| E hene, 27.07.2020, 10:55 AM |
Rrejn
Nga
Edison Ypi
Rrejn
kur flasin. Rrejn kur pyesin. Rrejn kur përgjigjen. Rrejn kur rrinë. Rrejn kur
lëvizin. Rrejn kur hanë. Rrejn kur pijnë. Rrejn kur flenë. Rrejn kur
ëndërrojnë. Rrejn kur dashurojnë. Rrejn kur urrejnë. Madje rrejn edhe kur
rrejn. Dhe nuk rrejn rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e
kanë vesin. Rrejn gjith kohën. Rrenin dje. Rrejn sot. Do Rrejn nesër. Do Rrejn
deri ditën e fundit. Do rrejn deri frymën e fundit. Nuk rrejn as bukur,
këndshëm, që të thuash se rrejn për humor apo rrejn për ta bërë të këndëshme
bisedën për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejn dosido. Rrejn si u vjen
doresh. Rrejn pa u menduar. Nuk rrejn me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa
shkak. Rrejn kot. Rrejn pa e ditur pse rrejn. Rrejn sepse u duket se duhet të
rrejn. Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja,
burri, fëmija, të gjithë vetëm rrejn. Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka
si eteri materien. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I
ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja e bukur. Gjezdisin me Benzin e
tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të mykur. Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo
qelizë. Me rrena hajdutin e shpallin zotni. Rrugaçin hero. Cubin Robin Hud.
Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet.
Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar. Rrena këtu nuk është e
pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t'ja vlejë të mundohesh ta korrektosh.
Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, totale, definitive. Nuk Rrejn një
herë që ti falësh, apo dy a tre herë që t'i mëshirosh. Rrejn pafundësisht.
Rrejn pa turp, rrejn pa edukatë, rrejn pa vetpërmbajtje. Rren muhabetçiu, rren
dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren deputeti, rren
ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejn statistikat, rrejn deklaratat,
rrejn konferencat. Rrejn edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa
rrejt; rrejn spiunat. Rrejn dhe rrehen të gjithë. Rren dhe rrehet inginieri.
Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren
lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja, rren televizori, Rrejn tabelat që njoftojnë
datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë. Rrejn
opinionistat, analistat, kazanistat. Rretheqark, rrena dhe vetëm rrena. Bërtit
sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke
klithur. Gjurmën, hijen, e të vërtetës nuk i gjen dot askund, askurrë. As këtu,
as atje. As në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për
ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të
mijtën saj, për t’ju lutur me përgjërim të thotë ku është e tëra, pse vetëm
ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet. E kotë. Pas 1
hapi drejt të vërtetës, në çast të mbulojnë 1 mijë rrena.