| E diele, 26.07.2020, 10:36 AM |
Agron Tufa:
Autoriteti
i Hapjes së Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) ka nxjerrë një
lajmërim për një Tryezë shkencore me rastin e 95 vjetorit të lindjes së
shkrimtarit të madh dhe antikomunistit Martin Camaj, me titullin "Vepra
dhe përndjekja".
Dhe
këtë, fill pas tentativës ende shumë të freskët për ta përbaltur, duke ia
lëshuar dosjen e tij në kohë urgjente rekord në duart e një amatori diletant e
manipulues nga trashëgimtarët enveristë.
Kjo
më çon ndërmend një bisedë me znj. Sula, saktësisht me 12 prill 2019, kur për
së pari më tha:
-
A e di se edhe Martin Camaj (dhe një emër tjetër i njohur) kanë qenë
bashkpunëtorë të Sigurimit të Shtetit?
-
Nuk e besoj, - thashë, duke pasë parasysh një bisedë që kishim bërë me një
koleg që e njihte historinë e kësaj dosjeje, se si ishte tallë Martini me
Sigurimin para aratisjes. - Do të jetë ndonjë truk i Sigurimit, për të
manipuluar dashakeqësisht me figurën e tij. Punë hesapesh të vjetra.
-
Ndoshta, - tha znj. Sula, - por ne kemi dosjen e tij dhe Camaj ka firmosur.
-
nuk e vë në dyshim, - thashë, - por duhet parë konteksti.
Tani,
pas sulmit të ulët e të qëllimshëm për të manipuluar me këtë episod të Camajt
jashtë kontekstit, më vjen mirë, shumë mirë, që shefja e Autoritetit ka
vullnetin për të reflektuar.
Veçse
duhen sqaruar dy stacionet e Tryezës mbi Camajn - Vepra dhe përndjekja:
Për
të parën Autoriteti nuk ka hiç autoritet; ajo është punë e studiuesve dhe
filologëve.
Për
të dytën - Përndjekjen - mund të hidhet më së fundi dritë nën kujdesin e
Autoritetit, qoftë edhe për mënyrën se si është shfrytëzuar dosja, ashtu dhe
për mënyrën si doli dosja e Camajt prej andej, dy muaj para kërkesës zyrtare të
Tares, me ndihmën e një prej grave të ish Sigurimit që ka brenda e për të cilën
i kam pasë folë troç, dy herë, gojarisht, me shqetësimin më të sinqertë e më
dashamirës, në mënyrë që të bashkëvepronim të dy palët në një front të
përbashkët.