në Rinas nxirret më në
fund nga depoja ku ishte hedhur dhe transportohet nga Tirana në Qafë Thanë, në
kryqëzimin e rrugëve mbi liqenin e Pogradecit, ose liqenin e Ohrit, ku qendron
edhe sot. E tani, kemi ardhur,
pikërisht, tek subjekti i këtij shkrimi.
Siç
duket, të frymëzuar nga dy shkrimet e fundit që kam bërë për Nenë Terezën: nga
vlerësimi i librit të Prof. Gëzim Alpion mbi Nenë Terezën, muajin e kaluar
https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-shenjteresha-dhe-kombi-i-saj-e-autorit-dr-gezim-alpion/,
dhe nga shkrimi disa ditë më parë mbi librin e Lekë Gojçajt për Shtatoret e
Përjetësisë,
https://telegraf.al/opinion/nderroi-jete-leke-gojcaj-i-shtatoreve-te-perjetesis
-- kanë nxitur lexuesit të më dërgojnë komente dhe foto nga vendi ku është
vendosur përmendorja e Nenë Terezës, në Qafë Thanë, pasi, thanë ata, shpesh
kalojnë nga kjo rrugë ku është vendosur Përemendorja e Shenjtëreshës
shqiptare. Fotot flasin për një
braktisje të dukshme dhe mungesë kujdesjeje nga entet qeveritare që janë
përgjegjëse për monumente të tilla të kulturës shqiptare, përfshir
Kryeministrinë, Ministrinë e Kulturës, Bashkinë e Prenjasit, e tjera.
Lexuesit,
që kalojnë andej shpesh, janë të revoltuar se përemendorja e Nënë Terezes e
vendosur në atë kryqësim rrugësh, madje as nuk identifikohet me emrin e saj, as
edhe me ndonjë thënje identifikuese të saj. Sugjerim: “Gjithmonë, shpirtërisht,
jam e lidhur me uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të
vështira…”, është shprehur Nënë Tereza siç sugjeron edhe titulli i librit, “E
kam në zemër popullin tim Shqiptar”, sipas biografit të Nënë Terezës, të
Përndershmit Dom Lush Gjergjit. “Shumë
luti Zotin që paqja e Tij të vijë në zemrat tona, në të gjitha familjet tona
dhe në të gjithë botën”, ka shkruar me një rast, Nënë Tereza, sipas Librit “E kam në Zemër Popullin tem
Shqiptar—Bisedime me Shën Nenën Tereze”, të Dom Lush Gjergjit.
https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-e-kam-ne-zemer-popullin-tem-shqiptar/ Aty qendron busti i Nënë Terezës, i vendosur
ku kryqësohet rruga për në kufi midis Maqedonisë e Shqipërisë – ashtu pa emër
dhe pa identitet. “Aty Nënë Tereza,
vazhdon të duket si një punonjëse trafiku.
Dikush që nuk e di kush është, vështirë të besoj se ajo është Nënë
Tereza”, më shkruan i zemëruar një lexues nga Shqipëria që kalon andej shpeh
dhe vazhdon: “Nuk ka emër, bari është i djegur e shpesh era hedh në këmbet e
saj mbeturina e qese. E trishtë por e
vërtetë! Nuk di, nuk di ta
shpjegoj. Ndërkohë që ruajmë monumente
të emrave që nuk njohim apo që kanë dëmtuar Shqipërinë...nuk dimë të
respektojmë ato që realisht e lartësojnë këtë vend”, shkruan lexuesi, me të
drejtë i acaruar për ato që ka parë.
Sipas
rrugëtarve, statuja e Nënë Terezës është vendosur pranë rrugës majtas që të
drejton për në kufirin Shqipëri Maqedoni e Veriut, për të shkuar në Pogradec e
më tej në kufirin me Greqinë duhet të marësh drejt, shkruajnë lexuesit. Këtu ngrihet, sipas tyre, busti i Nënë Terezës
që duket sikur i jep bekimin e saj kujdo që kalon aty. Ata e përshkruajnë shtatoren aty, të rrethuar
vetëm nga një bar i thatë e disa bimë shkure, mbeturinat janë hedhur sa andej
ketej. “E trishtë, por e vërtetë”, shprehet lexuesi, duke shtuar se, “Nuk besoj
se kjo gjë ndodh në ndonjë vend tjetër të botës. Çdo vend tjetër do krenohej me këtë figurë që
nuk ka ngurruar kurrë të thotë që ka gjak shqiptari!”
Vërtetë
e trishtë gjëndja e shtatores së Nënë Terezës në Qafë Thanë. Qendron atz, e braktisur nga entet e kulturës
shqiptare, pa emër e pa identitet! Si e huaj, megjithëse në vend të vet! Trishtues është indiferentizmi dhe mos
kujdesi për monumente të tilla kombëtare, anë e mbanë Shqipërisë. Duhet të jemi të sinqert, se megjithëse
trishtohemi kur shohim monumentin e Nenë Terezës në këtë gjëndje, për fat të
keq edhe monumente të tjera në Shqipëri, nuk trajtohen shumë më mirë se ai i
Nënë Terezës në Qafë Thanë. Për këtë
indiferentizëm ndaj personaliteteve shqiptare, siç është Nënë Tereza dhe për
mos kujdesje ndaj kulturës dhe personave që përbëjnë identitetin dhe historinë
e Kombit Shqiptar, dikush duhet të jetë përgjegjës, qoftë në nivel qendror,
qoftë atë vendor. Të pakën, në këtë
rast, por edhe në përgjithësi, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për të
pastruar vendin për rreth përmendores, që sipas fotografive bashkangjitur këtij
artikulli të marra nga vendi, para 4-5 ditësh, statuja duket krejtësisht e
braktisur, pranë një rruge që tërheq turistë vendas dhe të huaj. Nga fotot, nuk
më duket një pamje që i jep nder Shqipërisë dhe as nuk nderon shqiptarët kudo
që jemi dhe aq më pak Nënë Terezën, këtë figurë të madhe, që siç u shpreh edhe
një lexues, që çdo vend tjetër do të ishte krenar ta kishte.
Jeta
në të gjallë e Nënë Terezës ishte një jetë sakrificash të mëdha, pa bujë e në
ndihmë të njerëzve në nevojë. Ndaj edhe
nëse fondet për lule apo germa bronzi mungojnë për të identifikuar Nënë Terezën
në Qafë Thanë(!!!) emri i Nënë Terezës mund të shkruhet edhe me një grusht
gurrësh të mbledhur, aty pranë, në zallin e liqenit. E kjo nuk do kërkonte asnjë shpenzim -veç
zemrës së bardhë, dashurisë e një vullneti të mirë. Në kryqëzim të kufijve, ajo qendron shumë
bukur aty, por pakkush nga të huajt apo edhe të tjerë e dinë se kush është. Në
minimumin, vendosja e emrit për ta identifikuar Nenë Terezën është detyrim,
është respekt për veten por edhe për misionin e Nënë Terezës, një mision fisnik
që duhet të vazhdojë.