| E shtune, 25.07.2020, 09:11 AM |
E nesërmja je ti!
Nga
Dr. Gentjan Asllanaj
Të
dashur studentë! Në 30 korrik janë zgjedhjet universitare ku ju keni mundësinë
të shprehni vullnetin tuaj me votë për rektor, dekan dhe senatin akademik.
Tashmë prej ditësh kam pasur biseda intensive me studentët, profesionistët e së
ardhmes duke ju shpjeguar se pse janë të rëndësishme këto zgjedhje, pse duhet
të votojnë, si funksionon ky proces, pse duhet të bëhen bashkë, pse nuk duhet
që fatin e tyre ta lenë në rënie të lirë por do duhet ta vendosin vetë të
ardhmen e tyre. Ne shqiptaret e kemi zakon se sa herë zhgenjehemi nga politika
reflektojmë revoltën tonë duke mos votuar. Por a do të ishte kjo normale edhe
në universitet? Jo! Kjo do të ishte e pafalshme! Ju do të kaloni vitet më të
bukura të jetës suaj në universitet dhe nuk mund të lejoni që të jeni thjesht
kalimtarë. Ju duhet të bëheni pjesë e ndryshimit, duhet të besoni vërtet se e
ardhmja varet pikërisht nga ju. Ju duhet të kuptoni se nëse mendoni se këtu
gjithcka nuk bëhet, se më mirë të ikni, më mirë të largoheni sa më parë, ju
bëni zgjedhje por jo zgjidhje. Të dashur studentë ju duhet të votoni me
zgjuarsi! Mes jush ka studentë shumë të talentuar, studentë të shkëlqyer, asete
të pazëvendësueshme që është fat që i kemi në ambjentet tona universitare. Mes
jush ka edhe studentë arrogantë, që ju fyejnë, ju nëpërkëmbin, shpifin pa
kurrfarë problemi, që synojnë t’ju intimidojnë, t’ju trembin e padyshim synojnë
t’ju përcajnë. Të dashur studentë! Ka ardhur koha që të sillni ndryshimin, të
largoni të vjetrën, ta shembni fort ngrehinën e turpit të atyre që shfrytëzojnë
energjinë, moralin dhe shpresën tuaj për ndryshim për interesat e tyre. Ka
ardhur koha që të shkëpusni politikën prej akademisë, të kërkoni meritokracinë,
të luftoni për një universitet ku duhet të prevalojnë vlerat më të larta të
moralit, barazisë dhe ndershmërisë, ti thoni ndal fushatës së fyerjeve dhe të
përqafoni qytetarinë, të votoni të lirë, me ndërgjegjie të pastër dhe
dinjitoze. Ka ardhur koha që të votoni ata që do t’ju përfaqësojnë më së miri,
të vetëvendosni për të ardhmen tuaj me qetësi, optimizëm dhe zgjuarsi. Në
gjithë kontaktet e mia me ju gjatë këtyre ditëve kam ndjerë energjinë tuaj,
shpresën tuaj, bindjen tuaj se as pandemia, as largësia dhe asgje tjetër nuk
mund t’ju ndaloj që në 30 korrik të shënoni një epokë të re, epokën tuaj. Jam
krenar që kam dhënë kontributin tim sado modest që të zgjoj te secili prej jush
qytetarin model të së ardhmes, njeriun e mirë që e ka shqetësim në zemër jetën
e tij akademike dhe profesionale, aty ku keni investuar me shumë mund vitet më
të rëndësishme të jetës suaj. Në fund të fundit smund të jesh një student i
mirë nëse nuk je një qytetar model. Të dashur kolegë! Ngrijeni kokën lart pasi
e ardhmja ju përket juve! Sot më shumë se kurrë, jeni përgjegjës për të
nesërmen. Shpejt koha do ta tregojë se kur ju bëheni të gjithë bashkë ska as
parti e askush që t’ju mposhtë. Ju jeni partia më e madhe, jeni studentët e
Universitetit të Mjekësisë Tiranë, studentët më elitarë të Shqipërisë. Jeni
krenaria e pedagogëve tuaj, jeni krenaria e prindërve tuaj, jeni krenaria e
kombit tone!