| E diele, 26.07.2020, 03:47 PM |
KUJTOHET DR. IBRAHIM RUGOVA SI NJË KAMPION I LIRISË DHE NJË BURRËSHTETI QË NDANTE VLERAT AMERIKANE
Përfaqësia
e përherëshme diplomatike e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës
kujton dy gjigantë të drejtave të njeriut -- një shqiptar dhe një amerikan –Dr.
Ibrahim Rugovën dhe Kongresistin Xhon Luis, si dy kampionë të drejtave të
njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë, pa dallim
Nga
Frank Shkreli
Ambasada
e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njofton publikun nepërmjet një deklarate,
në portalin e saj të fejsbukut se, në ditët e ardhëshme, do të kujtojë heronjë
dhe udhëheqës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe
veprimtarisë së tyre në jetën publike, kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të
dy popujve, mbi të gjitha, liritë bazë të njeriut, individë të cilët edhe kanë
vepruar në mbrojtje të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë njerëzit
kudo dhe pa dallim. Fillimisht, ambasada
e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës ka vendosur të kujtojë ikonat e
të drejtave të njeriut, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe
kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë ditët e fundit, në moshën
80-vjeçare -- e të cilët kujtohen si udhëheqës me influencë dhe frymëzues të
shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë vepruar e punuar, por edhe më gjërë.
Duket
se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis
Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet
nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të
përbashkëta edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona,
nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë mbetën
bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale.
Në
njoftimin e ambasadës amerikane jepet një përshkrim i shkurtër i secilit prej
këtyre burrave, për të shpjeguar arsyen se pse, pikërisht, këta të dy u
përzgjodhën. Në kohën e tyre ata u
dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në luftën për sigurimin e të
drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut, njëri në Shtetet e Bashkuara e
tjetri në Kosovë.
Në
njoftimin për përzgjedhjen e ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova
thuhet: “Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Ai ishte shkrimtar, akademik dhe politikan që
zbatonte dhe mbronte një politikë të rezistencës paqësore ndaj sundimit serb,
në fushatën e tij për të siguruar lirinë dhe pavarësinë për Kosovën shtet-të
pavarur dhe sovran. Fushatën e tij për
liri ai e kishte bazuar në fushatat për liri dhe për të drejta civile në
modelin e qendresës së Gandhit (në Indi) dhe Martin Luther King-ut (në Amerikë). Ai besonte në fuqinë e politikës dhe jo në
dhunën”, për të realizuar objektivat e tija, thuhet në njoftimin e ambasadës
amerikane në Prishtinë. Aty citohen edhe
fjalët e Ibrahim Rugovës që përmbledhin, pak a shumë vizionin e tij për të
ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të marrëdhënieve me jashtë, veçanërisht me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës: "Vizioni im është të kemi një Kosovë të
pavarur dhe demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një
ekonomi të qëndrueshme, një Kosovë të integruar në BE, NATO dhe me marrëdhënie
të mira dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkluara të Amerikës”,
përfundon citati i Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, botuar në
faqen zyrtare fejsbuk të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Kongresisti
Xhon Luis, njëri prej bashkpuntorëve më të ngushtë të udhëheqsit të drejtave
civile në Shtetet e Bashkuara Martin Luther King-ut gjatë 1960-70-ave, ishte
një politikan amerikan dhe udhëheqës i lëvizjeve për të drejtat civile gjatë
disa dekadave,por edhe anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan
nga shteti Xhorxha, duke filluar nga viti 1987 e deri që ndërroi jetë, disa
ditë më parë, nga një sëmundje e rëndë.
Në njoftimin e ambasadës amerikane në Prishtinë citohet kongresisti Luis
për bindjet e tija se, "Asgjë nuk mund të ndalojë fuqinë e një populli i
cili është i përkushtuar dhe i vendosur për të bërë ndryshime në shoqërinë
tonë. Pse? Sepse qeniet njerëzore janë
lidhja më dinamike me Hyjnoren në këtë planet.”, ka thënë Lewis.
Kongresisti
Xhon Luis gjithë jetën e tij luftoi për të drejta të barabarta për vetën dhe
për të tjerët, përfshir komunitetin e tij afrikano-amerikan. Ai gjithmonë inkurajonte aktivistët e tjerë
dhe qytetarët e thjeshtë që, "Mos ki frikë të bësh pak zhurmë dhe të
shkaktosh telashe apo, ato që ai i quante “probleme për të cilat ia vlen të
bëhet zhurmë, probleme që janë të nevojshme", për të tërhequr vëmendjen e
pushterarëve dhunues të lirive dhe të drejtave që duhet të jenë të barabarta
për të gjithë. Xhon Luis, konsiderohet
si njëri prej “6 të mëdhejve”, të Lëvizjes së të Drejtave Civile në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, që punoi gjithë jetën e tij për mbrojtjen dhe avancimin
e të drejtave dhe lirive të afrikano-amerikanëve. Trashëgimia e tij, në
mbrojtje të këtyre të drejtave dhe lirive, vazhdon edhe sot ndërkohë që përball
nevojës për veprim dhe për protesta në mbrojtje të këtyre të drejtave të
njeriut, fjalët e tija gjithnjë rezonojnë në veshët e atyre që ndoshta
hezitojnë të aktivizohen në mbrojtje të këtyre të drejtave : "Nëse jo ne,
atëherë kush? Nëse jo tani, atëherë kur?
Nuk
e di se ide e kujt është kjo nismë që ka ndërmarrë ambasada amerikane në
Prishtinë, por është vërtetë një ide unike dhe me vlerë –për të venë në dukje
personat që ndajnë të njëjtat vlera – qofshin personalitete të njohura ose jo,
nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova.
Ndoshta nga shembulli amerikan, ndoshta jo, por Rugova shpesh fliste për
faktin se shqiptarët e Kosovës 30-vjet më parë e kishin humbur frikën që mund
të kenë pasur nga regjimi diktatorial komunist sllav, ndërsa kërkonin trajtim
dhe të drejta të barabarta nga okupatorët serb.
Dr. Rugova ishte shprehur në atë kohë se kemi humbur frikën por edhe
“kemi arrijtur që të lirohemi edhe brenda vetvetes”. Sikur shqiptarët e
Kosovës, në fillim të 90-ave, i ishin përgjigjur pyetjeve për të cilat njihej
Xhon Luis: "Nëse jo ne, atëherë kush?
Nëse jo tani, atëherë kur?
Bazuar
në këto vlera të përbashkëta që, sipas ambasadës amerikane në Kosovë,
pasqyrohen nga Ibrahim Rugova dhe Xhon Luis, Presidenti historik i Kosovës i
vuri gur-themelet miqësisë së përherëshme midis Shteteve të Bashkuara dhe
Kosovës, duke forcuar kështu mëtej lidhjet e forta midis dy kombeve tona,
bazuar pikërisht në këto vlera të përbashkëta universale, për liri dhe drejtësi,
për të gjithë dhe pa dallim. Përveçse
ndante dhe mbronte vlerat kombëtare dhe universale, Dr. Ibrahim Rugova u
ofronte bashkbiseduesve edhe urtësinë e shqiptarit, vlerat e miqësisë dhe të
qëndresës tradicionale, që pasurojnë vlerat universale, së bashku me besën,
nderin e burrërinë, vlerata dalluese të Kombit shqiptar.
Presidenti
Rugova besonte se bota, sidomos ajo perëndimore, do të kishte respekt më të
madh për shqiptarët nëqoftse ata do t’u përmbaheshin këtyre vlerave bazë të
identitetit të tyre arbëror. Dr. Rugova
ishte një burrështeti shqiptar ndryshe – ai jo vetëm që I mbronte si vlera të
shtrënjta kombëtare, por edhe frymëzohej nga këto virtyte. Ai me durim, guxim e besim -- fillojë të
shpaloste para botës – në përputhje me vlerat perëndimore dhe universale --
dinjitetin dhe vlerat kombëtare të shqiptarëve, të nepër-këmbura për më shumë
se 50 vjetë nga një ideologji sllavo-komuniste e anti vlerave perëndimore, por
krejt e huaj dhe armiqësore edhe ndaj vlerave, kulturës dhe traditave më të mira
shqiptare.
Ishin
këto vlera, mbi të cilat Dr. Rugova dëshironte që të ndërtonte shtetin e
Kosovës dhe jo bazuar në një ideologji të huaj sllavo-komuniste ose në
trashëgiminë e saj autoritare, por mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe
patriotike të rilindasve të vërtetë të Kombit, në harmoni të plotë me vlerat e
njohura universale për liri dhe të drejta të barabarta -- themelore dhe të pa
mohueshme për të gjithë njerëzit pa dallim.
Është
inkurajues fakti që Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ve në dukje,
në këtë mënyrë publike, se besimi në vlerat e përbashkëta amerikano-shqiptare
që ndante Presidenti Ibrahim Rugova me kongresistin amerikan, Xhon Luis, është
mënyra më e mirë për të ndërtuar institucionet e shtetit të Kosovës dhe për të
forcuar mëtej miqësinë dhe bashkpunimin me Shtetet e Bashkuara. Kam drojë se marrëdhniet e Kombit shqiptar me
Amerikën kanë hyrë në binarë krejt ndryshe nga ato që dëshironte President
Ibrahim Rugova. Klasa aktuale politike
shqiptare, në të dy anët e kufirit, do bënte mirë të nxirrte mësime edhe nga
simbolikat. Shqiptaria ka nevojë për
burrshtetas si Ibrahim Rugova, vërtetë një burrë vlerash universale dhe
kombëtare! Krenar që e kam njohur!
NDER DHE PRIVILEGJ QË E
KAM NJOHUR KETË BURRËSHTETI TË KOMBIT SHQIPTAR! – NË VARRIMIN E TIJ MBARË BOTA
TREGOI SE KUSH ISHTE IBRAHIM RUGOVA!