| E diele, 02.08.2020, 01:28 PM |
Përkujtesë historike: Kryengritja e “Ilindenit” 2 gusht 1903
“ILINDENI” MBROJTI
INTERESAT BULLGARE DHE ASSESI SHQIPTARE!
Nga
Jusuf Buxhovi
Kryengritja
e “Ilindenit” e 2 gushtit 1903, u iniciua dhe u përkrah nga Bullgaria. Sofja,
si dhe Beogradi, kishte interesat që çështja e Maqedonisë të humbte tretmanin e
çështjes shqiptare, për t’u kthyer në një çështje , që duhej të gjente zgjidhje
në copëtimin e saj midis Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë. Jo rastësisht u
zgjodh Krusheva (në vilajetin e Manastirit) në mënyrë që ky projekt të fitonte
edhe “legjitimitet” etnik të “popullatës së përzier”, ku shqiptarët e besimit
orotodoks dhe vllehet shfaqeshin si shumicë.
Në
këtë lëvizje u përfshinë edhe shqiptarët ortodoksë të fshatrave përreth
detyrimisht: në njërën anë, si “vullnetarë” të mobilizuar nga Ekzarkati (kisha
bullgare). Dhe në tjetrën anë, nga militantët e VMRO-së, që po ashtu, u vunë në
veprim për djegien e katundeve shqiptare të besimit mysliman në pjesën e
Manastirit dhe përreth, me çka u krijua mundësia për një vëllavrasje shqiptare
për intresa të huaja, siç ndodhi në të vërtetë me kundërpërgjigjen që erdhi nga
Myteserifi i Shkupit, i cili mobilizoi redifet nga radhët e shqiptarëve
myslimanë për ta shuar kryengritjen.
Pra,
si e tillë, kjo lëvizje e projektuar nga interesat ruso-sllave dhe të disa
faktorëve të tjerë europian, nuk ishte as projekt as interes i lëvizjes
kombëtare shqiptare në përputhje me kërkesat e dala në “Lidhjen Shqiptare të
Prizrenit” dhe nga “Lidhja e Pejës” për autonominë shqiptare në kuadër të
Perandorisë Osmane, që me katër vilajetet e bashkuar shqiptare në një, do të
kishte fizionominë e një Shqipërie Osmane si urë kalimtare tek Shqipëria
Europiane.
Historianët
institucionalistë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, gjithnjë me ngarkesa
ideologjike dhe klishetë internacionaliste, duhet të rishqyrtojë qëndrimet
antishkencore rreth kësaj ngjarje në mënyrë që ajo të vlerësohet në përputhje
me të vertetën historike dhe jo koniunkturat e caktura politike të kohës.