Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Kujtoj Profesorin Trim si zana

| E marte, 04.08.2020, 07:44 PM |


Nga Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, në këte 100 vjetor:

Profesorin Trim si zana...

PROFESOR  ARSHI  PIPA

(1920 – 1997)

Në 100 vjetorin e lindjes së Profesorit...

Profesor Pipa asht le në Shkoder me 28 Korrik 1920...

Spastrimi" i gjuhës së armikut të klasës:

Rasti i Fishtës, Camajt…
Merrni me mend një adoleshent shqiptar që, duke kërkuar në një raft të vjetër të gjyshes së vet, zbulon një libër të hollë, botuar në vitin 1905. Ai mund të lexojë pjesën e parë të titullit, “Te ura ...”, pa qenë në gjendje për të vazhduar, pasi ka hasur vështirësi në shkollimin e disa shkronjave. Libërthi është në vargje e djalit i pëlqen poezia. Fillon të lexojë këngën e parë, të titulluar "Marash Uci".

Pak nga pak, ai fillon të njohë shkronjat e pazakonta. Edhe pse nuk arrin të kapë kuptimin e disa fjalëve, ai merr vesh se poema flet për një bari, që ka udhëtuar deri në Stamboll. Mbërrin te vargjet 51 - 52:

Por shka, Zot, ka Mashi sot,

Qi na â vrâ e nuk bân zâ?...

Ai e kupton rreshtin e parë, por të dytin jo. Atëherë, ai hap fjalorin e ShNjL-së dhe fillon të kërkojë për â. Në vend të kësaj fjale (që është një kontraktim i âsht) ai gjen a-në, e shpjeguar si pjesëz pyetëse (fjalia vetë është pyetëse). Mungon gjithashtu edhe vrâ, fjala më e afërt me të është vras. Mos e kanë vrarë turqit Marashin? - pyet veten djali. Pjesa e mbetur e vargut duket se tregon në atë drejtim, sepse ndonëse nuk është Gegë, djali i bie lehtësisht në të se nuk bân zâ është e njëjta me nuk bën zë. Dhe kur dikush nuk nxjerr zë, do të thotë se ka vdekur. Por ai do për t’u siguruar dhe prapë hap fjalorin e ShNjL-së. Kërkon për ndonjë idiomë në seksionin frazeologjik të zë.

Nuk gjen asgjë. Nuk ka fat më të mirë sa kërkimi te seksioni frazeologjik i bëj. Kostallari nuk e ka futur idiomën, e cila është tipike gege. Në fakt, jo vetëm që idioma nuk ekziston në toskërisht, por vetë toskizimi i saj do të tingëllonte i çuditshëm. Libri s’e paska shënuar idiomën.

Duhet të ketë ndonjë problem këtu, - thotë djali.

Dhe kështu ai e ndërpret leximin e poemës.

Ditën tjetër ai vrapon te mësuesi plak i shkollës fillore dhe i kërkon shpjegime. Zhvillohet biseda e mëposhtme:

- Kam gjetur dje një libër të hollë, të ngrënë mole, i shkruar nga njëfarë Gjergj Fishta...

- Oh, mos! E gjete apo ta dha njeri?

- E gjeta kur po kërkoja për ca fotografi në një raft. Ka emrin e gjyshit tim në kopertinë.

- More vesh gjë kur e lexoje?

- Ca po e ca jo. Është fjala për një hero shqiptar, që u vra në betejë me turqit. Ky shkrimtar ishte vërtet shqiptar? Përdor ca fjalë shumë të çuditshme.

- Shkrimtari ka qenë prift.

- E po, ja përse nuk i merrja vesh shumë fjalë.

Priftërinjtë duhet të kenë pasur një gjuhë të ndryshme, një lloj zhargoni, ndoshta një kod sekret. Se ku kam lexuar, që ata, ditë e natë, rrinin duke komplotuar kundër Partisë.

Kjo është arsyeja, biri im, përse udhëheqësit tanë mendjendritur i kanë dënuar shkrimet e tyre.

- E drejtë. Ato nuk shkruheshin për popullin, por për priftërinjtë dhe pasuesit e tyre. Atë libër do ta fus në stufë.

- Më mirë ma jep mua. E rregulloj unë.

Pa dyshim, lexuesi duhet ta ketë marrë vesh se Fishta është me gjithë zemër i neverituri i stalinizmit shqiptar. Mund të pyetet me të drejtë se pse? Fishta konsiderohet "armik i popullit", para së gjithash, pse kryevepra e tij poetike, “Lahuta e Malcís”, është idhtësisht antijugosllave. Veçanërisht për këtë arsye, ai u nxor jashtë prej letërsisë shqiptare, si dhe prej shkollave shqipe që me ardhjen e pushtetit stalinist. Ishin ditët kur PKSH, faktikisht, ishte shtojcë e PKJ-së, më saktë e degës serbe të saj. Ishte koha kur nëpër rrugë brohoritej "Enver-Tito" e ky çift emrash shkruhej me të mëdha nëpër mure e banderola. Nënshtrimi i PKSH-së ndaj Partisë Komuniste Serbe ishte i tillë saqë shtypi shqiptar kopjonte mënyrën serbe të të shkruarit të emrave të huaj gjeografikë e të përveçëm. Ai i shtypte, jo si shkruheshin në vendet e veta të prejardhjes (sikurse ishte praktika në Shqipërinë parasocialiste), por sipas mënyrës që i shqiptonin serbët, kur i shkruanin me shkronja cirilike. Ky zakon, i filluar në Rusi shumë përpara se të vinte komunizmi, arsyetohej me vështirësinë e përdorimit të shkrimit cirilik rus në dhënien e tingujve latinë, grekë e arabë. Meqë Shqipëria zgjodhi alfabetin latin, pozita e saj në ketë pikëpamje është e njëjtë me vendet e tjera të Lindjes komuniste, si Polonia, Çekosllovakia e Hungaria, të cilat gjithashtu kanë në përdorim shkrimin latin. Por ndërsa këto vende vazhduan të shkruanin emrat gjeografikë si dhe të përveçmit, ashtu siç shkruhen në vendet e prejardhjes, udhëheqja komuniste zgjodhi mënyrën serbe (dhe ruse) të të shkruarit të tyre… Meqë ra fjala "në njërën dorë pushkën dhe në tjetrën librin", është parullë e njohur stalinisto-shqiptare, por edhe italo-fashiste…

Po le të kthehemi prapë te Fishta.

Ai u refuzua, jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij “Titistët”, janë të krahasueshme - duke lënë mënjanë poezinë - me karikaturat e Fishtës për Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te “Lahuta e Malcís”), por edhe për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk, pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e “Posta e Shqypnís”, nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë. Po të jetonte edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e stalinizmit shqiptar, me siguri do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhtar i kombit (vëllai i tij françeskan Vinçenc Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar, e më vonë Arqipeshkv i Durrësit, vdiq në burg). Arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohet fishtofobia e partisë është se ai ishte Gegë i Shqipërisë së Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh.

Në këtë pikë, lexuesi duhet të informohet se (para se vendi të shpallej si vendi i parë ateist i botës), shqiptarët praktikonin katër lloj besimesh: islamin sunit, bektashizmin shiit, ortodoksinë e katolicizmin. Për shkak të qëndresës së tyre ndaj propagandës ateiste dhe presionit, katolikët e kanë vuajtur më tepër përndjekjen fetare. Dhe meqë ata banojnë vetëm në Shqipërinë e Veriut, regjimi ka qenë i prirë të identifikojë ketë pjesë të vendit me katolicizmin.

Por Fishta është brohoritur si poet kombëtar, jo vetëm prej shqiptarëve Veriorë. Ai ishte sigurisht personaliteti katolik më i shquar i Shqipërisë parasocialiste. Fishta u bë gogoli i socializmit shqiptar, për shkak të staturës së tij dhe statusit si ideolog përfaqësues i katolicizmit shqiptar.

Megjithatë, ajo që të bë përshtypje në rastin e Fishtës, është se ai është "spastruar" jo vetëm prej fushës së letërsisë, por edhe prej asaj të leksikut. Dihet se Fishta ka leksik të pasur poetik. Max Lambertz-i, cili e ka përkthyer “Lahutën e Malcís” në gjermanisht, futi në Albanisch – Deutsches Wörterbuch (Fjalor shqip – gjermanisht) fjalë si me dheskë ‘locken’ (me joshë, me ndjellë) etj., etj… Asnjëra prej këtyre fjalëve, nuk gjendet në fjalorin e Kostallarit. Por një fjalë e tillë si me dheskë "e pasuron leksikun ekzistues", sepse, me sa di unë, nuk ka në shqip një fjalë tjetër që t’i përgjigjet fjalës anglisht ‘to lure’. Kurse një fjalë si me kandritë "e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse", ngaqë fjala nuk ka një të barasvlershme të vet të saktë në shqipe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për me leçitë, grrêç, shmrijak, ku kjo e fundit është karakteristike për zakonin e malësorëve që shtegtojnë me bagëti, sipas stinës nga kullotat verore në ato dimërore. Së njëjtës emërtesë baritore i përket edhe fjala vithna, shumësi i vath. Kostallari regjistron vathë, por jo shumësin vithna, siç dëgjohet në Shqipërinë e Veriut. Ai parapëlqen shumësin vatha. Por kjo formë e shumësit nuk del në asnjërin prej trembëdhjetë shembujve dhe frazave që ilustrojnë përdorimin e kësaj fjale. Prej nga vjen ky shumës vatha? Cipoja e ka vathë, vithna; po kështu edhe Lambertz-i; po kështu Kristoforidhi. Por ky i fundit regjistron edhe formën vatha të shumësit, e cila duket se është forma e gegërishtes qendrore. Kostallari ka zgjedhur këtë formë. Ngaqë tjetra qe përdorur prej Fishtës apo ngaqë kjo ishte një formë e gegërishtes së Veriut?


Raste të tjera "spastrimi"

Por rasti i Fishtës është vetëm ai që bie më tepër në sy në trajtimin që i bën Fjalori i 1980-s Gegërishtes letrare të veriut. Nikollë Gazulli, një tjetër prift katolik, hartoi një fjalor të ri: “Fjalë të rralla të përdoruna në Shqipninë e Veriut” (1941). Fjalori i Kostallarit, ndërsa përfshin një pjesë të madhe të leksikut të Gazullit, lë jashtë fjalë, të cilat janë tipike për kulturën materiale të Shqipërisë së Veriut. Kështu, p.sh., q?th, një dërrasë rrumbullake që përdoret për të pjekur bukë misri ose gruri në furrë (Zadrimë), tehak (por edhe qepç) vegël për latim guri (kulla e famshme e Shqipërisë së Veriut ose banesa e fortifikuar ndërtohet me gurë të latuar);… Ata diskriminojnë leksikun e shqipes së Veriut e ky diskriminim vepron kundër interesave të pasurisë leksikore të kombit.

Edhe shembuj të tjerë mund të sillen që mbështetin këtë konstatim. “Dranja” e Martin Camajt, një kryevepër e letërsisë shqipe, përmban mjaft fjalë të rralla, prej të cilave një numër shumë i vogël nuk gjenden në fjalorët shqip ekzistues, përfshirë këtu edhe fjalorin e Gazullit, me fjalë prej Shqipërisë së Veriut. Këto fjalë duhet të jenë nëndialektore, ngushtësisht të zonës së Dukagjinit, ku Camaj pati lindur.

Por shumë prej këtyre fjalëve e pasurojnë edhe më leksikun kombëtar, përderisa këtij të fundit i mungon fjala që tregon se çfarë po bëjnë ata ose, "zgjeron larminë e mjeteve të tij (të leksikut letrar) stilistikore e shprehëse", fjalë pa kurrfarë korresponduesje në leksikun tonë kombëtar, është fjala i lezëm (elegant, i hijshëm)…

Te “Dranja”, sikurse edhe në vepra të tjera, Camaj heq një kufi të qartë mes fshatarësisë së fushës dhe asaj të malit. Por, meqë “Dranja” u botua më 1981, pra një vit pas Fjalorit, ky fjalor nuk pritej t’i përfshinte fjalët që sapo përmendëm. Por një numër veprash të Camajt, në prozë e në poezi, e që përdornin, pak a shumë, të njëjtën gjuhë si te “Dranja”, kanë parë dritën e botimin edhe para daljes së fjalorit në fjalë. A kanë përfshirë autorët e tij diçka nga leksiku i Camajt? Jo, ata nuk e kanë përfshirë, sepse Camaj qe ndaluar për arsye politike, sikurse edhe Fishta (ai kishte mbaruar Seminarin Jezuit të Shkodrës) dhe, për pasojë, konsiderohej çfarë Ismail Kadare quan "gjuhë e Krishtit" në romanin e vet “Pashallëqet e mëdha”.

Le ta përsëritim vargun e kritereve të Kostallarit, që janë ndjekur në përzgjedhjen e materialit gjuhësor: "...Nëse fjala i sjell apo jo ndonjë pasurim leksikut të sotëm letrar, nëse ndihmon për thellimin e pastërtisë së gjuhës letrare shqipe, nëse e zgjeron larminë e mjeteve të saj stilistikore e shprehëse etj., dhe nëse lidhet me shtresat leksikore që rriten e zhvillohen apo me ato që rrëgjohen e shuhen". Ta gjykosh nga sa kemi gjetur në fjalor, i bie të thuash se procesimi i "pasurimit" të leksikut (me neologjizma, fjalë të rralla dhe huazime nga gjuhët e tjera), shkon dorë për dorë me procesin e "spastrimit" prej "shtresash leksikore që rrëgjohen e shuhen", d.m.th. spastrim i asaj pjese që është e dënuar të vdesë. I tillë, në radhë të parë, është leksiku i "gjuhës së Krishtit", leksiku i asaj krahine që mban vulën e fesë katolike. Me fjalë të tjera, procesi i spastrimit, ka motive të pastra ideologjike, duke qenë ideologjia në fjalë ajo e stalinizmit shqiptar. Çdo gjë që është kundër kësaj ideologjie, duhet të pushojë së qeni. Dhe, nëse ka ekzistuar në të kaluarën, ajo duhet të fshihet nga kujtesa, duhet të zhduket, të bëhet e paqenë. Mënyra më e shpejtë për të mbaruar ketë punë, është dëbimi prej fjalorësh i të gjitha fjalëve, që tregojnë koncepte fetare dhe praktika të së kaluarës, si dhe heshtje e plotë mbi emrat e atyre që qenë përfaqësuesit e ideologjisë fetare.

Kështu shpjegohet, në analizë të fundit, pse Fishta u nxor jashtë prej letërsisë shqipe dhe gjuha e tij u dëbua nga fjalori shqip. Kjo nuk e shpjegon, nga ana tjetër, se pse Naim Frashëri, ky përfaqësues shqiptar i fesë bektashiane, çohet në qiell edhe si poet i madh, por edhe si përfaqësues i nacionalizmit shqiptar. Sipas opinionit të përgjithshëm i të huajve e i vendasve, at Fishta është edhe ai poet i madh dhe figurë përfaqësuese e nacionalizmit shqiptar.

Atëherë pse i thuhet "po" Naimit dhe "jo" Fishtës?

Se Naimi është mysliman, kurse Fishta katolik?

Shumë i respektuar është edhe peshkopi Noli, një shkrimtar i klasit të parë dhe përfaqësues i shquar i nacionalizmit shqiptar, si edhe dinjitari më i lartë i Kishës Ortodokse Shqiptare. Trioja Frashëri, Noli, Fishta qe brohoritur si një trini e shenjtë e gjenisë shqiptare tripartish në kohën para ardhjes së stalinizmit. Tani trioja është katandisur në duet. Arsyeja themelore pse Fishta u la jashtë, del në pah fare lehtë, meqë arsyetimi merr formën e një entimeme (te Aristoteli enthymema): Stalinizmi shqiptar është një dukuri dërrmuese toske dhe toskët janë edhe myslimanë, edhe ortodoksë.

Fishta nuk është toskë, por as mysliman, as ortodoks. Ai është katolik edhe Gegë. Katolicizmi është një dukuri e kulluar Gege.

Stalinizmi e konsideron katolicizmin Gegë si kryearmikun e vet. Fishta ndalohet, sepse është përfaqësuesi kryesor i katolicizmit. Por procesi i "spastrimit" nuk ka qenë i kufizuar vetëm te shkrimtarët gegë katolikë, të konsideruar si armiq të popullit. Të njëjtin fat pësuan dhe disidentët partiakë, të cilët vunë në dyshim vlefshmërinë e politikës staliniste, të zbatuar në gjuhë, letërsi dhe arte. Më i shquari ndër ta është Sejfulla Malëshova, një toskë mysliman. Ai kishte qenë sekretar i Nolit gjatë periudhës së shkurtër kur peshkopi ishte Kryeministër i Shqipërisë në qeverinë revolucionare (1924)...- pësoi të njëjtin fat me poetët disidentë, që të rënë në fatkeqësi, u përjashtuan prej letërsisë shqipe të realizmit socialist.

Në njërën prej poemave të tij, ai përdor një fjalë Gege debojë (arsenal), fjalë që nuk është e përfshirë në Fjalorin e ShNjL-së. Në përkthimin e tij të Goethe-s "Mbreti i Tulës", Malëshova e përkthen fjalën gjermanisht Zecher ‘amator pije’ me bekrí, fjalë turke kjo, e pabarasvlershme në shqip. Fjalori i Kostallarit është i mbushur plot me fjalë prej turqishtes, shumica e tyre të pabarasvlershme në shqip. Por fjala bekri nuk del në te.”

================

Shenim nga F.Radovani: Materiali i plotë i Prof. Arshi Pipës asht botue tek VOAL, në vitin 2015. Arsyeja e ribotimit nga ana ime asht se: Profesor Arshi Pipa asht kenë e mbetet edhe sot nder të paktit kritikë të haptë e të saktë, se ate që mendon, e thotë troç si e lypë e verteta letrare e historike.

Ai fliste me gjithë Boten: Anglisht, gjermanisht, frengjisht, italisht...

Nga të gjitha shkrimet e Profesor Pipës, gjithkush mëson dishka t’ re...

Melbourne, 24 Korrik 2020.