| E diele, 09.08.2020, 09:18 PM |
EQREM ÇABEJ
Historia
e një gjuhe është histori e atij populli
Nga
Xhelal Zejneli
Eqrem Çabej (Gjirokastër, 1908 – Romë, 1980) është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë së re shqiptare. Lindi në Gjirokastër, më 7 gusht 1908, ndërsa vdiq në Romë, më 13 gusht 1980. Në Romë kishte vajtur për t’u mjekuar nga një sëmundje e rëndë. Në periudhën kur jetoi Çabej, populli shqiptar përjetoi ngjarje nga më të rëndësishmet të historisë së tij shumëshekullore në trojet e veta në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit.
Mësimet e para i mori në
Gjirokastër. Në vitin 1921 atje mbaroi shkollën qytetëse. Duke qenë se këtë
shkollë e mbaroi me sukses të shkëlqyer, fitoi të drejtën e një burse të dhënë
nga Prefektura e Gjirokastrës, për të vazhduar shkollimin e mesëm dhe studimet
e larta jashtë Shqipërisë. Sikundër të rinj të tjerë shqiptarë, edhe Çabej mori
rrugën e mërgimit, në kërkim të diturisë.
Në kujtimet e të nipit
Dragush Çabejit, aty nga viti 1967, midis tjerash thuhet: “Çabej kishte
shumë mall për Gjirokastrën. Në prill të 1967-s e prita sa erdhi. Zbriti te
Sheshi i Çerçizit. Qëndroi një copë herë duke parë monumentin e tij. Pastaj e
brodhi me sy të gjithë qytetin. Isha njëmbëdhjetë vjeç pa bërë. Morëm Qafën e
Pazarit. Qëndroi para shtëpisë së tij. ... Ja libraria e Nimet Karagjozit. Këtu
nxënësit e shkollës blinin libra e broshura të Buzukut, Matrëngës, Samiut,
Naimit, letërsi klasike frënge...”
Për të vazhduar
studimet, Çabej u dërgua në Austri. Ai dhe shokët e ti shqiptarë përpiqeshin të
paraqiteshin sa më mirë në atë mjedis të ri të panjohur. Ata nisën të mbanin
edhe kravata. Në fillim e patën ca vështirë derisa mësuan t’i lidhnin. Një gjë
të tillë ai e rikujtonte shpesh me njëfarë humori. Për këtë flet në kujtimet e
veta edhe gruaja e tij, Shyretja, duke e cituar Çabejin: “Ishte nata e parë
në Vjenë dhe të gjithë bashkëstudentët e mi e kishin shqetësim si do të bënin
në mëngjes të lidhnin kravatën. Unë nuk flisja, po mendjen aty e kisha. Në
mëngjes, shumica me kravata në dorë, i luteshin njëri-tjetrit për t’ua lidhur.
Kur më panë mua me kravatën të lidhur, shtangën për një çast, pastaj m’u
zemëruan që nuk i kisha ndihmuar. U qetësuan kur u fola: Edhe nuk dija ta
lidhja. Kam fjetur pa e hequr fare kravatën...”
Në Austri, para se të
hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Rainmyler,
në St. Pölten afër Vjenës, për të
mësuar gjermanishten. Ishte një familje e kulturuar dhe dashamirëse. Çabej
punoi shumë për ta përvetësuar sa më shpejt gjermanishten. Me zellin e madh dhe
me sjelljen shembullore la përshtypje shumë të mira. Familja që e strehoi për
një vit, me Çabejin dhe me familjen e tij mbajti lidhje të vazhdueshme.
Nga një letër e
82-vjeçares Eli Rainmyler dërguar vajzës së profesor Çabejit në
vitin1977, midis tjerash thuhet: “... një ditë djemtë (nga Shqipëria)
erdhën. Burri im, me shikimin e tij prej njohësi, zgjodhi Eqrem Çabejin. Ishte
një djalë trim dhe im shoq i gëzohej shumë nxënësit të vullnetshëm. Na duhej ta
nxirrnin me zor në kopsht djalin, që s’ndahej dot nga librat. Pas disa
vjetësh, kur e dha provimin e pranimit për në klasën e pestë të gjimnazit,
ndërsa profesori i gjermanishtes pas pak kohe konstatoi se Çabeji ishte më i
miri i klasës, ne të gjithë ishim krenarë për të...”
Pas një vit qëndrimi në
St. Pölten për të mësuar
gjermanishten, Çabej i mori njëherësh dy klasa të gjimnazit që e mbaroi
shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë.
I ati, një gjykatës i
diplomuar në Dar-ul-Hukuk të Stambollit, e këshilloi të birin të vazhdonte
universitetin për mjekësi. Por Çabeji dëshironte të bëhej gjuhëtar. I
ati ia ktheu prerazi: “Gjuhësia është për pasanikët, kurse neve na duhet një
zanat që të na sigurojë jetën”. Djali, “i bindur”, u regjistrua në
Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Romës. Këtu shkonte në bibliotekat
romane dhe më fort studionte vepra gjuhësore e letrare.
Bashkëshortja e Çabejit,
duke parafrazuar Çabejin, tregon një detaj tjetër: “Një profesori tim një
ditë iu duk se kam shprehi për muzikore. Më propozoi që të regjistrohesha në
një shkollë muzikore. Në fillim edhe mua më pëlqente kjo ide. Vendosa t’i
shkruaja babait. Ai m’u përgjigj prerë: “Shiko shkollën dhe hiqe nga mendja
qemanen”. E fshiva nga kujtesa shkollën e muzikës. Po muzikën jo...”
Në vitin akademik
1927-1928 u regjistrua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Gracit.
Këtu ndoqi studimet për dy semestra. Pas kësaj, studimet i vazhdoi në
Universitetin e Vjenës.
Dega e gjuhësisë në
Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës kishte një traditë të çmuar.
Aty kishin punuar profesorë të shquar si: sllavistët e njohur Franc Miklosiç*
(Franz Miklosich, 1813-1891), Vatroslav Jagiç (1838-1923),
romanisti me emër Vilhelm Majer-Lybke (Meyer-Lübke, 1861-1936) etj.
Shënim: Franc Miklosiç (Franz
Miklosich, 1813-1891) - sllavist, ballkanolog dhe albanolog slloven, profesor
në Universitetin e Vjenës, akademik (Austri). Ka botuar edhe studime për gjuhën
shqipe si “Albanische Forschungen” (Hulumtime shqiptare) I, II. Për
shqipen ka shkruar edhe studime të tjera sidomos në “Die slavischen Elemente
im Rumänischen” (Elementet
sllave në rumanishte). Është autor i veprës “Vergleichende Grammatik der slavischen Sprachen”
(Gramatika krahasuese e gjuhëve sllave) në katër vëllime (1852-1875);
mbahet si themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë sllave. Ka
përkrahur tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.
Vatroslav
Jagiç (1838-1923) - gjuhëtar
me prejardhje kroate, autor i disa veprave për historinë e gjuhës dhe të
letërsisë sllave.
Vilhelm
Majer-Lybke (Meyer-Lübke, 1861-1936) - romanist me
prejardhje zvicerane. Ka botuar studimin e gjatë “Rumänisch, romanisch, abanesisch” dhe e ka ripunuar studimin e
albanologut austriak Gustav Majerit (Gustav Mejer, 1850-1900) “Die
lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet latine në shqip).
Majer-Lybke është autor i veprës madhore “Grammatik der Romanischen
Sprachen” (Gramatikë e gjuhëve romane) etj.
* * *
Në kohën që u regjistrua
Çabej, në atë universitet punonin, ndër të tjerë, indoevropianisti dhe grecisti
i njohur Paul Kreçmer* (Paul Kretschmer, 1866-1956),
albanologu i dëgjuar Norbert Jokl (1877-1942), arkeologu dhe historiani
i njohur Karl Paç (Karl Patsch, 1865-1945) etj.
Shënim: Paul Kreçmer (Paul
Kretschmer, 1866-1956) - gjuhëtar i shquar me prejardhje gjermane. Ka shkruar
edhe për ilirishten dhe shqipen. Me rastin e vdekjes së tij, Çabej ka shkruar
një nekrologji të botuar më 1957.
Norbert
Jokl (Norbert Jokl,
1877-1942) - gjuhëtar dhe albanolog i shquar austriak me prejardhje çifute.
Lindi në Bzenec të Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si autodidakt.
Si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht mësim si pedagog
i jashtëm për shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga nazistët më 1942. Më
1972, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në Insbruk të Austrisë u
organizua një konferencë ndërkombëtare. Në të morën pjesë edhe gjuhëtarë
shqiptarë. Tërë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Punoi në
fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të
marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe
morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien
zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për
etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe “Linguistisch-kulturhistorische
Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig, 1923 (Gjurmë
gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka edhe
studime të tjera. Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë,
vizitoi Shqipërinë. Jokli mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po duke e
vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë, Kosova e sotme.
Karl
Paç (Carl Patsch, 1865-1945)
- arkeolog dhe historian austriak, një nga themeluesit e arkeologjisë
ilire. Prej viti 1921 profesor në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i
Institutit Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore e zgjeroi
edhe mbi Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në librin “Das
Sandschak Berat in Albanien” (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë
1904). Në vitet 1922-1924 punoi në Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet
për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në shqip dy libra: “Ilirët” dhe
“Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë në kohën e kalueme”, Tiranë
1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa punime, për një nënshtresë trake
në trevën e ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për
përbërjen etnike helene të qyteteve ilire Klos e Bylis, është rrëzuar nga
studimet e mëvonshme.
* * *
Në Austri ishte krijuar
një traditë e mirë për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë
së popullit shqiptar. Mjafton të përmendet vepra e njohur “Albanesische
Studien” (Studime shqiptare, 1854) e konsullit austriak në Janinë,
me prejardhje gjermane, Georg fon Han* (Gerge von Hahn,
1811-1869) si dhe veprimtaria albanologjike e Gustav Majerit (Gustav
Meyer, 1850-1900). Këtu duhet shtuar edhe veprimtarinë shkencore të
albanologëve austriakë Norbert Joklit dhe të Maksimilian Lambercit (Maximilian
Lambertz, 1882-1963).
Nga sa më sipër rezulton
se vendimi i Çabejit për t’i vazhduar studimet universitare në Vjenë ishte
plotësisht i përligjur.
Shënim: Georg fon Han (Gerge von
Hahn, 1811-1869) - albanolog austriak me prejardhje gjermane, një nga
themeluesit e shkencës së albanologjisë. Përpos veprës së
sipërthënë, është autor edhe i veprave “Reise von Belgrad nach Saloniki”
(Udhëtim nga Beogradi në Selanik) dhe “Reise durch die Gebiete des Drin
und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, 1867-1869).
Gustav
Majer (Gustav Mejer,
1850-1900) - albanolog austriak me prejardhje gjermane, një nga
themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, profesor i gjuhësisë
krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Ndër të tjera, ka botuar
veprën “Etymologisches Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalori etimologjik
i gjuhës shqipe, 1891) dhe gjashtë vëllime të serisë “Albanesische
Studien”, I – VI, (Studime shqiptare, Vjenë 1883-1897). Vuri në
dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke. Gustav
Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe vjen nga ilirishtja dhe se ajo zë
një vend të veçantë midis gjuhëve indoevropiane.
Maksimilian
Lamberc (Maximilian Lambertz,
1882-1963) - gjuhëtar austriak. Mori pjesë në punën e Komisisë Letrare Shqipe.
Ka botuar disa vepra për folklorin shqiptar, si “Die Volkspoesie der
Albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë 1917), “Albanische
Märchen und andere Texte
zur albanischen Volkskunde” (Përralla shqiptare dhe të tjera tekste të
folklorit shqiptar, Vjenë 1922), “Epika popullore shqiptare”, 1958) etj.
* * *
Në kohën që Çabej shkoi
në Universitetin e Vjenës, vazhdonte të mbajë ligjërata për
indoevropianistikën, gjuhëtari i njohur Paul Kreçmer. Ky do të jetë edhe
një nga nënshkruesit e diplomës së gjuhëtarit tonë të ardhshëm. Nëpërmjet
letërkëmbimit, Çabej do të mbajë lidhje me të, edhe pas mbarimit të studimeve.
Lidhje më të shpeshta, si gjatë studimeve universitare, ashtu edhe pas mbarimit
të tyre, Çabej do të mbajë me Norbert Joklin. Pas vdekjes së Gustav
Majerit dhe pasi Holger Pedersen* filloi të merrej më pak
me shqipen dhe më shumë me gjuhë të tjera, Norbert Jokli mbeti albanologu më
prodhimtar.
Shënim: Holger Pedersen (1867-1953)
- gjuhëtar danez, indoevropianist,
keltolog dhe albanolog. Profesor i gjuhëve sllave dhe i gramatikës krahasuese
indoevropiane në Universitetin e Kopenhagës. Është marrë edhe me armenishten,
me gjuhët baltike-sllave, me gjuhët semitike, me gjuhët ugro-fine. Më 1893
qëndroi në Korfuz. U interesua të mblidhte përralla dhe këngë popullore
shqiptare. Bëri një vizitë të shkurtër në Sarandë e Delvinë. Materialin e
mbledhur e botoi më 1895 në veprën “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste
shqipe me fjalor, 1895). Botoi studime me vlerë për shqipen, si: “Kontribut
për historinë e gjuhës shqipe” (1894); “Die Gutturale im Albanesischen”
(Grykoret në gjuhën shqipe, 1900); “Das Neutrum im Albanesischen”
(Asnjanësi në shqipen, 1899), “Albanesisch 1905” (Shqip 1905) etj.
Vuri në dukje se dallimi midis dy dialekteve të shqipes është shumë më i
vogël sesa dallimet dialektore të shumë gjuhëve të tjera. Mbajti një
qëndrim kritik ndaj mbivlerësimit të ndikimit të huaj mbi gjuhën shqipe.
Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Studimet e tij
për shqipen janë përkthyer dhe kanë dalë në dritë me titullin “Studime për
gjuhën shqipe”, botuar nga AShAK, Prishtinë 2003.
* * *
Norbert
Jokli ishte mik i Shqipërisë.
Të gjitha energjitë e veta i përqendroi në studimet kushtuar shqipes dhe
historisë së saj. Prej vitit 1916 deri në vitin 1940, në revistën “Indogermanisches
Jahrbuch” (Vjetari indoevropian), mbajti rubrikën bibliografike për
studimet mbi gjuhën shqipe dhe për Shqipërinë. Jokli e mbajti afër studentin e
talentuar, Çabejin, kështu që midis tyre u zhvillua një bashkëpunim i frytshëm.
Punën studimore rreth
gjuhës shqipe Çabej e nisi qysh kur ishte student. Në Universitetin e Vjenës,
për të marrë diplomën me gradën e doktorit, studenti duhej të mbronte një
disertacion. Për këtë qëllim, diplomanti Çabej zgjodhi temën “Studime
italo-shqiptare” (Italoalbanische Studien). Në vitin 1932, për këtë
disertacion shkoi e mblodhi material pranë arbëreshëve të Sicilisë.
Disertacionin e mbrojti më 7 tetor 1933 para Prof. dr. Paul Kreçmerit, Prof.
dr. Norbert Joklit dhe Prof. dr. Karl Paçit. Për këtë,
Universiteti i Vjenës ia dha diplomën për gradën doktor. Diploma, përkrah
vlerësimit shkëlqyeshëm (Ausgezeichnet), është nënshkruar nga tre
profesorët e lartpërmendur.
Disertacioni prej 145
faqesh të daktilografuara përbëhet prej pesë kapitujsh. Kreu i parë bën fjalë
për emigrimin e arbëreshëve dhe për përhapjen e tyre në Italinë e Jugut dhe në
Sicili (f. 1-50). I dyti përmban një
skicë të sistemit gramatikor (f. 51-94). Në kreun e tretë trajtohet
fjalëformimi dhe fjalori (f. 95-113): prapashtesat romane, etimologjia
popullore, kalke gjuhësore dhe huazime (gjermane, turke, arabe). Në kreun e
katërt janë përfshirë tekste të mbledhura nga vetë autori (f. 114-130): jeta
baritore dhe mjekësia popullore, përralla, këngë, balada e Kostandinit të
vogël, ringjallja e Lazërit. Kreu i pestë përmban një fjalorth.
Qysh në vitet e para të
studimeve, krahas punës si student, Çabej ka bërë punë kërkimore në fushën e
gjuhësisë e të letërsisë. Në “Gazeta e re” të datës 22 shkurt 1929 botoi
një artikull vlerësues mbi poezinë e Lasgush Poradecit (emri i vërtetë
Llazër Gusho, 1899-1987). Në vitin 1929, kur ende ishte student në Gracë, Çabej
kishte shkruar artikujt “Një shkrim i panjohur i De Radës” dhe “Kundër
pseudofilologëve”. Në artikullin e dytë Çabej kritikon disa të ashtuquajtur
intelektualë shqiptarë që orvateshin të shiteshin si të përgatitur për çështje
të vështira filologjike, nga të cilat nuk merrnin erë fare. Studenti 22-vjeçar
i quan diletantë, ashtu siç ishin. Artikulli, jo pa arsye, nuk e pa dritën e
shtypit. Midis tjerash, i riu i talentuar ngrihet me guxim dhe shkruan: “Zakoni
i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide, e jo për inate personale,
për çfryrjen e të cilëvet janë të çelura kaq gjykatore!” “... Gjuha
është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i
vetmi thesar!...”
Me kërkesat serioze ndaj
studimeve shkencore në fushën e gjuhësisë, ky i ri tërhoqi vëmendjen e
profesorëve të shquar si P. Kreçmeri, N. Jokli etj. Për çështje të
rëndësishme nga lëmi i gjuhësisë Çabej diskutonte me profesorët e vet, kur
takohej me ta apo përmes letrave. Në njërën prej shumë letrave të N. Joklit, të
datës 7 prill 1940, profesori me emër i drejtohet Çabejit me “I dashur mik”.
“Shpesh kujtoj me ëndje ato vite të punës sonë..., bisedat e shumta e të
zjarrta për të gjitha problemet e shkencës albanologjike dhe të historisë s
saj.”
Autoritetet drejtuese të
Universitetit të Vjenës i propozuan të diplomuarit Çabej të qëndronte në atë
universitet si asistent pranë N. Joklit. Por, për të porsadiplomuarin shqiptar,
balta e mëmëdheut ishte më e ëmbël se kryeqyteti i ish-Perandorisë
Austro-hungareze.
Çabej 25-vjeçar, pas
mbarimit të studimeve universitare u kthye në Shqipëri. Dituritë dhe energjitë
e tij do t’i vërë në shërbim të atdheut. Në Shqipëri, nga plaga e
analfabetizmit vuanin 80 për qind e popullsisë. Niveli i përgatitjes së
nxënësve ishte ende larg nivelit mesatar të kohës. Numri i nxënësve nëpër
shkolla ishte shumë i vogël.
Çabej u emërua
nëndrejtor i konviktit “Malet tona”, pranë gjimnazit të Shkodrës, me të
drejtën për të dhënë edhe orë mësimi në atë shkollë. Në këtë gjimnaz, të
themeluar në vitin 1922, Çabej zhvilloi lëndën e letërsisë shqipe. Nga teksti “Elemente
të gjuhësisë e të literaturës shqipe” të botuar më 1936, në orët e mësimit
ai jepte edhe njohuri për gjuhën dhe folklorin shqiptar.
Në vitin shkollor
1935-1936 Çabej u transferua në Shkollën Normale të Elbasanit. Për kulturën e
gjerë, për sjelljen dhe lidhjet e tij me nxënësit, ka lënë përshtypje shumë të
mira, si në Shkodër, ashtu edhe në Elbasan. Edhe në Normalen e Elbasanit Çabej
qëndroi vetëm një vit. U transferua në Ministrinë e Arsimit për t’u marrë me
drejtimin e arsimit të mesëm. Një emërim të tillë, ai nuk e kishte mirëpritur.
Kërkesa e Çabejit që të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës,
nuk u pranua. Drejtuesit e dikasterit të sipërthënë e dërguan në Shkollën e
Plotësimit Ushtarak! Pas mbarimit të kësaj shkolle autoritetet vendosën që
Çabej të transferohet si profesor në
Gjirokastër.
Më 25 korrik 1930, në
ceremoninë e varrimit të atdhetarit të Rilindjes, Bajo Topullit (1868-1930)
Çabej mbajti ligjëratë, në të cilën ndërmjet tjerash thotë: “Ti, o rrëzuari
lis, si ata lisa që ngrihen në malet tona! Ti, mësues e edukator i kaq brezave
shqiptare! Bajo, prehu, pra! Dergje trupin tënd te balta jote! Për Atdheun që e
bëre dhe na e le trashëgim, mos ki frikë! Ne djalëria betohemi këtu para trupit
tënd, se ç’fitove ti, ne do ta ruajmë, qoftë edhe me gjakun tonë....”
Gjatë viteve 1938-1939 e
gjejmë përsëri arsimtar. Tani në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e
letërsisë, të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe. Një prej ish-nxënësve
të tij, midis tjerash thotë: “Profesor Çabej na kënaqte me shpjegimet e tij
për letërsinë arbëreshe...” Ai i këshillonte nxënësit që në hartime të
shkruanin shkurt e qartë.
Një ish-nxënës e kujton
Çabejin për orën e mësimit të mbajtur më 12 ose 13 prill 1939, pas pushtimit
fashist të Shqipërisë: “Ai erdhi në mësim i vrenjtur dhe i mërzitur...”
Në vitin shkollor
1939-1940 Çabej u transferua në Gjimnazin e Tiranës, ku u ngarkua me drejtimin
e shkollës. Autoritetet pushtuese më kot shpresonin ta bënin për vete
profesorin me kulturë. Ai nuk bëhej vegël e tyre. Në një shkresë të datës
29.7.1940, për Çabejin midis tjerash thuhet: “... Deri më sot nuk ka
treguar asnjë shenjë afrimi në politikën fashiste. Duhet konsideruar i
rrezikshëm dhe duhen marrë masa për ta shkarkuar nga detyra...”
Autoritet pushtuese
italiane e larguan Çabejin nga Shqipëria, duke i gjetur një “punë shkencore”
pranë Akademisë së Shkencave në Romë. Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij për
të punuar për “Atlasin gjuhësor shqiptar”.
Në autobiografinë e tij
Çabej ndër të tjera shkruan: “Kam hedhur poshtë çdo propozim për bashkëpunim
me të huajin...”
Në Romë Çabej qëndroi
deri në korrik të vitit 1944. Buka e huaj është e kripur. Rëndë është të
ngjitesh e të zbresësh nëpër shkallët e botës. Mëmëdheu kishte nevojë për të. U
kthye në Shqipëri.
Pas viti 1945 u krye
riorganizimi i Institutit të Shkencave me tre sektorë: gjuhë-letërsi,
histori-gjeografi dhe shkencat natyrore. Më 1946 u hap në Tiranë e
para shkollë e lartë, ish-Instituti Pedagogjik dyvjeçar me katër degë: gjuhë-letërsi,
histori-gjeografi, matematikë-fizikë dhe kimi-biologji. Më 1951 ky
institut u shndërrua në Institut Pedagogjik katërvjeçar. Më 1957 u themelua
Universiteti i Tiranës. Pedagogë të kësaj kohe, midis tjerësh ishin:
personaliteti i shkencës dhe i arsimit Aleksandër Xhuvani (1880-1961),
gjuhëtari, dijetari, albanologu Eqrem Çabej (1908-1980), gjuhëtari
Kostaq Cipo (1892-1952), historiani Aleks Buda (1911-1993),
shkrimtari, poeti dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), gjuhëtari
dhe albanologu Mahir Domi (1917-2000) etj. Çabej
është ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj.
Në Institutin Pedagogjik
dyvjeçar në Tiranë Çabej zhvilloi lëndët linguistikë dhe albanologji.
Ai e vazhdoi punën pedagogjike edhe më pas në Institutin Pedagogjik
katërvjeçar, e sidomos në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, që në kuadër
të Universitetit të Tiranës, u ngrit mbi bazën e Institutit katërvjeçar. Këtu
ai zhvilloi për shumë vjet lëndët Hyrje në historinë e gjuhës shqipe dhe
Fonetika historike e shqipes, për të cilën hartoi edhe tekstin përkatës.
Më 1957 ky tekst me 94 faqe, u botua si dispensë. I zgjeruar, u ribotua disa
herë. Si libër u ribotua edhe në Prishtinë.
Duke qenë se ishte
punonjës shkencor, më parë në ish-Institutin e Shkencave, ndërsa pas
riorganizimit të tij në vitin 1957, në Institutin e Gjuhës e të Letërsisë,
punën pedagogjike Çabej e kryente si pedagog i jashtëm. Ai punonte në sektorin
e gjuhësisë, që më parë drejtohej nga Aleksandër Xhuvani, ndërsa prej vitit
1955, nga Mahir Domi.
Në veprimtarinë
gjysmëshekullore të Çabejit vendin kryesor e zë prodhimtari e tij e pasur shkencore.
Sipas disa studiuesve, veprimtari e tij mund të ndahet në dy faza kryesore.
Faza e parë vazhdon deri
në fund të vitit 1944, ndërsa e dyta nis pas vitit 1945. Në fazën e parë ai
është marrë me studime thjesht shkencore, por edhe me botime për arsim të
mesëm. Në fazën e parë të veprimtarisë së tij bie në sy interesimi i madh, jo
vetëm për gjuhësinë, por edhe për folklorin dhe letërsinë
artistike, me një anim të lehtë nga kjo fushë e dytë.
Në studimet gjuhësore të
asaj periudhe bëjnë pjesë: “Tekste italo-shqiptare” botuar më 1935 në Hylli
i Dritës XI; “Elemente dialektore nga Italia” botuar në vitin 1936
në gjermanisht në revistën e Vjenës Glotta, XXV; “Marrëdhëniet midis
shqipes dhe rumanishtes” botuar në vitin 1936 në gjermanisht në Revue
internationale des etudes balkaniques (revistë në gjuhën frënge), Beograd,
Viti I, Nr. 2; “Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike”,
botuar në revistën e sipërthënë, Nr. 4-6; “Atlasi gjuhësor shqiptar”, Grottaferrata,
1943.
Fushës së folklorit dhe
të letërsisë i takojnë punimet: “Kënga e Leonorës në poezinë
popullore shqiptare”, botuar më 1934 në revistën Normalisti,
Elbasan; “Zakone dhe doke të shqiptarëve”, revista Illyria I (1936);
“Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut”, Hylli i Dritës (1936);
“Për gjenezën e literaturës shqipe”, Hylli i Dritës (1937); Kulti dhe vijimi i hyjneshës Diana në Ballkan”,
botuar më 1941 gjermanisht në Lajpcig.
Në studimet me karakter
gjuhësor, letrar dhe folklorik bëjnë pjesë: “Studime italo-shqiptare” dhe
teksti për shkolla të mesme “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”.
Ky tekst është i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë jepen njohuri mbi gjuhën,
mbi gjuhët e botës, mbi gjuhët indoevropiane dhe mbi shqipen. Në të dytën jepen
njohuri për shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, për shkrimtarët e
shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, si dhe për poezinë popullore
shqiptare dhe arbëreshe. Në pjesën e tretë, që përfundon me faqen 201, janë përfshirë
pjesë të zgjedhura nga shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, nga
shkrimtarët shqiptarë dhe arbëreshë të shekullit XX, nga poezia popullore e
arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë si dhe nga Shqipëria.
Veprimtaria shkencore e
Çabejit mori një zhvillim shumë më të madh në fazën e dytë, d.m.th. pas viti
1945, kur ai punoi pranë ish-Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë
Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe njëkohësisht edhe si pedagog në
shkollën e lartë.
Çabej bashkëpunoi edhe
me gjuhëtarë të tjerë: me profesor Aleksandër Xhuvanin për hartimin e
monografive “Parashtesat e gjuhës shqipe” (1956) dhe “Prapashtesat e
gjuhës shqipe” (1962) që janë dy nga studimet shkencore më të rëndësishme
të gjuhësisë shqiptare. Ky bashkëpunim i këtyre dy dijetarëve të shquar duhet
t’u shërbejë si shembull edhe të tjerëve. Me A. Xhuvanin, Çabej ka bashkëpunuar
edhe në vepra të tjera. Për shpirtgjerësinë e këtij dijetari, Çabej shkruan me nderim.
Çabej ka bashkëpunuar
edhe në mjaft vepra kolektive, si në përgatitjen e Fjalorit serbo-kroatisht
– shqip (1947) dhe në hartimin e 13 terminologjive për shkenca të
ndryshme. Ka bashkëpunuar edhe në redaksitë e revistave shkencore të
ish-Institutit të Shkencave dhe të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, në
komisionet përgatitore të konferencave dhe të sesioneve shkencore të
organizuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, si dhe në komisionin
përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).
Veprimtaria e tij
shkencore në fushën e gjuhësisë ka qenë pa krahasim më e frytshme
dhe më e rëndësishme se në fusha të tjera. Krahas bashkëpunimit në vepra
kolektive me karakter gjuhësor, Çabej ndërmori edhe disa punime të rëndësishme
afatgjata që diktoheshin edhe nga kërkesat e reja të zhvillimit të gjuhësisë
shqiptare. Si dishepull i gjuhëtarëve të mëdhenj si Kreçmeri, Jokli etj.,
ai i vuri vetes si detyrë afatgjatë sqarimin e disa çështjeve të rëndësishme të
gjuhës shqipe që kërkonin zgjidhje sa më të argumentuara. Është fjala sidomos
për studimet në rrafshin historik (diakronik) ku deri atëherë,
fjalën e parë dhe të fundit e thoshin pothuaj vetëm studiuesit e huaj.
Gjuhëtarët shqiptarë ishin marrë kryesisht me çështje të gjuhës së sotme
shqipe. Studime nga fusha e historisë së shqipes ishin ndërmarrë rrallë.
Përpjekje të tilla kishte bërë studiuesi arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882),
autor i veprës Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese
(Sprovë gramatologjie të krahasuar mbi gjuhën shqipe, vëllimi I 1864 dhe
vëllimi II (shtojcë) 1866. Këtu mund të përmenden edhe Aleksandër Xhuvani,
studiuesi arbëresh Marko la Piana (Marco La Piana, 1883-1958) etj.
Falë punës themelvënëse
të disa gjuhëtarëve si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Mahir
Domi, Selman Riza (Gjakovë, 1909 – Tiranë, 1988) etj. nisi të
zhvillohet mendimi gjuhësor shqiptar në rrafshin bashkëkohor (sinkronik)
dhe historik (diakronik). Tani e tutje shqipja do të
studiohet në mënyrë të shumanshme, përfshirë edhe studimin historik të saj.
Aleksandër Xhuvani dhe Mahir Domi kanë përkrahur çdo nismë për zhvillimin e
shpejtë të gjuhësisë shqiptare.
Shënim:Kostaq Cipo (1892-1952)
gjuhëtar, filolog, veprimtar i arsimit; autor i veprave Gramatika shqipe (1949)
dhe Sintaksa (1952);
Mahir
Domi (1915-2000) gjuhëtar,
profesor, akademik. Mori pjesë në hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954);
kryeredaktor i “Gramatikës së gjuhës shqipe” (në dy vëllime); redaktor
dhe bashkautor librit “Sintaksa”, vëllimi II. Ka hartuar tekste
universitare “Morfologjia historike e shqipes” (1961) dhe “Sintaksa e
gjuhës shqipe”, pjesa I (1968), pjesa II (1969). Është edhe autor i veprave
të tjera si dhe i shkrimeve studimore në lëmin e gjuhës apo të gramatikës së
shqipes.
* * *
Duke pasur dashuri të
madhe për gjuhën amtare, Çabej i
përqendroi energjitë e veta për të hedhur sa më shumë dritë mbi historinë e
kësaj gjuhe të lashtë të Ballkanit, pa lënë pas dore edhe çështjet e shqipes
bashkëkohore. Ndihmesë më të rëndësishme ka dhënë në fushën e
etimologjisë, të fonetikës historike, të gramatikës historike e të
dialektologjisë si dhe për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe.
Pra, në këtë periudhë ai iu përkushtua studimit diakronik të shqipes.
Profesorët e tij në Universitetin e Vjenës P. Kreçmeri dhe N. Jokli,
si indoevropianistë, merreshin kryesisht me studime diakronike.
Pas vitit 1945, studimet
albanologjike jashtë Shqipërisë nisën të pësojnë një rënie të dukshme. N.
Jokli, albanologu më prodhimtar i viteve ’20 e ’30 të shekullit XX, më 1942
u zhduk tragjikisht nga nazistët gjermanë. Holger Pederseni, tanimë
i mplakur, nuk merrej më me shqipen. Kjo zbrazëti e krijuar në këtë fushë
studimesh duhej mbushur. Përpjekje të suksesshme mund të bëheshin vetëm në
Shqipëri. Krahas thellimit të studimit sinkronik të shqipes, filloi në Shqipëri
edhe studimi diakronik i kësaj gjuhe, që mori hov sidomos me punën e frytshme
të Çabejit dhe të disa gjuhëtarëve të tjerë që ecën gjurmëve të tij.
Arritjet e gjuhësisë së
re shqiptare kanë bërë të mundur edhe zhvillimin e mëtejshëm të një
bashkëpunimi shkencor midis studiuesve shqiptarë dhe albanologëve,
ballkanologëve dhe indoevropianistëve në vende të ndryshme të botës.
Si në studimet etimologjike
ashtu edhe në ato për fonetikën, gramatikën dhe dialektologjinë
historike, Çabej është mbështetur në parimin që, duke u nisur nga faza e
dokumentuar e shqipes, të ngjitemi shkallë-shkallë në fazat më të hershme të
saj. Metoda hulumtuese e tij bazohet në krahasimin e brendshëm, duke u
nisur nga e njohura për të zbuluar të panjohurën. Ai u mbështet edhe në krahasimin
me gjuhët e tjera indoevropiane. Në shqyrtimin historik të fjalëve ose të
dukurive të shqipes ai mori në shqyrtim edhe përhapjen e tyre gjeografike.
Në studimet etimologjike
e ka zbatuar parimin e shkollës “Fjalët dhe sendet”, të zbatuar edhe nga
mësuesi i tij N. Jokli. Sipas kësaj shkolle gjuhësore, duhen pasur parasysh
lidhjet e ndërsjella midis sendeve dhe fjalëve përkatëse. Kjo shkollë u
themelua në fillim të shekullit XX nga gjuhëtari austriak Rudolf Meringer
(1859-1931) dhe nga gjuhëtari gjerman Hugo Shuhard (Hugo Schuchardt,
1842-1927) dhe ka të bëjë me një drejtim kërkimor në fushën e onomastikës.
Çabej iu përvesh punës
për vjeljen sistematike të fjalëve dhe të shprehjeve të shqipes jo vetëm nga
fjalorët e kësaj gjuhe, por edhe nga veprat e autorëve të vjetër shqiptarë dhe
arbëreshë, nga botimet me materiale dialektore të arbëreshëve të Greqisë, të
Italisë, nga ngulimet e tjera të vjetra shqiptare, si dhe nga krahina të
ndryshme të Shqipërisë.
Gjatë viteve 1950-1980
Çabej hartoi dhe botoi një numër të madh veprash shkencore, artikujsh shkencorë
dhe kumtesash në fusha të ndryshme të dijes: në gjuhësinë historike dhe
përshkruese të shqipes, në ballkanistikë, dialektologji, folklor, letërsi etj.
Shkrimet e tij u botuan brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kryet e vendit në
veprimtarinë e tij shkencore e zënë studimet etimologjike në fushë të
gjuhës.
Çështja e burimit të
gjuhës shqipe, sidomos gjatë shekullit XX ka ngjallu diskutime të shumta. Mbase
për këtë arsye Çabej është marrë edhe me prejardhjen e shqipes.
Për dijetarët e mëparshëm prejardhja e shqipes nga ilirishtja ishte një
gjë e vetëkuptueshme. Por nga fundi i shekullit XIX, e sidomos gjatë shekullit
XX ,disa dijetarë e kanë kundërshtuar këtë mendim dhe kanë mbrojtur hipotezat,
sipas të cilave shqipja është bijë e trakishtes, apo e së ashtuquajturës dako-mizishte etj.
Me argumente gjuhësore, historike-gjeografike etj., Çabej i ka kundërshtuar ato
hipoteza dhe ka mbrojtur tezën e burimit ilir të shqipes.
Nëpërmjet ndihmesave të tij, kjo tezë ka gjetur tashmë përkrahje te një numër
gjithnjë më i madh studiuesish të huaj.
Çabej ka dhënë ndihmesë
edhe në fushën e fonetikës dhe të gramatikës
historike të shqipes. Studimet në këtë fushë u ribotuan
në vitin 1988 në një vëllim më vete, me titullin “Studime për fonetikën
historike të gjuhës shqipe”.
Si studiues i
evolucionit historik të shqipes, Çabej u mor edhe me hulumtimin e dialekteve
të kësaj gjuhe. Në fushën e dialektologjisë ka dhënë ndihmesë
të madhe. Është ndalur sidomos te të folmet e shqipes që ruajnë më shumë
elemente arkaike, siç janë të folmet e arbëreshëve të Italisë.
Vëmendje të veçantë i
kushtoi studimit të autorëve të vjetër shqiptarë. Studioi gjuhën
e Gjon Buzukut (shek.. XVI), “Mesharin” (1555) e të cilit e
ribotoi të transliteruar dhe të transkribuar.
Çabej njihet si një
gjuhëtar që është marrë me probleme të historisë së gjuhës shqipe. Por, ai ka
punuar mjaft edhe për gjuhën e sotme letrare. Në
artikullin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” të botuar më 1979, vë
në dukje nevojën e pastrimit të shqipes nga fjalët e huaja të panevojshme.
Mori pjesë në 13 komisione për hartimin e terminologjisë së shkencave dhe të
disiplinave të ndryshme dhe për hartimin e fjalorëve të terminologjisë për botanikën,
matematikën dhe mekanikën teorike, energjinë atomike, termodinamikën,
optikën, akustikën, elektromagnetizmin, mekanikën, elektroteknikën, kiminë,
gjeologjinë, arkitekturën dhe gjuhësinë.
Çabej tregoi interesim
edhe për folklorin dhe letërsinë. Në krijimet
popullore ai gjente edhe elemente arkaike, që i hynin në punë për
studimet diakronike. Këtu duhen përmendur shkrimet “Poezia popullore e
arbëreshëve të Italisë”, botuar më 1961 dhe “Disa figura të besimeve
popullore shqiptare”, botuar më 1972, etj.
Nga shkrimet për letërsinë
mund të përmenden “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”, botuar më
1965; “Fan Noli ynë”, botuar më 1965; dhe “Disa burra të shquar të
arbëreshëve të Italisë”, botuar më 1974, ku bëhet fjalë edhe për
hulumtuesin dhe poetin Nikollë Keta (1741-1803).
Çabej ka marrë pjesë
nëpër konferenca dhe kongrese shkencore brenda dhe
jashtë Shqipërisë, duke dhënë ndihmesa të rëndësishme me kumtesa, referate dhe
diskutime. Në konferencat dhe kongreset e mbajtura brenda vendit duhen
përmendur ato të viteve 1952; 1962; Tiranë 1969; Tiranë 1972; sërish Tiranë
1972. Nga konferencat ndërkombëtare duhen përmendur: Firence-Pizë 1961; Sofje
1966; Insbruk 1972 etj.
Artikujt dhe studimet e
Çabejit janë botuar në shqip dhe në gjuhë të huaja. Studimet në gjuhën shqipe i
ka botuar nëpër revistat shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës, në revistat
kulturore dhe në gazetat e Maqedonisë e të Malit të Zi. Bibliografinë e
punimeve të Çabejit e ka botuar më 1981 studiuesi Jup Kastrati
(1924-2002).
Një numër të madh
artikujsh shkencorë, Çabej ka botuar edhe në gjuhë të huaja nëpër revista ose
nëpër vëllime përkujtimore në vende të ndryshme të botës: në Austri, në Francë,
në Greqi, në Gjermani, në Itali, në Jugosllavi – Beograd (1936, 1938), në
Poloni, në Rumani, në Turqi.
Veprimtaria shkencore e
Çabejit ka pasur jehonë të madhe në Kosovë. Të gjitha shkrimet e tij janë
ribotuar me titullin “Studime gjuhësore”, I-VII, Prishtinë
1975-1977. Botimi i tyre ka vazhduar.
Gjatë vitit shkollor
1971-1972 e më pas, Çabeji ka mbajtur një kurs leksionesh pasuniversitare apo
ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.
Në organet e shtypit
shkencor të Austrisë, Gjermanisë, Rumanisë, Italisë, Francës, Polonisë etj.,
për studimet e Çabejit, studiues të huaj kanë botuar recensione të shumta.
Çabeji ka pasur letërkëmbim me gjuhëtarë të
huaj, si: Holger Pedersen, Paul Kreçmer, Norbert Jokli, Karl Paç,
Maksimilian Lamberc, gjuhëtari rumun Aleksandër Graur (Alexandru
Graur, 1900-1988), gjuhëtari rumun Aleksandër Roseti (Alexandru
Rosetti, 1895-1990), gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986),
gjuhëtari dhe albanologu polak Vaklav Cimohovski (Veclav Cimohovski,
1912-1982), gjuhëtari rumun Haralambie Mihëjesku (Haralambie
Mihaescu, 1907-1985) etj.
*
* *
Çabeji argumentoi në mënyrë
shkencore prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar,
autoktoninë e tij në trevat ku banon sot në Gadishullin Ballkanik, vuri në
dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe
unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare.
*
* *
Vdekja e parakohshme e ndërpreu në mes punën këtij
dijetari të shquar. Për t’u mjekuar nga sëmundja e pashërueshme, u dërgua tri
herë në një klinikë të Romës, ku dhe i mbylli sytë për të vajtur në pavdekësi.
Për në banesën e përjetshme u përcoll më 17 gusht 1980. Prehet në gjirin e
dheut mëmë, ku e kaloi fëmijërinë, u burrërua dhe u zhvillua si dijetar. Në
ceremoninë e varrimit të Çabejit lexoi nekrolog historiani Aleks Buda (1911-1993).
Puna shkencore dhe pedagogjike e babait të gjuhës
shqipe është vlerësuar me çmime të shumta. Shumë institucione
kulturore, shkencore dhe arsimore në të gjitha trojet shqiptare mbajnë emrin e Çabejit. Krahas çmimeve të
tjera, është dekoruar edhe me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Instituti i
Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në vitin 1988
organizoi një sesion shkencor kushtuar veprës së tij.
Për jetën dhe veprën e dijetarit të madh ka hartuar
monografi profesor Shaban Demiraj, “Eqrem Çabej”, Tiranë
1990.
“Eqrem Çabej është dijetar dhe njeri
i madh” – Ismail Kadare