 |
Fatmir Krasniqi |
FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI
FATMIR KRASNIQI
Në Okllap, fshat malor ky afër Janjevës së Lypjanit, pikërisht para dyzet vitesh lindet Fatmir Krasniqi. Në kohën kur ky ishte fëmijë dhe më vonë, konstrukcionet metalike nuk përdoren fare në këto anë për ndërtim banesash etj. Dhe prindërit e tij, as që mendojnë ndonjëherë në jetë se djali i tyre do të punojë me hekur, si është shtrirja e armaturës në ndërtim banesash e godinash të mëdha, madje në Holandë e Gjermani. As që mund ta merrnin me mend se ai do të sillte mijëra tonelata hekur në Kosovë. Ata me forcat e veta nga ekonomika bujqësore e blegtorale do të shkrihen që fëmijët e tyre të bëjnë pak shkollë, sa për t’u bërë zot të vetvetes, sa për ta pasur nga një punë jo të mundimshme. Kështu bëjnë edhe për Fatmirin, i cili me mësim të vazhdueshëm, pas mbarimit të shkollës së mesme në Lypjan, vazhdon dhe me sukses e kryen Shkollën e Lartë Pedagogjike, Drejtimi i Matematikës në Universitetin e Prishtinës dhe menjëherë punësohet në Shkollën fillore “Faik Konica” të Prishtinës, arsimtar i matematikës. Meqë të ardhurat e arsimtarit edhe në vitet tetëdhjetë ishin të vogla, ai afrohet gjithnjë e më afër shtëpisë me punë. Pas pak kohe kalon në Shkollën fillore “Emin Duraku” të Banullës, e më pastaj në Janjevë. Këtu punon deri në vitin 1992. Mirëpo, siç dihet, aso kohe pushteti serb vjen duke e shtrënguar rrethin në çdo pore të jetës, e më së shumti në arsim. I gjendur para sfidave të rënda, Fatmir Krasniqi, kalon kufinjtë dhe kërkon strehim politik në Gjermani, sa për t`iu shpëtuar përndjekjeve policore dhe për të punuar pak, në mënyrë që ta ndihmojë familjen shumanëtarëshe në Okllap. Por punët rrjedhin ndryshe. Nuk shkojnë aq shpejt si ka menduar në Kosovë. Fillon të punojë gradualisht dhe duke marrë dije në fushën e ndërtimit, e sidomos në shtrirjen dhe lidhjen e armaturës, pra thënë më shkurt, në fushën e armirimit. Në vitet nëntëdhjetë në Gjermani kjo punë paguhej mirë dhe Fatmiri, me sukses e ndihmon familjen në Kosovë, duke e ngritur njëkohësisht edhe ekonominë familjare në një kohë kur gjithçka ishte rrëzbitur. Gjatë kohës së kërkesës për strehim politik, i bie të ndërrojë disa vendbanime në Gjermani, si në Villish, Oberhausen, Merbush dhe Krefeld. Po aty, fati e don që të takohet me një vajzë nga Sodovina e Muhaxherëve, që edhe ajo ishte me familje në Gjermani. Kështu Fatmirin dhe Hidajeten i lidh një dashuri e madhe në mërgim, ku edhe martohen. Tash jetojnë në Krefeld me fëmijët e tyre Ardianën, Leutrimin, Fitimin dhe Dritonin të cilët vazhdojnë shkollimin.
Por cili është çelësi i suksesit. Fatmir Krasniqi fillimisht punon në ndërtimtari, por për një vit arrin t’i lexojë planet e ndërtimit dhe t’i zbatojë ato në praktikë, ku prej armiruesit ndihmës bëhet armirues i kualifikuar me licencë gjermane. Pas përvojave të shumta, ai më në fund vendos ta hapë firmën e vet private, po në fushën e armirimit dhe këtë e bën më 2003. Fillimi i punës bëhet mbarë dhe fillojnë t’i radhiten sukseset. Por si dihet, suksest kërkojnë zgjerim dhe Fatmir Krasniqi, gradualisht vjen duke e zgjeruar firmën, e cila më vonë me emrin “FK Eisenverlegung” merret me shtrirjen e armaturave në ndërtim urash, ndërtime të larta dhe ndërtime të thella, pra pjesë nëntokësore të ndërtimit. Në vitin e parë nis me 3 punëtorë për të arritur deri në 5 sish. Dy vite më vonë numri i punëtorëve shtohet dhe arrin në 40, ndërsa puna merret nga shumë firma eminente gjermane të ndërtimit. Mirëpo kohët e fundit, Fatmir Krasniqi ekskluzivisht merr punë në Holandë, duke e zgjeruar edhe harkun e fitimit, por edhe të autoritetit afarist në bashkëpunim me ndërtimtarë të ndryshëm evropianë.
Kur e pyesim për investimet në Kosovë, Fatmiri me kënaqësi rrëfen se deri tash në vendin e tij ka investuar rreth një milion euro, qoftë në ekonominë familjare të tre vëllezërve që i ka atje, qoftë në ekonominë e vet. Kështu në qytetin e Lypjanit, ai ka ngritur një godinë grandioze me gjashtë banesa dhe me një garazh nëntokësor prej 300 metrash katrorë. Vëllait të madh i ka blerë shtëpi në Janjevë. Ai është mësues atje. Ndërkaq dy vëllezërit më të vegjël i ka inkuadruar në shitjen e armaturës që në Kosovë e dërgon nga Gjermania. Kur dihet se Kosova tashmë është bërë poligon i madh ndërtimi, edhe armatura ka treg të volitshëm këtu, që Fatmirit i ka sjellë fitime të mira. Ai pretendon në zgjerimin e firmës, e sidomos në bashkëpunim me disa afaristë gjermanë të kësaj fushe, të blejë diçka nga Kombinati i Metalurgjikut në Elbasan, por edhe fabrikën e armaturës në Zenicë të Bosnjes. Fatmiri nuk i frikësohet dështimit. Ai sukseset i radhit me punë të madhe, me korrektësi ndaj partnerëve, qofshin ata ndërtimtarë apo tregtarë. Ai nuk don t’i përmend ndihmat dhe investimet në institucionet e Kosovës, që dikur i ka bërë pareshtur, varësisht prej situatave nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Ndihet i turpëruar të thotë se i ka ndihmuar vendit të vet. Këtë e merr detyrë patriotike nga e cila nuk duhet të ikë askush.
Fatmir Krasniqi, nuk do të mbetet emër që ka ngritur vetëm ekonominë familjare. Jo fort larg, ai do të bëhet emër i njohur edhe në ekonominë e gjithmbarshme kombëtare, duke shënuar suksese të mira dhe duke punësuar të rinj. Investimet e tij tashmë kanë filluar të lëshojnë shtat edhe në Kosovë, aty prej nga është nisur udhëve të botës.